SHKRIMI
e enjte, 23 nëntor 2017

REXHEP KASUMAJ: KULTURA E MASHTRIMIT!

Berlin, 7 shtator 2017: 1. Colmar...(një sprovë heretike)

Në Colmar shpesh janë ndërruar guvernat dhe flamujt. Elsaß-Lothringen (ose Lorraine), herë pushtohej nga Lui 14-të e loste rol të epërm politik për Oborrin e tij, e herë çlirohej ("pushtohej") nga Bismarku (1870), për të stolisur krenarinë prusiane. Por nëse Provinca gjithë kohës i ndërronte zotat politikë, do të ruante përherë shpirtin kulturor gjerman. Dhe Gëte, që mburrej të pëlqente filozofinë kantiane mbi qytetësinë e botës, mahnitej me kullat, arkitekturën, udhët, portalet dhe frymën gjermane të Strasburgut.

Alternimi i stinëve, sundtarëve, pluhnajës së ushtrive, stemave, teorive mujshare të së drejtës, mandej konspirimet, dogmat, mitet e shpifura, arroganca e fuqisë, identifikimi jetik, shpallja e mbarimit të kohës që do të përftojnë turbull këtij qyteti elsasian, sikur s'ndjehen aspak të huaja dhe kërkojnë trollëzim në Kosovë...

Ndaj dhe, kjo bashkësi a kryeqytet i Haut-Rhinit vjen si yshtje me dritë-hijet e viteve në Republikën çalamane. Dhe vjen me misionin e mundur: të përziej gurët e një mozaiku të errtë. Behja e saj nuk është, që këtej, një simbolikë shterpësore. Vete përtej saj dhe delirit të turmave. Është kumti i fshehtë i historisë që përmbyste realitete politike mbi gropën e vullneteve etnike.



Dhe, si për të vijuar makthin, i gjithë fragmenti del të komponohet natyrshëm në amzën e përbetimeve të vjetra që i dhuruan rreth 100 vjet status robi një interesi kombëtar, të piketuar qëkurshëm si të kundërt në Gadishullin ilirik..!

2. Dhunë...

Mashtrimi është dhunë klasike. Një nga format më të fshehta e të rënda të saj.

Dhunë është, poashtu, ta mbash dikë në lajthitje e terr: një viktimë e besimit të vet fismëtar.

Etika e braktisur, mbanë tjetër, bën një shenjë lajmëtare, të errtë e pararendëse të dhunës. Çdo krizë kombi a shteti zanafillon pikërisht tek venitja, dorëzimi i saj.

Rrjedhimisht, e transponuar kjo qasje në politikë, del se një pushtet i rrëmbyer me mashtrim e gënjeshtër është, ndaj, pushtet i rrëmbyer me dhunë.

Por, me gjasë, oligarkët e zinj të Prishtinës, keqkuptojnë, po ta kenë lexuar, Niçen e vështirë. Ai thoshte: nuk ka dukuri morale, veçse shpjegim moral të tyre.

Dhe, në këtë gjurmë, ata bërtasin me instinkte edipiane: ti biem Dhéut mëmë, tani që e kemi nën thundrat tona...

3. Shpalesë e trishtë...

Ngadalë shpalohen, pa mundur të shkëlqejnë, fletëzat e një sundi të riformatuar, të errtë mbi krahët e lodhur të Kosovës.

Haradinaj, i ekzaltuar që preku ëndrrën fajtore pas betejash n'për tezga ku shiten mandate politike me pakicë, tha fjalën shenjëzuese.

Ardhja e Akr-së, u shpreh ai, është një nder i mirë. Një logjikë ose, më saktë, një rezon i ulët kulturor. Po është dëgjuar a, (ruana Zot) lexuar, vallë, ndonjëherë ky kategorizim nderesh? Si mund të ketë nder të mirë, që presupozon të kundërten, nderin e keq? Nderi, vërtetë, ose është ose nuk është. Një dyllojësi a oponencë në këtë vlerë morale, e kjo dmth. njeri i ndershëm i mirë dhe i ndershëm i keq, s'ka njohur historia e qytetnisë.

Këto janë xixat e para që paralajmërojnë nivelin e emancipimit politik. Ndërkaq, dimensioni i dytë, tashmë i keqnjohur, është riqarkullimi i lirshëm i klanit shtetvjedhës, e pra kriminal, i paparë në Europë. Por, tashmë, i plotësuar me gjak, pasion, revansh e fantazi të re flatruese.

Dhe, për të mbyllur rrethin e përsosmërisë negative, një ironi therëse hedh fijet e saj. Ata që vranë e prenë shqiptarë dhe të tjerë që i mbështetën ata në veprën e etnocidit, tani fërkojnë duart të gëzuar. Eksponentë të tyre që, për çudi, nuk e fshehin aspak rolin e lig në prapaskenat e mnerit, formësojnë mozaikun e legjislaturës së vonuar, madje përcaktojnë ngjyrat e saj..!

Zymtore, sigurisht!

4. Simbolikë...

Pjesëtarët e fisit afrikan Ga (të Ganës) kanë ca rituale interesante varrimi. Për ata që iu lënë sh'ndenë, porosisin arkmortër formash të çuditshme, që duhet të pasqyrojnë pasionin e të ikurit: si piano, çekan, peshk a kitarë…

Tani që janë bërë të lirë e globalë, shqiptarët, më saktë sundtarët e tyre, do mësojnë përvojat e vyera gjithandej botës.

Ndaj, me gjasë, më shumë se vetë ganezët e zinj, do të deshnin një arkë të pangjashme për mbetjet e tyre trupore. Nuk do të joshen fare nga peshku e çekani, aq më pak nga një piano e përzishme.

Të devotshëm e venddashës, ata kallen dhimbjes për një sarg a, madje, sarkofag solemn me profilin e Naltmadhnisë së bekuar, Monedhës, në aktin triumfal të Vjedhjes së saj..!


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks