SHKRIMI
e diel, 09 gusht 2020

PROF.Asoc.DR.VANGJEL KICI: VLERËSIMI I PUNËS DHE I PATRIOTVE NË SHQIPËRI

Toronto (Kanada), 22 korrik 2020: Gjatë regjimit monist në Shqipëri propagandohej me të madhe, se gjoja po ndërtonim socializmin (shpërblimi sipas punës). Në fakt po ndërtonim kapitalizmin shtetëror (shtet i pasur, me popull të varfër). Pra, populli nuk shfrytëzohej nga klasat e pasura në pushtet, por nga shteti komunist. Për kapitalizmin shtetëror në Shqipëri ka deklaruar edhe vet Ramiz Alija, pas ndërrimit të sistemit. Atëhere nuk vlerësohej drejt puna e punëtorit, e intelektualit dhe sidomos e kooperativistit. Ata grabiteshin nga shteti. Në krye të punëve drejtuese, në të gjitha fushat e jetës, u vunë njerëz besnikë të Partisë (zbatimi i parimit: “Partia udhëheq”), por shumë prej tyre ishin të paaftë nga ana profesionale. Titujt dhe gradat shkencore u jepeshin vetëm kuadrove besnike të Partisë. Atëhere u vlerësuan keq shumë kuadro të afta shkencore. Kështu u veprua edhe në sektorin e naftës. E hoqën drejtorin e aftë të Institutit të Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit, Petraq Xhaçkën. Në krye të atij instituti, që bënte projektimet e kërkimeve, u vendos drejtori i paaftë, Beqir Alija. Nën drejtimin e tij, gjatë rreth 10 vjetve rresht, nuk u zbuluan vendburime të reja të rëndësishme nafte dhe gazi. Prandaj, më 1975 u godit padrejtësisht sektori i naftës, gjoja për veprimtari armiqësore. Në fakt, puna e vërtetë armiqësore ishte goditja, që iu bë sektorit të naftës. Punë armiqësore dhe sabotuese nuk kishte, por vetëm gabime. Duheshin ndërruar vetëm disa shefa të paaftë, besnikë të Partisë. Në krye të punëve duheshin vënë specialistët e aftë nga ana shkencore, por Partia-shtet veproi ndryshe. Ajo dënoi “armiqtë sabotatorë”. Në institutin e lartpërmendur u dënuan dhe u larguan shumë kuadro të aftë dhe me përvojë shkencore. Atje mbetën kryesisht kuadro të paaftë, llafazanë dhe besnikë të Partisë. Shumica e tyre kishin mbaruar Filialin e Universitetit të Tiranës, me gjysmë programi mësimor. Një pjesë jo e vogël e tyre ishin spiunë të Sigurimit të Shtetit. Pas goditjes, prap e risollën Xhaçkën në krye të institutit, por me ato kuadro të paafta, që mbetën në institut, ai nuk mund të kishte suksese. Më 1986 e dënuan padrejtësisht edhe Xhaçkën me shokë, dhe pastaj nafta shqiptare mori tatëpjetën… Nafta dhe ekonomia shqiptare dështuan, sepse në krye kishin shumë specialistë të paaftë, besnikë të Partisë vetëm me llafe. Nuk u zbatua meritokracia. Kështu dështoi regjimi komunist në Shqipëri.

Atëhere u trajtuan dhe u vlerësuan keq jo vetëm shumë kuadro shkencore dhe intelektuale, si shtresa më e rrezikëshme kundër regjimit, por edhe figurat e shquara të kombit shqiptar. Për shembull: At Gjergj Fishtës i shkatërruan edhe varrin (eshtrat ia hodhën në Lumin Kir pranë Shkodrës, sepse kështu deshën serbo-sllavët!!). Dhe ky s’ishte rasti i vetëm. Kishte edhe plotë raste të tjera…



Pas vitit 1990, me ardhjen e gjoja “demokracisë”, vlerësimi i kuadrove në Shqipëri është shumë i dobët. Shumë njerzve u jepen diploma dhe tituj shkencorë të pamerituar. Shumë diploma jepen me pagesë nga universitetet e shumta private. Këta njerëz të paaftë, me diploma false (të rreme), drejtojnë sot shëndetësinë, drejtësinë, ekonominë etj. Mjer populli, që drejtohet nga këta të paaftë! Komisjoni i Lartë i Kualifikimit Shkencor u jep tituj të lartë shkencorë kuadrove të lidhur me politikën, sepse në këtë komisjon, si kudo, vazhdojnë punën pasardhësit e pushtetarve të kuq të djeshëm. Prap në krye të shumë punëve janë njerëz të paaftë nga ana profesionale, të pajisur me diploma dhe tituj shkencorë të pamerituar. Prandaj po dështojmë në çdo fushë…

Tani mosvlerësimi ka shkuar shumë më thellë se në kohën e regjimit monist. Prishen edhe varret e patriotve shqiptarë. Ja çfarë ka shkruar patrioti i nderuar Reshat Badallaj (nga fshati Zhur i Prizrenit), në artikullin me titull: Kush i thyen varret e patriotve? Ky artikull është botuar tek Gazeta Dita, më 18 mars 2014.

“…vandalët e pashpirtë, të pakulturë, fare nuk zgjedhin mjete për të dërrmuar varret, bile edhe të Dëshmorve të Kombit. Varrezat e Dëshmorve në Korçë janë dëmtuar aq, sa në sipërfaqe kanë dalë eshtrat. Heroina Shote Galica, e lënë në harresë. E kanë mbuluar plehrat në një cep të Fushë Krujës. Varri i Bajram Currit në Tropojë i coptuar si mos më keq…Varri i Isa Boletinit, ndonse pa eshtra, i thyer katër anësh. Edhe varri i Mic Sokolit, që përballoj grykën e topit, i thyer nga dora e zezë vandale. Ndërkaq, tek varri i Asim Vokshit vetëm dy-tre shkronja lexohen… Çuditërisht, në Kukës, varri i patriotit të shquar Hasan Prishtina u thye disa herë. Në djepin e kulturës, në Shkodër, Varri i Migjenit, Vaso Pashës, Luigj Gurakuqit, tymosin plehrat…Në Gjirokastër, tre herë janë thyer VARRET E ÇERÇIZ E BAJO TOPULLIT, ANDON ZAKO ÇAJUPIT, KOTO HOXHIT DHE PANDELI SOTIRIT. Në Korçë, varri i Pandeli Çelos e Mihal Gramenos, përpos varreve të gjymtuara, edhe shkronjat nuk lexohen... A e meritojnë këtë masakër këta patriotë? Ku është dora e shtetit? Kjo që po ndodh nuk duhet të ndodh, por që të mos ndodh në të ardhmen, në radhë të parë duhet të vetdijësohemi moralisht dhe kombëtarisht, dhe së dyti, të gjithë autorët vandalë, që dalin si lugetër, duhet të vihen në pranga dhe të marrin dënimin e merituar.”

Po muzeu i Frashërllinjve në Përmet, që është shkatërruar? Po shtëpia muze e At Gjergj Fishtës, që po shembet? Shteti nuk i riparon aspak. Kulla e Prenk Calit në Kelmend u shemb nga pushtetarët e sotëm. Mos harroni: Bajraktari i Kelmendit, Prenk Cali, me forcat e tij të armatosura është ai, që e mbrojti Vermoshin nga malazezët, sepse Zogu ia fali Malit të Zi. Ai i deklaroi delegacionit malazez në Vermosh: “Ju do t’i merrni bjeshkët e Vermoshit, kur ato të lahen me gjak”. Këtë ma thanë në fshatin Vermosh.

Nga ana tjetër, në jug të Shqipërisë, varrezat e ushtarve pushtues grekë, të rënë gjatë luftës italo-greke (1940-1941), janë ndërtuar në Dropull, në Këlcyrë dhe do të ndërtohen edhe në Korçë. Pra, aty ku janë vrarë ushtarët grekë është “Vorio Epir”, d.m.th. Greqi!! Eshtrat e ushtarve Greqia le t’i tërheq në truallin e vet, siç i tërhoqi Italia dhe Gjermania.

Tabelat, që tregojnë emrat e fshatrave, janë shkruar greqisht sipër dhe shqip poshtë, sikur të ishin në Greqi.

Në veri të Shqipërisë janë vendosur pllaka përkujtimore për usharët pushtues serbo-malazezë.

Emrat e shumë fshatrave, qyteteve dhe vendeve në Shqipëri janë ruajtur në gjuhën e pushtuesve të dikurshëm sllavë (bullgarë dhe serbë) dhe në gjuhën greke. Prandaj fqinjët tanë propagandojnë tek popujt e tyre, se tokat tona janë historikisht të tyret. Si dëshmi kanë emrat!! Grekët, serbët, maqedonët dhe malazezët, emrat shqip në trojet e pushtuara shqiptare i kanë zëvendësuar në gjuhën e tyre (Shkupi është bërë Skopje, Dibra-Debar etj.).

Ne i duam grekët, maqedonët dhe malazezët, por secili në vendin e vet.

Pa vlerësimin e duhur të patriotve dhe kuadrove nuk ka përparim. Prandaj Shqipëria është katandisur si mos më keq, në të gjitha fushat e jetës: Politike, ekonomike, arsimore etj.

Popujt e kulturuar i vlerësojnë patriotët dhe kuadrot. Për shembull: Gjermania ndërtoi, në qytetin bregdetar të quajtur Kiel (Kil), varrezat e 6 milionë ushtarve gjermanë, të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto varreza janë madhështore (mermer dhe lule të shumta gjithandej). Në krahinën çeke të Sudeteve, babai gjerman i 4 djemve ushtarë të vrarë, më tregoi më 1958, se brenda 10 minutave administrata e varrezave e shoqëroi tek varret e djemve në Kiel (midis 6 milionve!) Gjermania i nderon, sepse ata u vranë për Gjermaninë, megjithëse shkatërruan botën, kurse ne nuk nderojmë sa duhet patriotët tanë, që u vranë jo si pushtuesë, por në Shqipëri dhe për Shqipërinë.

Pa vlerësimin e drejtë të patriotve dhe të kuadrove nuk mund të zhvillohet Shqipëria. Ky mosvlerësim u shërben vetëm armiqve tanë të jashtëm.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks