SHKRIMI
e martë, 29 shtator 2020

GJOKË DABAJ: LIGJBËRËSIT DHE LIGJZBATUESIT E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË MOS BIEN PRE MAKINACIONESH

Durrës, 14 korrik 2020: Po flitet këto ditë nëpër mediat tona mbi të quajturat pakica kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht që unë nuk do të kisha asnjë kundërshtim që secilës pakicë kombëtare që jeton në Republikën e Shqipërisë, nëse plotësohet numri i caktuar për t’u cilësuar popullatë, rrjedhimisht pakicë kombëtare, asaj t’i njihet stastusi i pakicës kombëtare. Unë vetë i përkas pakicës kombëtre shqiptare në Republikën e Malit të Zi dhe nuk do të ishte e moralshme nga ana ime, të dilja tash kundër të drejtavet të cilësdo pakicë kombëtare në botë. Megjithkëtë, po them qartë edhe shkurt: Nëse plotësohen kushtet për ta marrë atë status!

Në radhë të parë, nëse plotësohet numri, sepse 15 apo edhe 150 familje nuk mund të quhen pakicë kombëtare në cilindo shtet të botës. Aq më keq kur origjina e tyre është “e vërtetuar” vetëm me një “deklatatë me shkrim” të deklaruesit. 15 apo edhe 150 familje janë thjeshtë imigrantë dhe, natyrisht, kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre, të kultivojnë traditat e atdheut të tyre të origjinës, por jo të gëzojnë edhe statusin e një pakice kombëtare. Në filozofi njihen lidhjet, varësitë, midis ndryshimevet sasiorë dhe ndryshimevet cilësorë: Me dy lugë miell nuk mund të gatuhet bukë, sado që buka gatuhet me miell. Katër apo gjashtë drurë pyjorë, të veçuar nga pylli, nuk mund të quhen pyll.

Veç kësaj, dmth veç kriterit sasor, kur flasim për pakica kombëtare, është e domosdoshme të përcaktohen dhe respektohen, gjegjësisht zbatohen edhe disa kritere të tjerë. Psh nëse një numër i caktuar banorësh kanë ardhur nga një vend tjetër dhe e plotësojnë kushtin sasior për t’u quajtur pakicë kombëtare, a e gëzojnë këtë drejtë, sado që e kanë sasinë e përcaktuar? Në Gjermani thuhet se ka disa qindra mijë turq. A e kanë turqit statusin e pakicës kombëtare në shtetin gjerman? Në Francë ka shumë algjerianë. A e kanë statusin e pakicës kombëtare algjerianët në Francë? Në Zvicër thuhet se ka mbi 300 mijë shqiptarë. A e gëzojnë shqiptarët statusin e pakicës kombëtare në Konfederatën Zvicerane? Tjetër gjë është të gëzosh të drejtat kombëtare në një vend mirëfilli demokratik e tjetër gjë është të kesh statusin e pakicës kombëtare në një shtet ku ti je i ardhur.

Së dyti, e thashë edhe pak më sipër: Për të qenë pjesëtar i një pakice kombëtare, a mjafton deklarimi personal i një individi apo grupi individësh? Unë e di që ky problem nuk është zgjidhur as në shkallë botërore, prandaj dhe është krijuar një kaos i madh, si në ekzistencën dhe kompaktësinë e kombevet, ashtu edhe në jetën e vetë individëvet dhe sidomos të pasardhësvet të tyre. Kur një njeri nuk di, gjegjësisht nuk dëshiron të dijë se cilit komb i përket, është tepër vështirë që ai njeri të jetë dikushi. Është tepër vështirë të jesh dikushi, qoftë edhe në një tavolinë duke pirë nga një birrë, ku tre shokët e tjerë e dinë kush je ti e ti deklarohesh ndryshe. Njerëzit më pa dinjitet janë ata që nuk e dinë çka janë! Por edhe më keq e katandisin veten ata që e dinë çka janë dhe nuk e thonë. Ata janë llumi i njerëzimit!

Në rastin e Republikës së Shqipërisë, ku po kërkohet që të njihen një varg pakicash kombëtare, çështja nganjëherë po merr tiparet e një kretenizmi, tiparet e një idiotësie të neveritshme. Njerëzit që nuk kanë qenë kurrë grekë, po mashtrohen për t‘u regjistruar grekë. Njerëzit që s’kanë qenë kurrë bullgarë, po mashtrohen për t‘u regjistruar bullgarë. Njerëzit që s’kanë qenë kurrë sërbë, po mashtrohen për t’u regjistruar sërbë. Njerëzvet që s’kanë qenë kurrë turq, u është thënë dhe po u thuhet: Ju jeni turq. Kur themi po mashtrohen, aty hyn gjithsesi edhe komponenti i VETMASHTRIMIT. Për ta futur berrin në thertore, mjafton të qesësh pak kripë në pëllëmbë të dorës dhe ta ndjellësh. Delja, viçi, dhia, hyjnë vetë në thertore.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka detyrë ta verifikojë vërtetësinë e çdo deklarate mbi përkatësinë kombëtare, individuale ose grupore. A është i lirë njeriu të deklarojë kombësinë simbas dëshirës? Kombësia nuk është si religjioni. Njeriu nuk ka të drejtë të luajë ose të tallet me kombin e të parëvet të vet, por nuk ka të drejtë as t’u krijojë vështirësi pasardhësvet të vet: „Gjyshi im u deklarua grek, sepse ashtu ia donte interesi!“ Është njëlloj sikur një djalë i ri t’u thotë shokëvet: „Gjyshja ime qe bërë kurvë, sepse ashtu ia donte interesi.“

Dëgjova në televizion dy qytetarë të Shkodrës që deklaroheshin me kombësi malaziase. Ishin të besimit mysliman.

E para: Mbi çfarë të dhënash mbështeten ata që e konsiderojnë veten malazezë? Mbi të dhënën se të parët e tyre kanë ardhur në Shkodër prej Malit të Zi të Sotmit? Por, a e dinë ata që Mali i Zi i Sotmi s’është Mali i Zi i mirëfilltë, se Mali i Zi i Sotmi është krijuar duke pushtuar toka të Shqipërisë dhe se të parët e tyre mund të kenë qenë viktima të atij pushtimi?! Madje, të parët e tyre mund të kenë ikur në Shkodër pikërisht për të shpëtuar jetën e vet, të rrëzikuar prej malazezëvet?! Në këso rrethanash, ç’kuptim ka ta quash veten malazias? ...Thoshte aty njëri prej të intervistuarvet, që babai i tij mezi ka ditur të flasë shqip. Por, a e di ai, sa shqiptarë ka sot, që nuk dinë të flasin shqip, sepse pushtimi malazias nuk ua ka mundësuar atyre, mundësuar realisht, as regjistrimin si shqiptarë, as shkollimin në gjuhën shqipe?! Dua të them: A është i sigurtë ai banor i Shkodrës se i përket tradicionalisht kombit malazias?

E dyta: Kur shteti shqiptar e ka për detyrë të verifikojë nëse deklarimet e këtyre shtetasve i përgjigjen së vërtetës, ç’ka bërë ky shtet për ta kryer këtë detyrë?! Po bëj një krahasim fare të thjeshtë: Kur dikush deklaron se s’është i infektuar nga korona-virusi, shteti a ka detyrë ta verifikojë thënien e tij me anë të një aparati dhe me analizat përkatëse?! Apo korona-virusi ka rëndësi, ndërsa deklarimi i rremë i kombësisë nuk paska rëndësi!? A e dinë pushtetarët e Republikës së Shqipërisë se nëpër Mal të Zi qarkullojnë ide që Shkodra është qytet, madje kryeqytet i dikurshëm i Malit të Zi dhe se një ditë do ta „çlirojnë“ malazezët edhe Shkodrën, ashtu siç kanë „çliruar“ Podgoricën, Tivarin, Ulqinin, Plavën, Rozhajën?! Nëse ligjbërësit dhe ligjzbatuesit tanë nuk i dinë këto gjëra, atëherë s’ka nevojë që unë t’i cilësoj idiotë! Vetë pushtetarët malazias, „shokë e komshinj të mirë“, „bashkudhëtarë drejt Bashkimit Evropian“, do t’ua vënë nofkën idiot, duke nënqeshur tinëzisht.

Po thuhet që pjesa ortodokse e Shkodrës dhe e rrethinavet, duke nënkuptuar aty kryesisht enklavën e Vrakës, nuk po shkruhen me kombësi malaziase, por po shkruhen me kombësi sërbe. Pyetjet e para që vijnë vetëvetiu janë këto: Kur kanë ardhur nga Sërbia këta banorë të Vrakës e të Shkodrës? Nga cili vend i Sërbisë kanë ardhur? Apo kjo s’u intereson fare ligjbërësvet tanë?! „E di vetë deklaruesi nga kanë ardhur e ku kanë jetuar më parë të parët e tij!“

Po thuhet madje që edhe në Libofshë të Fierit paska një enklavë sërbe! Sa është e vërtetë që ata banorë të Libofshës janë me kombësi sërbe? Nuk ka të drejtë askush t’ua ndalojë ruajtjen e gjuhës dhe kultivimin e veçorivet të tjera të kombit të tyre. Por historinë e ardhjes së tyre në Libofshë, me të gjithë përbërësit e saj, vendin nga kanë ardhur, kohën kur kanë ardhur të parët e tyre, gjendjen dhe origjinën e pronavet të tyre, duhet t’i njohin jo vetëm organet që akordojnë statuse, por edhe opinioni shqiptar e në radhë të parë vetë fierakët.

Ka në Shijak një enklavë myslimanësh të Bosnjës dhe Hercegovinës, të ardhur përkatësisht nga Mostari dhe nga Sarajeva. Ata kanë ikur nga vendi i tyre në gjysmën e dytë të shekullit 19, kur Austro-Hungaria e pat aneksuar Bosnjë-Hercegovinën, aneksim i cili solli, në fillim të shekullit 20, Luftën e Parë Botërore. Kësaj enklave boshnjako-hercegovase, mendoj unë, është e arsyeshme t’i jepet një status juridik, ashtu siç e përcaktojnë rregullat gjithbotërore. Por vetëm mbasi të jenë studiuar mirë ligjet dhe praktikat në shtetet e Evropës: në Francë, në Gjermani, në Zvicër, në Hungari, në Rumani, në Austri. Jo thjeshtë ligjet, por edhe me shembuj konkretë të krahasueshëm me rastin e këtyre banorëve në komunën e Shijakut. Boshnjako-hercegovas ka me siguri edhe në Zvicër e në Gjermani më shumë se në Shijak. A e kanë boshnjako-hecegovasit që jetojnë në Zvicër apo në Gjermani, statusin e pakicës kombëtare?! Nuk do të bëhemi ne shqiptarët më katolikë se Papa i Romës! Sepse ulet, bie përtokë autoriteti i Papës!

Në Republikën e Shqipërisë, me sa jam i informuar unë, është njohur tashmë statusi i pakicës kombëtare bullgare. Nëse është kështu, a është analizuar mirë dhënia e këtij statusi para se ai të miratohej? Nga dhe kur erdhën bullgarët në Shqipërinë e sotme, apo në Arbërinë e dikurshme? A mos ka ardhur dikur këtu vetëm sundimi i tyre dhe, me anë të Kishës Bullgare, janë “bullgarizuar” arbërit e dikurshëm?! Do të ndihmonte në këto punë sidomos testi i AND-së, natyrisht nëse do të kryhej me rigorozitetin e duhur. Por ka edhe një problem tjetër. Me njohjen e pakicës kombëtare bullgare këtu në Republikën e Shqipërisë, kur Bullgaria nuk është fqinje e drejtpërdrejtë me ne, mos krijohen keqkuptime me kombin maqedonas që e kemi midis nesh dhe bullgarëvet? Ç’do të thotë të ketë bullgarë në Republikën e Shqipërisë, ndërsa në Republikën e Maqedonisë Veriore banorët e atij shteti ta quajnë veten maqedonas e jo bullgarë?!

Kuptohet qartë që këto lojëra që po luhen, gjoja në emër të një demokracie evropiane, e cila nuk funksionon në vetë shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian, janë të rrëzikshme, me synime tepër të errët. Republikën e Shqipërisë, këtë copë të vogël Shqipërie që mezi e njohu Evropa si shtet më vete, po synojnë ta shpallin multinacionale, para se ta bëjnë lafsha-lafsha. Po krijojnë artificialisht pakica kombëtare, jo të vërteta, por të stisura, të sajuara. Pjesën jugore të Republikës së Shqipërisë po punojnë pa pushim për ta quajtur pjesë të Greqisë. Shihni gugëllin me çfarë gjuhe janë shkruar emrat e vendevet në pjesën jugore të Republikës së Shqipërisë! Ndërsa për Shkodrën njëfarë kleriku me emrin Amfillohije, që as malazezët s’po mund ta heqin qafet, po vjen e po thotë se “për çlirimin e Shkodrës kanë dhënë jetën dhjetë mijë sërbë”! Në vend që të thotë “për pushtimin e Shkodrës”, ai thotë “për çlirimin e Shkodrës”!

Në marrëdhëniet e shqiptarëvet me Republikën e Greqisë, anëtere e Bashkimit Evropian prej shumë vitesh, ka një problem shumë të madh. Pakicës greke, që jeton në Republikën e Shqipërisë, shteti shqiptar, qysh në kohën e socializmit, ia ka njohur të gjitha të drejtat që i takojnë një pakice kombëtare. Ndërkaq, shteti grek, arvanitasvet dhe shqiptarëvet që jetojnë në Republikën e Greqisë, në tokat e veta, nuk ua ka njohur asnjë të drejtë kombëtare.

Një pjesë madhe të Shqipërisë e ka aneksuar Greqia dhe ia ka dalë që bashkësia ndërkombëtare jo vetëm të mos e ndëshkojë për një të tillë aneksim, por edhe ta përkrahë! Ia ka dalë, madje, që popullatës shqiptare të aneksuar, që është ortodokse për nga besimi, t’ia imponojë shkombëtarizimin deri në pothuajse asgjësim të plotë të gjuhës dhe të traditavet të saja kombëtare! Po kështu ka vepruar edhe me arvanitasit, popullsi arbërore e vendosur në tokat greke prej shumë shekujsh, e cila, veç tjerash, ka dhënë kontribut të madh në çlirimin e Greqisë nga pushtimi osman. Kjo është “mirënjohja” e pushtetarëvet, të djeshëm e të sotëm, të Republikës së Greqisë, anëtare e Bashkimit Evropian! Kur sillet kështu ndaj kombit tim një anëtar i Bashkimit Evropian, atëherë si mund t’i besoj unë Bashkimit Evropian dhe si mund të dëshiroj unë të bëhem anëtar i atij Bashkimi?!

Në të këtilla rrethana, ligjhartuesvet dhe organevet ekzekutivë të Republikës së Shqipërisë u takon që këto të drejta të mohuara të shqiptarëvet që jetojnë me shumicë në Republikën e Greqisë, t’i kërkojnë me këmbëngulje. Organet shtetërorë të Republikës së Shqipërisë duhet t’i vënë kusht Bashkimit Evropian: “Ne pranojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, vetëm nëse Republika e Greqisë ua njeh statusin e pakicës kombëtare shqiptarëvet ortodoksë dhe arvanitasvet, që jetojnë në atë shtet!”

Në krahun tjetër, politikanët tanë duhet t’u thonë politikanëvet të Republikës së Malit të Zi: “Ne do të ju përkrahim në përpjekjet tuaja për të qenë të parrëzikuar nga babëzia sërbe dhe nga çdo lloj tjetër babëzie, por ju duhet të hapni shkolla shqipe për shqiptarët që jetojnë në Podgoricë, në Rozhajë, në Tivar dhe në Plavë”

Ç’do të ndodhte mbas një të këtillë qëndrimi, qoftë ndaj pushtetarëvet të Republikës së Greqisë, qoftë ndaj pushtetarëvet të Republikës së Malit të Zi, qoftë ndaj lojëravet që dikush po kërkon të organizojë këtu në lidhje me statusin e të quajturavet pakica kombëtare?! Mbas një të këtillë qëndrimi bota do ta merrte vesh që udhëheqësit e sotëm të shqiptarëvet nuk janë njerëz dosido! Ndërsa ne do ta merrnim vesh që këta nuk janë tradhtarë!

12-13 korrik 2020. Gjokë Dabaj.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks