SHKRIMI
e martë, 20 prill 2021

JUSUF GËRVALLA: “BASHKJETESA” E XHELATIT ME VIKTIMËN (JANAR 1981)

Pashtriku, 22 shkurt 2021: (Artikulli i Jusuf Gërvallës, botuar në gazetën “Bashkimi”, organi i FKP - Nr.4, Janar 1981)

***

Revista “NIN” e Beogradit, nëpërmjet intervistash me funksionarë të lartë shtetërorë, nga numri në numër po e shtron çështjen e bashkjetesës së popujve të Jugosllavisë në federatën jugosllave. Natyrisht, ndonëse ky paraqet një hap të çuditshëm të kësaj reviste, pas të cilit mund të supozohet se qëndron kryekëput qeveria dhe i cili sigurisht fsheh ndonjë qëllim tinëzar, s’ka kurrfarë “rreziku” se mund të pyeten popujt e Jugosllavisë se a duan dhe a e duan fare ata “bashkjetesë”. Sa për popullin shqiptar, e sidomos për pararojën e tij patriotike dhe revolucionare, nuk shtrohet fare çështja e bashkjetesës me popujt e tjerë në kuadër të kufijve administrativë të Jugosllavisë. Kjo “bashkjetesë” është e dhunshme dhe e paligjshme, sepse viset shqiptare në Kosovë, Dukagjin, Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi janë vise shqiptare, që trungut të përbashkët shqiptar iu shkëputën në mënyrë të paligjshme, në kushte të errëta historike dhe kundër vullnetit të popullsisë vendëse shqiptare. Që nga fillimi i këtij akti barbar, të kryer në fillim të shekullit tonë dhe të përsëritur edhe njëherë pas Luftës II botërore nga fuqitë e mëdha e nga forcat më të errëta jugosllave, mbi popullsinë tonë u ushtrua politika e asimilimit dhe e gjenocidit. Dhe që atëherë, politikës së tillë barbare, populli ynë iu përgjegj me një rezistencë të pandërprerë. Aktualisht, rezistenca e fuqishme por spontane e popullit tonë, përditë e më shumë po merrë përmasa të një lëvizjeje të organizuar, e cila nesër do të na çojë në luftën e përgjithshme çlirimtare – kombëtare e klasore dhe në bashkimin me vendin amë të shqiptarëve, Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Por, për t’iu treguar renegatëve dhe tradhtarëve të mëdhenj e të vegjël shqiptarë të të gjitha ngjyrave, që interesat jetike dhe aspiratat shekullore të popullit të vet i kanë shitur për një kockë të hedhur apo për një pozitë të mjerë në administratën revizioniste jugosllave, këtu poshtë po nxjerrim disa të dhëna nga premisat e jetës ekonomike, politike e shoqërore, që janë rrjedhim i kësaj “bashkjetese”, e cila s’është gjë tjetër pos bashkëjetesë e xhelatit me viktimën.

KALIFORNIA E VOGËL BANGLADESH I MADH

Po të nisemi nga rezervat natyrore të Kosovës, nga toka e saj cilësore dhe kushtet e favorshme klimatike e gjeografike, Kosova, me një trajtim të barabartë ekonomik, do të kish qenë ndër viset më të zhvilluara në gjithë territorin administrativo-politik të Jugosllavisë. Kosova plotëson 64 % të të gjitha rezervave jugosllave të thëngjill-linjitit, 57 % të rezervave të plumbit dhe zinkut, 24% të rezervave të hekur-nikelit, 30% të të gjithë energjisë elektrike etj. Në Kosovë gjenden gati të gjitha rezervat “jugosllave” të argjendit e të kromit dhe pjesa më e madhe e rezervave të arit.


Për konfiguracionin e saj, raportin shumë të favorshëm të sipërfaqeve të punueshme të tokës ndaj atyre të papunueshme, me një bimësi të dendur etj., Kosova është bërë që moti me një emër të dytë të popullarizuar – Kalifornia e Ballkanit. Edhe popullsia e Krahinës sonë është jo thjeshtë një popullsi punëdashëse, po njëherit një popullsi, që siç i thonë fjalës, e ka pasur mall punën në plang e shtëpi të vet. Sot vullnetit të madh të kësaj popullsie i është shtuar edhe një potencial i madh i krahut të punës, me një strukturë gjithnjë më të volitshme arsimore, madje me ekspertë gati për të gjithë lëmenjtë e jetës.

Po gjendja e tashme e saj, megjithatë është jashtëzakonisht e mjerueshme. Në saje të politikës diskriminuese e kolonialiste të Jugosllavisë, Krahina jonë ka mbetur regjioni më i pazhvilluar jo vetëm në Jugosllavi, po edhe ndër më të pazhvilluarit në botë. Rezervat natyrore të saj grabiten nga federata jugosllave në trajtë lëndësh të para dhe, pasi të jenë përpunuar në republikat industrialisht më të zhvilluara jugosllave, i shiten Kosovës me çmime të shumëfishuara. Përveç kësaj një rol minues për ekonominë kosovare luan politika diskriminuese e çmimeve. Lëndët e para të Kosovës, në tregun e brendshëm jugosllav shiten me çmime shumë më të ulëta se ato në tregun botëror. Vetë Kosova, prodhimet finale, të përpunuara në republikat e zhvilluara, i blen me çmime deri 124% më të larta se çmimet e tregut botëror.

Në saje të kësaj politike diskriminuese bujqësia e Kosovës, me të cilën është e zënë pjesa më e madhe e popullsisë sonë aktive, ka mbetur në nivelin e një bujqësie ekstensive e me produktivitet jashtëzakonisht të ulët. Toka e punueshme, për shkak të masave të hershme e të vona administrativo-politike që ka marrë Jugosllavia për të bërë presion mbi popullsinë vendëse, është e coptuar në ngastra shumë të vogla. Në qoftë se në një të kaluar bujqësia siguronte për popullsinë kosovare punëdashëse një ekzistencë solide, ajo sot nuk ka si ta siguroj as kafshatën e gojës për pronarët e saj të imtë.

Ndërkaq, puna në të ashtuquajturin sektor shoqëror, paraqitet edhe më ligsht për shqiptarin e Kosovës. Ky sektor ka një aftësi fare të vogël apsorbuese të fuqisë punëtore, gjithsej 6400 punëtorë të inkuadruar në vit (këto 3-4 vitet e fundit). Përballë ritmit të shpejtë në shtimin e krahut të ri të punës, shkalla e punësimit te ne kufizohet me papunësinë totale. Gjithë kjo ka pasur për pasojë një lëvizje të atillë të popullsisë së aftë për punë, e cila nuk mbahet mend për asnjë periudhë tjetër historike të Kosovës, madje emigrimet e popullsisë sonë thuaja se nuk kanë qenë më masive as në periudhat e shpërnguljeve të mëdha e të dhunshme për në Turqi.

A IA BËJMË KINSE PO BASHKJETOJMË

Për të parë se sa është e arsyeshme, e leverdishme dhe e domosdoshme bashkëjetesa e shqiptarëve me popujt tjerë të mbërthyer brenda kufijve administrativo-politikë të Jugosllavisë revizioniste, po e bëjmë një krahasim të ndarjes së të ardhurave personale të punëtorëve në Republikën e Sllovenisë dhe në Kosovë. Tabela që po e botojmë këtu, është bërë sipas të dhënave të Entit Federativ Statistikor dhe paraqet gjendjen në muajin mars 1979. Në kohën në shqyrtim, Sllovenia kishte 1 milion e 826 mijë banorë, Kosova po aq, 1 milionë e 600 mijë. Por, në këtë kohë, numri i të inkuadruarëve në Slloveni, 780 mijë, ishte gati 5 herë më i madh se ai në Kosovë (167 mijë – fjala është për sektorin shoqëror). Punëtorët e Sllovenisë realizonin së bashku 5 miliardë e 38 milion e 878 mijë dinarë të rinj kurse ata të Kosovës vetëm 909 milion e 649 mijë dinarë, ose më se 6 herë më pak.

Punëtorët sipas lartësisë së të ardhurave personale – mars 1979

SLLOVENIA KOSOVA

Të ardhurat personale PUNËTORË PUNËTORË

Deri në 3 000 dinarë 2 340 ose 0,3% 25 217 ose 15,1%

3 001 – 4 500 111 540 ose 14,3% 72 144 ose 43,2%

4 501 – 6 000 244 140 ose 31,3% 39 579 ose 23,7%

6 001 – 8 000 241 020 ose 30,9% 18 704 ose 11,2%

8 001 – 10 000 104 520 ose 13,45 7 014 ose 4,2%

Mbi 10 000 dinarë 76 440 ose 9,8 % 4 342 ose 2,6%

Është jashtëzakonisht interesant të shohim se në çfarë përqindjeje paraqiten përkatësisht punëtorët e Sllovenisë dhe ata të Kosovës në ndarjen e të ardhurave të ulëta dhe rrogave të larta. Siç shihet edhe nga tabela, sa më e ulët të jetë shkalla e të ardhurave aq më e lartë është përqindja e punëtorëve kosovarë që marrin pjesë në ndarjen e tyre; dhe anasjelltas, sa më shumë të ngjitet shkalla e të ardhurave, aq më i vogël bëhet numri i punëtorëve që marrin pjesë në ndarjen e tyre (në Kosovë) dhe aq më i madh numri i punëtorëve të Sllovenisë, që i gëzojnë ato të ardhura të larta. Konkretisht, paga me lartësi deri në 3000 dinarë marrin vetëm 2340 punëtor sllovenë, ose 0,3% e të të gjithë të inkuadruarëve të kësaj republike, dhe 25 217 punëtorë kosovarë, ose 15,1% e të të gjithë të inkuadruarëve të Krahinës sonë. Nga 3000 – 4500 dinarë marrin 14,3% punëtorë sllovenë dhe 43,2% punëtorë kosovarë; nga 4500 – 6000 dinarë marrin 31,3% punëtorë sllovenë dhe 23,7% kosovarë; nga 6001-8000 dinarë marrin 30,9% sllovenë dhe 11,2% kosovarë; nga 8001-10000 dinarë 13,4% sllovenë dhe 4,2% kosovarë, dhe, mbi 10000 dinarë 9,8% sllovenë dhe vetëm 2,5% kosovarë. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe faktin se papunësia në Kosovë është 20 herë më e madhe se në Slloveni dhe absolutisht më e madhja në gjithë Jugosllavinë, atëherë bëhet e qartë se bashkëjetesa 68-vjeçare me popujt e Jugosllavisë ka qenë për ne, shqiptarët me banim në Jugosllavi, një nga periudhat tona më të vështira e më të rrezikshme për shfarosje të plotë.

TELALLI THOTË: BESOMË EDHE NË GËNJEFSHA

Revizionistët jugosllavë, këta telallë absurd të “socializmit specifik”, “mosangazhimit”, “vëllazërim – bashkimit”, “barazisë” së kombeve e kombësive, i shtrembërojnë në mënyrë drastike disa fakte vitale karshi opinionit të vendit dhe atij botëror. Ndër të tjera, atyre ua do puna të mos flasin kurrsesi me të dhëna reale kur është fjala për papunësinë në disa vise të caktuara, sidomos në Kosovë. Sipas kritereve, me të cilat vlerësohet problemi i papunësisë në shkallë jugosllave, del se numri më i madh i të papunëve është në Maqedoni, po edhe atje vetëm 5,7 për qind. Vendin e dytë e zë Serbia me 4,7 për qind të papunë, ndërkohë që në Kosovë, sipas këtyre kritereve, as qe ekziston problemi i papunësisë! Në Krahinën tonë, gjithnjë sipas këtyre kritereve, që as “Rilindja” revizioniste nuk durohet pa i quajtur “sa mashtruese, aq edhe joreale”, të papunë qenkan vetëm 3,7 për qind.

Ku është nxjerrë vallë ky 3,7 përqindësh famoz?! Ose, edhe përqindja e të papunëve në regjione tjera! Pasi, siç e pranon edhe vetë Enti Federativ i Statistikave, Jugosllavia zë një nga vendet e para në botë përnga shkalla e papunësisë. Këto “fakte” i kundërshton edhe vetë “Rilindja”, duke u mbështetur, siç thotë, “në disa mjete tjera të informimit në Jugosllavi”. “Po të vlerësohet papunësia me kritere reale, shkruan ajo, sipas një analize, del se papunësia në vend është 12 për qind, nërsa në Kosovë 27 për qind; në Bosnjë e Hercegovinë 13,5 për qind, në Maqedoni 21,3 për qind, në Serbi 11,9 për qind, e të tjera. Papunësia në Slloveni, 1,4 për qind, është njëzet herë më e vogël se ajo në Kosovë”. “Rilindjes” do t’ia dinim për nder sikur pas botimit të kësaj informate të qëndronte edhe më në të njejtën pozitë, atleti i mirë që nuk bien nën rekordin që e ka hedhur një herë. Mirëpo, sado që të dëshirojmë ne, kështu nuk ngjan. Medje, artikulli në fjalë na duket më shumë t’iu ketë përvjedhë redaktorëve, sesa të jetë botuar esëll. Megjithatë, autori i informatës në fjalë, e meriton një përkrahje prej nesh, sado që edhe ai ha ngapak në peshojë.

Ja, pra, disa nga të dhënat për vitin 1978 që na ofron Enti Federativ i Statistikave dhe që na ndihmojnë t’i dalim krah gazetarit të “Rilindjes” dhe të vërtetën që e ka sheshuar ai. Më 1978, Kosova kishte përafërsisht 1 milion e 525 mijë banorë. 799 mijë, ose 52,4 për qind e popullsisë së përgjithshme ishin banorë të aftë për punë. 167 mijë veta, ose 11 për qind e popullsisë së përgjithshme ishin të inkuadruar në sektorin e ashtuquajtur shoqëror, kurse aktiv në të gjithë sektorët gjithë krahina kishte vetëm 387 mijë vetë, ose 25,4% të popullsisë së përgjithshme. Po t’u bsohet këtyre shifrave (më vonë do të shohim kundërthëniet e shumta që dalin prej tyre) atëherë del se më 1978 412 mijë banorë të aftë për punë kanë mbetur të papërfshirë në asnjë sektor të veprimtarisë. Dhe numri 412000 paraqet 27 për qind të popullsisë sonë të përgjithshme (1 milion e 525 mijë), e jo 3,7 për qind! Përveç kësaj, siç vë në dukje edhe vetë “Rilindja”, te ne afro “140 000 vetë për çdo vjet bëhen krah i ri pune”. Kurse ekonomia, me aftësinë e mjerë absorbuese të fuqisë punëtore, mund të çelë vende pune vetëm për 6400 vetë në vit (që nga viti 1977 e këtej). Del që, prej katër vjetësh e këtej, ushtrisë së të papunëve në Kosovë i janë shtuar deri më tash edhe nja katër njësite të mëdha me nga 133 600 banorë, që, bashkë me të papunët e vitit 1978, bëjnë jo më pak se 946 400 veta. Pra në vitin 1981, ne kosovarët po hyjmë me afro 1 milion të papunë!

Në qoftë shtuar më 1980 popullsia e Kosovës sipas parashikimeve të Entit Federativ (se me çfarë saktësie i bënë parashikimet, mund të shihet edhe nga ky fakt. Në të njejtin publikim, “Kalendari Statistikor i RSFJ 1980”, numri real i popullsisë së Sllovenisë figuron 1 626 000 banorë në vitin 1979, kurse i parashikuar i popullsisë së kësaj republike për vitin 1980, në vend që të jetë më i madh, figuron për 1000 banorë më i vogël, do të thotë – 1 625 000!), pra, në qoftë për t’u besuar këtyre “parashikimeve”, atëherë fillimi i 81-shit e zë Kosovën me afro 1 592 000 banorë dhe vetëm me 179 000 të zënë në punë në të ashtuquajturin sektor shoqëror, ose me 11,3% e popullsisë. Një kosovar i zënë me punë në këtë sektor, do të ketë në kurriz mesatarisht 9 banorë (slloveni vetëm 1,7)! 3,7 përqindëshi që paraqitka sipas revizionistëve titistë, shkallën e papunësisë në Kosovë, duke “zëvendësuar” si me shkop magjik 30 përqindëshin, është nxjerrë nga 61 000 të papunët që kërkojnë punë nëpërmejt enteve të inkuadrimit. Dhe për këtë numër kapen, si i mbytyri për kashtë, revizionistët, kur duan të na e hedhin syve, neve dhe botës. Mëkot do të ngulë këmbë edhe një pjesë e shtypit revizionist sesi “një numër i madh i kosovarëve të papunë, për shkaqe subjektive e dobësi të ndryshme (ne do të themi për shkak të pritjes së gjatë e të pa shpresë – “Bashkimi”), nuk paraqiten fare në BVI-të gjegjëse”. Kjo për ata nuk ka asnjë domethënie. Ata duan që ky numër të përmendet, numrin e sakt e dinë më mirë se ne vetë dhe kënaqen. Por, po vjen dita që kjo kënaqësi t’u mbetet në fyt dhe t’ua zërë frymën.

SHPËRBLIMI I TË KOLONIZUARIT PËR KOLONIZATORIN

Kosovës i këcënohet rreziku nga një lëvizje e atillë e popullsisë, që pjesa e saj e aftë për punë – strukturalisht më e reja dhe biologjikisht më e shëndosha – të braktisë vendilindjen dhe të marrë masivisht rrugën e hidhur të kurbetit për në republikat e zhvilluara jugosllave, në Evropë e më larg. Në pozitë më të vështirë në këtë pikëpamje janë vetëm edhe viset shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbi, për shkak të kompaktësisë më të vogël etnike të shqiptarëve në strukturën e përgjithshme të popullsive të këtyre republikave si dhe për shkak të masave edhe më të vështira administrativo-politike, të cilave u ekspozohen vlerat e përmendura shqiptare. Po t’u drejtohesh statistikave jugosllave lidhur me emigrimet e popullsisë sonë në cilëndo periudhë brenda këtyre 68 vjetëve robëri ato i fshehin faktet si gjarpëri këmbët. Ç’është e vërteta, numri 12 000 kosovarë të inkuadruar në republikat e Jugosllavisë e në botën e jashtme, nuk ka mundur të fshehet në asnjë mënyrë. Dhe ky numër, edhe po të jetë vetëm kaq, paraqet një shkallë shumë të lartë e të rrezikshme të emigrimit karshi numrit të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës, afro 10 për qind të popullsisë së aftë për punë. Por kjo shifër as që i afrohet numrit të vërtetë të kurbetçinjve “modernë” shqiptarë.

“Bashkësia krahinore për inkuadrim përmes enteve të saj të inkuadrimit e mban njëfarë evidence për këta punëtorë, por vetëm për ata që më parë janë paraqitur në këto ente… Mirëpo një numër i madh i fuqisë punëtore punësohet në territoret e tjera të vendit përmes kanaleve të tjera, e sidomos me vetëiniciativën e tyre. Prandaj, ky numër i punëtorëve të tillë gjithnjë është më i madh nga ai që evidentohet në entet përkatëse.” (Dr. Hivzi Islami, “Popullsia e Kosovës”, Prishtinë 1980, f.123) Një shembull simptomatik lidhur me “objektivitetin” e të dhënave statistikore të këtyre enteve, na e ka dhënë po Dr. H. Islami në veprën e përmendur: “Derisa në vitin 1966 në tërë Slloveninë, sipas evidencës së shërbimeve krahinore të punësimit, ishin 217 punëtorë nga Kosova, vetëm në Lublanë në atë vit ishin të inkuadruar 676 punëtorë nga kjo Krahinë.”

Një shtrembërim i tillë i fakteve, me skandalozitetin që përmban në vete, nuk flet për lëshime të rastit, që nganjëherë mund të ndodhin edhe në statistikat më pedante. Përkundrazi, ai na shpie te një mjet sa perfid, aq edhe i preferuar i administratës jugosllave në drejtim të fshehjes së numrit të përgjithshëm të shqiptarëve me banim në Jugosllavi dhe të gjitha të dhënave që e tregojnë në mënyrë reale gjendjen e mjeruar të popullsisë sonë të përfshirë me dhunë brenda kufijve administrativo-politik të këtij armiku të përbetuar të farës sonë.

Këtë shtrembërim faktesh, revizionistët e realizojnë me mjeshtëri edhe në saje të përvojës më të hershme jugosllave në këtë drejtim. Edhe qëllimi kryesor mbetet po ai që ishte para 68 vjetësh; me plane të ngritura në shkallë shtetërore, viseve shqiptare nën pushtetin, viseve shqiptare nën pushtetin administrativo-politik të Jugosllavisë t’u ndërrohet në rrënjë struktura kombëtare. Për këtë qëllim u ndoqën mes dy luftrave botërore dhe pas Luftës II botërore më se 600 mijë shqiptarë dhe në vend të tyre u sollën në këto vise shumë e shumë kolonë të kombësive serbe e malazeze, e tani së fundi po sillen edhe maqedon nga Greqia. Dhe pikërisht për këtë qëllim po u jepet edhe sot rruga e mërgimit “ekonomik” shqiptarëve të robëruar. Ata i mban shpresa se edhe me trojet tjera shqiptare do të ngjajë ashtu siç ka ngjarë me Prespën dhe Ulqinin, banorët e të cilëve, për shkak të presionit ekonomik dhe politik, i kanë braktisur gati përgjithmonë vatrat e veta dhe kanë marrë në sy Amerikën e Australinë.

Natyrisht, është e tepërt dhe gati banale t’u thuhet revizionistëve gjakpirës jugosllav se këto shpresa të tyre nuk janë gjë tjetër pos qep me ujë. Mbi të gjitha, ndërsa është arritur që ata të pranojnë cilësimin e shpërnguljeve të mëdha për në Turqi si migrime politike, përkatësisht të terrorit dhe të dhunës, ata i propagandojnë migrimet e sotme të shqiptarëve thjeshtë si një dukuri të rëndomtë ekonomike, të parrezikshme, madje edhe të dobishme, duke i lidhur këto migrime me gjoja inkuadrimin e Jugosllavisë në “ndarjen ndërkombëtare të punës”. Po dokrrat e tilla nuk pinë ujë te populli ynë i shumëvuajtur. Pararoja patriotiko-revolucionare e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare e di mirë se ne, për aq sa është çështje politike – bile e një politike diskriminuese që kufizohet me fashizmin e racizmin – niveli jashtëzakonisht i ulët i zhvillimit ekonomik të viseve shiptare, aq është politike edhe çështja e emigrimeve të sotme, që janë pasojë e drejtpërdrejtë dhe e domosdoshme e diskriminimit të tillë. Dhe, e gjithë kjo s’është gjë tjetër përveç aplikim i mjeteve të reja “bashkëkohore” për sendërtimin e qëllimeve të vjetra kolonialiste e asimiluese.

Dhe ne, ja ku u premtojmë se do t’i shpërblejmë pikërisht ashtu si i ka hije të kolonizuarit ta shpërblej kolonzatorin: me zjarrin e fuqishëm të dekolonizimit dhe të çlirimit kombëtar. Dhe le ta shqyrtojnë ata vetmevete jerm çështjen se ç’të mira mund të dalin nga “bashkjetesa” që na e ofrojnë në këmbim të lirisë së rrëmbyer.

(Marrë nga numri i fundit i gazetës “Bashkimi”, organi i FKP - Nr.4 Janar 1981)




Fasksimili i shkrimit të Jusuf Gërvallës, Bashkimi - nr.4. Janar 1981


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks