SHKRIMI
e mërkurë, 23 prill 2014

SPIRO BUTKA: OPERACIONI "SHIGJETA", VAZHDIMËSI E LUFTËS TË UÇK-ës NË KOSHARE DHE PASHTRIK PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS(I)

(Pashtriku.org, 29. 04. 2012) - Ngjarjet politike dhe ushtarake në fillim të vitit 1999 e më pas, rrodhën në atë mënyrë e atë rrugë, që për të ardhmen shtruan detyra dhe kërkuan avancime të mëtejme për ecurinë e zhvillimit luftarak dhe për të kurorëzuar me sukses e sa më shpejt, obligimin historik si kërkesë të domosdoshme e jetike për vet kohën, vendin dhe situatën e krijuar shumë të favorshme, në arritjen e qëllimit përfundimtar. Në këtë kontekst, mbështetur plotësisht në situatën e re e tepër të favorshme, të krijuar sidomos pas 24 marsit 1999, ditën kur Pakti i Atlantikut Verior, hodhi në veprim arsenalin e vet ajror, në luftë kundër ushtrisë Jugosllave, u ndie nevoja e domosdoshme, për të ndërmarrë veprime më të shpejtuara. Kështu, nga komandanti i frontit të ri ‘SHIGJETA‘, kolonel Bislim Zyrapi, u hodhën hapa të studiuar e të menduar mirë, për fillimin praktik të veprimeve të këtij operacioni, në përputhje me idenë e parashikuar që më parë.



KOLONEL SPIRO BUTKA, ANËTAR I SHTABIT TË OPERACIONIT ‘SHIGJETA’.


__________________________________________


BETEJA E JASHARAJVE, SAKRIFICË SUBLIME E FUNDSHEKULLIT XX-të

     Lufta që u zhvillua në Kosovë në vitet 1998-1999, ishte sa e rreptë, po aq edhe e ndërlikuar. Zanafilla e saj është në fillimet e shekullit të kaluar, në kohën kur shëmbeshin kufijtë e një perandorie në vdekje e sipër dhe ndërtoheshin e fuqizoheshin shtete të rinj ballkanik. Në këtë përndarje të re traktatesh, filloi lufta e këtij populli, e cila vazhdoi gati pothuajse për një shekull. Ajo u kurorëzua me përleshjen e armatosur dhjetëvjeçare në dekadën e fundit të shekullit të 20-të, kur bijtë dhe bijat më trime e më të zgjuar të këtij populli, ditën jo vetëm të luftojnë dhe të mposhtin barbarinë Serbosllave, por të ndërtojnë një politikë e diplomaci të atill praktike, reale dhe bindëse, sa që sollën në një prej këtyre ditëve, gjithë botën në mbështetje të vetes, për çlirimin e këtyre trojeve përjetësisht Shqiptare. Në këtë luftë të zhvilluar hap pas hapi, duke filluar nga më e thjeshta tek e përbëra dhe nga kjo e fundit në të vështirën e të ndërlikuarën, procesi luftarak u organizua, zhvillua dhe u drejtua në përputhje të plotë me vendin, kohën, faktorin politik, ekonomik dhe ushtarak të brendshëm e të jashtëm, si dhe impenjime të tjera anësore, që ndikuan direkt apo indirekt, në vazhdimësinë dhe përfudimin e këtyre veprimeve luftarake.

     Nisur nga këto kushte e rrethana të favorshme e disfavorshme, ecuria e zhvillimit luftarak në Kosovë u krye sipas nismave, planeve dhe objektivave të parapara të vijës politike e asaj ushtarake, në harmoni të plotë me konjukturat e ndryshme të zhvillimeve në Ballkan, Evropë dhe në krejt rruzullin tokësor. Këto ecuri ishin të pashkëputura, nga zhvillimet e brendshme e të jashtme, të cilat me ndikimet e tyre, e shtynë procesin e fitores nga dita në ditë, drejt realzimit të misionit historik. Për vazhdimësinë e vet kjo luftë, ashtu si dhe luftërat e tjera, pati pikat e nxehta e kulminante, nga ku u muarën kthesa e inisiativa të mëdha e historike. Në këtë kontekst, në analizë të tyre brenda këtyre thellësive dimensionale, është me rëndësi jetike lufta në Prekaz, Beteja e Jasharajve Legjendar, e asaj ushtrie të vogël në numër dhe e madhe në shpirt e në zemër, me veprën e tyre madhore, ngritën peshë jo vetëm popullin Shqiptar brenda në Kosovë, atë në emigracion e trojet e tjera etnike, por me sakrificën e tyre sublime e qëndresën heroike, të prirë nga legjenda e kohërave të reja, Adem Jasharin, i treguan mbarë botës, se cilët janë e përse luftojnë Shqiptarët.


____________________________________


SAKRIFICA SUBLIME E JASHARAJVE…



_____________________________


     Ofensiva genocidale Serbe në verë të vitit 1998 dhe vazhdimi i sajë gjatë vjeshtës të atij viti, në përballje me UÇK-në, u gjënd përpara situatave të reja. UÇK-ja nuk ishte më ajo e viteve të shkuara. Kjo ushtri e dalë nga gjiri i popullit të vet, nuk kish qëndruar në vend. Së bashku me ecurinë e zhvillimit luftarak, ajo u transformua gradualisht në ide, mendim dhe veprim. Organizimi i ri i kryer gjatë kësaj periudhe, krahas pjekjes së veprimit luftarak, konsolidoi më tej strukturën e re, duke krijuar kështu kushte tepër të volitshme, për të kaluar në një formë të re lufte, në atë frontale me rreshtime luftarake, tashmë të mbështetura fuqimisht në tokën e trungut amë.

     U formulua kjo ide, në një kohë kur Beogradi zyrtar e mediat e tij, propaganduan me bujë të madhe, “se UÇK-ja më në fund u shkatërrua” “se UÇK-ja ishte shpërbërë”, “se në emër të UÇK-ës flisnin e vepronin grupe individësh të qënë aty-këtu”, mendime këto, që në njëfarë shkalle, u mbështetën edhe nga reaksioni i brendshëm në Kosovë, i organizuar në mënyrë të qëllimshme nga ideatorët e makinës luftarake Serbosllave. Por dhe pse UÇK, u përgojua në mediat Serbe, sipas interesave të vet Beogradit, Shtabi i përgjithshëm i UÇK-ës, nisur nga inisiativa modale që e mbizotëronte, lëshoi më 17. 02. 1999 komunikatën me Nr.013 ku u bëri thirrje, “gjithë istitucioneve shtetërore, partive politike, shoqatave atdhetare dhe individëve të ndryshëm, të ndihmojnë me të gjitha mënyrat” Kosovën në luftën e sajë të përgjithëshme, për çlirimin e plotë të popullit të vet, nga zgjedha koloniale Serbo-sllave.

“SHIGJETA” VEPËR E QEVERISË SË PËRKOHSHME TË KOSOVËS

     Pikërisht në këto situata tepër të studiuara e të koordinuara brënda vetes dhe me botën, mendimi i politikës luftarake Kosovare, i ndërtuar dhe konsoliduar tashmë në një shtab të madh, të përbërë nga pjesa politike dhe ajo ushtarake, ngriti themelet për të hedhur hapin vendimtar historik, në krejt epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë për jetë e vdekje, për çlirimin e Kosovës nga regjimi më i urryer i të gjitha kohërave, ai serb i Beogradit të tërbuar nacionalist.

     Qeveria e re e dalë pas marrëveshjes historike të Rambujesë, e kryesuar dhe drejtuar me një zgjuarësi të veçantë nga trimi Drenicak Hashim Thaçi, në vazhdimësi të zbatimit të planeve të sajë largëpamëse në fushën ushtarake, duke qenë njëkohësisht dhe komandant i UÇK-së, hartoi projekte të reja në zbatim të obligimit historik përfundimtar. Këto detyra u zbërthyen dhe u konkretizuan më tej nga Ministri i Mbrojtjes i QPK-ës, ish-komandanti për shumë vite me radhë i UÇK-së, luftëtari i vendosur deri në vdekje, njeriu sa i dashur, aq edhe i rreptë, patrioti Azem Syla dhe Zv/Ministri i Mbrojtjes Fatmir Lima, i mirënjohuri “Çeliku”. Në këtë vazhdimësi, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i drejtuar nga kolonel Bislim Zyrapi, heroi i dy luftërave në Bosnje e Kosovë, oficeri sa nacional aq edhe internacional, me veprimet që ia kërkoi koha dhe ia imponoi vet situata e re e krijuar luftarake, i konretizoi më tej këto ide, projekte e detyra, në kuadër të dhënies së një goditjeje të re luftarake, duke përpiluar idenë e një operacioni të madh, të koduar tashmë me emrin e mirënjohur “SHIGJETA”.


 


PLANI OPERATIV I OPERACIONIT 'SHIGJETA'


________________________________________


     Për këtë operacion, si pjesë përbërëse e të pandarë të veprimit luftarak kosovar, ashtu si për krejt luftën gati dhjetëvjeçare, të zhvilluar në dekadën e fundit të njëqindvjeçarit të kaluar, janë dhënë mendime të ndryshme, nga autorë të gjinive të shumë fushave, këndej dhe andej kufirit imagjinar Shqiptaro-Shqiptar, si dhe nga disa specialistë politik e ushtarak përtej këtyre kufijve, ku nëpërmjet penës kanë shfaqur pikëpamjet, opcionet, vërejtjet e kritikat, për atë veprim luftarak të zhvilluar në pranverën e përgjakur të vitit 1999. Mbështetur në ecurinë politike e diplomatike botërore e evropiane, QPK orientoi SHP të UÇK-së, të marrë masat konkrete në organizimet e reja të veprimeve luftarake. Kështu, më 31. 03. 1999, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës nxori vendimin me numër 151 për mobilizimin e përgjithshëm, për të përballuar onfesivën e re serbe, për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Në vazhdimësi të zbërthimit dhe konkretizimit të mëtejshëm të detyrave, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës, nxori njërin pas tjetrit urdhërat Nr.97, datë 31. 03. 1999 dhe atë me nr.98, datë 31. 03. 1999. I pari preçizonte vendimin e marrë nga ky shtab luftarak dhe i dyti garantonte sigurimin e kompletimit gjatë mobilizimit të përgjithshëm me anën e Policisë Ushtarake. Këto dokumenta mbajnë vulën përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës dhe firmën e Shefit të Shtabit të përgjithshëm të asaj kohe, luftëtarit të mirënjohur të Kosovës dhe Bosnjës Kolonel Bislim Zyrapi.



KOLONEL BISLIM ZYRAPI, SHEF I SHP TE UCK-se DHE KOMANDANT I OPERACIONIT 'SHIGJETA'.


______________________________________


     Për ndjekjen e kësaj ecurie, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës, nën drejtimin e kolonel Bislim Zyrapit, në konkretizim të mëtejmë të detyrave të ngarkuara nga Hashim Thaçi, kryeministër i QPK njëkohësisht Komandant i UÇK-ës dhe Azem Syla Ministër i Mbrojtjes, hartoi konkretisht Planin operativ “SHIGJETA”, me numër J-03/1 datë 31. 03. 1999, ku në mënyrë tekstuale është paraqitur organizimi i forcave, situata konkrete, detyrat e forcave tona, zbatimi, sigurimi i operacionit, komandimi dhe ndërlidhja. Ky ishte një plan parashikues paraprak, që orientoi më tej drejtuesit e operacionit për caktimin e idesë, qëllimin e operacionit, përbërjen luftarake të dy palëve, dëndësinë dhe raportin e forcave, urdhërin luftarak e planin e veprimeve. I gjithë planizimi i këtij operacioni, u konkretizua dhe u zbërthye, duke u kompletuar me të gjitha kërkesat e nevojshme e të domosdoshme nga shtabi drejtues i këtij operacioni, nën drejtimin e ish-Shefit të Shtabit të përgjithshëm Kolonel Bislim Zyrapit.

     Ngjarjet pasuan njëra-tjetrën, me ecuri të mirëfilltë. Nga ana e Ministrit të Mbrojtjes, u kryen emërimet e nevojshme për komandën dhe shtabin e operacionit, ato të drejtimeve operative, të drejtimeve taktike e në disa raste deri në emërimin e disa komandantëve të batalioneve. Por, për të qenë sa më real dhe për t’i ballafaquar me fakte konkrete, ata individë të pamoralshëm, që janë munduar e po mundohen të ndryshojnë historinë, është në të mirë të së tashmes dhe të ardhmes, që gjithmonë kur flasim e shkruajmë për luftën e popullit tonë, duhet të pasqyrojmë gjithmonë realitetin e kohës, ashtu si ka qenë dhe si është zhvilluar.

     Kështu, në ballafaqim të fakteve dhe argumenteve bindëse, mund të përmendim se nga ekzistenca e dokumenteve nr. 10 datë 01. 04. 1999, ai me nr.11 datë 01. 04. 1999, ai me nr.12 datë 10. 04. 1999, ai me nr.13 datë 17. 05. 1999 dhe ai me nr.14 datë 23. 05. 1999, paraqitet realiteti i asaj kohe dhe se këto në vetvete mbajnë vulën e Ministrisë së Mbrojtjes të QPK-ës, të firmosur nga titullari i atij dikasteri Azem Syla. Në këto dokumente, sipas hierarkisë ushtarake, janë emëruar komanda dhe shtabi i frontit të operacionit “Shigjeta”, me komandant kolonel Bislim Zyrapin dhe shtabin e përbërë nga kolonel Spiro Butka, major Shaban Musliu, major Mark Shala, kapiten Shefki Abdullahu, Fadil Hoxha, Agron Haradinaj, Gramoz Kelmendi, Idriz Mehmeti, Alush Shala, Agim Sulejmani, Agron Axhami, Hysni Hoxha, Halit Krasniqi e të tjerë, të cilët të vendosur në pozicionet e tyre drejtuese luftarake, kryen detyrat në vazhdimësi të operacionit “Shigjeta”, në përputhje me të gjitha urdhërat e detyrat e vëna, nga QPK, Ministri i Mbrojtjes Azem Syla dhe komandanti i frontit të këtij operacioni, kolonel Bislim Zyrapi.






Publikohen për herë të parë Urdhërat e Ministrisë së Mbrojtjes: nr. 10 - datë 01. 04. 1999, nr.12 - datë 10. 04. 1999, nr.13 - datë 17. 05. 1999 dhe ai me nr.14 - datë 23. 05. 1999, me të cilat është emëruar hierarkia ushtarake, saktësisht - komanda dhe shtabi i frontit të operacionit “SHIGJETA”.


________________________________________



ANËTARËT E SHTABIT TË OPERACIONIT ‘SHIGJETA’ NË PASHTRIK.


_______________________________


     Në vazhdimësi të veprimeve të mëtejshme, duhet theksuar se puna nuk ngeli me kaq, por u thellua më tej. Kështu, në ecurinë e rrugës për organizimin e këtij operacioni, nga Ministri i Mbrojtjes të asaj kohe Azem Syla, u emëruan komandantët e drejtimeve operative nr.1 dhe nr.2, ku përkatësisht në të parin që ishte në drejtim të Koshares, u emërua Rustem Berisha, ndërsa në të dytin, atë te Pashtrikut, Nexhmedin Kastrati. Në këto emërime të kryera në interes të organizimit të operacionit “Shigjeta”, puna u konkretizua më pas. Kështu, në ballafaqim të fakteve konkrete, del se po me urdhër të Ministrit të mbrojtjes Azem Syla, u emëruan komandantët e disa drejtimeve taktike, si Uran Rexhepi drejtimi taktik nr.1, Bilal Syla drejtimi taktik nr.2, Ruzhdi Saramati në drejtimin taktik nr.3, Hysni Syla në drejtimin taktik nr.4 etj. Në vazhdimësi të zbërthimit të këtyre urdhërave e emërimeve, po nga Ministri i Mbrojtjes Azem Syla e me firmën e tij, u emëruan edhe shtabet përkatëse të këtyre drejtimeve operative dhe atyre taktike, e deri tek emërimi i disa komandantëve të batalioneve për drejtimin taktik më kryesor, atë Nr.2 të Pashtrikut, ndër të cilët Dritan Dyrmishi, Ermir Bega dhe Agim Sallaku. U cilësuan më sipër këta numra e shifra të dokumenteve të asaj kohe, për të vërtetuar konkretisht dhe për t’u treguar individve intrigantë e të pamoralshëm, që kërkojnë të ndryshojnë historinë, për të ndërtuar atë në interes të vetes dhe klaneve të reja politike e ushtarake, të dala tani më pas luftës si “këpurdhat pas shiut”. Në të njëjtën kohë, argumentet e mësipërme dhe ato që do të rrjedhin më poshtë gjatë zbërthimit të detyrave të këtij operacioni, është në të mirë të historisë së popullit tonë dhe patjetër dhe të dashamirësve që kanë shkruar e do të shkruajnë në të ardhmen, që gjatë konkretizimit të kapitujve historik, të rreshtojnë veprën e popullit dhe të bijve të tij, ashtu si ka ndodhur, pa paragjykime të ngushta partiake e ngjyrime politike.

PLANIZIMI LUFTARAK I OPERACIONIT “SHIGJETA”

     Ngjarjet politike dhe ushtarake në fillim të vitit 1999 e më pas, rrodhën në atë mënyrë e atë rrugë, që për të ardhmen shtruan detyra dhe kërkuan avancime të mëtejme për ecurinë e zhvillimit luftarak dhe për të kurorëzuar me sukses e sa më shpejt, obligimin historik si kërkesë të domosdoshme e jetike për vet kohën, vendin dhe situatën e krijuar shumë të favorshme, në arritjen e qëllimit përfundimtar. Në këtë kontekst, mbështetur plotësisht në situatën e re e tepër të favorshme, të krijuar sidomos pas 24 marsit 1999, ditën kur Pakti i Atlantikut Verior, hodhi në veprim arsenalin e vet ajror, në luftë kundër ushtrisë Jugosllave, u ndie nevoja e domosdoshme, për të ndërmarrë veprime më të shpejtuara. Kështu, nga komandanti i këtij fronti të ri, kolonel Bislim Zyrapi, u hodhën hapa të studiuar e të menduar mirë, për fillimin praktik të veprimeve të këtij operacioni, në përputhje me idenë e parashikuar që më parë.

IDEJA E OPERACIONIT


     Në përputhje me këtë projektplan tekstual, të hartuar nga SHP i UÇK-ës me në krye Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Kolonel Bislim Zyrapin, u ndërtua ideja që “me forcat e ardhura nga perëndimi, pas organizimit e përgatitjes intensive për llojet kryesore të luftimeve, të organizohet, planizohet dhe të zhvillohet operacioni “SHIGJETA”, në frontin Bardoc (6020-6030), Papaj (3000-0020), Lujza (2570-8560), Kukës (5030-5090). Të kalohet në mësyemje frontale në drejtimin kryesor Mali i Pashtrikut (6040-7050), Lubizhdë (7000-8035), Krusha e Madhe (7090-8070), Rahovec (7500-9080), Prishtinë (1500-2500) dhe në drejtimin ndihmës: Tropojë (3520-9080), Skivjan (4500-0075), Drenovc (7595-0595), Gllogovc (9035-2025) së bashku me ZO të Dukagjinit, ZO të Pashtrikut dhe të ZO të Drenicës, të rrethojnë dhe asgjësojnë forcat serbe në frontin: Zhur (7080-6095), Ferizaj (2030-9050), Prishtinë (1500-2500), Koshare (3065-0080). Në vazhdimësi të luftimeve të mëtejshme për arritjen e qëllimit përfundimtar, të vazhdohet mësyemja në drejtim të kufijve verior të Kosovës dhe në bashkëveprim me ZO të Mitrovicës, ZO të Llapit, ZO të Narodimes ZO të Karadakut - të rrethohen dhe asgjësohen forcat Serbe në rajonet e Mitrovicës (9000-4595), Prishtinës (1050-2050), Podujevës (1550-5030), Ferizajt (1095-9050) e Gjilanit (4075-9035) dhe të vendoset situata në vend”. Kjo ide, u përcaktua në mënyrë të qëllimshme e me këto synime të mëdha. Ajo ishte dhe do të ngelet si e tillë, sepse kërkonte me çdo kusht, realizimin e objektivave të obligimit të madh historik. Ajo u projektua me këtë mendim ushtarak të argumentuar, sepse ishin marrë tërësisht masat organizuese, për arritjen e qëllimit të parapar. Për më tepër, kurajoz ishte ndërtimi i bashkëveprimit me forcat e NATO-s, gjë që nëpërmjet ngritjes së moralit, në një shkallë më të lartë të luftëtarëve të këtij operacioni, rriti më tej besimin për një fitore të padiskutueshme.



DURRËS, PRILL '99: VULLNETARË - TË ARDHUR NGA SHTETET PERËNDIMORE.


_____________________________________


QËLLIMI I OPERACIONIT

     Në mbështetje të kësaj ideje operacionale, qëllimi i operacionit “Shigjeta” ishte që, “nëpërmjet mësymjes së vrullshme të forcave të frontit operativ ”SHIGJETA” dhe forcave të UÇK-ës që vepronin brenda territorit të Kosovës, t’u jepej forcave Serbe, goditja përfundimtare, në bashkëveprim të ngushtë e të fshehtë me forcat ajrore të NATO-s, të çlirohej territori i Kosovës dhe të stabilizohej gradualisht situata në të gjithë vendin”.

PËRBËRJA LUFTARAKE E TË DY PALËVE

     Në zbërthim të idesë së operacionit dhe qëllimit të tij, në ballafaqim me realitetin luftarak të ri, pas fillimit të bombardimeve të njëpasnjëshme nga ana e NATO.-s në interes të UÇK-ës, nisur nga ndërtimi i rreshtimeve luftarake të të dy palëve, del se përbërja luftarake e tyre në këtë përballje, për forcat tona konsistoi në pjesëmarrjen e FRONTIT OPERATIV me Drejtimi 1-rë Operativ; Drejtimi 2-të Operativ; Drejtimi 3-të Operativ; Zona Operative e Drenicës; Zona Operative e Pashtrikut; Zona Operative e Dukagjinit; Zona Operative e Shalës; Zona Operative e Llapit; Zona Operative e Nerodimës dhe Zona Operative e Karadakut, të cilët gjatë veprimeve luftarake, u mbështetën fuqimisht nga forcat ajrore të NATO-s, në të gjithë thellësinë e territorit të Kosovës. Për forcat Serbe përbërja e tyre konsistoi në pjesëmarrjen e K52K Prishtinë, me Br243T, Br354M, Br549M, Br52AO, R52AK dhe Br52KL, duke u mbështetur fuqimisht nga Korpusi Special i Beogradit.

DENDËSIA DHE RAPORTI I FORCAVE

     Përballja në këtë veprimtari luftarake e të dy palëve, në përputhje me situatën e krijuar, sidomos pas ndërmarrjeve të inkursioneve të njëpasnjëshme të NATO-s nga ajri, rezulton një superioritet i shmangshëm i forcave tokësore Serbosllave nga ana numerike dhe pajisja me armatim e teknikë të pjesëshme të kohës. Megjithatë, mbështetur në veprimtarinë luftarake të brendshme në Kosovë të mbi njëzet Brigadave, të cilat karakterizoheshin nga sulmi i rrufeshëm luftarak në lëvizje e veprim dhe përqëndrimi i forcave të frontit operativ të përbërë nga tre Drejtime Operative, të mbështetur fuqimisht nga aviacioni bombardues i NATO-s, ky raport zbutej dhe arrinte, që UÇK të krijonte epërsi vetëm në drejtimin e goditjes kryesore për sasinë e Brigadave të Lehta Malore dhe atyre të Drejtimeve Taktike. Gjitësesi edhe pse në sfondin e pamjes ushtarake, ky raport forcash nuk paraqiste dukuritë e realitetit të kërkesave normale, zhvillimet e mëpasëshme treguan dhe vërtetuan, se inisiativa e ndërmarrë, jo vetëm që nuk ishte e nxituar, por tepër e guximshme, e arsyeshme dhe e justifikueshme. Kjo për shumë arsye bindëse, por më tepër për atë që ka për të mbetur në jetë të jetëve kryesore, është se lufta zhvillohej në territorin e një populli dhe nga vet ky popull. Kushdo që lufton duhet të mendohet mirë në ndërtimin e raporteve, kur lufta zhvillohet kundër një populli, e aq më tepër kundër një kombi. Kjo është vërtetuar nga eksperienca e shumë luftërave, por më së tepërmi rezultatet e kësaj dukurie, u vërtetuan në shumë vende e popuj, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Me theks të veçantë këto përkufizime, morën përparësinë e duhur në luftërat e zhvilluara nga popujt e ish-Jugosllavisë kundër Serbisë dhe ato që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në Palestinë e Çeçeni.



KOLONEL SPIRO BUTKA, NË SELINË E SHTABT NË PASHTRIK…


_______________________________


VËNIA E DETYRAVE LUFTARAKE

     Si në çdo veprimtari tjetër luftarake, ashtu edhe në operacionin e mirënjohur “Shigjeta”, në zbatim të idesë së këtij operacioni, u përpilua Urdhëri Luftarak, me të gjitha kërkesat e anekset e tij. Ndoshta jo ashtu në mënyrë perfekte e shkollareske, si praktikohet në akademitë ushtarake gjatë proceseve mësimore e stërvitore, por gjithsesi ashtu në nxitim e sipër, si në kushtet e luftës, për kohën që ishte në dispozicion e që e lejuan situatat imponuese. Ky urdhër luftarak përmban të gjitha detyrat konkrete për njësitë e repartet përkatëse, që morën pjesë në këtë operacion dhe në ballafaqim të fakteve reale, do të përmend se në atë dokument, u pasqyrua realiteti i armikut, pra i forcave Serbe, detyra e frontit operativ (operacionit “Shigjeta”), ideja e vendimit, detyrat luftarake të D.1.O; D.2.O; D.3.O; detyrat e artilerisë, detyrat e aviacionit mbështetës të NATO-s, sinjalet e komunikimit, gatishmëria për mësymje, vendndodhja e VK e Frontit Operativ dhe drejtimi i lëvizjes së saj. Urdhëri u shoqërua me një plan veprimesh luftarake, ku u zbërthyen hollësisht, zbatimi i detyrave, që u kërkuan nga ky urdhër luftarak.

PLANI I VEPRIMEVE TË OPERACIONIT

     Në planin e veprimeve të këtij operacioni, në mënyrë paraprake u zbërthyen proçeset më kryesore të fillimit të operacionit, deri në momentin e fillimit të sulmit, sepse për më pas detyrat për çdo drejtim operativ apo taktik, janë të parapara e të shkoqitura në urdhërin luftarak, të shpjeguar më sipër, e që përmban numrin e mirëfilltë 01. Ky plan veprimesh përmban zhvillimet e hollësishme të operacionit “Shigjeta”, duke filluar që nga lëvizja e grupeve të zbulimit për sigurimin e kalimit, lëvizjen dhe marshimin e eskalioneve të para nga rajoni i përqëndrimit për në bazën e nisjes; marshimin e skalioneve të dyta për në rajonet e përqëndrimit; lëvizjen e rezervave për në vendvendosjet e tyre dhe disa masa informimi të detyrueshme, për tu kryer nga zbatuesit e këtij operacioni. Vetëkuptohet që gjatë hartimit të këtij plani, për marrjen dhe zbatimin e masave paraprake, u punua nga të gjithë drejtuesit, ditë e natë, që nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes Azem Syla, Zv/Ministri i Mbrojtjes Fatmir Lima, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës dhe njëkohësisht komandanti i operacionit Kolonel Bislim Zyrapi dhe nga të gjithë shtabet përkatëse, duke filluar që nga shtabi i operacionit, ata të drejtimeve operative, të drejtimeve taktike e repartet poshtë në batalione, kompani dhe deri tek luftëtari i thjeshtë.

     Vlen të theksohet, se gjatë organizimit të këtij operacioni, u përdorën mjete ndëridhjeje e komunikimi të sofistikuara, mjete këto që ndihmuan pozitivisht, në ecurinë e zhvillimit të këtij operacioni. Ato u siguruan nga një ekip i veçantë i SHBA-ës, të atij shteti që nuk u ndal asnjëherë për dhënjen e ndihmës konkrete, si dje në luftë ashtu edhe sot në paqe. Me anën e këtyre mjeteve, u transmetuan urdhëra, detyra dhe udhëzime të ndryshme, në interes të zhvillimit me sukses, të veprimeve luftarake të operacionit. Gjatë këtyre komunikimeve u përdorën kode e shifra të pathyeshme, të ndërtuara posaçërisht dhe enkas për këtë qëllim, duke siguruar fshehtësinë e plotë, gjatë gjithë zhvillimit të veprimeve operacionale, si për palën tonë, ashtu dhe për atë të bashkëveprimit me forcat ajrore të Paktit të Atlantikut Verior të NATO-s.

VIJON….

- Spiro Butka ishte njëri nga drejtuesit kryesor të operacionit “Shigjeta” - 1999. Aktualisht është Kryetar i SHVL të UÇK-ës me seli në Tiranë.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

PRANVERA E MADHE '81, KTHESË HISTORIKE PËR SHQIPTARËT!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks