SHKRIMI
e hënë, 19 tetor 2020

EJUP AJDINI: MBI LIRIKËN NDRYSHE DHE MODERNE TË SALAJDIN SALIHUT

Tetovë, 8 tetor 2020: (Vëzhgim mbi përmbledhjen poetike të Salajdin Salihut, “Kam pak kujtime për autobiografi,” Tetovë, 2020)

Mjeshtri i njohur i shkrimit eseistik dhe poetik, Salajdin Salihu, sapo e ka botuar përmbledhjen e re, Kam pak kujtime për autobiografi, e cila vjen si pasuri letrare e kombëtare, mbushur me dashuri ndaj njeriut dhe në dialog me shoqërinë të cilës i dedikohet. Me këtë libër ai e pasuron hapësirën tonë gjeografike e shpirtërore, e cila ka plasaritur historikisht nga dhembja, si ara e thatë për një vaditje të re.


Ndonëse me këtë vëzhgim tonin nuk mund ta sjellim të plotë përmasën dhe rolin e kësaj vepre letrare, sado pak njoftojmë se nga Salajdin Salihu erdhi një lirikë ndryshe. Në madhërinë e këtij arti poetik duket një univers, sa i qartë, po aq i thellë, që pret jo vetëm të zbulohet, por edhe të thuhet e vërteta mbi artistin e fjalës, për ngjyrat dhe mjeshtërinë e veçantë të këtij lapsi mjeshtëror, i cili magjinë e shkrimit të tij poetik e ka skalitur me lirikën sendërtuese të poezisë së tij të larmishme.

Autori ndonjëherë është shumë i hapur. Sikur e thotë se liria e kohës sonë i ka humbur ngjyrat e kuptimit simbolik. Poeti nuk e do lirinë e rrejshme. Për të atdheu dhe veçmas liria janë të shenjta. Ai nuk e kupton këtë anarki totale, plot dhunë shoqërore dhe burgje të pakuptimta, që shpie në mjerim dhe shkatërrim të qenies shoqërore. Kjo poetin domosdoshmërish e shtyn të mos ndahet nga vargu poetik, si mjeti kryesor ku mundet të ballafaqohet më tepër e më bindshëm. Kështu, ky poet i kohës sonë e bën vizatimin shpirtëror të shoqërisë sonë në përgjithësi.

Të lodhur

të trishtuar

shfaqen mureve të një shteti tjetër

e kanë humbur Trojën

atdheun e tyre të çmendur

........................................

Nuk janë kafshë

janë më të mirë se ne

botën e kuptojnë

nëpërmjet dhimbjes,

vuajtjes e trishtimit

.....................................................

Nuk mund të shtirem si i verbër

Janë të afërmit e mi...

Janë njerëz

Janë njerëz.

Këto vargje poetike janë edhe një shenjëzim të një epike të heshtur dhe mjaft të veçantë, që vijnë si lloje të ndryshme për nga ndërtimi arkitektonik i këtij vargu poetik të Salajdin Salihut.

Te vargjet e këtij poeti vijnë në shprehje teknika të ndryshme ndërtimore, nëpërmjet të cë cilave shprehet dhembja e fatit tonë kombëtar në të gjitha trojet etnike, ku veçohet tmerri i përjetuar dhe fatet e egra historike të këtij populli.

Autori nuk hyn në detaje për vuajtjet dhe masakrat që ka përjetuar populli i tij deri më sot, por jep mundësinë që përmes një vargu të vetëm ta kuptojmë se edhe gjendja e sodit u ngjan fateve të zeza ndër shekuj: të trishtuar / shfaqen mureve të një shteti tjetër ... dhe në këtë mënyrë, poezia e Salajdinit paraqitet si dëshmi shpirtërore e një bote të lodhur, të dërmuar dhe të pakrahasueshme, ku paraqitet historia e një shpirti poetik, pasi për poetin, krejt këta njerëz të vuajtur janë njerëzit e poetit, të cilët i konsideron më të mirë se ne të tjerët, pasi ne jetojmë pak më mirë se ata, duke keqpërdorur djersën dhe vuajtjet e tyre. Për këtë poeti klith, pasi edhe ata janë njerëz. Ai e ka të qartë se këta njerëz ia kanë ruajtur gjuhën, traditën, simbolet, që poetit i japin shtytje për të jetuar edhe matej:

Flamuri është më shumë se ëndërr

më shumë se frymë

është vesë agu që i jep kuptim stinës

Flamuri është më shumë se dhembje

Më shumë se buzëqeshje

Më shumë se çiltërsi fëmije

...............................................

Më shumë se ekstazë

Më shumë se urim

Ky mjeshtër shkrimi, që shkruan për kulturën, historinë shqiptare, veçmas me përmbledhjen e fundit “Kam pak kujtime për autobiografi”, më duket se mëton që një ditë të kemi një vepër monumentale për t’i shërbyer lexuesit tonë për jetë e mot, siç shërbyen veprat e De Radës, Naimit, Fishtës, Kadaresë etj.

Edhe pse për nga aspekti estetik vepra ka arritur majat e një ndërtimi të thellë estetik, ajo ka depërtuar edhe në botën e çdo njeriu të pastër e të ndjeshëm ndaj pasurisë së përbashkët historike. Jo rastësisht ky poet e eseist i shkëlqyer, ka krijuar dashuri pafund në rrethe të shumta shoqërore dhe nuk janë të paktë ata të cilët përulen me dashuri e respekt para veprës së tij, pasi historisë e kulturës shqiptare i dha dashuri pafund dhe një vepër monumentale estetike. Kjo vepër ka arritur të bëhet shujtë shpirtërore, pasi, duke e lexuar këtë vepër, ajo ndikon nxitimthi dhe të ushqen e të bën më të devotshëm, më të pasur shpirtërisht dhe ngre lartë fisnikërinë dhe botën humane të lexuesit të vërtetë.

Kjo poezi nuk bëhet pre e ideologjive politike e partiake të kohës kur jeton dhe vepron autori. Kjo dëshmohet qartët te poemthi Kam pak kujtime për autobiografi, ku konstaton për botën e mjerë të kësaj kohe, sa e lodhshme, hipokrite, ideologji mjeranësh, po aq edhe mediokre, pasi njerëzit e kësaj kohe nuk dinë të udhëheqin, por vetëm dinë ta vjedhin popullin, ta mashtrojnë dhe ta marrin në qafë përgjithmonë:

Kujtoj njerëz të pushtetshëm

silleshin çuditshëm, ishin të zakonshëm

rrethuar me vartës që s’kishin mendime

mbysnin gjuhën me klishe e refrene...

Poeti Salajdin Salihu. siç duket, kërkon qartësisht nga populli një vetëdijesim të theksuar, që ta kuptojë se nga i vjen e keqja përgjithshme nëpër dekada e shekuj. Për poetin është e qartë se politikat tona të shitura e antikombëtare ia kanë sjellë të keqen këtij populli, e kanë sjellë deri në këtë gjendje që e përjetojmë edhe sot e gjithë ditën. Ata gjithmonë i kanë futur në harresë vlerat tona historike, i kanë kultivuar antivlerat dhe gjithmonë e kanë minimizuar historinë tonë të lavdishme. Edhe pse fenomenet e tilla e plogështojnë autorin, ai asnjëherë nuk pranon të bëhet vegël e gjithfarë ideologjive të sëmura, që mbijetojnë përmes shpifjeve politike. Për këtë shkak autori nuk e ndjek udhëtimin nga ecin batakçinjtë, por e kërkon rrugën e heronjve të dijes dhe të kulturës në përgjithësi. Pikërisht për këtë, në këtë poezi, bëhet shkrirja e unit poetik të autorit me fisnikërinë tonë kombëtare, duke e bërë vargun e tij më të përbotshëm, kurse mesazhet transmetohen duke u nisur nga ndërgjegjja kolektive. Themi kështu pasi frymëzimi i autorit në fjalë është i lidhur ngushtë me këtë filozofi jetësore të njeriut tonë dhe me fatin i tij tragjik, po aq heroik e krenar.

Të gjitha motivet në këtë përmbledhje poetike, të ndarë në gjashtë cikle, ndërtohen dhe ndërthuren nga një realitet konkret jetësor, që së bashku krijojnë realitetin e përbashkët të sublimes jetësore, e cila jetësohet nëpërmjet strukturës gjuhësore, mesazhit poetik dhe përmes figurave stilistike të simbolit, metaforës, krahasimit e që me kënaqësi bie në sy figura stilistike e retiçencës (tri pikave), me qëllim që lexuesi edhe vet të gjykoje dhe më shumë për atë qe poeti ka në thellësinë e shpirtit të tij, sa poetik, po aq edhe filozofik.

Asnjë poezi s’kam shkruar

ato i ka shkruar vetmia

më e rëndë se sëmundja e pleqëria

.......................................................

Çdo ndjenjë e ka shkruar nga një poezi

Përfund së cilave kam vënë emrin tim

Gjatë vëzhgimit kritik të kësaj vepre, duket se autori ka krijuar një imazh jo fort të zakonshëm të krijimit të tij artistik, pasi çdo lexues e ndjen këtë poezi sipas botës së tij shpirtërore. Nga ana tjetër, poezia ruan me fanatizëm edhe atë që quhet sublime dhe vlen të kuptohet nga të gjithë. Këto vargje, në kuptimësinë e tyre, përfshijnë edhe dramën tragjike që përjeton ky popull shekull pas shekulli, nga edhe muza e poetit vjen mu nga kjo histori e dhimbshme e aq krenare. Këtë e qartëson poeti te poezia “Vasal i muzës”, ku ndër të tjera befasishëm shkruan:

Mahnitem prej antiheronjve

nga banorët e trotuareve

prej qenieve vargojthyese

dhe urtia e të marrëve

.........................................

Përçmoj lavdet e postet

Për ta s’dua t’ia di

Olimpet e trishta të pushtetit

për mua janë fatkeqësi

Poeti, edhe pse me një filozofi të veçantë, e ruan me kujdes motivin që e nxit muza e tij, por edhe temën që trajton nuk e lë të lëngojë. Prandaj, tema dhe motivi që trajtohen në këto vargje, poeti i ka në kontroll të vazhdueshëm dhe kësisoj e bën të mundur që më lehtësisht të shkrihet duke u derdhur i gjithë uni e tij poetik, plot energji dhe emocione, e që për befasi, poezinë e çojnë drejt një tendosje të lehtë psikologjike, sepse aty gjenden edhe tablo rrëqethëse, po aq edhe përjetim artistik, që rrallë përsëritet diku - diku. Kjo nënkupton se një popull që di t’i ruajë e vlerësoje figurat e mëdha historike, që i përkasin historisë së lavdishme, qofshin heroike, qofshin të kulturës e të shkencës, di edhe të fitojnë imunitet kombëtar dhe ta godas të keqen sa herë t’i vije nga dera:

Tiranët kanë frikë prej luleve

kopshteve e lotëve

duan të jesh i lumtur

nën tiraninë e tyre

Merita e kësaj poezie qëndron te angazhimi i poetit me të jashtëzakonshmen dhe me ngritjen e ndërgjegjes kulturore, historike dhe kombëtare në tërësi. Prandaj lirshëm mund të themi se këto vargje janë rrugëtim i hapur drejt fisnikërimit dhe ndërgjegjësimit të njeriut tonë ngado që jeton e vepron në këtë rruzull të tokës. Autori është i vetëdijshëm. se profesionalizmi në letërsi është udhëtim vuajtjesh dhe se buka e këtij profesioni është e hidhur, pasi marifetet e hipokrizisë politike e ziliqare gjithmonë të përcjellin në vazhdimësi, herë para, e here pas. Megjithatë, Salajdin Salihu, siç duket, i ka vu obligim vetvetes që të ballafaqohet me te keqen, të ulëtën, të shëmtuarën dhe sa ka mundësi të bëhet digë kundër kësaj tragjike shekullore kombëtare këtu në Ilirikumin (Ballkanin) tonë historik.

Në vendin tim si në vendin tënd

i duan lulet për kurora varresh

ah, sa i duan poetët

i dekorojnë pas vdekjes

Në çastet e krijimeve dridhmuese. poeti Salajdin Salihu sikur orientohet drejt një testamenti drejtuar lexuesit të tij, që ta zhbëjmë marifetin e hipokrizisë dhe gjarpërinjtë t’i largojmë nga oborri ynë dhe pastaj, ku të duan le ta hanë kokën e vet. Është i vetëdijshëm se ky testament është punë e vështirë, por jo edhe i pamundshëm. Ai e di se edhe poetët dhe shokët e tij mediokër, munden të hanë edhe kokën e tij, pasi zënë behane se ua ke zënë diellin me hijen dhe madhështinë poetike. Ai e di këtë mirë e mirë, pasi në letërsinë shqipe kemi me qindra raste drithëruese e me plot tradhti kombëtare midis nesh. Për poetin, kjo shëmti jona historike, mbetet brengë e përhershme. Prandaj kjo poezi lirike dhe me prekje epike është e mbushur me vlera shpirtërore dhe estetike. Në të zotëron lirizmi shumëdimensional, tejet shpirtëror e grotesk, duke dalë sheshit qartas edhe shqetësimet e mëdha të poetit.

E di çdo do të thotë

të ndjehesh i vetmuar, i braktisur

të shohësh rezet e reflektuara

nga shpata mbi kokën tënde

....................................................

Nëse një ditë bota bëhet normale

le të dihet se nuk ishin të çmendur gjithë

Ky mjeshtër i madh i rrëfimit poetik nuk ka rrugë tjetër për ta shprehur revoltën e tij shpirtërore, veçse përmes poezisë dhe eseve të tij, që nuk janë të pakta në numër. Ai mëton që t’i jep shoqërisë sonë një vepër të pasur letrare për shumë mote, e cila do të shërbej si monument kulture dhe e arti, vepër poetike që na nderon në tërësi. Gjithashtu tenton që mos munden ta luhatin erërat, politikat dhe ideologjitë e ndryshme. Pra, arti i tij poetik gjithmonë kërkon ta mbajë zgjuar substancën themelore të trungut tonë kombëtar dhe shoqëror në përgjithësi dhe, kësisoj, kjo vepër letrare, ngadalë lë të kuptojmë se fiton gjithëkohësinë.

Kur shoh ndonjë grua

Të heshtur, të përkorë, të qetë

Ndjej se mund të ketë shumëçka

Por e lumtur s’di në mund të jete

Në këtë lirikë poetike të Salajdin Salihut, në librin Kam pak kujtime për autobiografi, përveç tjerash paraqitet një vlerë e njëmendtë shpirtërore dhe tejet estetike, plot lirizëm ngjyrash, po aq humane dhe me një grotesk ndryshe nga poetët e tjerë, ku duket edhe uni i veçantë i autorit, e që na e sjell pranë nesh si në pasqyrë fatin e qenies sonë kombëtare, por edhe më gjerë, pasi kur është në pyetje dhembja shpirtërore ai nuk bën dallime racash e besimesh fetare, sepse e keqja e lëngon mbarë njerëzimin. Brendia e tij poetike gjithmonë frymon ngushtë me botën e njerëzve të tij, me fatet e mbijetesës së njerëzve në këto hapësira.

Ky krijim poetik, sa real, po aq imagjinativ, e shtjellon sferën konkrete të mbijetesës, si filozofi e veçantë e jetës së këtij shekulli, herë – herë e mbështjellë me duvakun e veçantë të imagjinatës së tij krijuese. Kjo nuk do hamendje se Salajdin Salihu tregon pasurimin dhe ndërtimin e tij shpirtëror, ku përjetësisht e do njeriun e vet, rrethin shoqëror, kulturën, historinë dhe traditat e bukura kombëtare. Ai, siç duket edhe tretet për njeriun dhe hollohet për artin e bukur poetik. Për të arritur deri te e bukura, poeti është konsumuar për t’u bërë urë komunikimi midis njerëzve dhe kjo nuk ndodh rastësisht që ne ta quajmë mjeshtër i artit poetik. Rebelimi i poetit është dukur disa herë dhe shpesh ka pasur shpërthime, siç bëri dikur ndaj një lideri politik dhe nëpër shumë shkrime tjera eseistike, që tregon se nuk i përket vetëm një uni dhe nuk është i hipotekuar tek askush...

Sërish më mundojnë tundimet e tmerrshme

Sërish më rëndojnë dhembjet e vjetra

Sërish më trondit mospërfillja mizore

Më shumë se gjithçka sërish më dhemb heshtja

Dashurinë për njeriun dhe mbijetesën e tij, poeti sikur le si testament të pathënë verbalist rreth përkujdesjes ndaj qenies njerëzore, sepse çdo ditë e më shumë, qenia më e dashur e Zotit – njeriu, po humb peshën e vet në këtë botë, bile më e keqja është se vlerat kthehen në antivlera dhe antivlerat bëhen “vlera”. Kjo gjendje e vret botën e tij, për të cilën edhe ka lindur për të jetuar. Në ndërtekst kuptohet se njeriu e nënçmon vetveten, deri sa e shtyp dhe e shkatërron qenien e tij njerëzore... Kjo, në një farë forme, na e kujton testamentin e Mitrush Kutelit kur thoshte se: “Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret.” Pra, idealistët për popull, liri e atdhe janë të tillë. Kështu poeti depërton ku s’ta merr mendja, pasi shpirti i poetit ecën edhe me shpirtin e të gjallit edhe me të vdekurit:

Ajo s’u kthye në atdhe

Kurrë se përmendi botën tjetër

Prej atje s’i erdhi asnjë letër

s’e dinte kush ish gjallë

kush kish vdekur

Dashuria si pjesë shumë sublime e jetës, poetin nuk e lë të pa tronditur. Ajo është një motivim i madh. Për nga përjetimi tejet i stërholluar duket me një përmasë sa intime, po aq edhe thelbësore, e konceptuar edhe si përmasë universale. Bile fillimin e përmbledhjes e nis me poezinë e dashurisë, kushtuar Valbonës, bashkëshortes së tij. E nis si parathënie dhe se aty fillon bota e suksesit dhe fati i këtij poeti. Poezia e cila ngjall edhe dilema te vet poeti, pasi pa Valbonën nuk e di se çfarë kahe do të kishte marrë jeta e tij. Siç duket Valbona ia ka ruajtur ekuilibrin e tij të jetës dhe e ka bërë digë shoqërore dhe familjare në vendin e vet, në Tetovën e dashur, me plot plagë historie. Kjo dashuri i vjen poetit si qetësues, pasi tërmetet shpirtërore shpesh e lodhin. Ai në fillim e shkruan poezinë e dashurisë, pastaj në tërë librin e tij kërkon të zbuloje vullkane të reja të kësaj bote, por gjithmonë të parën e ka llavën e dashurisë. Pra, kjo poezi dashurie, apo thënë ndryshe edhe familjare, e bënë poetin të qetë, pasi i kalon caqet e një dashurie të zakontë dhe e paramendon filozofinë ndryshe pa të dashurën Valbonë:

Je shpresa kur më trondit ligështimi

pa ty shumë poezi nuk do të ishin shkruar

dhe shumë marrëzi do të kishin ndodhur...

Tetovë, 5. 10. 2020


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks