SHKRIMI
e hënë, 19 tetor 2020

NUHI BYTYҪI: 22 VJET NGA PARAQITJA E PARË PUBLIKE E ZËDHËNËSIT TË UÇK-së, JAKUP KRASNIQI, DHE JEHONA PARA OPINIONIT NDËRKOMBËTAR (I)

Prishtinë, 15 gusht 2020: Si e realizova dhe arrita ta transmetoj në Radiotelevizionin Shqiptar paraqitjen e parë të Zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe çfarë jehone kishte ajo në opinion kombëtar dhe atë ndërkombëtar?

Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, xhirimi dhe transmetimi i së cilës mu besua mua dhe ekipit tim nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, xhirimet e tjera për luftën e UÇK-së në mbarë Kosovën, mbijetesa e popullatës civile në zonat e luftës, u realizuan nga unë dhe nga kameramani Abaz Zeka, me një kamerë të vogël digjitale, të cilën ma pat siguruar Xhafer Shatri, ministër i Informimit i Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Bujar Bukoshi. Dhe, në saje të komunikimit dhe qasjes sime profesionale, me kolegun Asllan Bajrami dhe me ministrin Xhafer Shatri dhe me mbështetjen e përgjegjësve të ShP të UÇK-së dhe gjatë komunikimit me kryeministrin Bukoshi, pavarësisht prej mospajtimeve në mes të ShP të UÇK-së dhe Qeverisë së Kosovës në ekzil, kemi arritur që për herë të parë ta transmetojmë, në programin satelitor të TV Shqiptar në Tiranë, dokumentarin e parë televiziv kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe një emision telereportazhi për territoret e lira të Kosovës.

Marrëveshja dhe telefonata në mesnatë për xhirimin e paraqitjessë parë publike të zëdhënësit të UÇK-së

Në fund të majit të vitit 1998 në shtëpinë e Isuf Gashit - Bacës në Drenoc të Zatriqit takohem për herë të parë me përgjegjësin e atëhershëm për informim të SHP të UÇK-së Hashim Thaçin. U morëm vesh që unë ta realizoja paraqitjen e parë publike të Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Televizionin Shqiptar. Ia dhash numrin e telefonit tim në banesë dhe më tha se do të marr pas disa ditësh. Më 10 qershor 1998 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte marrë vendim që Jakup Krasniqi, profesor i historisë dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, të emërohet zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Natën, shumë vonë, në mes të 10 e 11 qershorit 1998, në telefonin e banesës sime në Kodrën e Diellit në Prishtinë ka thirrur Hashim Thaçi. Është përgjigjur djali, Arianiti, i cili më ka thënë: “Babi, po të kërkon Bashkimi”. “Bashkimi” ishte Hashimi. Më tha: “ShP i UÇK-së e ka emëruar profesor Jakup Krasniqin zëdhënës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A mund të vish nesër në Grykën e Llapushnikut që ta realizosh intervistën me zëdhënësin e UÇK-së?” Në të gjitha mediat shqiptare, edhe në ato botërore, ishte publikuar vendimi i ShP të UÇK-së, që Jakup Krasniqi është caktuar zëdhënës i UÇK-së. Nuk isha shumë i sigurt nëse kameramani Abaz Zeka mund të vinte të nesërmen. Nga Prishtina nuk ishte lehtë të shkoja në Drenicë me kamerë për shkak të kontrollimeve të mëdha nga policia serbe në postblloqet e saj. Pos makinës, duhej gjetur vozitësi i sigurt për të na dërguar atje. Për të qenë më i sigurt, i propozova të na presin pasnesër. Thaçi u përgjigj shkurt: “Po, bën, s’ka problem!” E pyeta te kush duhet të paraqitem në Grykë të Llapushnikut? Më tha: “Kërkoje ‘Pëllumbin’!” Kur tha kështu, e mora si shaka, sepse ende nuk e dija se Njësiti që vepronte në fshatrat përgjatë Grykës së Llapushnikut quhej Njësiti “Pëllumbi”, kurse komandant i saj ishte Ferat Shala nga Vuçaku i Drenasit, me nofkën komandant “Pëllumbi”. Kur më tha kështu Thaçi, unë e mora si provokim, duke menduar se “si ta kapim, zëmë pëllumbin në hava?! Ai në mënyrë bindëse më tha: “Mos ke dert, ti vetëm kërkoje komandant “Pëllumbin”, dhe do ta takosh patjetër, sepse do të jetë i informuar për ardhjen tënde”. U binda për këtë. Me Zenel Kastratin dhe Abaz Zekën jemi nisur nga Prishtina dhe, nëpër rrugën anësore për Magurë, sepse në Komoran ishte e mbyllur dhe kontrollohej nga forcat serbe, kemi shkuar nëpër Nekoc, nga Kishnareka, nëpër male. Kemi arritur në një pikë të lartë që kontrollohej nga UÇK-ja.



Kleçkë, 14 qershor 1998: Autori i shkrimit, (gazetari i luftës) Nuhi Bytyçi me Zëdhënësin e UҪK-së, Jakup Krasniqin, në shtëpinë e Hafir Shalës.


Takimi me komandant “Pëllumbin” afër Grykës së Llapushnikut

Nga bregorja e Grykës së Llapushnikut kemi xhiruar pamje të disa fshatrave të Drenasit. Kam takuar aty komandant Shani Sokol Hotin nga Carralluka e Malishevës dhe Shefqet Buçajn-Komandant “Mësuesin” nga Lladrovci. Shaniun e kam djalë të dajës së babait, kurse Shefqetin, familjar të miqve të vëllait. Zenel Kastrati na ka lënë aty dhe është nisur të kthehet në Prishtinë, kurse dikush prej ushtarëve të UÇK-së na ka përcjellë me makinë deri afër Arllatit dhe Negrocit, jo fort larg Grykës së Llapushnikut. Diku në arat në mes të Arllatit dhe Negrocit kemi takuar komandant “Pëllumbin”. Ai u prezantua me emrin dhe mbiemrin e vet të plotë: “Nuhi, unë jam Ferat Shala nga Vuçaku”. Ai ishte i informuar për ardhjen time dhe të kameramanit Abaz Zeka. Unë nuk e njihja Feratin. Për të krijuar afërsi më të madhe mes vete, Ferati më tha: “Unë i kam xhaxhallarë Abdylin dhe Beqirin”. Xhaxhallarët e tij kishin punuar mjeshtër për ndërtimin e shtëpisë së një ish-kolegut tim nga RTP-ja, në lagjen Arbëria, disa vjet më parë. Unë i njihja ata. M’u kujtuan mirë ata. Ferati na dëshiroi mirëseardhje. E dinte qëllimin e vizitës sonë. Na tha se “zëdhënësi Jakup Krasniqi momentalisht nuk është këtu, në këtë fshat, por dikund tjetër”. Jakupi e kishte shtëpinë në Negroc. Nuk e dija as ku është shtabi dhe as shtëpia e tij. Ishte punë shumë sekrete atëherë për çdo kënd, sidomos për gazetarët. Më tha “po shkojmë në një vend.“ Më ka dërguar, në atë kohë në selinë e Shtabit të UÇK-së në fshat, të Njësitit të “Pëllumbit”, në Negroc, në shtëpinë e Halim Krasniqit. Kemi qëndruar pak kohë aty. Meqë zëdhënësi nuk ishte në Negroc, Ferati më tha se, për shkak të rrethanave, sot nuk ka gjasa ta realizojmë paraqitjen e Jakup Krasniqit.

Takimi i parë me komandant “Lulin”

Meqë i kisha miqtë e vëllait në Negroc, mora leje ta vizitoj familjen e Jetullah Halit Krasniqit - Toxhës. Kemi shkuar aty me Abazin dhe kemi fjetur. Të nesërmen pasdite ka ardhur një djalosh trupgjatë, i cili kishte veshur rroba të zeza. U përshëndet me mua dhe Abazin dhe u prezantua: “Unë jam komandant Luli”. Nuk më tregoi pozitën që kishte në UÇK. Më pyeti me mirësjellje: “Si je, baci Nuhi? A je lodh? A je mërzitë? Jemi në luftë dhe të ka rënë me pritë pak?” I thashë: “Mirë jam dhe nuk jam mërzitë aspak, sepse i kuptoj rrethanat e luftës. Për mua si gazetar është me rëndësi puna të realizohet sa më mirë e sa më sigurt”. Komandant “Luli” më pyeti: “A jeni përgatitur ta takoni dhe intervistoni zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin?” Ia konfirmoj dhe i them: “Gjithsesi jemi përgatit, jemi gati, sepse vetëm për këtë punë kemi ardhur dhe jemi të privilegjuar që na e keni besuar”. Më tha “një shok i yni do t’ju vozisë deri në vendin e duhur”. Më vonë kam kuptuar se komandant “Luli” ishte Kadri Veseli. Pas një kohe ka ardhur Idriz Hysenaj, një veprimtar i ilegales atdhetare dhe komandant i një njësiti të UÇK-së që ka vepruar në kuadër të njësiteve “Pëllumbi”. Unë e njihja Idrizin sepse e kisha takuar në Abri disa ditë më parë.

Si mbahej sekret selia e ShP të UÇK-së

Ishte mbrëmje. Idriz Hysenaj në uniformë të UÇK-së, me një makinë të mirë, na ka vozitur në drejtim të Arllatit. Kur e kemi kaluar Arllatin, ka vazhduar në drejtim të Malishevës. Idrizin e pyeta “ku po shkojmë?”, ndërsa ai m’u përgjigj: “Në Likoc!” E kuptova se donte ta mbante sekret vendin ku ishte ShP i UÇK-së. Kjo ishte e kuptueshme në ato rrethana. Unë nuk u durova pa qeshur. Atë rrugë e njihja mirë. Nëpër atë rrugë nga Prishtina për në fshatin tim udhëtoja shumë shpesh. Unë i thashë kameramanit: “Abaz, këndej qenka Likoci, a?” Idrizi ma ktheu: “Të lutem, zoti gazetar, asnjë koment! Është e ndaluar të dini ku po shkojmë dhe ku është selia e ShP të UÇK-së. Më vjen keq t’jua lidh sytë, sepse ashtu janë rregullat ushtarake”. Ishte e kuptueshme të ishte shumë sekret vendi ku ndodhej shtabi, por si gazetar nuk u durova pa pyetur. Desha t’i tregoj se unë e di mirë atë rrugë. Këtë e dinte edhe ai, por ashtu ishte vendimi i ShP të UÇK-së, që mos të përmendej vendi ku ishte selia e ShP të UÇK-së. Në hyrje të fshatit Tërpezë, afër një depoje të materialeve ndërtimore, Idrizi e ndali makinën. Aty ka ardhur Haxhi Shala - komandant “Topi”, bashkëpunëtori kryesor i Fatmir Limajt - komandant “Çelikut”. Jemi nisur përpjetë rrugës, një terreni shumë të vështirë dhe të bukur. E dija se është Tërpeza, por kësaj pjese nuk më ishte dhënë rasti të kaloja kurrë më parë. Rruga ishte e shtruar me rërë. Ishte mbrëmje vonë, e 13 qershorit 1998. Kemi mbërritur në një kodrinë piktoreske, me male të bukura, me plot gjelbërim. Të nesërmen nga komandant “Çeliku” kuptova se isha në Kleçkë të Lipjanit, pikërisht në odën e familjes së madhe të Hafir Shalës, të dëshmorit Sadik Shala. Fatmiri kishte besim në mua dhe më tregoi për këtë vend, duke më sugjeruar mos t’ia tregoj askujt, as familjes sime. Në Kleçkë fillimisht ishte Shtabi i Njësitit “Çeliku”, më vonë i Brigadës 121 i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komanduar nga Fatmir Limaj, i pasuar nga Haxhi Shala.

Takimi dhe biseda me komandant “Çelikun”

Në Kleçkë patëm rastin të rrimë më gjatë me komandant “Çelikun” - Fatmir Limajn. Ai më dëshiroi mirëseardhje në Kleçkë. Më tha: “Baci Nuhi, të njoh mirë prej Televizionit të Prishtinës. Edhe gjatë kohës së studimeve të mbaj mend me një makinë ‘Zastava 128’. E vlerësoj shumë pozitivisht punën tënde si gazetar. Unë dhe familja ime dhe shumë shokë të mi të kemi votuar ty në Komunën e Malishevës kur kanë qenë zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Kosovës në vitin 1992”. U befasova dhe më erdh mirë që rinia e trevës sime më paska mbështetur, ma paska dhënë besimin për deputet, por ja që ai parlament nuk funksionoi kurrë. E falënderova Fatmirin për besimin që kishte në mua. Me Fatmirin krijuam menjëherë afërsi, sikur të ishim njohur shumë vjet më përpara. Ai na solli ushqim dhe çaj. Në odën e madhe të familjes Shala reflektohej bujari e theksuar shqiptare. Takuam aty edhe bashkëluftëtarët e Fatmirit, Haxhi Shalën - “Topin”, Sadik Shalën, Sabit Shalën, Bajram Shalën, Naser Shalën - “Ftyrën”, Çerkin Dukollin - “Yllin”, Shpëtim Telakun, Naser Krasniqin-“Bashkim Finon” dhe luftëtarë të tjerë. Një kohë aty ka qëndruar edhe Shukri Buja. Ai kishte nofkën “Gazetari”. Dhe, sapo dikush thoshte “gazetar”, unë menjëherë përgjigjesha: “Urdhëroni! Çfarë ka?” Më thanë “se nuk po të thërrasim ty, por këtë komandant Shukriun që e ka nofkën ‘Gazetari”. Shukriu sa kishte qenë në Zvicër kishte shkruar për gazetën “Zëri i Kosovës”, prandaj gjatë luftës e mbante këtë nofkë. Nga Zvicra kishin ardhur edhe Agim Bajrami dhe Metush Zenuni dhe bashkëkombës tjerë me një vullnet të jashtëzakonshëm për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Aty kam takuar edhe studenten, veprimtaren e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, gazetaren e “Botës së re”, Hyrije Veliun. Ajo kishte lënë përkohësisht studimet dhe e kishte veshur uniformën e UÇK-së. Kjo dëshmonte mbështetjen që gëzonte UÇK-ja nga rinia studentore.



Kleçkë, 14 qershor 1998: Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UҪK-së, Jakup Krasniqi. Në prapavijë Ferat Shala - komandant Pëllumbi dhe Fatmir Limaj - komandant Ҫeliku.


Si u realizua paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit

Nga oda e madhe, ku vepronte komanda dhe ushtarët e Njësitit “Çeliku”, hyhej në një dhomë të veçantë, e rregulluar mirë me dërrasa dhe në mes një oxhak i improvizuar, por që dukej bukur. Aty afër ishte një tavolinë e mbi të një kompjuter. Pas mesnatës, në orët e para të 14 qershorit 1998, aty takuam zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Bashkë me të ishin Kadri Veseli, Ferat Shala dhe Fatmir Limaj. Kishte ardhur enkas nga selia e ShP të UÇK-së, që gjendej në fshatin Divjakë, për ta dhënë intervistën, paraqitjen e parë publike si zëdhënës. Ishte kjo një kënaqësi dhe ndjenjë e veçantë për mua dhe për Abazin. Kisha fatin, nderin dhe përgjegjësinë që të jem gazetari i parë që po kontaktoja drejtpërdrejt dhe po e realizoja paraqitjen e parë publike të tij si zëdhënës i një ushtrie që luftonte për lirinë e Kosovës. Unë e kisha përgatitur një koncept, kisha bërë disa teza për çfarë do të mund të fliste zëdhënësi i UÇK-së për herë të parë, që ishin me interes për opinionin. Jakupi m’u drejtua: “Nuhi, cilat janë pyetjet tua që do të m’i shtrosh?” Dëshironte të dinte përafërsisht çfarë do të flasim. Iu përgjigja: “Unë kam nderin, privilegjin dhe kënaqësinë që jam gazetari i parë që e realizoj intervistën me ju në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së. Unë kam përgatitur disa teza, në vend të pyetjeve, në të cilat ju duhet të flisni, të përgjigjeni. Për shkaqe sigurie mendoj se nuk është mirë që unë të dukem në xhirim bashkë me ty”. Kjo ishte për atë kohë zgjidhja më e sigurt, meqenëse jetoja në Prishtinë dhe e kisha familjen në Prishtinë. Rreziku më i madh ishte për familjen time të ngushtë në Prishtinë, për djalin dhe bashkëshorten, por edhe për atë të gjerë në Shkozë të Malishevës. “Për të mundur që unë ta kryej misionin tim të gazetarit në zonat e luftës edhe më tutje për një kohë më të gjatë, deri në fund të luftës, dhe mos të zbulohem që në fillim nga policia serbe, dhe për të mos u penguar puna ime, mos të rrezikohet edhe me gjithë pasojat e mundshme, duhet ta ndërrojmë strategjinë. Nëse jeni ju të gatshëm të më siguroni mua kushte që unë t’i xhiroj këtu të gjitha emisionet dhe t’i montoj, mos me pas nevojë të shkoj në Prishtinë apo në Tiranë, unë me kënaqësi dal para kamerës”, - i thashë Jakupit. Por, ai më tha “ShP i UÇK-së nuk kishte mundësi të m’i siguronte ato kushte që duheshin për montim në zonat e luftës”.Jakupi u pajtua plotësisht për këtë mënyrë të punës. E vazhduam realizimin e paraqitjes së parë publike të tij. Ai i lexoi tezat e mia, të cilat ishin: Kush është UÇK-ja, kush e përbën atë, për çfarë lufton ajo, cili është betimi i saj, kush e mbështet UÇK-në, kush e financon, mesazhi i ShP të UÇK-së për oficerët e karrierës dhe popullin që t’i bashkëngjiten dhe mbështesin luftën e UÇK-së. Jakup Krasniqi u pajtua plotësisht me konceptin, tezat e mia. Para se të fillonte xhirimi i paraqitjes së parë publike të tij, e testuam disa herë tonin dhe fotografinë. Ne e kishim vetëm një kamerë digjitale Mini DVC Sony dhe nuk kishim ndriçim të posaçëm. Frikohesha mos s’po del xhirimi sipas standardeve profesionale për shkak se ishte natë, terr. Konsideroja se duhet të kishim një reflektor, ndriçim special për intervista të tilla historike, të cilën llogarisnim ta transmetonin edhe televizionet më të njohura botërore. Madje, duke kërkuar ndonjë zgjidhje për ndriçim, ushtarët na ofruan edhe një dritë që ishte vendosur në hyrje të odës së familjes Shala. Ajo ishte një dritë më shumë për ndriçim të thjeshtë, te lulet në hyrje të odës. E provuam, por nuk bënte dritë të mjaftueshme për xhirim cilësor. E provuan një dritë tjetër të ndriçimit të luleve. Ushtarët na ndihmonin ta mbanin dritën që intervista të dilte sa më e ndriçuar. Në një moment, kur përgatiteshim që tia nisim xhirimit historik, kur pas Jakup Krasniqit u paraqitën Fatmir Limaj dhe Ferat Shala me uniformë dhe me armatim, u habita, sepse kisha skepticizëm se, ndoshta për shkak të paraqitjes së tyre me armë, këtë xhirim nuk e transmeton Televizioni Shqiptar. Kisha dilemën mos do ta konsideronte këtë paraqitje shumë militare. Jakupi më tha ne ashtu jemi marrë vesh, kemi marrë qëndrim në Shtabin e Përgjithshëm që në këtë mënyrë të realizohet paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së. Pasi e xhiruam paraqitjen e parë publike të Krasniqit, e kontrolluam a ka dalë zëri mirë. E kontrolluam dy-tri herë edhe pamjen, edhe zërin. Zëdhënësi u prezantua në mënyrë të denjë. Të gjithë kishin emocione. Në veçanti unë kisha shumë emocione. Isha i vetëdijshëm për rëndësinë e prezantimit dinjitoz të UÇK-së, që ajo të gëzojë sa më shumë mbështetjen e gjithë popullit shqiptar, por edhe të opinionit dhe të faktorëve ndërkombëtarë. Për herë të parë kishim një ushtri të organizuar mbi baza vullnetare, por me program dhe synim të qartë: luftën për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera të pushtuara shqiptare.

VIJON ...


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks