SHKRIMI
e hënë, 28 korrik 2014

MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E KOSOVËS DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981(I)

(Pashtriku.org, 30. 03. 2012) - Programi politik e kombëtar i Lëvizjes, objektiv historik kishte bashkimin e popullit të ndarë shqiptar dhe të territorit etnik të tij. Në programin e OMLK, shkruante: “Aspiratat e popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, janë të vjetra. Lufta e popullit tonë për t’i realizuar këto aspirata përbën faqe të lavdishme të historisë së tij... Populli ynë ka luftuar, lufton dhe është i vendosur të luftojë gjer në realizimin e plotë të këtyre aspiratave”.

     Pas demonstratave të vitit 1968, valët represive të regjimit pushtues e kishin dobësuar dukshëm Lëvizjen Kombëtare të Kosovës. Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, me qëllim të qetësimit relativ të gjendjes në Kosovë, regjimi i Beogradit zbatonte një politikë shtensionuese, duke liberalizuar jetën, duke u dhënë disa të drejta shqiptarëve, duke hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe duke avancuar statusin politik të Kosovës, si njësi konstituive të Federatës, por edhe si krahinë autonome në kuadër të Republikës së Serbisë. Zëdhënësit e regjimit në Kosovë dhe në Jugosllavi, këto ndryshime i paraqitnin si një zgjidhje model të çështjes kombëtare shqiptare brenda Federatës, që nuk i gjendej shembulli në botë. Mrekullia sipas tyre qëndronte në faktin magjik se kombësia shqiptare ishte tërësisht e barabartë me kombet e Jugosllavisë, pavarësisht emërtimit të saj dhe statusit të autonomisë së Kosovës. Kur shpërthyen demonstratat më 1981, Serbia ndërhyri në “republikën” prej letre të Kosovës, sikur çdo fuqi koloniale që hyn në koloninë e saj, kurse më 1989, ajo as që pati nevojë për ndihmën e Federatës që ta suprimonte statusin e “barabartë” të Kosovës me republikat tjera.

     Përpjekjet për të krijuar përshtypjen e rreme të lirisë, kishin arritur fillimisht të vështirësonin riorganizimin e Lëvizjes, por jo ta pamundësonin. Ajo bëhej e nevojshme për faktin historik që populli shqiptar në tokat e tij në Jugosllavi, i treti me radhë nga numri, mbetej i aneksuar padrejtësisht dhe i pabarabartë me popujt tjerë konstituivë të Federatës. 



Treshja komuniste: Mahmut Bakalli, Fadil Hoxha dhe Xhavit Nimani gjatë një takimi me J.B.Titon - në Beograd.


___________________________________________


     Statusi dubioz i Kosovës, i sanksionuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, nuk përmbushte kërkesën për barazi të shqiptarëve dhe për më tepër e linte të hapur mundësinë e suprimimit edhe të asaj autonomie, sikundër do të ndodhë pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Kosova kishte institucionet e saj autonome, por udhëheqësit e tyre mbanin qëndrim nënshtrues ndaj Beogradit, prandaj nuk mund të pritej realizimi i republikës së Kosovës në tavolina bisedimesh. Në një intervistë të vitit 2005, por të botuar pas vdekjes, Mahmut Bakalli, i cili gjatë viteve ’70 ishte në krye të komunistëve të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së KQ të LKJ, dëshmon se më 1974, në përfundim të bisedimeve për kushtetutën, i kishte paraqitur Titos në Brione kërkesën e Kosovës që të shkëputej nga Serbia, në këtë mënyrë: “I thashë, neve na nevojitet të udhëhiqemi vetë! Na nevojitet t’i udhëheqim vetë financat, bankat, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën, shërbimin sekret... dhe të bëhemi sikur republikat e tjera të Jugosllavisë, pra duam të vetëqeverisemi. A e di çfarë më thotë ai?! Mirë bre, shkruaj të gjitha këto si propozim për kushtetutën e re. Unë i thashë: Po, por po qe se unë i shkruaj këto që t’i thashë, atëherë del pikërisht ajo për të cilën ti po thua se je kundër - del se Kosova është republikë, e unë s’po dua të hy në konflikt me ty. Përgjigja e tij është kjo: A mund të gjejmë një kompromis?! Ta lëmë në preambulë se formalisht jeni në përbërjen e Serbisë, por jo pjesë përbërëse, por në përbërje të Serbisë. Preambula është pjesë hyrëse e kushtetutës, por jo pjesa normative. Në pjesën normative shkruaj të gjitha këto që m’i the tani! Unë thashë: mirë, këtë do ta bëj! Ai më tha se më shumë nuk mund të bëjmë, sepse tash për tash raporti i forcave është i tillë që mund të ma prishin Jugosllavinë forcat shoviniste serbe. Unë është dashur t’i besoja Titos! Kam besuar se Tito nuk po më mashtron, nuk po më nënçmon dhe është e vërtetë kjo që po më thotë... “ (1) Josip Broz Tito, po i përsëriste kështu Mahmut Bakallit ato që i kishte thënë Enver Hoxhës njëzet e tetë vjet më parë, kur ky i kërkonte t’ia kthente Kosovën Shqipërisë, sepse padrejtësisht ia kishin shkëputur nga trungu.

Kompromisi më 1974 për statusin e Kosovës, nuk ishte zgjidhje. Ashtu siç nuk mund të qëndrohet në vend duke notuar përballë valëve të lumit, as status quo e Kosovës nuk mund të ishte e qëndrueshme; ose duhej avancuar ose do të degradohej. Të avancohej vetvetiu dhe aq lehtë, siç pretendon Azem Vllasi, madje pas përvojës së tij të hidhur degraduese dhe pas gjithë atij gjaku që u desh të derdhej, nuk duket aspak e besueshme.


     Lëvizja ilegale Kombëtare, në këtë kuptim i duhej Kosovës si një forcë shtytëse historike e realizimit të drejtës universale për vetëvendosje, të premtuar nga komunistët jugosllavë dhe të mohuar tradhtisht prej vetë atyre. Ajo, si vazhduese besnike e Lëvizjes së pareshtur kundër pushtimit të huaj, mbante parasysh programin politik e kombëtar të saj. Për të ishte i qartë kombinimi i kulaçit me kërbaçin që politika pushtuese po zbatonte, prandaj puna e parë që duhej bërë ishte zhdavaritja e reve të iluzioneve që përhapte regjimi.

     Intensifikimi i përpjekjeve të Shqipërisë për Kosovën, në këtë kohë, u bënë krah i Lëvizjes së brishtë Kombëtare. Njëri nga zyrtarët e lartë të Sektorit të Propagandës me Botën e Jashtme (Sektori i Kosovës) në KQ të PPSH, Kristaq Porodini, duke iu referuar marrëdhënieve shqiptare-jugosllave të fillimit të viteve 70, ka thënë: ‘‘Shteti shqiptar, qysh në fillim të viteve ‘70, e forcoi punën në drejtim të Kosovës duke i dhënë përparësi përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, veçanërisht pas aprovimit të Kushtetutës Jugosllave të vitit 1974, në të cilën shqiptarët e Kosovës fituan më shumë të drejta si Krahinë Autonome në kuadër të Federatës Jugosllave. Avancimi i marrëdhënieve midis dy shteteve, që u aprovua nga të dyja palët, bëhej nga pozicione të kundërta politike.’’ (2) Lëvizja Kombëtare i shfrytëzoi në të gjitha aspektet këto situata të reja dhe favorizuese historike, pa rënë asnjëherë viktimë e truqeve politike.

     Lëvizja Kombëtare e gjysmës së parë të viteve ’70 identifikohej kryesisht me Grupin Revolucionar të Kosovës, të quajtur më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK), e cila bëri kthesë cilësore, organizative, propagandistike dhe vepruese, çlirimtare. Format e reja të organizimit, sipas teknikave të avancuara të konspiracionit, me një disiplinë të rreptë në veprimtari dhe me sistemin e celulave të vogla të radhëve, bënë të mundur qëndrueshmërinë kundrejt ndjekjeve policore dhe sigurimin e vazhdimësisë së veprimit të organizatës për plot dymbëdhjetë vjet rresht, që përbënte rast të vetëm në historinë e organizimit klandestin të Lëvizjes sonë Kombëtare. Përvoja e gjatë e veprimtarisë, e bëri Organizatën të qartë politikisht, të edukuar kombëtarisht dhe me një program çlirimtar të detajuar e vizionar. Me gjithë ndjekjet e pareshtura policore dhe dënimin e shumë anëtarëve të saj, ajo kishte ruajtur substancën dhe veprimin sistematik për përgatitjen e faktorit subjektiv të kryengritjes gjithëqytetare, që do të shpërthejë më 1981. Organizata po përgatitej për demonstrata, por edhe për luftë të armatosur, duke qenë e gatshme të kombinonte dhe të zëvendësonte format e veprimit e të luftës, varësisht nga imponimi i situatave.

     Pas Luftës së Dytë Botërore, për herë të parë, në hyrje të vitit 1974, kjo Organizatë filloi botimin e shtypit klandestin, me “Zëri i Kosovës”, me trakte të shumta politike dhe më 1980-81 me organin e mirënjohur “Liria”. Shtypi klandestin ishte mjet informimi objektiv dhe demaskues kundër regjimit pushtues, mjet sqarimi e edukimi i masave të gjera dhe mjet propagandimi i ideve të lirisë. Nëpërmjet të këtyre organeve dhe të tjerëve, si “Bashkimi”, “Lajmëtari i Lirisë”, “Revolucioni” etj., u mbrojt fuqishëm drejtësia e luftës së popullit të robëruar shqiptar dhe u argumentua kërkesa e ligjshme për Republikën e Kosovës. 



________________________________________


     Në fillim të viteve 80, Kosovës i kërcënohej rreziku shovinist serb i suprimimit të autonomisë, sipas projektit të përvijuar në të ashtuquajturin “Libri i kaltër”, i vitit 1976, me titull “Pozita e serbëve në Jugosllavi në bazë të Kushtetutës së vitit 1974”. Për të ruajtur kohezionin e Federatës, Josip Broz Tito kishte urdhëruar heshtjen e projektit, por shovinistët serbë, si bisha që pret prenë, prisnin çastin historik për të zbatuar projektet e vjetra e të reja antishqiptare, mbase pas vdekjes së Titos, më 1980. Ky fakt historik, nuk njihej gjerësisht në opinionin publik, prandaj janë dëgjuar mendime iluzioniste, gjatë dhe pas demonstratave, se mbase nuk duhej ngacmuar “luani i fjetur”, por shqiptarët bënë atë që duhej bërë, nuk e pritën këtë çast si qengjat në vath, po u zgjuan dhe e morën në dorë fatin e tyre.

     Në prag të demonstratave të vitit 1981, përveç OMLK, vepronin edhe Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, e cila nxirrte organin e shtypit ”Lajmëtari i Lirisë”, Lëvizja për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, me organin “Revolucioni”, Fronti i Kuq Popullor, i cili botonte revistën “Bashkimi”, dy grupe marksiste-leniniste, njëri në Drenicë dhe tjetri në Llap dhe disa grupe e organizata të tjera më të vogla, brenda e jashtë Kosovës.

     Lëvizja mobilizoi shqiptarët në Jugosllavi, duke kultivuar vlerat më të mira të traditës luftarake të popullit shqiptar, vuri bazat e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe organizoi mërgatën e degdisur nëpër botë, duke e kthyer në një forcë të madhe të çështjes shqiptare. Lëvizja e re kombëtare kishte dokumentacion të pasur teorik e politik, organizativ e propagandistik, i cili u shfrytëzua edhe nga brezat vijues, duke siguruar kështu avancimin e saj cilësor nga vitit në vit. Lëvizja Kombëtare ishte shumë e përgatitur për të marrë përgjegjësitë e veta në situatat e reja që po vinin. Faktorët subjektivë dhe objektivë të kryengritjes në Kosovë ishin pjekur.

     Duke folur për zgjerimin e radhëve patriotike në Kosovë para demonstratave dhe për ndikimin e tyre, njëri nga zyrtarët e lartë të regjimit, Azem Vllasi, i lehtësuar pas demonstratave dhe në kushte më të mira për t’u shprehur e për të vepruar lirisht, në mbledhjen e 17-të të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, mbajtur më 5 maj 1981 në Prishtinë, thoshte: “Në disa mjedise gati patëm ardhur në situatë që të turpërohemi t’i shfaqim mendimet tona, duke u frikësuar se ata do të na quajnë anacionalë, tradhtarë e të tjera, të përhapin intriga për ne”(3).

     Emërtimet e shumë prej këtyre organizatave kishin konotacion ideologjik majtist, por programet e tyre politike dhe gjithë veprimtaria praktike që bënin, kishin për qëllim çlirimin kombëtar të shqiptarëve të robëruar dhe të tokave të tyre të pushtuara. Studiuesi Lefter Nasi, me të drejtë thotë se “emërtimi i grupeve ilegale që i krijuan në atë kohë u ndikua nga sistemi politik që sundonte në RPSSH. Por në përgjithësi elementet që bënin pjesë në to nuk aspironin për fitoren e komunizmit e të stalinizmit, por për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar”.(4)

     Programi politik e kombëtar i Lëvizjes, objektiv historik kishte bashkimin e popullit të ndarë shqiptar dhe të territorit etnik të tij. Në programin e OMLK, shkruante: “Aspiratat e popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, janë të vjetra. Lufta e popullit tonë për t’i realizuar këto aspirata përbën faqe të lavdishme të historisë së tij... Populli ynë ka luftuar, lufton dhe është i vendosur të luftojë gjer në realizimin e plotë të këtyre aspiratave”. (5) Megjithatë, sikur edhe më 1968, më 1981 mbizotëroi kërkesa minimum për barazi me popujt tjerë të Federatës, në parullën sintetizuese të demonstratave “Kosova-Republikë”, që do të thoshte Kosova me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Në rrethanat historike të të ashtuquajturës ”Luftë e ftohtë”, të Jugosllavisë stabile në plan të brendshëm e të jashtëm, të nevojës ndërkombëtare për ruajtjen e paqes e të sigurisë në rajon, në kushtet e shtetit shqiptar të izoluar e të injoruar ndërkombëtarisht dhe të një fuqie madhore ushtarake që do të vërsulej pa mëshirë, jo vetëm kundër Kosovës, por edhe Shqipërisë, aspirata e shkëputjes, në mos ishte e pamundur, do të kushtonte, siç thoshte në një rast, Fadil Hoxha, me mbi 300.000 shqiptarë të vrarë.

     Kupa po mbushej dhe revolta mund të shpërthente nga çasti në çast, por kishte rrezik të ndodhte para kohe, qoftë nga nxitja e qëllimshme nga jashtë, qoftë nga spontaniteti. Ndodhi kjo e dyta. Disa studentë të Universitetit të Prishtinës, të ndikuar edhe nga shtypi klandestin i kohës, nisën protestë më 11 mars 1981, fillimisht për kushte më të mira jetese e studimi, por shkëndija hasi në barot të thatë. Lëvizja Kombëtare, pa humbur toruan, mori shpejt rolin që i përkiste, në ballë të demonstratave, duke u dhënë drejtimin, qartësinë programore, karakterin dhe organizimin.

     Por, Lëvizja ende nuk ishte e bashkuar. Këtu duhet thënë faktin historik që OMLK, para demonstratave kishte ndërmarrë hapa konkretë në përpjekje intensive për identifikimin dhe bashkimin e organizatave simotra, për të hyrë të bashkuar në kryengritje të karakterit të gjerë shoqëror dhe mbante kontakte e marrëdhënie të rregullta me përfaqësues zyrtarë të Shqipërisë. Kjo veprimtari nuk u ndërpre as gjatë demonstratave, kur bashkimi në veprim do të bëhej më i fortë, kurse veprimi i bashkuar do të ishte më i suksesshëm. 



Mensa e studentëve, prej ku - në mbrëmjen e 11 marsit 1981, nisën demonstratat e para të rinisë studentore të Universitetit të Prishtinës.


_________________________________________


     Demonstratat e filluara më 11 mars, me kërkesa dhe numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe pa ndonjë publicitet të madh, pas dy javësh, në ditën e defilimit të Stafetës së Titos nëpër Prishtinë, u shkallëzuan, jo vetëm me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve, me karakterin politik e kombëtar të tyre, por mbi të gjitha, me sjelljen e reparteve komando të policisë serbe, të cilat ushtruan dhunë të pakontrolluar mbi demonstruesit, madje edhe në konvikte, ku studentët po qëndronin qetësisht. Më 1, 2 e 3 prill demonstratat arritën kulmin e tyre, duke u përhapur në çdo lagje të Prishtinës, në qytete të tjera dhe nëpër fshatrat gjithandej Kosovës, duke marrë karakterin e një kryengritjeje popullore, me qindra mijë pjesëmarrës. I ndodhur para një kthese të madhe historike në Kosovë dhe para heroizmit masiv, regjimi pushtues, në gjendje paniku, solli me ngut mbi gjashtëdhjetë mijë forca, tanke dhe aeroplanë, agjentë dhe hetues, kriminelë të hurit e të litarit, të cilat shtinë me armë zjarri mbi masën e grumbulluar dhe arrestuan gjerësisht demonstrues e veprimtarë të çështjes së Kosovës, dosjet e të cilëve ishin të hapura. Në Kosovë u shpall gjendje e jashtëzakonshme dhe orë policore, kurse demonstratat u shpallën kundërrevolucion, me qëllim që t’u jepej karakteri i rrezikshmërisë së lartë dhe të ndërmerreshin masat vepruese kundër Kosovës dhe popullit të saj.

(Kumtesë e lexuar në Simpoziumin shkencor të Institutit të Historisë dhe Departamentit të Historisë të Fakultetit Filozofik: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË. Prishtinë, më 25 mars 2011.)

VIJON...


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

PAS 8 QERSHORIT NIS ZHGËNJIM I RI, JO MISIONI I RI! MISIONI I MASKAVE DO TË JETË: 'SHITJA - PRIVATIZIMI I PASURISË KOMBËTARE DHE NEGOCIATAT E REJA ME SERBINË! HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2846

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks