SHKRIMI
e hënë, 06 prill 2020

DR.QAZIM NAMANI: 'KONSERVIMI' I KËSHTJELLËS SË ARTANËS GJATË VITEVE 2015 - 2017

Prishtinë, 19 dhjetor 2019: Punët konservuese dhe restauruese të kryera në kalanë e Artanës, nga viti 2015 deri më 2017, janë bërë me fonde të Këshillit të Evropës dhe nën mbikëqyrjen e UNESCO-s. Hartimi i projektit për konservim e restaurim është bërë nga kompania kroate “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”. Për restaurimin e kësaj kështjelle është siguruar fondi prej 1.1 milion euro nga Këshilli i Evropës.[1]

Në vitin 2015 arkeologu serbë Marko Popoviq, në emër të UNESCO-s është caktuar të mbikëqyrë gërmimet arkeologjike në Citadelën e Kalasë së Artanës.

Rezultatet e para të gërmimeve u publikuan në gazetën beogradase “Blic”nga arkeologu serbë Marko Popoviq, i cili më vonë të gjitha rezultatet i botoi në një libër.[2]

Marko Popoviq shkruan se gjatë gërmimeve në Citadelë, janë zbuluar tri ndërtesa të mëdha banimi me një kishë, dhe dy cisterna me puse filtri në qendër. Ai shtoi se u zbulua edhe një strukturë e jashtëzakonshme, një vaskë e nxehtë që u përdorën atë kohë si një saunë (banjo) mesjetare. Ajo (banja) ishte e ndërtuar midis njërës prej ndërtesave dhe kishës, e cila kishte një dhomë të vogël katrore, dhe një sistem ngrohje nën dysheme. Sipas kronologjisë sonë ky është një objekt, i ngritur në kalimin e shekujve XIV-XV, dhe është më i riu në kompleksin e Citadelës. Tani është vërtetuar plotësisht se citadela e kështjellës ishte ngritur në gjysmën e parë të shekullit të14-të shkruan Marko Popović.[3]



Pamje e rrënojave të citadelës nga ana jugore, (foto, gazeta blic) – Pamja e rrënojave nga ana jug-perëndimore, (foto Qazim Namani) – Pamje gjatë ngritjes së mureve (foto Q. Namani) – Pamje nga ana veri-lindore (foto Q, Namani).


Pamje e kishës dhe kthinës së vogël në formë trapezi e cila pas pushtimit Osman së bashku me pagëzimoren ishte ndarë nga tërësia e objektit të kishës. Ana e majtë e objektit të kishës deri te muri ndarës ku ndodhej pagëzimorja e kishës.

Pas publikimit të këtyre rezultateve, ne si punëtorë shkencorë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), që gjatë atyre viteve e realizonim projektin e përnjohjes së terrenit në brezin veri-lindor të Kosovës, e vizituam Kështjellën e Artanës. Gjatë vëzhgimit të punëve vërejtëm se aty nuk bëhej fjalë për kurrfarë vaske (saune apo banjo) me ujë të nxehtë për të cilën flet arkeologu serb Popoviq (i cituar më sipër), por fjala është për pagëzimoren e kishës, që pas pushtimit të kështjellës së Artanës, osmanët me një mur e kishin ndarë nga kisha.

Siç duket më vonë osmanët, pagëzimoren e kishin përdorur për ngrohje të ujit dhe avullin e ujit të ngrohtë me tuba argjile, e kishin përdorur për ngrohje të objektit. Kjo vërehet edhe në fotot e bëra në hapësirën e vogël, të cilën arkeologu serbë e quan dhomë të vogël, ku ishte edhe vaska me ujë të ngrohtë. Pra në këtë hapësirë vërehen freskat e kishës, që argumentohet qartë se kjo kthinë e vogël, ishte pjesë e kishës dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë vaske (banjo) të shekullit të XIV, por për pagëzimoren si pjesë të pa ndarë me hapësirën tjetër të kishës.

Në shkrimin e përmendur më sipër arkeologu Popoviq shkruan: “Siç shihet gjatë fazës së parë të gërmimeve brenda citadelës, janë zbuluar themelet e një kishe”[4]. Popoviq më tej thotë se në shekullin e XIV atë kishë kishte filluar ta ndërtonte Mbreti Milutin, e të cilën më vonë e ka përfunduar Stefan Deçani.[5]

Ai pohon se murimi i mureve të kullave, është duke vazhduar sipas planit të UNESCO-s, që ka ndarë një milion euro për këtë fazë të punimeve.[6]

Për mbikëqyrjen e punëve restauruese dhe konservuese, gjatë realizimit të këtij projekti nga pala kosovare ishte caktuar Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Gjatë realizimit të kësaj faze të punimeve, ndaj deklaratave të arkeologut serbë, nuk kishte pasur ndonjë reagim zyrtarë, por dhe as ndonjë reagim nga institucionet akademike e shkencore shqiptare.

Në këtë rast mendoj se, Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës gjatë kohës së kryerjes së punimeve është dashur të reagojë dhe t’i ndërpriste punimet. Ministri është dashur të ftojë zyrtarët (atashetë kulturor) nga ambasadat e huaja, e më pastaj mjetet e informimit, për të kundërshtuar deklarimet e paargumentuara të arkeologut serbë në mjete të informimit në gjuhën serbe. Arkeologut serbë është dashur t’i kërkohen sqarime nga Ministria e Kulturës, se në cilin guri apo në cilën gjetje arkeologjike ka p.sh. mbishkrime apo fakte që argumentojnë se këtë kishë e paska nisë ta ndërtonte mbreti Milutin gjatë shekullit të XIV, dhe se e ka përfunduar Stefan Deçani! Edhe burimet historike janë në kundërshtim me pretendimet e arkeologut serb, i cili bën deklarime jashtë kompetencës profesionale.

Nga burimet latine të shekullit të XIV mësojmë se qyteti i Artanës është quajtur në gjuhë të ndryshme me emrat latinisht, si Novus Mons, në gjuhën italiane Novo Monte apo Monte Nova, në gjuhën gjermane Nyebergh e etj.[7]

Gjatë shekullit të XIV ky qytet ishte bërë qendra më e njohur tregtare në Gadishullin Ilirik (sot Ballkanik). Në këtë qytet sundonin dhe punonin princër arbëror dhe tregtar të njohur nga Raguza, Venediku dhe qytete të tjera të zhvilluara të rajonit dheatyre evropiane.

Nga burimet latine kemi edhe të dhëna për qytetin e poshtëm të quajtur Castello apo “Gocca de Novomonte”, i cili ishte ndërtuar prej mureve masive në gjatësi prej 224m, dhe gjerësi 80m, ndërsa kisha katolike që ndodhej në këtë kompleks deri në vitin 1340 ishte nën dioqezën e Kotorit.[8]

Mendimi se Artana (Novo Monte) ishte qendër kulturore serbe, vetëm për atë se shtrihet në territorin qendrorë të Gadishullit Ilirik, është në kundërshtim me realitetin historik të kohës dhe të vetë historikut të Novobërdës. Kjo bie në kundërshtim me logjiken e të kuptuarit të rrethanave historike për atë kohë, sepse qyteti i Artanës ishte i formuar si qytet, që kishte lulëzuar shumë kohë më herët se shekulli XIV-XV. Artana pra ishte një qendër e rëndësishme ekonomike e nënshtruar në vijimësi që nga antikiteti i vonë, në shërbim të Kostandinopojës, dhe pas pushtimit osman u vu në shërbim të kësaj perandorie.[9]

Nga kjo dhe shumë të dhëna tjera kuptojmë se princër mesjetar nga Rasia as që kishin pasur rastin ta vizitojnë ndonjëherë qytetin e Artanës gjatë shekullit të XIV e lëre më të ndërtojnë atje ndonjë kishë.

Nuk pat ndonjë reagim nga pala shqiptare, dhe rasti kaloi në heshtje, madje edhe pasi lajmi për zbulimin e kishës u publikua në gazetën e përditshme beogradase “Blic”. Reagime nuk pat edhe më vonë kur u botua si libër i veçantë nga arkeologu Popoviq, i cili thotë se ia ka kushtuar realizimit të projektit për renovimin e kalasë së Artanës. Arkeologu serbë e shfrytëzoi heshtjen e shqiptarëve, andaj veproi i papenguar duke e përvetësuar dhe falsifikuar kulturën materiale të këtij lokaliteti. Përveç kësaj ekspertët tanë në mjetet e informimit deklaronin, se është duke u bërë një punë e shkëlqyeshme, madje thanë se u zbulua një hamam në citadelën e kështjellës së Artanës.

Ekspertët shqiptarë qëndronin në heshtje për shumë devijime profesionale, madje edhe kur artefakte dhe qeramika e zbuluar, shpeshherë përziheshin me llaç dhe futeshin në mure.

Është me rëndësi të ceket se pikërisht prej vitit 2015, në institucionet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ishin emëruar këshilla drejtues (timonier), që drejtonin institucionet e trashëgimisë, madje këto këshilla tejkalonin kompetencat e drejtorëve të institucioneve. Përmes këtyre këshillave kalonin projektet, caktoheshin prioritetet si prioritet, hartoheshin rregullore, madje kishin edhe kompetenca të emërojnë dhe të shkarkojnë drejtorët e institucioneve. Në këto këshilla kryesisht ishin emëruar profesor të universitetit që ligjëronin lëndët e trashëgimisë, ekspert të fushës dhe ndonjë militant partiak. Për të gjitha këto devijime, dhe mos respektim të doktrinave e parimeve për konservim dhe restaurim të monumenteve edhe drejtuesit e këtyre këshillave heshtën pa u shënuar asnjë vërejtje prej tyre.

Punët restauruese në kështjellën e Artanës vazhduan me një dinamikë mjaft të shpejtuar. Në këtë rast në vend se të bëhet restaurimi i rrënojave të mureve ekzistuese, u veprua në kundërshtim me metodat e konservimit dhe restaurimit, duke ngritur muret në lartësi deri afër 10 m, duke futur elemente të reja në mure, dhe pa përfillur teknikat e murimit, dhe pa përdorur materialet e standardizuara për konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kësaj kategorie.

Shikuar në aspektin shkencor është e qartë se, në këtë rast është aplikuar doktrina e gabuar e Viole Le Dyk, e cila njihet si doktrina e parë e konservimit të monumenteve në shekullin e XIX. Viole Le DYK(1814-1879), në pikëpamjet e tij pohon: “Të restaurosh një ndërtesë do të thotë ta risjellësh atë në një gjendje, e cila mundë të mos ketë qenë kurrë”. Si pas këtij koncepti teoria e Viole Le DYK cenonte thelbin e vlerave të monumentit (autenticitetin). Kundër pikëpamjeve të tij në atë kohë filluan kritikat e mjeshtrit francez Anatol Franc me rastin e restaurimit të kështjellës “Prrfond”, duke pohuar se janë murosur shumë gurë të rinj në kështjellë.[10]

Në rastin konkret gjatë konservimit të Kështjellës së Artanës, kemi të bëjmë me ngritje të mureve, dhe futje të elementeve të reja në mure, duke i dhënë kështjellës një pamje për të cilën nuk kemi burime dhe të dhëna paraprake se si është dukur më parë. Edhe në këtë rast me ngritjen e murit ndarës në mes të hapësirës së kishës, duke e ndarë pagëzimoren nga tërësia e kishës, arkeologu serbë Popoviq ka bërë lëshime profesionale, duke e humbur autenticitetin e monumentit dhe duke e falsifikuar historinë e objektit.

Si kundërshtarë të pikëpamjeve të Viole Le Dyk paraqiten me konceptet e tyre dhe anglezët Johan Raskin (1849) dhe Wiliam Morris (1834-1886). Raskini kritikoi teorinë e Violet Le Dyk, se ka bërë humbjen e autenticitetit të monumentit historik. Morris ishte në të njëjtën rrymë me Raskinin, ishte anëtar i lëvizjes në Britani, dhe themelues i shoqatës për mbrojtje të ndërtesave antike.[11]

Në këtë periudhë dalin teori të reja të shkollës italiane të restaurimit me Kamillo Boito (arkitekt), i cili i krijoi bazat e shkollës moderne të restaurimit shkencor.

Kamillo Boito së pari vlerësoi domethënien historike të veprës arkitektonike, pra ai ishte për ruajtjen e të gjitha fazave të ndërtimit në monument.

Boito në ndërhyrjet restauruese e sheh rrezikun e dëmtimit të vlerave autentike të monumentit, prandaj sugjeron konservimin përpara restaurimit. Ai potencon se nëse restaurimi i një monumenti është i domosdoshëm sugjeron që ndërhyrjet e reja të jenë të dallueshme për të mos i falsifikuar vlerat e monumentit.

Alios Riegl (1857-1905), profesor në Universitetin e Vjenës është i pari që ka dhënë konceptin teorik të konservimit. Një prej bazave të teorisë së tij është ruajtja e origjinalitetit të monumentit kulturor dhe integritetit të tij.

Në rastin tonë, kur bëhet fjalë për punët konservuese në Kështjellën e Artanës,nëse bazohemi në shkollën moderne të restaurimit shkencor, vërejmë se nuk është ruajtur vlera autentike e monumentit, nuk është vlerësuar drejt domethënia historike e veprës arkitektonike, dhe nuk është ruajtur origjinaliteti i monumentit kulturorë.

Lluka Beltrami (1854-1933), (avokat), kundërshton restaurimin stilistik apo të analogjisë, duke mos e mohuar thelbin e njësisë së monumentit nëpërmjet rindërtimit. Lluka Beltrami duke e vlerësuar çdo vepër si krijim i vetëm, kur shtrohet çështja e rindërtimit pjesor apo tërësor të monumentit bazohet në dokumente apo kopje të origjinalit dhe në të dhëna tjera historike e arkivore për monumentin.[12]

Edhe këto qëndrime të arkeologut serbë, bien në kundërshtim me parimet shkencore të konservimit e restaurimit, dhe me konceptet e Lluka Betramit, sepse për kështjellën e Artanës nuk kemi pasur kurrfarë incizimi paraprak, nuk kemi pasur projekt apo fotografi se si është dukur shekuj më parë, pasi që kështjella e Artanës ishte shndërruar në rrënojë arkeologjike shumë vite para se të zbulohej aparati fotografik. Për dukjen e vërtet të kështjellës ne nuk kemi trashëguar as ndonjë përshkrim, pikturë apo skicë të detajuar se si është dukur gjatë shekujve XIV e XV.

Restaurimi i mureve të citadelës në kështjellën e Artanës është në kundërshtim edhe me vendimet e Kartës së Athinës (1931), që njihet si Kongresi i parë ndërkombëtar që trajton problematiken e monumenteve dhe të ndërhyrjeve restauruese. Nga kjo konferencë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve, doli një dokument rekomandues i cili ndahej në 10 pjesë. Në këtë dokument u shfaqen prirjet e largimit nga rindërtimet, duke parapëlqyer mirëmbajtjet e vazhdueshme të monumenteve.[13]

Restaurimi i monumenteve të kulturës, është diskutuar nga ekspertët ndërkombëtarë edhe në konferencat tjera të zhvilluara vite më vonë. Në vitin 1964 në Venedik është mbajtur një kongres ndërkombëtar ku vëmendja e ekspertëve ishte përqendruar te ruajtja e autenticitetit të monumentit, duke i analizuar në mënyrë të hollësishme problemet që hasen gjatë konservimit dhe restaurimit të tyre. Sipas Kartës së Venedikut, dhe më vonë Kartës së Burras, mundësohet restaurimi i monumenteve vetëm në raste të veçanta, kur monumenti është i kategorisë së parë dhe lidhet ngushtë me zhvillimin e jetës së popullatës lokale ku ndodhet monumenti, por edhe kur monumenti është shkatërruar nga fatkeqësitë e rastit, gjatë luftërave, tërmeteve dhe vënies së qëllimshme të zjarrit.



Foto ajrore me dron (nga Luan Gashi) – Pamje e mureve të citadelës nga ama Jug-Perëndimore (nga Emin Sallahu).


Në raste të tilla bëhet rindërtimi,por gjithnjë duke u bazuar në incizimin e mëparshëm arkitektonik. Po ashtu në Kartën e Burras mundësohet restaurimi i pjesshëm i monumentit,nëse kërkohet ri jetësimi i tij për t’ju përshtatur nevojave të komunitetit. Në rast se vendoset për restaurimin e pjesshëm të monumentit gjithnjë duhet pasur parasysh që ndërhyrjet e reja duhet të jenë tërësisht të dallueshme nga mbetjet origjinale të monumentit.

Nëse i referohemi kartës ndërkombëtare të konservimit dhe restaurimit të monumenteve dhe siteve, në kongresin e dytë ndërkombëtar të arkitekturës, dhe teknikëve të monumenteve historike që është mbajtur në Venecia prej 25-31 maj 1964, ku u miratuan rregulloret, teksti përkatësisht neni 3 i rregullores thotë: “Konservimi dhe restaurimi i monumenteve, ka për qëllim të ruajë si veprën e artit ashtu edhe dëshminë historike”;

Neni 9: “Restaurimi ka për qëllim të ruajë dhe të nxjerrë në pah vlerat estetike dhe historike të monumentit,dhe bazohet mbi respektimin e substancës së vjetër dhe të dokumentit autentik.[14]Shihet qartë se edhe këto norma në këtë rast nuk janë respektuar.

Në vitin 1994 në Naro të Japonisë është mbajtur një konferencë ndërkombëtare, ku ruajtja e vlerave të autenticitetit të monumentit ishte temë e trajtimit nga shumë ekspertë ndërkombëtar. Në këtë takim u sugjerua që të ruhen fazat origjinale të monumentit, për ta ruajtur autenticitetin dhe origjinalitetin tij.

Gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të XX u bënë shumë shkatërrime të tempujve në Afganistan dhe të monumenteve të kulturës në republikat e ish Jugosllavisë. Gjatë luftërave në ish Jugosllavi, nga ushtria serbe u bombardua qendra e mbrojtur si monument kulture në qytetin e Dubrovnikut. Po ashtu gjatë këtyre luftërave u bombardua edhe Ura e Mostarit, që ishte monument në mbrojtje të shtetit, dhe ishte jetike për jetën e banorëve të këtij qyteti. Në këto raste është bërë ndërhyrje urgjente për restaurimin e tyre, duke u bazuar në incizimin arkitektonik dhe dokumentimin paraprak të këtyre monumenteve..

Kështjella e Artanës u trashëgua si rrënojë prej disa shekujve më parë. Për këtë kështjellë nuk kemi incizime arkitektonike, por as fotografi, dhe nuk e dimë se si është dukur para dy apo më shumë shekujve.

Gjatë hartimit të projektit, nuk është paraparë ri jetësimi i kështjellës, dhe funksioni i saj pas restaurimit. Pra siç shihet, është bërë ngritja e mureve në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, andaj në rastin konkret,përgjegjësinë për dëmtimin e këtij monumenti deri në këtë gjendje duhet ta bartin institucionet ndërkombëtare dhe vendore.

Në këtë rast mendoj se është dashur të bëhet konservimi i rrënojave të mureve, dhe të ruhet si monumenti shpallur “Park Arkeologjik” me vlera të veçanta arkeologjike e historike.

Teknikat e ndërtimit

Siç e cekëm më lartë hartimi i projektit për ngritjen e mureve, është hap i gabuar dhe në kundërshtim me konventat përkatëse ndërkombëtare. Teknika e murimit, dhe përdorimi i materialit jo adekuat, janë shkaktarët kryesor që filloi rrënimi i fasadës së mureve,si dhe u bënë çarje të thella vertikale në këndet e kullave. Për kah teknika e murimit të objektit, shihet se është përdorur një teknikë që nuk është përdorur që nga fazat fillestare të historisë së murimit me gur. Pra, është ky një rast që duhet veçuar i cili në të ardhmen, do të ju shërbejë ekspertëve të shkollës së konservimit, për të edukuar brezat e rinj se si nuk duhet të bëhen konservimet në një monument kulture. Vërehet se kemi një fasadim të jashtëm me gur të palatuar dhe pa kurrfarë përforcimi, që për dy tri vite, në saje të kushteve atmosferike, kemi fryrje të mureve dhe çarje të fasadave në murana që kanë rënë poshtë. Në aspektin statik nuk është krijuar bazament i qëndrueshëm, andaj veprimi i forcës nga ngritja, dhe pesha e madhe e mureve ka krijuar çarje vertikale, dhe tash këto çarje është shumë vështirë të konservohen, apo t’ju zgjatet jeta këtyre mureve deri në momentin e rrënimit. Përçarjet e krijuara në mure, është vështirë që të gjendet ndonjë metodë e konservimit dhe që t’ju zgjatet jeta mureve të kalasë.[15]

Në konferencën e Athinës, studiues të shumë vendeve u shprehen kundër rindërtimeve të monumenteve, studiuesit pohuan se monumentet duhet të mirëmbahen në mënyrë të vazhdueshme, për të siguruar ruajtjen e tyre. Në këtë konferencë u kërkua bashkëpunimi i arkeologut me restaurues të arkitekturës, dhe u formuan parimet themelore të restaurimit të monumenteve të arkitekturës. Në konferencën e Athinës, u shqyrtua përdorimi i materialeve dhe teknikave të reja, si betonarmeja me kusht që përdorimi i tyre duhet të mos e dëmtoj pamjen e jashtme të monumentit. Teknikat e kohës mund të përdoren në ndërhyrjet restauruese.[16]Restauruesi nuk mund të kryejë detyrën e tij delikate, pa qenë njohës i mirë i arkitekturës së epokës që i përket monumentit që do të restaurohet, pra pa qenë historian arkitekture.[17]Siç shihet edhe pse në projekt për restaurimin e mureve në kështjellën e Artanës nuk janë paraparë nga hartuesit e projektit dhe zbatuesit, rreziqet nga ngritja e mureve. Në projekt nuk i kanë marrë për bazë këto udhëzime që ta përforcojnë bazamentin me materiale bashkëkohore para ngritjes së mureve.

Mendoj se kështjella e Artanës është dashur të trajtohet si park arkeologjik. Nuk është dashur të bëhet ngritja e mureve, por konsolidimi dhe konservimi i rrënojave që deri më sot i kanë mbijetuar kohës.

Është me rëndësi të ceket se në këtë rast ngritja e mureve të kështjellës është bërë me punëtor fizik të pa kualifikuar që janë zgjedhur në fshatrat e Artanës. Këta punëtor ishin pa përvojë dhe të pa kualifikuar, e të cilët për herë të parë kanë pasur rastin të punojnë si mjeshtër pune të kësaj natyre.

Sipas standardeve ndërkombëtare dhe rregullave për menaxher në konservimin e monumenteve dhe parqeve arkeologjike, mjeshtrit duhet të jenë teknik ndërtimi me specializime të larta në fushën e konservimit. Kohën nuk mund ta kthejmë, por zanatet e shekujve XVIII e XIX nuk mund ti krijojmë artificialisht, shkruajnë ekspertët e konservimit.[18]

Mbarë ekipi i projektimit dhe i zbatimit të punimeve restauruese, formohet prej kuadrosh me arsim të lartë si: arkitekt, inxhinier ndërtimi, arkeologë, teknik të mesëm ndërtimi si dhe mjeshtër dhe punëtor ndërtimi.[19]

Në këtë rast udhëheqësi i punimeve është dashur të dijë, që së pari ka qenë e nevojshme të punohet në ato detaje të monumentit që janë në rrezik nga ana statike, siç kanë qenë muret e jashtme të Kështjellës. Është dashur të studiohen mirë dhe të bëhet identifikimi i pjesëve më shumë të dëmtuara, për të ndërhyrë në strukturat e mureve, të cilat ishin në rrezik për shkak të erozionit. Në rast të erozionit të gurëve në muret e kështjellës, për të bërë zgjedhje është dashur të gjenden format e bashkëpunimit me agjenci evropiane të konservimit, alarmojnë ekspertët e konservimit dhe restaurimit.[20]

Në rastin konkret punët konservuese në Citadelën e Kështjellës së Artanës, siç është parë dy vite më vonë, janë paraqitur çarje vertikale, të cilat argumentojnë për mos studimin e rrënojave paraprake. Në muret e kështjellës u shfaqën dobësitë e mos pastrimit profesional të mureve në rrënoja nga erozioni i shkaktuar qindra vite më parë, nuk janë pastruar gurët e prekur nga erozioni, dhe nuk është krijuar bazamenti i qëndrueshëm për të ngritur muret deri në 10m lartësi. Çarjet vertikale që u krijuan pas dy viteve dëshmojnë për paqëndrueshmëri statike të mureve, e të cilat rrezikojnë që të shemben me kohë. Përveç mos krijimit të qëndrueshmërisë statike në bazament, lidhja e gurëve është bërë vetëm në kënde të mureve, përderisa murimi mes këndeve të kullave ka vazhduar duke hedhur gurë në llaç, pa kurrfarë përforcimi me breza horizontal prej druri apo materiale tjera lidhëse. Fasada në anën e jashtme të mureve është bërë me gurë që kishin formë të pa rregullt, të lidhur mes vete vetëm me llaç gëlqereje apo çimentoje, dhe pa kurrfarë përforcimi që tregon se një teknikë e tillë e murimit nuk është parë të ndodhë ndonjëherë në historinë e ndërtimeve.

Mos izolimi i sipërm i mureve e ka shpejtuar rrëzimin e fasadës dhe çarjeve në mure, pasi që gjatë reshjeve atmosferike, është mundësuar depërtimi i ujit duke e fryrë dhe ndarë fasadimin me gurë nga shtresa tjetër e murit, andaj dhe me kohë ka filluar rënia e gurëve të fasadës.

Në muret ndarëse të objekteve brenda citadelës, vërehet se kemi tentime të falsifikimit të vlerave autentike të monumentit, e këto më së miri vërehen te muri ndarës, ku ndahet pagëzimorja prej objektit të kishës, si dhe futja e elementeve të reja në mure. Po ashtu në këto mure vërehet cilësia e dobët e materialit lidhës, apo mënyra e kryerjes së punimeve që siç duket punët janë bërë gjatë stinës së dimrit dhe në temperatura të ulëta.

Te muret e vjetra të ndërtimeve që janë monumente kulture, dëmtimet mund të jenë shkaktuar nga ulja e njëtrajtshme e themeleve, veprimi i agjentëve të jashtëm, nga mbi ngarkimet dhe nga vjetërsimi i materialeve.[21]

Në rastin konkret shihet se mos përforcimi i bazamentit, dhe ngritja e madhe e mureve dhe e mbipeshës, ka shkaktuar ulje apo lëkundje të themeleve, me ç’rast janë krijuar çarje të thella vertikale në mure.

Muret mbrojtëse prej guri të lidhura me llaç, restaurohen duke bërë vënien e lidhjeve në brendësi me përforcimin e lidhjeve të detyruara, me vendosjen e armaturës dhe betonimin e saj dhe me injektimin e mureve të çara.[22]

Plasaritjet çarjet e thelluara vertikale, të krijuara në mure është vështirë që të restaurohen, sepse çarjet janë krijuar në të gjitha këndet e mureve. Për restaurimin e çarjeve në mure ka disa mënyra të ndërhyrjeve e njëra ndër to është: Qepje me Fiber glas (kunj me fije qelqi), dhe mbushet më pastaj me Eposi Rezinë dhe shiringa, por në raste të tilla ku ka mure në gjerësi prej rreth 3m, kjo metodë është shumë vështirë që të realizohet. Përveç kësaj edhe metodat tjera që do të përdoreshin, do të jenë të pa suksesshme, për shkak të mbingarkesës së themeleve, dhe mos qëndrueshmërisë statike të mureve.

Dëmet e krijuara që kanë ndodhur deri më sot, duhet studiuar dhe kuptuar si rrezik për vizitorët që shkojnë në këtë lokalitet arkeologjik, e sidomos ata që ofrohen rreth Kështjellës. Për të zvogëluar rrezikun duhet të parandalohen vizitat e qytetarëve deri në afërsi të Citadelës. Duhet të krijohet perimetri mbrojtës dhe të ndalohen vizitat me përmasa të mëdha, si të nxënësve të shkollave, sepse mund të shfaqet rreziku në ndonjë moment kur nuk pritet. Rënia e gurëve nga fasadat e mureve mund të jenë fatale për vizitorët, dhe të ketë viktima të shumta, sidomos në rast të vizitave në grupe. Të ndalohet dhe të shihet mundësia se si do t’i qasen problemit të konservimit apo të konsolidimit të mureve të ngritura në citadelën e kështjellës.

Publikimi i dëmeve në mjete të informimit

Dy vite pas përfundimit të punëve filluan që të shfaqen dobësitë profesionale në muret e ngritura të kështjellës. Dëmet e para u paraqitën në fasadat e mureve, ku u panë pamje të rënies së gurëve, dhe çarjet vertikale të mureve. Për këto dëme filluan të shkruajnë mjetet e informimit.

Në vijim ofrojmë disa nga shkrimet e gazetave ditore lidhur me dëmet e shkaktuara.

Përgjegjësitë për punët e bëra në këtë monument kulture i kanë UNESCO-ja, Bashkimi Evropian, një kompani kroate që ka hartuar projektin, një tjetër serbe që e ka zbatuar atë si edhe institucionet vendore që ishin caktuar për të përcjellë punimet. Kostoja e projektit që ka nisur punët në fillim të vitit 2015 dhe është përmbyllur në fund të 2016-ës është 1.1 milion euro. Financimi është bërë nga Këshilli i Evropës, kurse palët për hartimin e projektit dhe kryerjen e punimeve janë kontraktuar e mbikëqyrur nga UNESCO-ja. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering”, me seli ne Dubrovnik, ndërsa punët konservuese ishin kryer nga kompania “Koto”, me seli në Beograd. Mbikëqyrja ishte bërë nga përfaqësues të këtyre dy kompanive, përfaqësuesit të UNESCO-s, Bashkimit Evropian si dhe të institucioneve vendore shkruan koha.net.[23]

UNESCO ka përzgjedhur kompaninë “Koto” me qendër në Beograd, për të kryer punimet për restaurimin e kalasë në Novo Bërd. Ndihmësdrejtori i firmës “Koto”, Gjorgje Tomiq tha për “Kosova Online”, se projekti falë përfshirjes së të gjitha palëve, kryesisht UNESCO-s, si dhe BE-së që e financoi atë, bëri të mundur ruajtjen dhe rindërtimin e plotë të kësaj kështjelle mesjetare.[24]

Ai thotë se kontrata me UNESCO-n, si zbatues i projektit, ishte lidhur në 21 maj 2015 në Paris, pas një procedure të prokurimit ndërkombëtar, dhe se si kompani ata plotësuan kritere shumë të rrepta sa i përket referencave, personelit dhe pajisjeve.

Ai theksoi se ata punësuan ekspertë me përvojë të madhe në këtë fushë, arkeologun Dr. Marko Popović dhe arkitekten ma. Gordana Simiq. Kompania “Koto” nga Beogradi i kreu punimet për projektin e kompanisë inxhinierike “Omega” nga Dubrovniku, e cila u zgjodh gjithashtu nga UNESCO. Ai theksoi se projekti u zbatua në tri faza, të cilat u realizuan në vitet 2015, 2016, e që përfunduan në shtator 2017, ku të gjitha punët e parashikuara në projekt u realizuan nën mbikëqyrje të UNESCO-s.[25]

Rënia e fasadës ka ndodhur në muret e reja të ndërtuara gjatë këtyre viteve theksoi Gjorgje Tomiq. Dëmtimet në fasadë janë bërë në mure që nuk ekzistonin më parë, por në mure që i ndërtuan gjatë viteve 2015 e 2016, andaj riparimi i këtyre mureve nuk rrezikon autenticitetin dhe vlerat origjinale të monumentit. Duke u bazuar në këtë fakt Gjorgje Tomiqi theksoi se mund të riparohen muret në përputhje me udhëzimet që do të marrin prej UNESCO-s.[26]

Siç shihet nga prononcimi i Gjorgje Tomiqit, ndihmës drejtorit të firmës “Koto” nga Beogradi, vet e thotë: Dëmtimet në fasadë janë bërë në mure që nuk ekzistonin më parë, kuptohet se kishte lëshime profesionale e shkencore që nga fillimi kur u hartua projekti i konservimit të kësaj kështjelle. Përveç kësaj gjatë fazës së parë të konservimit është cenuar autenticiteti dhe vlerat origjinale të monumentit në muret ekzistuese dhe në objektin e Kishës ashtu si i përshkruam më lart.

Në vitin 2019 kompetencat për mbikëqyrje të punimeve në kështjellën e Artanës nga Instituti Arkeologjikë i Kosovës u bartën në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Në fillim të muajit shtator 2019, kompania “Koto” i rifilloi punimet për riparimin e dëmeve në fasadat e mureve të kështjellës.

Për rrënimin e disa shtresave të fasadave kompania kishte përdorur ekskavator. Kompania ndërtimore në këtë rast ka vepruar në mënyrë jo profesionale. Pas ndërhyrjeve me ekskavator në vendin e ngjarjes kishin dalë dhe menaxherë të IKMM-së, andaj duke e vlerësuar si jo profesionale ndërhyrjen me ekskavator në mure, dhe duke i vlerësuar si të rrezikuar vizitorët, me plotë të drejtë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ndaloi përkohësisht punët në Kështjellë.

Për ndërprerjen e punimeve pas këtij lajmi ishte pajtuar edhe UNESCO-ja, njoftonin mjetet e informimit në Kosovë.

Ditën kritike kur kompania serbe e bënte shembjen e gurëve me ekskavator, në kështjellën e Artanës për të vëzhguar punimet kishim shkuar, gazetarët e telegrafit.com me Qazim Namanin dhe Emin Sallahun, punonjës shkencor në IKMM.

Pavarësisht vlerave historike që bart në vete Kalaja e Novobërdës, ajo si pasojë e punimeve joprofesionale që janë bërë mbi të, rrezikon që për një kohë shumë të shkurtër të shembet shkruan gazeta “Telegrafi” në Prishtinë.

Kompania serbe, e cila po bënë restaurimin e kësaj fortifikate, po e dëmton dhe rrezikon seriozisht shembjen e saj, shkruan telegrafi.com.[27]

Duke lexuar dhe dëgjuar në dokumentar këto fakte të gazetës “Telegraf” në Prishtinë, Shoqata “Nënë Tereza” me seli në Grac të Austrisë, nuk ka qëndruar duarkryq, por ka reaguar në zyrën e qeverisë së Shtetit të Landit të Shtaiermarkut. Kryetari i shoqatës “Nënë Tereza” nga Graci i Austrisë, z. Martin Marku lidhur me shkatërrimin e Kalasë së Artanës në Kosovë nga një firmë serbe, ka apeluar në zyrën e qeverisë së shtetit të Landit të Shtaiermarkut, dhe pas një bisede me zonjën Mag. Einser Christa, e angazhuar për çështje të Ballkanin Perëndimor, ka apeluar me një shkresë që znj. Einser Christa ia ka dërguar UNESCO-s. Ky është reagimi i saj si në vijim:[28]

Të nderuar zonja dhe zotërinj, siç kam mësuar vetëm nga dy burime kosovare, ekskavatorët aktualisht po shkatërrojnë kështjellën, e cila është restauruar me kujdes nga BE-ja dhe UNESCO-ja, dëshmitarët okularë thonë se: punëtori ka vendosur eksponatet në mikser betoni dhe i ka kthyer ato në beton. Meqë pata punuar për Shtaiermarkun para ca kohe në UNESCO, mendova se këto informacione duhet të njoftohen më tutje urgjentisht, ndoshta ju e dini për këtë, dhe unë ju lusë që ato informata të kontrollohen.

Këtu e gjeni bashkangjitur lidhjen e gazetës kosovare Telegrafi: Von: Eisner Christa Gesendet: Freitag, 6. September 2019 12:10 An: ‘oeuk@unesco.at’ <oeuk@unesco.at> Betreff: UNESCO Erbe Novo Brdo in Kosovo wird gerade zerstört Priorität: Hoch (Emajli origjinal) Sehr geehrte Damen und Herren, wie ich soeben von zëei kosovarischen Quellen erfahren habe, wird aktuell massiv mit Baggern die von der EU und der UNESCO sorgfältig restauriere Festung zerstört, Augenzeugen berichten, dass „man“ mit Betonmischmaschinen aufgefahren ist und Monumente darin zu Beton gemacht hat. Da ich einige Zeit für die Steiermark in der UNESCO tätig war, dachte ich, diese Information sollte dringend weitergegeben werden, auch wenn Sie vielleicht schon davon wissen und bitte, diese zu prüfen. Anbei der Link der kosovarischen Zeitung Telegrafi:[29]

Nga dëmet e shkaktuara në mure,ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme. Ndërkohë edhe UNESCO- ja, që e ka përzgjedhur kompaninë, dhe ka mbikëqyrur projektin e rivitalizmit, është pajtuar për ndërprerjen e punimeve.[30] Projekti për rivitalizmin e Kalasë së Artanës që financohet nga UNESCO-ja, e që punimet kryheshin nga kompanitë fituese të përmendura duhej të mbikëqyreshin punimet për riparimin e fasadës së mureve nga zyrtarët profesionalë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.[31]

Pas shumë reagimeve në gazeta dhe televizione të ndryshme janë prononcuar edhe zyrtarë të UNESCO-s.

George Papagiannis, zyrtar i UNESCO-s, ka thënë për gazetën “Zëri” se ata vazhdimisht janë në kontakt me institucionet lokale, dhe se punimet do të rifillojnë nga kompania serbe “Koto” në momentin që të merret autorizimi, dhe se cilësia e tyre do të miratohet nga mbikëqyrësi i UNESCO-s. Punimet do të rifillohen nga kompania pasi të kenë marrë autorizim shtesë për projektin dhe zbatimin e tij. UNESCO-ja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet vendore përgjegjëse, dhe në këtë moment jemi duke pritur autorizimin që të vazhdojnë punimet, duke u bazuar në dokumentacionin teknik shtesë të paraqitur në 17 shtator 2019”, ka thënë George Papagiannis.[32]

Pas dëmtimeve që u shfaqën në muret e kalasë, u prononcuan edhe arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Arkeologu, i cili e kishte bërë mbikëqyrjen e procesit të konservimit gjatë periudhës 2015-2017, deklaroi se gjatë asaj periudhe nuk kemi vërejtur parregullsi, apo mos respektim të procedurave të konservimit dhe restaurimit. “Gjatë kësaj faze të punimeve ne nuk kemi pasur vërejtje sepse është përdorur materiali adekuat për restaurim dhe konservim.”[33]Drejtori i Institutit Arkeologjikë të Kosovës, i cili është edhe ligjërues i lëndës së konservimit dhe restaurimit në njërin nga universitetet tona deklaron: Kompania që i ka kryer punët ka përvojë ndërkombëtare dhe ka bërë punë të shkëlqyeshme. Ai kërkoi që ky proces mos të politizohet duke e bërë vlerësimin për një kompani që e ka zgjedhur vet UNESCO-ja.[34]

Rekomandimet:

Regjistrimin e monumenteve që duhen ruajtur duhet ta bëjë një institucion profesional shtetëror (IKMM), i cili do të mbikëqyrte projektet e restaurimit që do të mundësoheshin nga komisionet përkatëse dhe do të zbatoheshin nga vetë autorët.

Gjatë konservimit të monumenteve duhet pasur kujdes që të gjitha ndryshimet arkitektonike që ka pësuar një monument i kulturës në kohë, duhen ruajtur pa tentuar që të kthehen në gjendjen origjinale të tij, sepse çdo ndryshim në etapa historike tregon gjendjen sociale, politike dhe ekonomike të komunitetit që ka jetuar së bashku me monumentin.

Për të qenë të suksesshëm në këtë proces patjetër se duhet njohur dhe zbatuar doktrinat e restaurimit që kanë filluar të shfaqen në shekullin e XIX.

Udhëheqësi i projektit për konservimin e monumenteve së pari duhet të vlerësoj domethënien historike të veprës arkitektonike, për ruajtjen e të gjitha fazave të ndërtimit në monument dhe të sugjeroj konservimin përpara restaurimit.

Duhet pasur kujdes se nëse restaurimi i një monumenti është i domosdoshëm patjetër duhet që ndërhyrjet e reja të jenë të dallueshme për të mos i falsifikuar vlerat e monumentit.

Eksperti i konservimit duhet të kundërshtoj restaurimin stilistik apo të analogjisë, dhe duhet të veprojë duke e vlerësuar çdo vepër si krijim i vetëm, dhe nëse në raste të veçanta shtrohet çështja e rindërtimit pjesor, patjetër duhet të bazohet në të dhëna historike dhe arkivore për monumentin dhe kohën e ndërtimit të tij.

Gjatë hartimit të planit të konservimit është me rëndësi të bëhet shtrirja e hapësirës së monumentit në zonën e ndërtimit, duke e mbivlerësuar problematiken e çdo monumenti të veçantë, pra si rast të veçantë dhe të bëhet plani i menaxhimit pas restaurimit.

Duhet pasur kujdes që gjatë procesit të konservimit, duhet përdorur materiale ndërtimore të kohës që lejohen sipas standardeve të konservimit për llojin dhe gjininë e monumentit.

Nga të gjitha problematikat e konservimit dhe restaurimit të monumenteve rekomandohet që të zbatohen doktrinat e konservimit sipas standardeve ndërkombëtare në mënyrë që mos të humbim vlerat e autenticitetit të monumentit.

Duke i pasur parasysh këto fakte si ekspert i arkeologjisë dhe trashëgimisë, pjesë e IKMM-së në fushën e trashëgimisë kulturore sugjeroj:

Të ndërpritet puna në Kalanë e Artanës dhe të respektohen normat ligjore për ndërhyrje në monumentet kulturore.

Të formohet një komision vendor për ti konstatuar dëmet që janë bërë në këtë monument kulture.

Të bëhet studimi i materialit autentik, duke marrë kampione (mostra nga materiali i mëparshëm),

sugjeroj që kampionet të merren nga të gjitha fazat historike të ndërhyrjeve në Kalanë e Artanës.

Të vërtetohen dhe studiohen të metat e projektit.

Të konsiderohen pa bazë shkencore publikimet e deritashme, për punët konservuese që janë bërë gjatë periudhës 2015-2017 në këtë monument kulture.

Të evidentohen dobësitë gjatë kryerjes së punimeve.

Të studiohet cilësia e materialit të përdorur dhe faktorët tjerë, që kanë ndikuar për ta dëmtuar monumentin në këtë mënyrë, kur dihet se në konservimin e monumenteve përdoren materialet si ato të mëparshme ekzistuese, materiale këto që janë përdorur para 500 viteve, kur edhe është ndërtuar objekti.

Të sillen ekspert ndërkombëtar dhe nga rajoni për të dhënë vlerësimin profesional për punët e kryera në Kështjellë.

Të publikohen të gjitha raportet e vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtar dhe vendor.

Përfundim

Si përfundim mund të them se në fushën e trashëgimisë arkitektonike dhe arkeologjike pas vitit 1999, për konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës, u hartuan projekte dhe plane nga donatorët e ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar, si dhe nga institucionet e Kosovës. Restaurimi në fillim është bërë në bazë të principeve ndërkombëtare restauruese, duke përdorur materialet dhe teknikën tradicionale, ndërsa viteve të fundit është shkelë çdo procedurë, dhe normë ndërkombëtare për konservimin e monumenteve të kulturës.

Mos zbatimi i metodave të konservimit gjatë ndërhyrjeve restauruese në monumente të kulturës, ka ndikuar në dëmtimin e tyre, duke shkatërruar vlerat e autenticitetit të monumenteve. Kosova ka pësuar humbje të monumenteve, dhe dëmtime gjatë ndërhyrjeve për konservimin dhe restaurimin e tyre, për shkak të mungesës së profesionistëve, si në aspektin e restaurimit ashtu edhe të studiuesve, por edhe paqartësive në përgjegjësitë e institucioneve.

Gjatë kësaj periudhe nuk është respektuar hierarkia profesionale, për të mbikëqyrë dhe udhëhequr projektet restauruese me staf të kualifikuar, por janë angazhuar arkitekt të pa dëshmuar me përvojë, dhe pa njohuri për historinë e gjinisë së monumenteve, dhe periudhën e ndërtimit të tyre.

Politizimi i trashëgimisë kulturore po ashtu është njëri ndër faktorët kryesor për mos suksese në fushën e trashëgimisë kulturore.

Si pasojë e politizimit të trashëgimisë është punuar jashtë kritereve shkencore, duke humbur vlerat autentike të monumenteve, me qëllim të përvetësimit dhe falsifikimit të historisë së tyre. Në kështjellën e Artanës është zbatuar doktrina e Viole Le Dyk, doktrinë kjo që është hedhë poshtë në mesin e shekullit XIX.

Barra për ruajtjen dhe konservimin e monumenteve historike i takon shtetit, i cili këtë detyrë duhet ta realizojë përmes institucioneve përkatëse dhe profesionistëve.

(Fusnotat janë hequr)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks