SHKRIMI
e mërkurë, 21 nëntor 2018

DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE DHE MOTIVE HISTORIKE (1)

Tiranë, 13 dhjetor 2017:

KTHIMI

Nëse e doni, nëse e ëndërroni kthimin drejt zanafillave, nga largësitë e frikëshme, misterioze epshndjellëse, nga aventurat e fshehta dhe të bujëshme, nga marrëzitë, paradokset, tjetërsimet e pamëshirëshme, nga skajet e Vetmisë, nga kuriozitetet kriminale dhe magjike, nga ishujt plot gjarpërinj e sirena teatri, nga e Panjohura që ngjan si dituri e rrezikëshme por është jodituri e qetë, nga Revolucionet e Shpirtit, nga Utopitë Virtuale - ahere matematikanët (me më pak fantazi se poetët) këmbët e mitizuara të Odiseut – arketip mijëvjeçarësh, i bëjnë një simbol algjebrik të infinitit!


Ç’gëzim ta kuptosh!

VARRI BOSH

Herët në mëngjesin e 7 qershorit 1089 nga një mal i lartë, që më pas mori emrin Mali i Gëzimit, kryqtarët, që nga Europa, e panë Jeruzalemin, trifish i shenjtë, për të krishterët, ebrejtë dhe myslimanët, sipas ebraishtes së lashtë quhej Jerushallaim, arabisht Al-Kuds, pushtuar nga mbretërit e Judesë, nga Aleksandri i Madh, nga mbretërit seleukë, nga Roma perandorake, Bizanti, arabët, selxhukët, qyteti dallohej për bukuri haluçinante, të rrallë, kishte në qendër Tempullin e Ringjalljes, si dhe Varrin e Zotit, ruhej nga një garnizon arab prej 1000 vetësh, sulmi i parë i kryqtarëve u thye, në Gjirin detar të Jaffës vinin anijet europiane me ndihma, mbrojtësit arabë i qëllonin sulmuesit me “zjarr grek”, në kampin e kryqëtarëve mungonte uji i pijshëm, kishte shumë priftërinj, që mbanin kryqe druri në duar, mes tyre qe edhe peshkopi Adenar, nunci i Papës së Romës, Urbani II, në 15 korrik 1099 u bë sulmi përfundimtar, Jeruzalemi u pushtua, bashkë me luftëtarët arabë u vranë 70.000 vetë, banorë të pafajshëm, mijra të tjerë kërkuan të fshiheshin në xhaminë Al Aksa, ngritur në vendin e Tmepullit të Solomonit, por fitimtarët nuk kursyen as pleqtë dhe as fëmijët, u kusaruan të tëra shtëpitë, u vodhën tërë sendet me vlerë, të arta, të argjenda, u plaçkitën dhe tempujt e krishterë, kryqtarët shpallen mbret Gotfridin e Bulonjës, po ai nuk pranoi të vinte kurorë aty ku “Krishti u kurorëzua me kurorë gjëmbash” dhe ra dakort të pranonte vetëm titullin e Mbrojtësit të Varrit të Zotit, ngriti një manastir në luginën Jozofat, në 18 korrik 1100 Gotfridi vdiq në Jeruzalem dhe u varros në mënyrë ceremoniale në Tempullin e Ringjalljes, pranë Varrit të Zotit, kryqtarët krijuan Mbretërinë e Jeruzalemit, duke shpallur mbret Balduinin, vëllanë e Gotfridit të Bulonjës, në 25 dhjetor 1100 në festën e Ringjalljes së Krishtit, Balduini i I u kurorëzua në Betlehem, ku kishte lindur Jezu Krishti, kjo ngjarje qe kulmi më i madh i shekullit të XII, i shekullit tënd Florimont, autori, që shkroi për ty mbase qe vetë në Jeruzalem, sëbashku me kryqtarët e tjerë francezë, europianët shihnin Varrin e Zotit, që nuk mund të kishte kurr varr, Zoti nuk vdes, ç’kuptim të llahtarshëm ateist ka togfjalëshi Varri i Zotit (?), varri bosh dhe mitra bosh janë e njëjta gjë, mitra e Marias nuk mund të ishte varri i fëmijës Jezu, përveç Trinitetit Krishti kishte dhe një veçori: kishte dy natyra, atë hyjnore dhe atë njerëzore, ai mbase donte ta linte në tokë, në Jeruzalem natyrën e dytë, atë njerëzore, po pse vallë të vdekur e të përqeshur marrëzisht (?) nëse dy natyrat qenë në të njëjtin trup, çfarë bëri natyra hyjnore, kur vdiq natyra njerëzore (?), si mund të vdiste njerëzorja, kur qe e bashkuar nga hyjnorja, ose qenë të bashkëngjizura, si mund të ikë kali i purpurt dhe të mbetet vetëm ngjyra e purpurt (?) po kryqtarët nuk mendonin fare, nuk qe detyra e tyre të mendonin, ata fituan, por nuk gjetën veçse një varr bosh, ky është keqkuptimi i krejt historisë, luftohet dhe sakrifikohet vetëm për varre boshe, Krishti sipër qiejve e ka parë i çmëritur dhe i trishtuar këtë skenë, kërkonin varrin e tij, ndërsa Ai nuk mund të kishte varr, mitizohej Vdekja e të Pavdekshmit dhe ky moskuptim qe fyerje për Të, festonin Ringjalljen e Tij, po në boshllëk, Ai nuk u riduk më me natyrën njerëzore, ndonëse është profetizuar Ardhja e Dytë e tij, gjithë shekulli i XII nuk e ka ditur këtë dilemë hapësirokohore, pse njerihyjnore, shekulli i XII i takonte më tepër Florimontit hoktar, bashkohës kronologjik i kryqtarëve, po jo bashkohës shpirtëror i tyre, Florimonti paraaleksandras qe njëkohësisht parakryqëtar, shekulli i XII është mesjeta a koncentruar si lënda e yjeve xhuxhë, një majë qëlpëre peshon më shumë, se sa një katedrale banorët e Durrësit janë gëzuar, kanë kënduar litanira madhështore në kishat e tyre, në bregdet, kur kanë mësuar lajmin për pushtimin e Jeruzalemit, gjithësesi ishin me fat, që nuk kishte vdekur Krishti në kodrat e Durrësit, nuk do ta kursente katastrofa, kjo do të thotë që jo Jeruzalemi, po Durrësi qe i bekuari nga Krishti.



VISET E BALLKANIT

Viset e Ballkanit, kreshta të borëzuara, qytetërime të pafat, të errëzuara nga dritat e dikurëshme, ujëvara me cjep hyjnorë, kështjella plot eshtra të argjenduara nga acari, besime totemike detare, kulte të fertilitetit mbijetues dhe mizor, fushë shahu e paganizmit plot flijime kuajsh të mrekullueshëm, e krishterimit, islamizmit, e bogomulizmit heretik, afreska tronditëse të fabrikuara nga dogmat e përjetëshme, pasionet dhe gabimet – viset e Ballkanit, të gadishullit ilirik Hameus, viset e Ballkanit të mutantëve homerikë dhe shekspirianë, të kreshnikëve të çmendur, delirantë, të valleve që imitojnë astronominë, të zjarreve përpijës të Harresës, viset e Ballkanit – i kishte si çorape në mesjetë këmba e enjtur e Perandorit të Bizantit, pastaj këmba thonjpaprerë e çdo Sulltani.

Çorape e thurrur nga Zoti që u quajt Histori!

DY FREDERIKËT

Një nga mbretërit kryqtarë më të famshëm që në shekullin XII Frederik Barbarosa, ose Mjekërkuqi. Ky qe nga dinastia e quajtur Hohenshtaufen, sipas emrit të kështjellës në Gjermani. Trupmadh dhe tepër i fuqishëm, Barbarosa u bë Atlet i Mesjetës së Krishterë. Bëmat e tij janë poetizuar, si dhe legjendarizuar. Kur ka kaluar në Shqipëri ka ndaluar për ca kohë pranë Shkodrës, në fshatin që sot quhet Barbullush, që është emri i korruptuar i Barbarosës. Barbarosa, ose Mjekërkuqi qe një nga figurat më magnetike të shekullit XII, ai kryesoi Kryqëzatën e Tretë të vitit 1098 së bashku me mbretin anglez Rikard Zemërluani dhe Filipin e Francës, Nipi i Barbarosës, i quajtur Frederiku II, qe akoma më enigmatik dhe tërheqës. Ai ishte rritur në Sicili, që fëmijë. Ndërkohë në Gjermani zhvillohej një luftë e ashpër për pushtet midis familjeve të mëdha kalorsiake. Frederiku II u rrit në Siçili jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht. Tutori i tij shpirtëror qe një nga njerëzit më të rëndësishëm të shekullit, që më vonë u kurorëzua si Papa Inoçenti III duke u bërë kreu i plotfuqishëm i gjithë krishtërimit. Frederiku II qe jashtëzakonisht i zgjuar dhe i ditur. Ai bëri Kryqëzatën e Tij. Për t’u shpallur mbret gjerman u nis vetëm, thuajse pa shoqërues nga Sicilia, hipur mbi kalin e tij, kaloi Italinë, alpet e Zvicrës dhe arriti në Konstancë. Kundërshtari i tij Otoni i IV, guelfi i Brunsvikut i doli përballë me një ushtri. Aventura e Frederikut II mund të qe një dështim i plotë, por qytetarët e Kostancës sapo e panë u magjepsën nga personaliteti i tij i madh, e njohën për mbret dhe i mbyllën portat e qytetit, ndërsa Otoni arriti dy orë me vonesë në Kostancë pas Frederikut II e kuptoi se i qe përmbysur gjithçka. Qe një betejë pa gjak, pa përleshje dhe fitorja e Frederikut II qe madhështore, sepse qe fitore morale, një strategji e mirëkuptimtë, e famës, e diturisë. Shumë shpejt Frederiku II u bë sundimtari më i fuqishëm në krejt princërit italianë e gjermanë. Tek ai u rrënjos besimi, se qe i përcaktuar, ose i paracaktuar për të sunduar botën. Habitërisht më shumë se sa veriu gjermanik, atë e tërhoqi Palermoja e Sicilisë, sepse e njihte dhe e admironte kulturën e madhe arabe. Në Sicili kishin kaluar të gjithë popujt: fenikasit, grekët, kartagjenasit, romakët, arabët, normanët, gjermanët, por edhe francezët. Duket sikur Sicilia imitonte Kullën e Babilonisë. Frederiku II i fliste të gjithë gjuhët, njihte shumë shkenca, qe poet dhe njëkohësisht një gjahtar i shkëlqyer. I famshëm ka mbetur një libër i tij, që ka shkruar për skiftërët, që përdoreshin në gjueti. Ai i njihte të gjitha fetë, hiqej si i krishterë, por njihte edhe fenë arabe, kuranike. Ai nuk dëshëronte që njerëzit të grindeshin dhe aq më shumë të vriteshin. Bisedonte me përkushtim dhe me kënaqësi me dijetarët arabë dhe në këtë mënyrë myslimanët e adhuronin atë. Por Papa që erdhi pas Inocentit III, i quajtur Grigor, bëri çmos që ta detyronte Frederikun II që të ndërmerrte dhe të sendërtonte një kryqëzatë drejt Tokës së Shenjtë. Ky mbret dijetar nuk donte të luftonte. Megjithatë ai e bëri një Kryqëzatë pa luftë. Ai arriti që pelegrinët europianë të shkonin në Jeruzalem paqësisht. Ai u takua me kalifët dhe sulltanët e vendit dhe nënshkroi një kontratë paqeje me ta. të gjithë u kënaqën, qe mënjanuar gjakderdhja, përveç Peshkopit të Jeruzalemit, të cilin nuk e pyeti askush. Ky Peshkop kokëkrisur dhe xheloz, dinak dhe kokëshkretë shkoi në Romë te Papa dhe i tha se Frederiku II merrej vesh shumë mirë me arabët dhe Papa Grigor u bind se ky mbret i krishterë ish bërë një mysliman i vërtetë. Por Frederiku II nuk e çau fare kokën. Ai e vuri vetë me duart e tij kurorën mbretërore të Jeruzalemit, meqenëse nuk u gjet asnjë prift, apo peshkop, që ta bënte këtë kundër vullnetit të Papës Grigor. Pastaj u kthye në Siçili me anije, i ngarkuar me dhurata që i kishin bërë arabët: leopardë, deve, diamante, dorëshkrime, bimë aromatike etj. Mori me vete edhe artistë dhe arkitektë arabë të mëdhenj, gjeografë, poetë dhe i çoi në Sicili, ku i la të lirë të punonin, të ndërtonin dhe të shkruanin. Krejt i veçantë dhe krejt i papërsëritshëm ai duket sikur krijoi një perandori ekumenike të gjithë popujve dhe të gjithë kulturave. Por intrigat e papës Grigor qenë të pafundme. Vdekja e Frederikut II u legjendarizua. Kështu u krijua ideja se Frederiku II nuk kishte vdekur, por ishte futur në një shpellë të mbyllur në një mal, ngaqë i kishin bërë magji. Befas njerëzit kishin filluar ta shihnin në ëndrra, ata ëndërronin për këtë mbret të madh dhe të mençur si askush, sikur jetonte në Unterzberg, apo në Kyfhojzer, gjoja i larguar nga Sicilia, ndërkohë që ai kishte vdekur në të vërtetë. Ata ëndërronin sikur ai të kish tashmë një mjekër vigane dhe të bardhë ndryshe nga mjekra e kuqe e gjyshit të tij Frederiku I Barbarosa. Njerëzit mendonin megjithëmend se kur punët do të shkonin shumë keq, kur gjaku i trazirave do të mbulonte tokën Frederiku II do të dilte nga shpella e malit. Çdo 100 vjet gjoja ai zgjohej nga gjumi dhe pyeste shqytarët e tij nëse kishte korba rrotull malit, sarkofagut të tij. Nëse ditën që shqytari do t’i thoshte: “Jo mbreti im, nuk shoh asnjë korb”, atëherë ai do të ngrihej dhe do të çante me një të rënë të shpatës tryezën e gurtë mbi të cilën i qe rritur mjekra vigane, do të hapte malin ku mbahej i prangosur nga magjia dhe do të dilte si Shpëtimtar i Botës. Kjo legjendë të kujton legjendën shqiptare të kreshnikëve Mujit dhe Halilit, qe pas vdekjes u ndrynë në një shpellë në Bjeshkët e Namuna. Brenda shpellës qe një kazan i madh, mbi të cilin pikonte gjak nga stalakmitet. Ky gjak vinte nga bota e jashtme, nga jeta e gjallë dhe qe një lloj treguesi se ç’ndodhte tek të gjallët. Kjo të kujton funksionin profetizues të kazanëve prej bakri të Orakullit të Dodonës. Ky motiv mitologjik i Dodonës tashmë qe zhvendosur tek Shpella e Panjohur në Bjeshkët e Namuna. Besimi mesianik popullor, thotë se kur kazani të mbushej plot me gjak, kjo qe shenjë apokaliptike se e keqja dhe padrejtësia qe bërë e padurueshme. Kreshnikët Muji dhe Halili do të shpërthenin Malin e Mbyllur dhe përmes misterit do të dilnin në botën e të gjallëve, për t’u hakmarrë me të padrejtët dhe shtypësit. Në cilën shpellë të tillë magjike është mbyllur dhe ende është në gjumë heroi Florimont?

SURREALIZMI I ALEKSANDRIT TË MADH

Romani kalorsiak lindi në Veri të Francës dhe u përhap në Europë. Çufitërisht në mënyrë fantaxmagorike, romani kalorsiak, u lidh me emrin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. U përpunuan shumë vepra, të quajtura Aleksandriada. Kemi të bëjmë me përpunimin e disa jetëshkrimeve të lashta dhe më tepër virtuale të Aleksandrit të Madh. një jetëshkrim i tillë i bërë në Egjiptin e shekullit të III të erës sonë u përkthye nga greqisht në latinisht, kurse varianti latin u bë bazë për variantet e para në frëngjisht. Në variantin më të plotësuar të këtij subjekti, Aleksandri i Madh përshkruhet si kalorës mesjetar i mrekullueshëm. Që kur ishte bebe, fëmijë i porsalindur nuk e pranoi me dashje qumështin dhe ushqimi i kësaj fëmije qe me mish të pjekur dhe me verë si të rriturit. Fillimisht vogëlushin donin t’a ushqenin me një lugë prej ari, por foshnja mbante në duar shpatën. Disa poetë trubadurë të shekullit XII si Lambert d’Tor dhe Aleksander d’Berne zbuluan se gjoja Aleksandri një sy e kishte bojëqielli dhe tjetrin e kish të zi, ashtu siç i ka pasur sytë me dy ngjyra edhe Perandori Anastas i Bizantit, që ka lindur në qytetin e Durrësit dhe është mbiquajtur Anastas Diokori. Figura e Aleksandrit të Madh paraqitej me flatra dhe kokë shqiponjë, apo dhe trup luani. Kali i tij i quajtur Buqefal qe një lloj mutanti, një klonim i elefantit me devenë. Në rininë e tij Aleksandri i Madh kishte dy këmisha, njëra këmishë e mbronte nga plagët, tjetra e mbronte nga të ftohtët. Ndryshueshmëria e kohërave dhe e subjekteve qe gati surrealiste. Kështu heroi Aleksandër pagëzohet si kalorës dhe shqytin dhe shpatën ia dhuroi mbretit Solomon, i cili ka jetuar në shekullin X para Krishtit, pra 6 shekuj para se sa të lindte vetë Aleksandri i Madh, kurse armaturën luftarake ia dhuron Mbretëresha e Amazonave, Pantesilea, e cila ka jetuar dhe është vrarë nga Akili ne Luftën e Trojës në shekullin XIII para Krishtit. Ky virtualizëm të kujton romanet e modernizmit, të ashtuquajturin realizëm magjik, apo gërshetimet groteske, të stilistëve mendjemëdhenj, që pretendojnë çmimin Nobël. Aleksandri historik pushtoi botën deri në rrëzë të Himalajave, duke u bërë kështu perandori më i madh në kohëra. Kurse në romanet kalorsiake Aleksandri i Madh lëviz lirisht, në viset gjermanike, në stepat ruse, në ishujt e vikingëve, në Francë, në Afrikë dhe në Ballkan. Në rrugëtimet e fushatat e tij, ai është më tepër një Perandor i Perëndimit, se sa i Lindjes. Kemi rikthime mbrapsht në hapësirë dhe kohë, në formën e alibive më të hatashme dhe më kurioze të historisë. Aleksandri nuk synon për të pushtuar botën, por për të mësuar dhe për të parë gjithçka. Ai futet edhe në universin e fabulave, ndesh njerëz me kokë qeni, hyjni në formë breshkash, magjistarë në forma tigrash, mes alpeve befas gjen burimin e rinisë së përjetshme, qëllon të ndodhet në një pyll, ku në vend të luleve dhe pemëve mbijnë nga toka vajza të reja, që kur bien ngricat futen përsëri nën tokë. Udhëton për tre vjet me rradhë në vendin e Errësirës së Përjetshme dhe tre vjet të tjera në vendin e Dritës së Përjetshme. Njëherë Aleksandri takohet me një xhongler, i cili i shndrronte lulet në pishtar. I habitur nga kjo mjeshtëri, i dhuron xhnglerit një mbretëri të tërë. Romanet kalorsiake për Aleksandrin kanë gjalluar në vendet sllave, madje edhe tek arabët. Aleksandri i Madh bëhet një hero antropologjik dhe natropocentrik. Është një nga herezitë më të padëgjuara në botë, që Aleksandri i Madh jepet si një kalorës i krishterë, që qan për Shën Mërinë dhe përgjërohet për Jezu Krishtin. Të gjitha këto arabeska motivesh e rrethojnë figurën e Aleksandrit të Madh. Romani poetik i Florimontit është i dyzuar në mënyrë të frikshme. Kjo të bën të pikëllohesh, ta troshit dhe ta pluhurzon guximin për të shkruar romane në ditët e sotme. Të gjitha prerjet konceptuale dhe gjetjet stilistikore janë zbuluar shumë kohë më parë. dhe mëtimi për t’u bërë zbulues i formave të reja, është një qesharakësi.

KRYQËZATA E FËMIJËVE

Kryqëzatat e të rriturve, e kalorësve mjekërmëdhenj u sfiduan befas në vitin 1212 nga kryqëzatat e paparashikuar në të gjithë kohërat, që u quajt Kryqëzata e Fëmijëve. një djalosh 10 vjeçar me emrin Nikllas, u tregoi të tjerëve, se kishte parë një ëndërr, ku ishte shfaqur një ëngjëll, që i kishte thënë se Jeruzalemin do ta çlironin jo mbretëritm princërit, kalorësit, por fëmijët e paarmatosur. Këta fëmijë do të udhëtonin me këmbë deri në breg të detit dhe atëherë do të ndodhte çudia, deti Mesdhe do të tërhiqej, ose do të thahej dhe fëmijët do të lëviznin midis peisazhit fundësor, plot enigma, mbase mes rrugëve të qyteteve të mbytura, mes tempujve dhe kështjellave të Atlantidës, të fundosur para shumë shekujsh, të mbetura në ëndrrat e filozofit Platon. Fëmijët do të kalonin kështu të gjitha hapësirat dhe kur të arrinin në Tokën e Shenjtë, në Jeruzalem, saraçenët do të tërhiqeshin, një forcë e padukshme do t’i nguroste duart e tyre, shpatat, shigjetat, do t’i kthente kuajt në skulptura, askush nuk do të kishte fuqi të qëllonte mbi fëmijët e pafajshëm. Mbase këta fëmijë qenë ringjallja e fëmijëve që dikur masakroi Herodi biblik. Kjo ngjarje që në ikonografinë bizantine njihet si Masakra e të Pafajshmëve kish bërë përshtypje të madhe, sepse vrasja e fëmijëve të lindur në të njëjtën ditë të jezu Krishtit, synonte që të zhdukte edhe vetë Jezu krishtin. Krishti nuk e harroi kurrë, që qe ai i Vetmi, që shpëtoi, ndaj kur shkoi në Parajsë i ringjalli foshnjat e masakruara dhe shpirtrat e tyre i futi në trupat e fëmijëve të Europës, që dëshëroni të shijonin Jeruzalemin. Turmat e fëmijëve të vegjël kaluan shtigjeve dhe tërthoreve të Europës në Jug, vetë Papa i Romës e bekoi kryqëzatën e tyre: “Le të shërbejnë këta fëmijë si qortim për ne, te rriturit. Ndërkohë që ne flemë, ata do të çlirojnë Tokën e Shenjtë”. Kjo kryqëzatë e pabesueshme, delirante pati një fund pafundësisht tragjik. Shumë fëmijë vdiqën nga uria, sëmundjet dhe lodhjet. Kur ata arritën në bregun e Detit Mesdhe, nuk ndodhi asnjë lloj çudie. Papritur tregtarë të pashpirt dhe dinakë u premtuan kryeqtarëve të vegjël që do t’i çonin në Tokën e Shenjtë, por i shitën si skllevër, shumë nga ata përfunduan për të shfryrë epshet në haremet e homoseksualëve lindorë. Për këtë subjekt ka bërë një poemë të dhimbshme, por edhe alegorike, Bertolt Breht.


VIJON…


______________________________


DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE DHE MOTIVE HISTORIKE (1)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=7154

***

DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE DHE MOTIVE HISTORIKE (2)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=7155


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks