SHKRIMI
e martë, 29 shtator 2020

KUDUSI LAMA: UҪK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (IV)

Pashtriku, 8 gusht 2020: Në Evropë nuk duhet folur më për shqiptarët me gjuhën e Serbisë

Evropa mori mbi vete barrën që të përfaqësohet me një raport politik për shqiptarët, si raport i Dick Martyt. Ky është një tregues i qartë se atje po vazhdon akoma të flitet për shqiptarët me gjuhën e Serbisë. Kjo nuk është e moralshme, por ja që është e vërtetë.


Ne jemi mësuar të na trajtojnë keq, ndaj nuk na bën shumë përshtypje. Ashtu sikurse jemi mësuar gjithnjë të kemi disa prej tanëve që ua krehin bishtin atyre që na shajnë e akuzojnë. Por na vjen keq, sepse deri sot Evropa nuk ka parë asnjë të keqe prej shqiptarëve, ndaj edhe duket befasuese kjo gjuhë e helmët që vjen prej Evrope, me synime si këto ku kemi arritur.

Në jetën kombëtare shqiptare kemi një veprimtari miqësore me Evropën dhe me gjithë shtetet e saj e kombet të marra veç e veç. Konflikti ynë qëndron vetëm me ata që na kanë përvetësuar e tjetërsuar trojet tona, të cilat nuk mund dhe nuk do të mund kurrë të pranojmë të na mbeten të kolonizuara. Në gjithë historinë tonë, u kemi bërë mjaft nder të gjitha vendeve evropiane. Ashtu sikurse edhe nuk kemi pasur mundësi e fuqi t’u bëjmë nder, por me garanci asnjë të keqe nuk u kemi bërë.

Prandaj edhe ndiejmë dhembje kur shikojmë e dëgjojmë të instalohet gjuha e Serbisë në gojën e institucioneve të Evropës. Jemi mësuar me shumë raporte që na kanë persekutuar në emër të Evropës. Por të bëhet një raport kundër shqiptarëve të cilët ishin bashkëluftëtarë të Evropës kundër krimit. Ose më saktë të bëhet një akuzë kaq e rëndë ndaj atyre që vetë Evropa zgjodhi të bëhet bashkëluftëtare e tyre në luftën kundër të keqes, krimit dhe mesjetarizmit. Kjo duke e pa arsyetuar. E pikërisht kjo Evropë, tani na del se paska njohur një ushtri kriminale që drejtohej nga disa kriminelë e kanibalë, që paskan punuar për të grabitur organet jetësore të serbëve, se nuk paskan pasur ndonjë synim tjetër në luftën e tyre. Pra, kjo Evropë që e ndërroi shtratin njëherë në vitin 1999 dhe u bë pjesë e vendosjes së drejtësisë për shqiptarët, tani po kupton se nuk paska vepruar mirë. Evropa po kthehet kështu në shtratin e vjetër të saj, atë të përbuzjes dhe denigrimit të shqiptarëve, shtrat i njohur ky për në dhe për të. Por që na vjen keq, vetëm pse akoma kjo Evropë ka shumë dëshirë të na sakrifikojë për interesat e Serbisë? A nuk është kënaqur akoma? Deri kur do të vazhdojë kështu?

Dick Marty, diplomati zviceran i njohur si politikani kundër pavarësisë për Kosovën, merr edhe një herë penën të shkruajë çfarë i thonë për shqiptarët, duke u munduar t’i paraqesë ata si të keqen më të madhe të Evropës. Unë jam i sigurt se ai e di mirë atë thënien serbe “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, sepse pikërisht këtë thotë edhe vetë vetëm se në një formë më të sofistikuar.



Janë raporte të tilla, të cilët mundësojnë që edhe shkrimtarë të njohur e me reputacion si Roberto Saviano, autori i librit “Kamorra”, në një bisedë në televizionin “Topcenell”, me gazetaren Rudina Xhunga, në emisionin “Shqip”, diku në pranverë të vitit 2011, u dëgjua të thotë se “edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që ju e respektoni, nuk është gjë tjetër veçse një organizatë mafioze”. Të kesh fuqi të thuash fjalën dhe të flasësh kështu pa përgjegjësi për t’i fyer të tjerët, nuk më duket gjë e mirë. Deklarime të tilla nuk duhet të zënë vend në agjendën e njerëzve të cilët e kanë për detyrë të jenë të drejtë në marrëdhënie me botën.

Por ja që është e çuditshme se gjithkush që intervistohet në Shqipëri dhe për shqiptarët bën si ekspert i kriminalitetit. E jo gjithkush është ekspert, këtë duhet ta kemi të qartë. Mos t’i marrim shumë seriozisht ato që thonë e deklarojnë të tillë “ekspertë”, të paktën ne për veten dhe njerëzit tanë, pasi do të ndihemi në pozitë të keqe, duke menduar vetëm keq për veten tonë. Realisht duhet të bëjmë që të tilla deklarata të vlerësohen me sy kritik. Të mos merren thjesht si të vërteta vetëm pse i kanë thënë të huajt sepse, siç duket, edhe ata e kanë kuptuar se ne jemi shumë të ndikueshëm nga opinionet dhe i lëshojnë të papjekura fare kur është puna për shqiptarët.

Kërkoj mirëkuptimin e lexuesit, pasi unë nuk synoj të arsyetoj se gjithçka që bëjmë ne është e kulluar. Por këto opinione dhe deklarata, që i bëjnë të huajt, qofshin individë apo organe politike, po shfrytëzohen shumë në të ashtuquajturën politikë të brendshme, që po i prishin shumë punë zhvillimit të vendit. Mezi pritet të bëhet një deklaratë qoftë edhe gjysmake nga një i huaj, që të hidhen në sulm politikanët e vendit kundër të “akuzuarit”, siç konsiderohet ai që akuzohet nga një i huaj se, ndoshta, nuk i kanë mbajtur pallton apo çantën. Unë i mirëkuptoj ata që punojnë dhe investojnë për karrige pushteti, ata le të shfrytëzohen deklarata të tilla e të tjera më të rënda kur gjejnë terren. Ama, kur është në fjalë morali kombëtar dhe vlera historike kombëtare, mendoj se duhet t’i vëmë gishtin kokës e frerin gjuhës dhe t’i tregojmë vendin gjithkujt që na hedhë gurë mbi ta.

Institucionet e Evropës, duke marrë përgjegjësi të bëjnë deklarata si ajo që miratoi Këshilli i Evropës mbështetur në raportin e Dick Martyt, merr përgjegjësi t’i përbaltë vlerat kombëtare shqiptare, të cilat ne i kemi të shenjta. Kjo përbaltje, askujt nuk i ka bërë nder vetëm Serbisë e pse jo edhe Greqisë (por që nuk është me interes të merrem tani me të, pasi ndoshta në të ardhmen duhet të them shumë gjëra edhe për të). Pse pra duhet të vazhdojmë të dëgjojmë këtë melodi evropiane kundër shqiptare e pro serbe? A nuk është bindur Evropa se me shpifje e veprime kundër shqiptare nuk e ndihmon dot Serbinë? Unë mund të them se me Serbinë jemi mësuar. Atë dimë mirë si ta luftojmë dhe do ta luftojmë deri kur të mësojë të rrijë si e barabartë në mes të të barabartëve. Po Evropa pse? Kaq shumë kënaqet ajo nëse ne lëmë të na shkelin e skllavërojnë serbët? Çudi.

Kur është deklaruar raporti i Dick Martyt, duke shfletuar literaturë për ta vlerësuar gjendjen, kam veçuar një qëndrim, në të cilin thuhet: “Nuk ka qenë habi që dokumente, projekte dhe pamflete antishqiptare kanë bërë qarqet politike e akademike në Beograd që në shekullin e nëntëmbëdhjetë (Naçertania e Garaçaninit) ato të fillimshekullit njëzet (Andriq), të gjysmës së dytë të shekullit njëzetë (memorandumi i AShA-së të Serbisë dhe Francuska 7 e Beogradit) sepse vinin nga një shtet që kishte spastruar territoret etnike shqiptare, kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare dhe në fund u përpoq ta bënte edhe pastrimin etnik të Kosovës në vitet 1998-1999.

Sot ende nuk janë shëruar plagët nga krimet serbe në Kosovë, ku vendi ynë u ballafaqua me politikën dhe strategjinë e tokës së djegur, të spastrimit etnik, të vrasjes, masakrimit dhe dëbimit të mbi një milion banorëve nga tokat e tyre. Ende nuk janë gjetur gjurmët e të zhdukurve dhe shumë të vrarëve nga makineria paramilitare, ushtarake dhe policore serbe, ende nuk ka kërkimfalje për krimet serbe në Kosovë, kur del një senator zviceran dhe përpiqet ta kthejë me kokë së prapthi historinë, duke e njollosur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të kreut të saj drejtues.

Në raportin e tij prej 40 faqesh Dick Marty përpiqet ta nxijë dhe ta vrasë politikisht kapitullin më të ndritur të historisë së re të Kosovës, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpiqet që t’i denigrojë moralisht dhe politikisht drejtuesit e UÇK-së. Jo z. Marty, nuk njollosen me shpifjet tuaja rrëqethëse ata që vetëm në saje të drejtësisë, korrektësisë dhe sprovave të vazhdueshme arritën që të gjejnë përkrahje në qarqet më të larta të diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, duke e ngritur në pikën më të lartë çështjen e Kosovës”.

Nuk arrij të kuptoj, a kanë institucionet evropiane një masë matëse të njëllojtë për të gjithë dhe të përhershme, apo e ka një masë sipas opinionit që ka apo që krijon për njërin e për tjetrin? Apo e ka një masë sot me një përmasë e nesër me një përmasë tjetër. Mendoj se ka ardhur koha të kemi edhe në autoritetin tonë, pavarësisht nëse blejnë serbët edhe diplomatë politikanë evropianë me para për të folur e vepruar kundër shqiptarëve. Ne kemi aq fuqi intelektuale dhe politike sa të arsyetojmë gjithçka dhe të japim prova të normalitetit të jetës e të historisë tonë.

Dje UÇK-ja ishte bashkëluftëtare e NATO-s, bashkëluftëtare e Evropës, bashkëluftëtare e të gjitha forcave përparimtare e moderne të kohës. Si nuk bëhet një analizë, por shpifet pa asnjë lloje kriteri, veçse kështu kanë dëshirë serbët? Realisht Evropa duhet t’u thotë mjaft serbëve e Serbisë. Mjaft u ka shkuar sipas avazit. Më duket se ka ardhur koha që Evropa ta mbrojë veten nga tendencat e sllavizimit. Ne shqiptarët e kemi mbrojtur veten kur kemi qenë një popull i vogël e i papërfillur. Jo më sot që jemi 10 milionë shqiptarë vetëm në Ballkan e që do të jemi edhe 100 % të çliruar shumë shpejt. Prandaj është mirë që Evropa të mos mendojë më se ne jemi një komb i vogël i Evropës. Sepse jemi më i madh edhe se serbët edhe se grekët. Por në radhë të parë ne duhet të kuptojmë vetë se jemi një komb i madh dhe të qëndrojmë e të sillemi si i tillë.

Edhe për sa kohë Evropa do të flasë për shqiptarët me gjuhën e Serbisë? Deri kur Evropa do ta përkëdhelë Serbinë në kurriz të shqiptarëve? A nuk ka ardhur koha të shikohen serbët si një popull që duhet të mos ndërtojë më interesat e tyre mbi interesat e të tjerëve dhe në dëm të tyre? Ne jemi evropianë, si të gjithë evropianët e tjerë. Askush nuk ka të drejtë të drejtojë gishtin më mbi shqiptarët e trojet e tyre. Askush nuk duhet lejuar më që të na konsiderojë një mjet për përmbushje të interesave të dikujt. Ne jemi ata që duhet të tregojmë me vepra, se vlejmë të mos na vënë kurrë në balancën e tregut evropian. Ishte një herë ajo kohë. Evropa duhet të ndryshojë sjellje ndaj shqiptarëve.

Nëse bëmë luftë kundër Serbisë nuk ishim ne fajtorët. Ne ishim të pushtuar e duhej të çliroheshim. Ne ishim të kolonizuar e duhet ta kishim lirinë tonë. Pse doli se paska qenë një faj kjo luftë? Si ka mundësi Evropa të harrojë se ç’hoqëm ne shqiptarët nga pushtimi serb e jugosllav? A ka logjikë të qëndrojë mendimi se shqiptarët qenkan ngritur në luftë, se paskan dashtë të grabisin disa organe jetike të njerëzve të Serbisë? Serbia me mbi 60 mijë ushtarë e 12 mijë policë në Kosovë, Serbia me 63 mijë civilë të armatosur në Kosovë, Serbia me mbi 8 mijë paramilitarë, mbi 5 mijë kriminelë e disa qindra agjentë të UDB-së në Kosovë, Serbia me një administratë të armatosur e të pamëshirshme në Kosovë, shqiptarët të vrarë, të masakruar, të zhdukur, të shpërngulur, të burgosur, të përdhunuar, të paushqyer, të papunë, të grabitur, të helmuar, njëkohësisht shqiptarët fajtorë për të gjitha këto. Kjo Evropë më duket se nuk është normale.

Thuhet se Evropa i do lirinë dhe demokracinë, thuhet se Evropa i do zhvillimin dhe unitetin, thuhet se Evropa i do përparimin dhe paqen, thuhet se Evropa ka ideale për të ardhmen. Po pse nuk i ka këto edhe për shqiptarët e trojet e tyre po i trajton si kanë dëshirë serbët dhe sllavët në përgjithësi?

Evropa nuk është mirë të godasë mbi shenjtërinë e luftës çlirimtare të Kosovës

Unë personalisht e di që ndihma e Evropës për çlirimin e Kosovës deri në përfundim të goditjeve të NATO-s ka qenë thuajse delikate, por unë kam dashtë që me këtë rast edhe Evropa ta marrë kthesën e të konsiderohet se i do shqiptarët si të gjithë qytetarët e saj, ndaj kam dashur që të konsiderohet edhe luftë e Evropës, ajo ndërhyrje e NATO-s. Por, siç duket, Evropa kur ndërhyri në Kosovë, nuk ndërhyri për t’i çliruar shqiptarët, por për t’i shpëtuar serbët. Edhe këtë unë e di dhe kam bindje profesionale dhe intelektuale se kjo ka qenë e vërtetë. Por, nëse ndodhi kjo, nuk do të thotë se ne ishim jashtë standardeve të jetës evropiane.

Unë di, gjithashtu, që në atë kohë shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi kanë marrë plagë, janë bërë invalidë, ose kanë vdekur vetëm se nuk kanë pasur mundësi ta marrin ndihmën e shpejtë mjekësore, për mungesë medikamentesh e specialistësh. Ndërsa sot për hatër të serbëve e të Serbisë, Evropa shpif se ne paskemi pasur mundësi të instalojmë klinika aq moderne sa të bëjmë edhe transplantimin e organeve jetike njerëzore. Aq moderne sa Shqipëria edhe sot nuk po i realizon dot as te Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, që është qendra më e avancuar mjekësore në Shqipëri.

Por asgjë nuk duhet të na habisë. Ky është një tregues i qartë se sa konsideratë ka pasur Evropa për luftën tonë, për lirinë tonë, për zhvillimin tonë dhe për të ardhmen tonë. Prandaj edhe na ofendojnë. Prandaj edhe kanë dëshirë të na e mohojnë luftën tonë.

Raporti i Dick Martyt është një mesazh se akoma bëhet një punë evropiane për Serbinë. Ai është një element prove, se akoma ndikimi serb mbi politikën evropiane është i pranishëm, se ka akoma influencë të fshehtë serbe në qarqe të nivelit të lartë në Evropë.

Por mua nuk më shqetëson dhe gjithë shqiptarët nuk duhet t’i shqetësojë një raport akuzues e përbuzës, i kujtdo qoftë. Por duhet të na shqetësojë fakti që Parlamenti i Evropës miratoi një rezolutë dhe nxori një deklaratë publike miratuese për këtë raport. E kërkoj ngritjen e një gjykate speciale për t’i dënuar ata që akuzon pa asnjë fakt ky raport.

Pati edhe zëra që ishin njerëzorë dhe të drejtë në atë parlament, por mbisundoi përfundimisht politika sllave e serbe. Ata zëra u shpërfillën dhe nuk u morën në konsideratë. Më fort kumboi zëri i rusëve që akuzonin shqiptarët se sa i shqiptarëve që kishin vetëm një kërkesë: të mos barazoheshin me kriminelët, sepse ishin viktima shekullore të krimit jugosllav e serbë.

Duket se misioni është i qartë. Kjo rezolutë nuk është akuzë vetëm për Kosovën. Ajo është edhe për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë në trojet e tyre e në diasporë. Pra, shihet se kërkohet të thuhet që të mos vlerësohen shqiptarët, pasi ata janë të tillët që i kemi përbuzur gjithnjë dhe për hatër të serbëve e jugosllavëve duhet t’i përbuzim përsëri. Kërkohet të krijohet një pengesë e pakapërcyeshme për shqiptarët drejt Evropës. Dhe dihet që Evropa është shumë e ndjeshme kundër krimit. Duke i quajtur shqiptarët kriminelë, kuptohet se i thuhet Evropës rri larg tyre. Ka shumë mundësi që të thuhet, se edhe Serbisë i takon shpërblim vështirësie që i ka masakruar prej gati dy shekujsh shqiptarët, qysh prej vitit 1846 e deri në vitin 1999. Se është lodhur duke i sunduar e shfrytëzuar për t’i mbajtur larg Evropës.

Evropa duhet të dijë se shqiptarët kanë gjëra të shenjta siç kanë të gjithë popujt dhe kombet e tjerë. Nuk është mirë të godasë pikërisht mbi këto shenjtëri, siç është edhe Lufta Çlirimtare e Kosovës. Ne kemi vlerat dhe historinë tonë për të cilat jemi të gatshëm të bëjmë edhe sakrifica. A nuk ka njohuri Evropa për vlerat e kombit shqiptar, apo nuk dëshiron të dijë? Mendoj që duhet të ketë njohuri, pasi unë kam njohuri për vlerat e italianëve, grekëve, francezëve, spanjollëve, portugezëve, anglezëve, skocezëve, skandinavëve, gjermanëve, austriakëve, hungarezëve, rusëve etj. Ata duhet të dinë për ne siç dimë ne për ata. Nëse jo, ky është tregues se ata janë të pa kulturuar jo ne. Prandaj, nëse ka evropianë që janë të pa kulturuar nuk janë fajtorë shqiptarët. Unë vetëm do t’u lutem atyre të studiojnë historinë dhe të njohin vlerat historike të kombit shqiptar dhe njëkohësisht të njohin edhe kontributet e këtij kombi për Evropën, për historinë, kulturën dhe sigurinë e saj.

Realisht Dick Marty nuk bëri mirë që u bë megafon i Serbisë. Por edhe pse u bë, kjo nuk është shumë problem. Ai përfaqëson vetëm vetveten. Por e keqja prapë e theksoj qëndron në faktin që ai u morë shumë seriozisht nga Parlamenti Evropian. Unë nuk dua ta akuzoi atë. Por ai ka marrë në mbrojtje Serbinë, duke u munduar ta pastroi nga fashistizimi i saj. Pse e bënë këtë? Unë nuk mund ta di. Por ai ose ka vetë në gjenin e tij ambicie fashiste, ose është paguar për të bërë justifikime të veprimtarisë fashiste të Serbisë.

Në mjaft momente evropianët edhe janë fyer, pse ne shqiptarët kemi reaguar ndaj këtij raporti dhe këtij qëndrimi të Parlamentit Evropian. Është vërtetë i çuditshëm ky qëndrim. Ne, që na fyejnë e na denigrojnë, që na akuzojnë e na shpifin, që na përdhunojnë e na ngarkojnë, ne nuk duhet të flasim e të reagojmë se evropianët fyhen. S’ka gjë se ata na fyejnë. Ky vërtetë është një tregues i pabarazisë që kërkojnë të instalojnë evropianët. Nëse kjo është e vërtetë, Evropa qenka e padrejtë. Kështu nuk është mirë. Kur ne akuzohemi se qenkemi kanibalë, nuk është ndonjë problem. Por kur ne themi se këto akuza janë fashiste, Evropa fyhet. Le të fyhet, ato janë akuza për të justifikuar krimet fashiste dhe ai që justifikon fashizmin është më i keq se fashizmi.

Nëse Evropa trembet, unë them se koha e Pjetrit të Madh të Rusisë ka kaluar. Ani pse ai u ka thënë rusëve: “Futuni e merrni pjesë në çdo rast në çështjet dhe grindjet e Evropës e sidomos të Gjermanisë, e cila na intereson me drejtpërdrejt nga që ndodhet më pranë nesh”. Ani pse ai i porositë rusët: “Përparoni pa u ndalur …”

Por duke njohur detyrat që kanë ruset prej paraardhësit të tyre të lavdishëm, besoj se bëhet e qartë për të gjithë evropianët që sllavët nuk kënaqen me pak. Ata nuk kënaqen duke hedhur baltë evropianët mbi shqiptarët. Prandaj evropianët mos të mundohen t’i mashtrojnë. Ata, le të mbrojnë veten prej tyre, se vërtetë janë të rrezikuar. Me diplomaci mashtruese nuk mund të ecet. Diplomacia ka vlerë kur vendos drejtësi.

Realisht Serbia është e sëmurë dhe Evropa me qëndrime kundërshqiptare nuk mund ta shërojë kurrë. Atë mund ta shërojë vetëm kur t’i thuhet e vërteta, që është e njëllojtë me kombet e tjera. Kur t’i thuhet se me përvetësim pronash e historie të të tjerëve nuk mund të jetë një shtet i madh. T’i thuhet se kisha nuk është pronë serbe, por është institucion shpirtëror individual njerëzor, nëpërmjet të cilës vendosen marrëdhëniet midis njerëzve dhe Zotit. A mos edhe Zotin serbët e kanë vetëm për vete? Deri këtu duket se shkon absurditeti serbë e jugosllav e miratimi evropianë.

Të mbajmë në vëmendje se serbët me bekimin e Rusisë e mbështetjen e drejtpërdrejtë të saj, akoma mendojnë si Milosheviqi se “Kosova është tokë serbe, asnjëherë nuk ka qenë shqiptare e as që do të jetë ndonjëherë!”Këtë mendim kanë edhe autoritetet politike e shtetërore serbe dhe kisha e Serbisë aktualisht, të cilët mendojnë e veprojnë me të gjitha mënyrat për të gjetur rrugë të mundshme për ta vënë Kosovën përsëri nën kontrollin serbë. Evropa mendoj se nuk duhet të tentojë të bëhet mashë e Serbisë në këtë aventurë, pasi dihet se aventurat janë të destinuara të dështojnë gjithnjë.

Serbët kanë qenë dhe mbeten burim konfliktesh të vazhdueshme me fqinjët prej shekujsh; racist e fashist deri në ekstrem, duke mos pranuar asnjë fqinjë të barabartë me veten, këtë e vërtetojnë programet e tyre të kërkimit të të drejtave historike të kombinuara me të drejtën racore serbe; ultraekstremist deri në ndërhyrje në punët e Perëndisë, nëpërmjet krijimit të miteve të paqena dhe deklarimin e popullit serb si një popull të dashur të Zotit mbi popujt e tjerë; misticizues të shkencës kanë krijuar një kompleks skizofrenësh, të cilët gjatë historisë, humbjet i shohin si fitore; burim i ideologjisë serbomadhe që ka prodhuar e do të prodhojë vetëm shovinizëm, destruktivitet, përleshje e keqdashje; as që mendoj se mund e do të reformohen e bëhen modern e mirëdashës të të tjerëve. Por siç duket për efekte balancimi Evropa po vazhdon t’i përkëdhelë akoma ata. Ama, jo më në dëm të shqiptarëve e trojeve të tyre, u bë shumë. Evropa duhet të kuptojë që midis shqiptarëve e serbëve është një lum gjaku shqiptar. Ky gjak nuk mund të bëhet ujë kur të dojë Evropa. Ai është dhe mbetet gjak. Nëse evropianët kanë nderim për gjakun e tyre, duhet të kenë të qartë dhe edhe gjaku i shqiptarëve i kuq është si ai i evropianëve. Nëse Serbia e serbët dhe gjithë sllavët do të dinë ta respektojnë e nderojnë atë gjak se i ka çliruar nga vetvetja, mund t’i mirëkuptojnë edhe shqiptarët, por me presione, akuza e kërcënime edhe Evropiane, nuk mendoj se shqiptarët duhet të tremben më. Evropa është e shqiptarëve aq sa edhe e serbëve. Këtë është mirë ta dijë Evropa e para.

VIJON …

___________________

KUDUSI LAMA: UҪK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (III)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10359


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks