SHKRIMI
e hënë, 19 tetor 2020

PROF.DR.ESHREF YMERI: SERVILËT E KADARESË JANË SI FARA E GRAMIT (II)

Santa Barbara, Kaliforni, 16 tetor 2020: Poeti i talentuar ushtarak Trifon Xhagjika, autor i poezisë emblematike “E pashë atdheun lakuriq”, kishte bërë letërsi të lirë, por u pushkatua në fund të dhjetorit të vitit 1963. Në sallën e gjyqit komunist të kryediktatorit, ai pati shpërthyer i rebeluar: “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!”

Atë Pjetër Mëshkalla, më 05 prill 1967, bashkëpunëtorit të ngushtë të kryediktatorit, Mehmet Shehut, i pati dërguar pamfletin politik fshikullues kundër diktaturës komuniste, por e pagoi me një burgim shumëvjeçar.

Më 17 korrik të vitit 1977, regjimi kriminal i kryediktatorit pushkatoi dy poetët e talentuar nga Librazhdi, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, sepse në poezitë e veta ata kishin bërë letërsi të lirë, i kishin lejuar vetes të ishin të dëshpëruar, çka ndalohej rreptësisht në kushtet e diktaturës komuniste.

Më 17 gusht 1988, pasardhësit besnikë të kryediktatorit, po aq kriminelë sa edhe ai, poetin e talentuar Havzi Nela, i cili kishte bërë letërsi të lirë, e varën në litar në mes të qytetit të Kukësit.

Është me të vërtetë për të lënë mendjen. Kadarea kaq të paditur i vlerësonte shqiptarët, saqë ata të mos ishin në gjendje ta kuptonin se ajo letërsia e lirë që ai krijonte dhe botohej në Perëndim, kalonte fillimisht nëpër filtrën e kryediktatorit? A mund të ishte përkthyer dhe botuar në Perëndim romani “Dimri i Madh”, sikur diktatori të mos kishte thënë se ajo vepër ishte e mirë?

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell - 1903-1950), në veprën e vet me titull “1984” (Nineteen Eighty-Four), të botuar në vitin 1949, një roman ky antiutopi (pasqyrim i një rendi shoqëror ose i një bashkësie, që i përfytyrohet shkrimtarit ose kritikut si diçka e padëshirueshme, neveritëse ose frikësuese), shkruan:

“Çdo shkrimtar që radhitet nën flamujt partiakë, herët ose vonë do të gjendet para alternativës: ose të pranojë nënshtrimin, ose të pranojë heshtjen”.

Jam i bindur që askush nuk ka pasë dëshiruar që Kadarea t’i kundërvihej diktatorit, se do të pësonte fatin e të gjithë atyre që u përmendën më lart. Heshtja atij nuk i pëlqente. Prandaj ai zgjodhi alternativën e nënshtrimit. Megjithatë, ai nuk duhej t’i kishte lejuar vetes të ngjitej deri në nivele aq të larta servilizmi ndaj kryediktatorit.

Unë nuk jam marrë kurrë me analizën e veprave të Kadaresë, se ajo është zeje e specialistëve të kritikës letrare. Por të deklarosh që, nga Shqipëria, në kohën e diktaturës, dilte një letërsi që na qenkej e lirë, tingëllon më shumë se marrëzi. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” vërtet pati sukses në Perëndim. Por arsyet e vërteta të atij suksesi i ka trajtuar mjaft gjerësisht dhe me shumë profesionalizëm analisti i njohur Kastriot Myftaraj në esenë me titull “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, apologji e paradigmës izolacioniste antiperëndimore të Enver Hoxhës. Gjyqi intelektual i Kadaresë”. Faqja e internetit “Shkupi Press”. 23 nëntor 2012.



Këtu unë po përmend vetëm një hollësi “të vogël” nga analiza bukur e argumentuar e zotërisë Kastriot Myftaraj për romanin e Kadaresë.

Në një dialog të gjeneralit me priftin, ku si ide kryesore del në pah zhdukja e shqiptarëve, gjenerali i thotë priftit:

“- Domethënë me armë ose pa armë ky popull është i destinuar të zhduket”.

Kjo ideja e zhdukjes së shqiptarëve, Perëndimit evropian i ka pasë ardhur shumë në osh që asokohe, kur, për shkak të pazotësisë së vetë shqiptarëve të përçarë kashtë e koqe, ai mori vendimin për copëtimin e trojeve tona etnike në vitin 1878, e vazhdoi copëtimin në vitin 1913, deri në zhdukjen nga harta e Evropës me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915. Kjo ide i pati ardhur shumë në osh serbosllavizmit, i cili romanin e Kadaresë e përktheu dhe e botoi në vitin 1963, sepse ideja e dialogut të priftit me gjeneralin për zhdukjen e shqiptarëve, vinte në harmoni të plotë me idenë themelore të shkrimtarit shovinist serb Ivo Andriç, të parashtruar në Elaboratin e tij famëkeq të vitit 1939, në të cilin shpalosej doktrina shtetërore serbe për zhdukjen e popullit shqiptar.

Po ashtu, politika franceze e vlerësoi përmbajtjen e romanit të Kadaresë si një dhuratë të zbritur nga qielli. Sepse, me sa më kujtohet, në vitet ’60, kinematografia italiane kishte nxjerrë në ekran filmin me titull “Beteja e Algjerit”, në të cilin pasqyroheshin krimet e kolonizatorëve francezë në Algjeri, çka bëri që populli të ngrihej më këmbë dhe të rrëmbente armët që sollën pavarësinë. Sigurisht që francezët e patën ndier veten të lënduar nga ai film. Prandaj botimi i romanit të Kadaresë ishte si një hakmarrje ndaj italianëve.

Servilët e Kadaresë, në heshtjen e tyre, si ata të katër që përmenda më lart dhe plot të tjetër, le të çlirohen për një çast nga gravitacioni i fuqishëm i servilizmit të tyre dhe t’i shtrojnë vetes ca pyetje si më poshtë:

A është penduar Kadarea për servilizmin e tij proverbial ndaj kryediktatorit, të mishëruar në korpusin poetik që i pati kushtuar, i cili përfaqëson pasaportën e tij politike në marrëdhëniet me diktaturën?

A është penduar Kadarea për sulmet e egra që pati ndërmarrë kundër Gjergj Fishtës, simbolit të kulturës sonë kombëtare dhe të dinjitetit tonë kombëtar, sulme që qenë sinkronizuar plotësisht me sulmet e kryediktatorit, si argat i regjur i serbosllavizmit? Në një intervistë për gazetën “Korrieri” të datës 06 janar 2002, Kadarea sikur gjoja qenkej penduar për sulmet kundër Gjergj Fishtës, të cilat i pati ndërmarrë me egërsinë më të madhe në faqet e tribunës së mashtrimit “Zëri i Popullit” të datës 13 janar 1974, por që, çuditërisht, i pati përsëritur po me të njëjtën egërsi edhe në librin e vet me titull “Ardhja e Migjenit në letërsi”, të botuar në vitin 1991, gjashtë vjet tashmë pas largimit të kryediktatorit për në botën e përtejme, çka e rëndon edhe shumë më tepër fajin e tij në qëndrimin ndaj Fishtës. Në heshtje, a nuk duhej të reflektonte Kadarea për vendimin mizor të kryediktatorit për zhvarrimin e eshtrave të Gjergj Fishtës dhe flakjen e tyre në lumë, një akt ky i përbindshëm i tij, i paparë në historinë e një vendi evropian, dhe t’u vinte fre sulmeve të egra kundër atij poeti dhe nacionalisti të shquar? Të gjithë trashëgimtarët e të persekutuarve politikë, që u masakruan egërsisht me armën e urisë dhe të punëve të rënda nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, ku patën mbetur eshtrat e njerëzve të tyre më të dashur, pas zëvendësimit të sistemit komunist, nuk menduan kurrën e kurrës që, në shenjë hakmarrjeje, të turreshin drejt varrezave të Sharrës për zhvarrosjen e eshtrave të kryediktatorit dhe flakjen e tyre në lumë. Dhe vepruan shumë mirë se, me prejardhjen e tyre nga dyer fisnike, dëshmuan më së miri se ç’edukatë të shkëlqyer kishin trashëguar, duke qenë të bindur plotësisht se edhe krimineli duhet ta ketë një çikë vend për prehjen e eshtrave të veta.

Servilëve të Kadaresë u rekomandoj të lexojnë me vëmendje esenë e intelektualit Indrit Bardhi, me titull “Kadarea i ka borxh Gjeniut të letrave At Gjergj Fishtës një pendesë të besueshme”. Faqja e internetit “Proletari.com”. 25 shtator 2015.

A është penduar Kadarea për qëndrimin fyes, deri në përbuzje, ndaj të persekutuarve politikë dhe, përgjithësisht, ndaj klasës së përmbysur? Qëndrimi i Kadaresë ndaj tyre ka qenë në harmoni të plotë me qëndrimin e kryediktatorit në kuadrin e fushatave të luftës së klasave. Ky qëndrim del më së miri në pah në korpusin e tij poetik në shërbim të kryediktatorit, sidomos te poezia “Në mesditë Byroja politike u mblodh” (Mos lëvizën klasat e përmbysura,.. Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj) dhe te poezia “Terrori i bardhë” (“Njerëzit, pavarësisht nga klasat, buzëqeshin, /Dhe duke buzëqeshur, unë shpesh ju kam parë./ Por veç kur kam shkruar diçka që veçanërisht ju ka prekur, / Mes smaltit të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë”. Vepra letrare, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, Vëll. 1, f. 331).

A është penduar Kadarea për esenë politike “Një botë në rënie”, të cilën e pati botuar në vitin 1971 në “Zërin e Popullit” pas kthimit nga Nju Jorku, ku pati marrë pjesë si anëtar i një delgacioni rinie në kongresin e rinisë botërore? Në atë ese të turpshme, të përfshirë në serinë e botimeve “Vepra Letrare” të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, vëll. 12, f. 271-294, Kadarea i mashtron lexuesit me disa gënjeshtra me bisht, si këto në vijim:

“Rinia amerikane është në kërkim të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë është Lenini”.

Kjo ese ishte një tjetër pasaportë politike, me të cilën kryediktatori e kishte pajisur Kadarenë në luftë kundër imperializmit amerikan.

A është penduar Kadarea për vrasjen e dashurisë së pastër të atij djaloshit të talentuar të Liceut Artistik, i cili ishte në lulen e rinisë kur dashuroi të bijën e tij? Qëndrimi i egër i Kadaresë kundër atij djaloshi a nuk ishte mishërim dhe konkretizim mjaft domethënës i bashkëpunimit të tij të ngushtë me dikaturën e kryediktatorit, çka bëri që ai të ngrinte shtetin më këmbë për ndëshkimin e tij? Dhe shteti e ndëshkoi rëndë: e internoi familjen e tij, kurse djaloshin e pati shtruar edhe në spital, për t’i injektuar ilaçe, me qëllim që të mbetej invalid. Dhe sot, në moshë madhore, për fajin e rëndë të Kadaresë, ai dergjet invalid në Nju Jork.

A është penduar Kadarea për letrën plot indinjatë dhe protestë që i pati dërguar gazetës franceze “Le Monde” më 26 prill 1985, sepse gazeta kishte botuar shkrime kundër kryediktatorit me rastin e largimit të tij për në botën e përtejme? Vallë a nuk ishte i vetëdijshëm Kadarea që populli shqiptar, për shkak të politikës tmerrësisht varfëruese që kishte ndjekur kryediktatori, kishte arritur në zgrip të degjenerimit gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit? A nuk e kuptonte vallë Kadarea se kishte ardhur koha ta kthente pllakën pas largimit të kryediktatorit për në botën e përtejme dhe të hiqte dorë nga servilizmi ndaj fantazmës së tij? Apo servilizmi i duhej për të pasur edhe mbështetjen e fuqishme të Nexhmijes, si bashkëpunëtore e ngushtë në krimet e kryediktatorit?

A është penduar Kadarea për botimin e esesë me titull “Një pasdite me shokun Enver Hoxha”, në të cilën shkruan:

“Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale…” (Citohet sipas faqes së internetit “Radio Kosova e Lirë”. 17 shtator 2012).

Pra, Kadarea, ende nuk hiqte dorë nga servilizmi “veteran” ndaj kryediktatorit, duke e vlerësuar si “monumentale” veprën e tij, e cila dihej që do të përfundonte në koshin e mbeturinave, siç edhe përfundoi faktikisht.

Sigurisht që servilët e Kadaresë nuk kanë gojë t’u përgjigjen pyetjeve të radhitura më lart, se u mungon guximi intelektual. Le të rrinë të qetë se idhulli i tyre u është përgjigjur vetë atyre pyetjeve. Ai nuk është penduar për asgjë në jetë. Këtë e ka pohuar me gojën e tij. Zonja Mimoza Bejleri, në vitin 2014, pati botuar në Gjermani librin me titull “Kadare ndryshe”. Në atë libër ajo ka përfshirë edhe një intervistë që i ka marrë Kadaresë në Paris, në të cilën, mes pyetjeve të shumta, i pati drejtuar edhe pyetjen në vijim:

Ju jeni penduar për diçka në jetë?

Kadarea i përgjigjet:

“…tek mua s’ka vend fjala pendim për asgjë” (Citohet sipas: “Kadare për dashurinë, femrat, pasionin dhe pendesën. Sipas një bisede të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare në Paris. Faqja e internetit “Epoka e Re”. 10 tetor 2014).

Pra, Kadarea nuk është penduar për asgjë gjatë ushtrimit të zejes së servilizmit të tij në periudhën e diktaturës komuniste, prandaj karrierën e dashur të servilizmit e ka vazhduar edhe pas zëvendësimit të sitemit komunist. Letra e tij e hapur, drejtuar Lulzim Bashës më 21 maj 2011 për të hequr dorë nga kandidimi për kryetar bashkie në Tiranë, në mënyrë që Rama të zgjidhej për të katërtën herë në atë post, ishte dëshmia më qartë e servilizmit të tij ndaj Ramës.

Së fundi, servilëve të Kadaresë dëshiroj t’iu përmend edhe Çmimin Nobel në letërsi, për të cilin ai, nëse nuk gaboj, ka dyzet vjet rresht që po nominohet për marrjen e tij. Por, për habinë e të gjithëve, juria e atij Çmimi vazhdon me kokëfortësinë e vet të mos ia japë ende. Nuk e besoj se do të ketë shqiptar që të jetë kundër vlerësimit të Kadaresë me atë Çmim. Për mbarë kombin shqiptar do të ishte një nderim i madh një vlerësimi i tillë. Kadarea, me të drejtë, ka deklaruar se veprat e tij janë përkthyer që nga Nju Jorku deri në Tokio. Ai është vlerësuar me Çmime të shumta, që nga Lindja e Largme deri në Amerikë. Atëherë, cila na qenka arsyeja që juria nuk ia ka akorduar Çmimin Nobel?

Shkrimtari brazilian Fernando Dourado Filho, thotë se emri më i favorizuar edhe në Francë, ka qenë ai i Kadaresë. Ai shkruan:

“Duke biseduar këtë të mërkurë në Paris me katër librarë të klasit të parë, përkatësisht të librarive “Compagnie”, “L’ecume des pages”, “Pollonaise”, “Gibert Jeune” dhe një nga menaxherët më evaziv të shtëpisë botuese “Harmattan” në rrugën “Rue des Écoles”, nga të gjithë dëgjova emrin e Ismail Kadaresë, si favoritin e madh për Çmimin Nobel të Letërsisë” (Citohet sipas: “Shkrimtari brazilian: Emri më i favorizuar në Francë për Çmimin ‘Nobel’ ka qenë ai i Kadaresë”. Faqja e internetit “kultplus”. 09 tetor 2020).

Por këtu lind një pyetje:

A do ta kishte ndërgjegjen të qetë Kadarea, duke qenë i rreshtuar në listën e nobelistëve, përkrah dy shkrimtarëve shovinistë, armiq të betuar të kombit shqiptar, përkrah Ivo Andriçit, hartuesit të doktrinës shoviniste serbe për zhdukjen e popullit shqiptar, dhe austriakut Peter Handke, himnizuesit të serbosllavizmit, të atij shkrimtari shovinist, i cili kryekriminelin Milosheviç e ngrinte në qiell si perëndi?

Në këndvështrimin tim, në raport me kombin shqiptar, Çmimi Nobel për këta dy shkrimtarë është Çmimi Nobel i Turpit. Çmimin Nobel, në vitin 1918, juria mendonte t’ia akordonte edhe Leninit, strategut të luftës civile të viteve 1918-1920, e cila i kushtoi popullit rus një mal me viktima. Unë e vlerësoj si Çmimi Nobel i Turpit, sepse më sjell në kujtesë medaljen më të lartë franceze - Urdhrin e Legjionit të Nderit. Në Francë, për këtë medalje ka pasur vlerësime, si Urdhri i Legjionit të Turpit. Me shumë të drejtë. Dhe ja se pse:

Presidenti Fransua Miteran (François Mitterand - 1916-1996), në vitin 1987, me Urdhrin e Legjionit të Nderit pati dekoruar diktatorin panamez Manuel Noriega, i cili dihet se si përfundoi.

Presidenti Zhak Shirak (Jacques Chirac - 1932-2019), në vitin 2001, me Urdhrin e Legjionit të Nderit pati dekoruar Bashar Al Asadin, i cili në vitet në vijim u bë një diktator i egër i popullit sirian.

Presidenti Zhak Shirak ishte ai, i cili, më 22 shtator 2006, pati dekoruar me këtë Urdhër presidentin rus Vladimir Putin. Organizata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut “Reporterët pa kufi” pati reaguar në mënyrë të menjëhershme. Dekorimin e Putinit nga ana e Shirakut, ajo e pati vlerësuar “befasues”. Në reagimin e saj thuhej:

“Kjo është fyerje në adresë të të gjithë atyre, të cilët në Rusi luftojnë për lirinë e shtypit dhe për demokraci”.

Ajo organizatë pati shprehur përsëri revoltën e vet edhe për një arsye tragjike: dy javë pas dekorimit të Putinit, më 07 tetor, në Moskë, u vra gazetarja e njohur Ana Politkovskaja, e lindur në vitin 1958, kundërshtare e papajtueshme e agait të Kremlinit.

Presidenti Fransua Oland (François Hollande - 1954), në vitin 2016, me Urdhrin e Legjionit të Nderit pati dekoruar princin trashëgimtar të Arabisë Saudite. Asokohe, revista e përjavshme franceze“Paris Match” e muajit mars 2016, reagoi ashpër, duke e etiketuar Urdhrin në fjalë “Urdhri i Legjionit të Turpit”.

- FUND -


_______________________


PROF.DR.ESHREF YMERI: SERVILËT E KADARESË JANË SI FARA E GRAMIT (I)

http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10653

***

PROF.DR.ESHREF YMERI: SERVILËT E KADARESË JANË SI FARA E GRAMIT (II)

http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10654


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks