SHKRIMI
e shtunë, 26 korrik 2014

MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E KOSOVËS DHE DEMONSTRATAT E VITITI 1981 (II)

(Pashtriku.org, 31. 03. 2012) - Në pranverën e vitit 1981, Lëvizja Kombëtare e Kosovës u ndodh para një sprove të rëndë dhe rreziku të lartë. Ajo po kalonte nga veprimi në konspiracion të thellë, në sheshet e hapura të qyteteve e të fshatrave të gjithë Kosovës, nga strukturat e kufizuara të veprimtarëve tashmë profesionistë, në masën që përfshinte gjerësisht shtresat e shoqërisë së Kosovës. Baza shoqërore e Lëvizjes Kombëtare po zgjerohej me të shpejtë, por edhe rreziku i sulmit frontal dhe të hapur kundër saj ishte shumë i afërt.

     Një rëndësi të veçantë Lëvizja i kushtonte ruajtjes së karakterit demokratik e paqësor të demonstratave dhe pastërtisë së luftës politike. Do theksuar sidomos fakti që në demonstratat qindra mijëshe nuk është shënuar asnjë rast i thirrjeve a veprimeve shoviniste, edhe pse demonstruesit përballeshin me brutalitetin dhe primitivizmin shovinist të regjimit pushtues dhe mekanizmave të tij politikë, policorë e medialë. (6)



     Në demonstrata Lëvizja shpalosi virtytet më të larta morale e patriotike, vlerat tradicionale e moderne, guximin dhe qartësinë e qëllimeve, vendosmërinë e qëndresën dhe frymën e sakrificës deri në vetëmohim. Nga radhët e Lëvizjes së organizuar ranë dëshmorë në ballë të demonstratave, si organizatorë të shkëlqyeshëm të tyre, Naser Hajrizi e Asllan Pireva (Prishtinë, më 2 prill 1981) dhe u plagosën, u arrestuan e u dënuan me burgim të gjatë mijëra të tjerë. Në demonstrata ranë dëshmorë edhe Xhelal Maliqi, Salih Abazi, (Prishtinë, më 2 prill 1981) Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, (Vushtrri, më 3 prill 1981) Rizah Matoshi e Sherif Frangu, (Ferizaj, më 3 prill 1981) kurse më 13 maj 1981 në qëndresën epike në kullën e tyre, duke luftuar kundër hordhive policore e ushtarake jugosllave, ranë dëshmorë, babë e bir, Nebih e Tahir Meha, në Prekazin e rezistencës kundër pushtuesit serb. I riu, Nesimi Dervishdana u vra në Gjakovë më 26 korrik 1981 nga oficerë të Ushtrisë Jugosllave, kurse Ibrahim Krasniqin e Afrim Abazin, autoritetet e regjimit i mbytën në burgjet jugosllave. Në vitet vijuese vriten udhëheqës të shquar të Lëvizjes, si Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu etj.

     Lëvizja Kombëtare i zgjeroi radhët e saj edhe në mërgatën shqiptare. Në Evropë ajo udhëhiqej nga dy korifenjtë e saj, Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla. Përkrah ngjarjeve të stuhishme në Kosovë, mërgata shqiptare kudo në botë, hidhej në demonstrata të fuqishme, duke u solidarizuar me bashkatdhetarët dhe duke sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar për gjendjen në Kosovë dhe për çështjen e saj.

     Regjimi pushtues përdori arsenalin e makinerisë shtypëse, duke shfrytëzuar edhe potencialin e tij kolaboracionist shqiptar, që nga eksponentët politikë dhe deri te shërbëtorët teknikë, për të shuar në gjak kryengritjen, për të luftuar Lëvizjen Kombëtare dhe për të sulmuar në stil të gjerë çdo vlerë shqiptare e Shqipërinë dhe për të rrënuar autonominë e fituar me përpjekje e sakrifica. Në një intervistë tjetër, Mahmut Bakalli ka deklaruar: “Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Sinan Hasani etj., pas ngjarjeve të vitit 1981 këta tre dhe disa kuadro të tjerë, thua se mezi pritën ato trazira, dhe u vunë shumë lehtë në funksion të politikës së Serbisë, si kuislingë të saj, për ato vepra dhe për aq kohë sa i nevojiteshin Serbisë”(7) Ky qëndrim nënshtrues u bë faktori vendimtar për kualifikimin e rëndë që i bëri regjimi demonstratave dhe për masat drakonike që u ndërmorën vite me radhë në Kosovë. Beogradi i theu demonstratat, por jo idealet e tyre. Ato filluan me thyerjen e disa pjatave dhe mbaruan me thyerjen e çdo shprese e iluzioni të mbajtjes edhe për kohë të gjatë nën robëri të popullit liridashës shqiptar.



Treshja Titiste: Ali Shkurija, Sinan Hasani dhe Azem Vllasi, në një mbledhje të KQ të LKJ’së në Beograd.


______________________________________________


     Në gjendje të shtetrrethimit vazhduan përpjekjet e filluara më herët për vënien e kontakteve midis subjekteve të Lëvizjes Kombëtare dhe për bashkimin e tyre organizativ. Në vijim të këtij procesi unifikues, OMLK hartoi një dokument program, në formë tezash për Frontin e Republikës së Kosovës, i cili shërbeu si bazë parimore e bashkimit të ardhshëm të Lëvizjes Kombëtare. Në këto teza paraqitet qëllimi i Frontit, bashkimi i organizatave të Lëvizjes në të, zgjerimi i bazës shoqërore të saj, pa asnjë dallim, format e luftës dhe kombinimi i tyre, integrimet shqiptare etj. Në dokument midis tjerash thuheshin dhe këto teza: “Qëllimi i Frontit për Republikën është që krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e Republikës brenda Federatës jugosllave ... Për t’ia arritur këtij qëllimi, Fronti duhet të bashkojë në luftën për Republikë të gjitha masat popullore... pavarësisht nga bindjet politike, dallimet klasore, fetare a krahinore. Fronti Popullor për Republikën duhet të jetë jo një koalicion i paqëndrueshëm i krerëve të forcave të ndryshme politike, por një bashkim luftarak i pathyeshëm i të gjitha masave tona popullore; jo marrëveshje me fjalë dhe në letër, por një bashkim në luftë e sipër; jo qëllim në vete, por një levë e rëndësishme për edukimin, mobilizimin dhe organizimin e masave popullore në luftë për të drejta dhe liri...

Republika e Kosovës është në interes edhe të popujve joshqiptarë të Kosovës, prandaj edhe ata duhet ta përkrahin kërkesën për Republikë dhe të përfshihen në radhët e Frontit... Në Frontin për Republikën nuk mund të bëjnë pjesë... grupet e organizatat fashiste e terroriste dhe agjenturat e ndryshme që organizon reaksioni i jashtëm apo i brendshëm... Për realizimin e qëllimeve të tij, Fronti do të përdorë të gjitha format e luftës dhe organizimit, do t’i kombinojë e zëvendësojë ato në përputhje me kërkesat e situatës dhe strategjisë së tij... Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për armiqësimin e popullit shqiptar në Jugosllavi me Shqipërinë... Fronti do të përpiqet për zhvillimin e marrëdhënieve sa më të ngushta e të gjithanshme midis popullit shqiptar në Jugosllavi dhe atij në Shqipëri...” (8)

     Në këto teza kanë hyrë edhe disa formulime ideologjike të dokumenteve historike për themelimin e Frontit Nacionalçlirimtar në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që nuk dëmtonin thelbin e përmbajtjes së bashkimit të gjerë rreth një qëllimi të përbashkët dhe imediat, siç ishte pavarësimi i Kosovës nga Serbia.

     Për shkak të represionit të egër që vazhdoi ndaj Lëvizjes Kombëtare dhe të Vrasjes së Kadri Zekës e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, bashkimi nuk u realizua menjëherë, por nga gjysma e vitit 1982.

     Në konkluzion, mund të thuhet që demonstratat e vitit 1981 u frymëzuan, u përgatitën e u mobilizuan, për vite me radhë, nga Lëvizja e organizuar Kombëtare, i filluan studentët dhe në vijim i drejtuan veprimtarët e Lëvizjes. Ato as ndodhën rastësisht dhe as u orkestruan nga jashtë. Demonstratat janë vepër e vetë popullit të kryengritur shqiptar i cili po luftonte për të qenë i barabartë me popujt tjerë të Federatës jugosllave, për të fituar të drejtat e tij legjitime kombëtare dhe demokratike. 



Demonstratat gjithëpopullore të 1 - 2 prillit 1981 në Prishtinë.


________________________________________


     Lëvizja Kombëtare e viteve ’70, veprimtarinë e bujshme dhjetëvjeçare e kulmoi me “Pranverën e madhe”, me zgjimin shqiptar, që me të drejtë u quajt Rilindje e dytë e kombit, me solidaritetin e gjerë ndërkombëtar, me luftën e drejtë të Kosovës dhe me epokën e re të fillimit të fundit të regjimit pushtues në Kosovë.

     Viti 1981, siç thotë Ukshin Hoti, e ndryshoi historinë. Ky vit sublimues i përpjekjeve shqiptare nxori para syve të botës tërë dimensionin e çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe shpalli në mënyrë plebishitare vullnetin politik të Kosovës, duke marrë kuptimin e nyjës historike për shqiptarët, si një rubikon që linte pas punën e gjatë e të vështirë të Lëvizjes politike dhe që kishte përpara kryengritjen e pashmangshme me armë në dorë. Kjo ishte tërë parathënia dhe pasthënia e demonstratave të pranverës së vitit 1981. Politika zyrtare e pushtuese e Beogradit, nuk arriti ta kuptonte asnjëherë këtë pasthënie, d.m.th. këtë ligj themelor të dialektikës së historisë. Por, që të jemi korrekt, nacionalisti dhe akademiku serb Dobrica Qosiq, që më 26 prill 1981, paralajmëronte se në qoftë se nuk zgjidhej çështja e Kosovës “do të hyjmë në luftë të përhershme me shqiptarët, të cilën nuk mund ta fitojmë. Në luftëra të tilla gjithmonë ngadhënjejnë ata që luftojnë për lirinë e vet, edhe kur janë më pak dhe më të dobët. Nuk e kuptoj përse udhëheqja e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Serbisë e emërtoi ideologjikisht si kundërrevolucion Lëvizjen nacionaliste-separatiste të shqiptarëve. Harruan pasardhësit e Titos që PKJ, deri në kryengritje dhe në okupimin Italian të Kosovës dhe Metohisë, këtë territor e konsideronte shqiptar. Kurse tashti u bëhet kundërrevolucion ajo energji e cila qysh nga 1924, e sidomos pas vitit 1928, sipas ideologjisë së Kominternit, konsiderohej ideologji revolucionare.” (9)

     Pas gjithë kësaj distance historike, është borxh i shkencës sonë kombëtare, t’i trajtojë demonstratat e vitit 1981, sipas kritereve shkencore dhe mbi bazën e faktografisë historike, e cila është në dispozicion me bollëk. Studimi meritor shkencor do të evitonte çdo paqartësi, çdo interpretim paushall, diletant, abuziv e tendencioz të së vërtetës.

     Është joserioze dhe joshkencore, që sot pas tridhjetë vjetësh të këtyre ngjarjeve të mëdha historike, të mbllaçiten dilema për autorësinë e tyre dhe për përmbajtjen e karakterin e qartë si dielli. Janë përmendur skenarë të ndryshëm qëllimkëqij për organizimin e demonstratave, shumë prej të cilëve tepër naivë e qesharakë, që nuk mund të trajtohen këtu gjerësisht, për shkak të hapësirës së kufizuar, por thënë të drejtën as që meritojnë ndonjë seriozitet të veçantë. Do përmendur, megjithatë, tri variante të këtyre skenarëve, që kanë zënë më shumë vend në fantazinë e autorëve të tyre: kombinimi i ndërhyrjes së fuqive perëndimore e reaksionit të jashtëm, i shërbimeve sekrete ruse-bullgare dhe i atyre serbe-shqiptare! Kur Mahmut Bakalli thoshte se organizatorët e demonstratave duhet kërkuar te KGB dhe shërbimi sekret bullgar, ose Azem Vllasi, se për demonstratat “parullat, qëllimet e planet janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare, të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste”(10), nuk duhet çuditur, sepse mund t’u kishin urdhëruar nga lart të deklaronin kështu, por janë befasuese dyshimet e Vlladimir Bakariqit të mençur tek thoshte se “Dikush u ka prirë në mënyrë shumë profesionale këtyre demonstratave dhe është vështirë të thuhet se një Kosovë relativisht e prapambetur ka mundur të japë një nivel aq të lartë të organizimit sikurse ka qenë atje. Pra, jo në linjën komuniste, por në linjën antikomuniste” (11). Edhe Ramiz Alia i mirinformuar, në një film dokumentar për demonstratat e vitit 1981, nuk përjashton mundësinë e organizimit të tyre nga vetë Serbia!

     Ka dhe ide të tjera dyshimi, të fjalës së fundit, të cilat shpeshherë marrin në shënjestër demonstratat, por me qëllim të denigrimit të disa figurave të ’81-shes, të cilët i konsiderojnë oponentë politikë të ngritur nëpërmjet të demonstratave, si trampolinë politike.

     Dilemat e sotme për organizimin e demonstratave, për fat të keq, më shumë janë politike dhe tendencioze, se sa shkencore, kurse disa prej tyre nuk paraqesin më shumë se zgjatime të propagandës antishqiptare të para tridhjetë vjetëve. As tridhjetë vjet pas Demonstratave, nuk është gjetur asnjë fakt dhe asnjë dokument argumentues, që vërteton tezat e shpifura për gjoja skenarët e jashtëm të Demonstratave, në Perëndim, në Shqipëri, në Serbi apo nga shërbimet sekrete sovjetike e bullgare etj. Sa i përket Shqipërisë, tridhjetë vjet pas demonstratave të vitit 1981, përfaqësuesi i Sektorit për Kosovën, i cili në atë kohë orientonte politikat zyrtare të Tiranës për Kosovën, rikonfirmon që ‘‘shteti shqiptar, nuk ka qenë pjesë e organizimit të drejtpërdrejtë të këtyre demonstratave’’(12)

     Në demonstratat e vitit 1981 dhe pas tyre Lëvizja Kombëtare u godit rëndë, por ashtu siç kishte ndikuar ajo në demonstrata edhe këto ndikuan në mënyrë dialektike fuqishëm në ringjalljen prej feniksi dhe në rritjen e zgjerimin e saj, duke shkuar sigurt drejt epokës së lavdishme të Luftës finale të popullit të Kosovës, të organizuar dhe drejtuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Komandanti legjendar i saj, Adem Jashari.

(Kumtesë e lexuar në Simpoziumin shkencor të Institutit të Historisë dhe Departamentit të Historisë të Fakultetit Filozofik: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË. Prishtinë, më 25 mars 2011.)

_____________________

Referencat

1 Gazeta “Koha Ditore”, Prishtinë, 17 prill 2007, f. 5.

2 Intervistë e Agim Popocit me Kristaq Porodinin, botuar te “Epoka e Re”, Prishtinë, më 31 mars 2011, f. 18.

3 “Epoka e re”, Prishtinë, 5 maj 2006 f. 10.

4 Lefter Nasi: Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë 1981-1986, f. 54. Tiranë 1995.

5 OMLK: Drejt lirisë, dokument programatik, 1978.

6 Mehmet Hajrizi: “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë, 2008.

7 “Zëri”,Prishtinë, 9 maj 2006, f. 7.

8 OMLK: Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, Prishtinë, maj 1981, Arkivi i Kosovës.

9 Dobrica Qosiq: “Kosovo”, Novosti, Beograd 2004, f. 30-31

10“Epoka e re”, 6 maj 2006 f. 9.

11 Blerim Reka: Demonstratat e 81-shit antikomniste. “Rilindja”, 12.03.1986, Tiranë.

12 Intervistë e Agim Popocit me Kristaq Porodinin, botuar te “Epoka e Re”, Prishtinë, më 31 mars 2011, f. 18.

FUND


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

PAS 8 QERSHORIT NIS ZHGËNJIM I RI, JO MISIONI I RI! MISIONI I MASKAVE DO TË JETË: 'SHITJA - PRIVATIZIMI I PASURISË KOMBËTARE DHE NEGOCIATAT E REJA ME SERBINË! HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2846

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks