SHKRIMI
e premte, 19 tetor 2018

DR.MOIKOM ZEQO: NGA BAUDELAIRE TEK MIGJENI

Tiranë, 2 tetor 2018: Dy imazhe gati të njehsueshme, pra deri diku dhe paralele. Charles Baudelaire dhe Migjeni.

I pari tek proza poetike “Loloja dhe Venera”: “Parku i gjerë shtrihet si i zalisur përpara syrit përvëlues të Diellit… mua më zënë sytë një qenie të pikëlluar.


Rrëzë një statuje të një Venere kolosale, një nga ato lolot e rremë, një nga ata bufonët që e kanë për detyrë t’i bëjnë të qeshin mbretërit, kur u qepen keq Brerja në ndërgjegje, apo Mërzia, i pispillosur me ngjyra të ndezura, por edhe qesharak, që ka mbi kokë një kapele me brirë dhe me zilka, i mbledhur kruspull para piedestalit, i ngre sytë e mbushur drejt Hyjneshës së pavdekshme të Dashurisë dhe të Bukurisë.

Sytë e Lolos thonë:

– Jam qenia njerëzore më e fundit dhe më e vetmuar, e mbetur pa dashuri, pa miqësi, madje qëndroj më poshtë sesa kafsha më e pazhvilluar.

Megjithatë edhe unë jam krijuar për të kuptuar dhe për ta ndjerë Bukurinë e pavdekshme!

Ah, Hyjneshë, vere dorën në zemër për trishtimin dhe për ankthin tim!

Por zemërgurta Venerë, indiferente, me sytë e saj prej mermeri s’dëgjon asgjë dhe nuk dihet se çfarë shikon në largësi.”

Kjo prozë u botua në 1857.

Më 1934 Migjeni boton prozën shumë të çuditshme “Novelë mbi krizën”:

Përfytyron një vend pa koordinata gjeografike dhe kohore. E quan “Shteti X”.

Ka trazira të llahtarshme midis të pasurve dhe të varfërve.

Të papajtueshme!

Ah, Marksi!

Por revolucioni mund të klonohet!

Po si?

“Përpjekjet e shumta, me rryma të ndryshme, të kundërta, të bazueme në Ungjill, në humanitet, në instinkt, në violencë a në ndoj utopi tjetër nuk mund të bijshin aq shpejt në godi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika nuk u kqyrshin me sy të mirë në mbledhjet e Shtetit X, – arësyeja ishte se ato qenë një shkak i fortë i krizës së tashme, e cila, tashti, si një polip po thith e po shterr trutë e Parisë.

Poshtë e përpjetë, djathtas e majtas, në fund të fundit ra vendimi.

U gjet një kompromis.

O kompromis, fëmi bastard i të gjitha mbledhjevet!

Të dalme dredhurake!

Vendimi i Parisë së Shtetit X ishte ky: me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasvet të Shtetit X, si të varfërvet ashtu dhe të pasurvet…

Për një kohë të shkurt shndroj faqen Shteti X.

Arti i frymëzuem dhe i punuam pas recetave të Parisë, shndroi Shtetin X në një muzeum artistik.

Ishte triumfi i recetës!

Ose triumf i artit me qëllim!

E qëllimi u mrrinte dalngadalë por me siguri.

Kurse shndrroi faqen Shteti X zunë të shndrrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve.

Shpirti, dikur pëllumb, ishte bam skyfter, tash u ba prap pellumb.

Sidomos shumë kish bamë për çashtjen skulptura.

Veprat, që paraftyrojnë të gjitha dashuninat e botës, u gjindshin në çdo skaj, ku përparandej u mblidheshin lypsat për t’organizue shoqata vjedhcash dhe terrori.

Ç’e ndryshim ideal!

Tash lypsat, të zbemë nga úja, me supa të mprehtë e kërçikë të ndytë përjashta, rrijnë në podium të monumentavet, dhe rrijnë pa bamë kurrfarë lëvizje kundërshtimi.

Aty rrijnë gjith’ ditën; kur vjen nata, futen nëpër zgavrrat e monumentavet dhe andrrojnë begatinë shpirtnore.

E kur zbardh mëngjesi, një nga nji – porsi Sharl-Shaplini tragjiko-komik – çohen nga gjini i monumentavet, hapin gojën, shtrijnë duert’ e kambët, dhe ulen në podium për ta çue gjith’ ditën në enerci të plogët në inerci të plogët.

As nuk hajnë, as nuk pijnë – ushqimi i tyne asht bukuria e monumentavet.”

Teksti i Baudelaire-it është një ftillesë.

Statuja e Venerës dhe një Lolo përballë.

Migjeni e ka lexuar.

Padyshim.

Kuptohet.

Migjeni imagjinon një utopi negative: Shtetin X. Përpara … Zamjatinit, Orwell-it dhe Huxley-it.

Një projekt si anti-projekt.

Paria e Shtetit X janë paradhoma për Qenien Supreme të Zamjatinit, të quajtur Benefektori, për Big Brother-in Orwell-ian, apo për konvejerët fordistë të Huxley-it.

Lufta marksiste e klasave, dhuna (revolucioni), doktrinat ungjillore (teologjizmi shterp universal), loja e instinkteve (Frojdi) metaforizohen me ironi si utopi.

Ah Utopitë e Mëdha!

Ah ideologjitë e çmendura!

Nietzsche-i e mohoi krishterimin për ta zëvendësuar me estetikën shpëtimtare për njerëzimin.

Kjo tezë e Nietzsche-s e entuziazmoi Migjenin, por në formën sëprapthi.

Si kundërshtim perspektiv.

Kjo zanafilloi Shtetin X.

Migjeni parandjeu artin doktrinar, ose doktrinën e artit totalitar. Kjo i çon në zgrip tmerrin dhe makthin!

Ja çfarë zbuluesi faustian është Migjeni!

Loloja i Baudelaire-it i përgjërohet statujës së hyjneshës Venera (idea se Bukuria dhe Dashuria e shpëtojnë botën) por Venera është boshësia e simbolit.

Migjeni e shfrytëzon këtë ikonografi.

Ai shkruan: “Derisa një ditë, në podium të një monumenti që parafytyron gruan me shtatzënë, një laps dhe nji lypse lindin nji djalë. (Ma vonë legjenda theshte se u lind nga monumenti me shtatzanë.)

Ky djalë është imazhi migjenian që shkatërron imazhin e Lolos së Baudelarie-it.

Ai nuk lutet.

Nuk përgjërohet.

Ai u rrit nga urrejtja.

Një mëngjes ky ikonoklast i shkatërroi tëra monumentet, artin e rremë muzeor të Shtetit X.

Pra, vetë Shtetin X.

Pakufishmëria e këtij akti mendor (e ç’është revolucioni i dhunshëm?) nuk matet dot.

Hitlerizmi i pllakatave.

Zhdanovizmi i letërsisë.

Analiza e Hanah Arendit për totalitarizmin.

Shtetet totalitare qenë realë.

Shteti X migjenian dukej (ngjante) si hipotetik, (por jo si republika platoniane e kuajve të Jonatan Swiftit.)

Në Shtetin X nënshtetasit eksperimentalë (oh, ç’kavie laboratori!) “as nuk hajnë, as nuk pijnë – ushqim’ i tyne asht bukuria e monumentavet”

Deliri i Mallarme-së.

Kulla e Fildishtë.

Utopia e Politikës si Utopia e Artit.

Teksti i Migjenit është kaq i shkurtër.

Njëkohësisht kaq i pafund!



Migjeni dhe Charles Baudelaire


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks