SHKRIMI
e diel, 26 janar 2020

MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E VITEVE TETËDHJETË DHE DY HERONJ TË SAJ, AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU (1)

Prishtinë, 2 nëntor 2019: Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut

Hyrje

Vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar shënojnë sulmin e gjithanshëm, sistematik e mizor të regjimit pushtues serbo-jugosllav kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH), në njërën anë dhe në anën tjetër, rritjen e zhvillimin e paparë deri atëherë të kësaj Lëvizjeje, në kushte të gjendjeve të jashtëzakonshme, të orëve policore e nëpër barrikada. Këto dy fakte, në aparencë kontradiktore, kanë shpjegimin në dy strategji lufte për jetë a vdekje kundër njëra-tjetrës, shqiptare dhe serbe.

Viti 1981, pas një dekade të lënë pas me veprimtarinë e bujshme të LKSH, me kryengritjen e madhe kundër pushtuesve serbë e jugosllavë, hapi epokën e re të rezistencës së pandalshme e të përhapjes së saj në formë të rrathëve koncentrikë, e cila kulmoi me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkaq regjimi pushtues, me gjithë potencialin shtypës ishte mobilizuar, jo vetëm për të asgjësuar çdo vatër çlirimtare në Kosovë, por më tej, për të vënë në zbatim gjithë doktrinën serbe antishqiptare.

Serbia është rast i veçantë që armiqësinë e saj ndaj një populli të tërë, siç janë shqiptarët e ka ngritur në doktrinë kombëtare, nëpërmjet të një varg elaboratesh, në funksion të së cilës janë vënë Kisha Ortodokse Serbe, institucionet politike, akademike, informative, kulturore, arsimore, ushtarake, policore, paramilitare etj.

E kishte filluar Garashanini për ta vazhduar Çubriloviqi e Andriqi dhe në kohët më të reja, në shërbim të politikës antishqiptare të Milosheviqit famëkeq u vunë i ashtuquajturi “Libri i kaltër” (1976), Platforma e LKJ për veprim në Kosovë (1981), akademikët, të cilët në vazhdim të traditës së elaborateve shfarosëse, hartuan të ashtuquajturin “Memorandum”(1995), si dokumentin kapak mbi gjithë enën e kuzhinës serbomadhe, shkrimtarët letërnxirës serbë të “Francuska 7” (1988), kisha dhe shteti, por edhe masat e harlisura qindra mijëshe e të ashtuquajturve “mitingashë”(1986-1989), pastaj një si elaborat për Kosovën i Partisë Radikale të Sheshelit (1994) etj., të gjitha bashkë, si instrumente, jo vetëm kundër shqiptarëve, por duke e shtuar apetitin ekspansionist edhe ndaj gjithë republikave të Federatës.

Më 1989, Milosheviqi famëkeq, në Gazimestan të Kosovës paralajmëroi luftën e armatosur në Jugosllavi dhe pak vite më pas e ndezi, por u dogj në flakët e saj.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare e dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, pas pagëzimit të zjarrit në kryengritjen e vitit 1981, pati humbje të rënda nga vrasjet dhe dënimet e shumë veprimtarëve, por radhët e saj ripërtëriheshin, duke formuar dhe kalitur veprimtarë të shquar profesionistë dhe me përvojë të gjatë, si Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

I. Kryengritja e vitit 1981 dhe përpjekjet serbe për zbatimin e doktrinës antishqiptare

1. Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ishin djem të Llapit kryengritës dhe bedem mbrojtës i Kosovës nga hordhitë serbe ndër shekuj. Fahriu i lindur në Llaushë më 1963 dhe Afrimi në fshatin Llugë më 1965, mësimet e para i morën në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm në Prishtinë. Shkollimin universitar Afrimi e vazhdoi në Prishtinë, kurse Fahriu po aty, por edhe në Zagreb. Sikur shumë dëshmorë të tjerë të kombit edhe këta vinin nga familje të shquara atdhetare.

Në vështrim të kronikës së të rënëve të lëvizjes më të re kombëtare, bie në sy një lidhje e fortë binjakëzuese midis tandemëve veprimtarë që nuk bënin njëri pa tjetrin, që nuk mund t’i ndante as jeta, as vdekja, që e përplotësonin njëri-tjetrin në mënyrë komplementare dhe që dëshironin të ishin bashkë e të pandarë edhe në sakrificën supreme. Kështu ishte me militantët demonstrues të vitit 1981, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, me ideologët e shquar të rezistencës, Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla (1982), me të mëdhenjtë Rexhep Malaj e Nuhi Berisha (1984) që i kthyen pushkë regjimit pushtues, me Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun që bënë epopenë e Kodrës së Diellit (1989) etj. Duke shkruar për veprimtarët Fahri Fazliu e Afrim Zhitia dhe lidhjet më shumë se vëllazërore midis tyre, autori Nezir Myrtaj, ka vërejtur një koincidencë të rastit, por domethënëse, te emrat e tyre. Dy shkronjat e para të emrit Afrim, përbëjnë inicialet: AF (Afrim & Fahri) dhe te emri Fahri: FA (Fahri & Afrim). “Transcendenca e kësaj lidhjeje ndërmjet këtyre dëshmorëve, sikur dëshmon se ata ishin mbështetja dhe njëkohësisht pararoja e njëri-tjetrit deri në rënie”- shkruan autori. Ata ishin një.



2. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu që në moshë të re, si shkollarë të mesëm hynë në radhët e organizuara atdhetare dhe në radhët e para të demonstruesve të kryengritjes së vitit 1981 në Kosovë. Ata me sytë e tyre në këtë kryengritje panë fuqinë prej uragani të popullit të zgjuar nga letargjia e robit dhe të organizuar në revoltën kundër pushtuesit të huaj. Ky shpërthim i ngriti peshë ndjenjat e rinisë së Kosovës, e rriti besimin te energjitë e potenciali kolosal i lirisë dhe e bëri të patundur bindjen për të vazhduar rrugën e pandalshme drejt lirisë e pavarësisë.

Për të kuptuar të vërtetën e shpërthimit të kryengritjes së vitit 1981, do parë parathënien e saj, me shkaqet historike, si statusi prej robi i popullit shqiptar, pozita e rëndë diskriminuese e kolonialiste e tij në bashkësinë e popujve të ish-Jugosllavisë, mjerimi ekonomik e shoqëror, dhuna dhe terrori mbi një popull të tërë etj., si faktorë objektivë, por edhe puna e madhe që kishte bërë LKSH për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe përgatitja e rezistencës së hapur popullore kundër regjimit pushtues, si faktor subjektiv çlirimtar.

Kjo gjendje e shqiptarëve dukej qartë edhe në shifra të statistikave, që siç shkruante studiuesi Marenglen Verli, Kosova “Ndonëse me vetëm 4.2 për qind të sipërfaqes dhe 7.1 për qind të popullsisë, përmbante mbi 10 për qind të të gjitha pasurive natyrore të Jugosllavisë” Por, shfrytëzimi i egër kolonial e kishte katandisur Kosovën në rajonin më të varfër të Jugosllavisë dhe të Evropës.

Lëvizja Kombëtare e vuri nën kontroll kryengritjen, duke dalë në ballë të saj dhe e drejtoi, pa lejuar që të instrumentalizohej dhe të devijohej karakteri i saj. Kryengritja e vitit 1981 me gjithë sakrificat dhe humbjet që pati, ishte një fitore e madhe, jo vetëm e Kosovës, por e mbarë kombit shqiptar. Mbi këtë fitore të çimentuar vazhdoi jeta dhe rezistenca në rritje e Lëvizjes Kombëtare deri te Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës.

Gazeta “Boston Globe” e 18 qershorit 1981, pasi konstaton se më 1913 fuqitë e mëdha e bënë Shqipërinë të pavarur, por ia dorëzuan Kosovën monarkisë serbe...”, vazhdon: “Kosova është bota e tretë e vogël e Jugosllavisë: e varfër, krenare, e fyer dhe e padurueshme. Mënyra se si do t’ia dalin mbanë pasuesit e Titos kësaj çështjeje do t‘i tregojë shumë botës mbi të ardhmen e Jugosllavisë”. Komentatorët e huaj parashihnin shpërbërjen e Jugosllavisë për shkak të Kosovës.

Veprimtarët e rinj, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu dhe brezi i tyre, e kishin shumë të qartë gjendjen e shqiptarëve nën Jugosllavi, rëndësinë historike të kryengritjes dhe programin idealist kombëtar që duhej ndjekur në vitet vijuese.

3. Midis kryengritjes dhe LKSH ka një lidhje dialektike, prandaj jo vetëm nuk shpjegohet njëra pa tjetrën, por as bëjnë njëra pa tjetrën. Pa kryengritjen Lëvizja do të përfundonte në apati, duke humbur vitalitetin dhe pa Lëvizjen kryengritja as që do të ndodhte. Në themel të të gjitha fitoreve të LKSH qëndron si kurban legjendash, gjaku i bijave dhe bijve më të mirë të saj.

Çështja e harruar e Kosovës, diku në sirtarët e kancelarive botërore, jo vetëm u bë e njohur në botë, por siguroi solidaritet të admirueshëm ndërkombëtar dhe në një mënyre u shtrua si një problem që donte zgjidhje. Veç shkrimeve afirmative të mediave të botës demokratike, për Kosovën nisën të lëviznin edhe diplomacia e politika ndërkombëtare, duke përfshirë Kongresin Amerikan dhe Parlamentin e Bashkimit Evropian. Duke e pasqyruar panikun jugosllav, propaganda e Beogradit, në një botim të veçantë, me të drejtë konstatonte se ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë, hyjnë në zhvillimet më dramatike në historinë më të re të Jugosllavisë. Veli Deva, ish udhëheqës i lartë i Kosovës në Mbledhjen e 86-të të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 4 prill 1981 ka thënë: “Pushteti popullor kurrë nuk është rrezikuar më shumë dhe nuk është luhatur nga një aktivitet më i madh armiqësor sesa që ishte ky aktivitet”. Kurse Kolë Shiroka, koleg i tij, po në këtë mbledhje pranonte: “Pra, planifikimi ka qenë i gjatë dhe kemi të bëjmë me një organizim dhe organizatë më të organizuar sesa organizata jonë”. Duhet thënë këtu që përveç makinerisë shtypëse serbe e jugosllave, mbi trupin e dërmuar të Kosovës peshonte rëndë edhe kolaboracionizmi shqiptar.

Kryengritja e vitit 1981 e lëvizi dhe e ndryshoi historinë, shkroi me gjakun e dëshmorëve vullnetin politik në mënyrë plebishitare të popullit të robëruar shqiptar, duke vrarë frikën dhe shpërfaqi virtytet e larta të sistemit të vlerave tradicionale luftarake, guximin e trimërinë, atdhedashurinë e frymën e sakrificës, vullnetin e hekurt dhe vendosmërinë e patundur për liri dhe pavarësi.

4. Akademiku nacionalist serb, Dobrica Qosiq që konsiderohej si baba i kombit serb, pas kryengritjes së vitit 1981, tërthortë konsideronte se që atëherë Kosova i kishte dalë prej dore Serbisë, prandaj më 26 prill të atij viti shkruante: “Në qoftë se nuk jemi të gatshëm që sërish ta çlirojmë Kosovën, e nuk jemi, duhet ta ndajmë me Shqipërinë. Të merren pjesët serbe dhe manastiret, kurse shqiptarëve t’u lihet ajo që është shqiptare”. Më 1 janar 1996, ai duke analizuar zhvillimet e reja të brendshme, por edhe ndërkombëtare për Kosovën do të vazhdojë: “Kosova është në rendin e ditës të historisë. Po e humbim Kosovën. Por kjo nuk do të jetë fatkeqësi kombëtare. Do të çlirohet Serbia nga ky kancer. Sa më parë aq më mirë. Por kreu serb i kohës, në stilin “Cве или нiШта” , e vazhdoi ofensivën kundër Kosovës dhe shqiptarëve.

5. Momenti vendimtar i legalizimit të kësaj ofensive ishte kualifikimi i kryengritjes së vitit 1981 si kundërrevolucion, që në fjalorin politik të socializmit vetadministrues konsiderohej vepra më e rëndë kundër shtetit, prandaj në legjislacionin jugosllav sanksionohej me dënime kapitale. Me qenë se dimensioni i kryengritjes ishte shtrirë në masat revoltuese qindra mijëshe edhe dënimi nuk u kufizua vetëm në LKSH të organizuar, por mbi gjithë popullin shqiptar dhe frontalisht kundër çdo vlere të tij.

Momenti i dytë “legalizues” i revanshit antishqiptar ishte dokumenti i udhëheqjes qendrore të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, me titullin e gjatë dhe fund e krye demagogjik, “Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë”, miratuar në Mbledhjen XXII të KQ të LKJ-së në Beograd, më 17 nëntor 1981.

Kjo armë e karakterit dhe nivelit jugosllav në duart e krerëve serbë përbënte udhëzuesin praktik të zbatimit të politikës antishqiptare në plan imediat dhe afatgjatë, madje në këtë fazë të veprimit, me ndihmën e të gjitha kapaciteteve jugosllave. Në këtë dokument famoz dhe voluminoz, konstatohet për të satën herë se “Kuptimi politik i parullës 'Kosova-Republikë' përmban shumë qëllime kundërrevolucionare“... se “Forcat kundërrevolucionare, në emër të qëllimeve të errëta të nacionalizmit shqiptaromadh, u përpoqën që të imponojnë me forcë rebelimin dhe shkëputjen nga Jugosllavia. Ky qëllim kundërrevolucionar, haptazi dhe me zë të lartë, u shpreh me kërkesën e nacionalistëve dhe të irredentistëve shqiptarë që të krijohet e ashtuquajtura ‘Republikë shqiptare’ në Kosovë”. Por qershia mbi tortën e Platformës ishte ky kërcënim i hapur ndaj LKSH dhe kombit shqiptar në përgjithësi: “Kundër armikut do të luftojmë deri në fund vendosmërisht me të gjitha mjetet me të cilat mbrohet siguria dhe integriteti i një vendi të pavarur e të lirë”. “ Afrim Zhitia, i zhgënjyer me qëndrimin e disa përfaqësuesve të Federatës, shkruante: “Federata jugosllave po sillet ndaj Kuvendit serb si prostituta ndaj myshteriut”

II. Zhvillime të pas kryengritjes në Kosovë dhe roli i Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut në LKSH

1. Nga fjala ne vepër, thoshte Tito dikur. Që nga viti 1981 dhe deri më 1984, kur më 11 janar bien heroikisht dy korifenjtë e shquar të LKSH, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe vetëm një muaj pas, më 8 shkurt edhe veprimtari Bajram Bahtiri, kurse më 14 të po këtij muaji arrestohet heroi i ardhshëm, Afrim Zhitia, sipas shënimeve zyrtare, u dënuan penalisht katër mijë veta për veprimtari çlirimtare në Kosovë. Le të shtojmë këtu që brenda viteve 1981-1990 në Kosovë policia dhe ushtria jugosllave kanë vrarë 183 shqiptarë (prej tyre 16 fëmijë) dhe kanë plagosur me armë zjarri 616 të tjerë. Për demonstratat e vitit 1981 janë shqiptuar më shumë se 50 shekuj burg për qytetarët e Kosovës.

Një fushatë sulmesh të egra, të denja për mesjetën, u organizua kundër kulturës, historisë, arsimit, inteligjencies dhe çdo vlere shqiptare.

2. Përballë këtij terrori, LKSH nuk u mposht as nuk u ndal. OMLK qysh gjatë kryengritjes kishte hartuar në maj të vitit 1981 një dokument programatik për formimin e një fronti të përbashkët të të gjitha subjekteve të LKSH dhe qytetarëve të tjerë patriotë, me titull “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”.

Në vitin 1982 u arrit bashkimi i disa organizatave në një front të quajtur “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”, e cila veproi suksesshëm me emërtimet LPRK (Lëvizja për Republikën e Kosovës” dhe më vonë LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës). Kjo organizatë, e shtrirë brenda dhe jashtë vendit e me përvojë të gjatë, botonte vite me radhë organin “Zëri i Kosovës” dhe njihet si themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës edhe me mbështetjen ndërkombëtare i dha fund sundimit serb e jugosllav në Kosovë. Afrim Zhitia që në vitin 1980, bashkë me një grup të rinjsh kishte filluar të vepronte në kuadrin e OMLK-së, për të qenë pastaj bashkë me Fahri Fazliun në frontin LRSHJ dhe LPRK.

3. Pas vitit 1981 Lëvizja e goditur rëndë, u ripërtëri dhe u rimëkëmb, jo nga e para, por mbi bazën e strukturave të ndërtuara organizative dhe të përvojës së pasur të deriatëhershme. Brenda në Kosovë po vepronin, përveç LPRK edhe shumë organizata të tjera, si vazhdimësi e organizimit më të hershëm, ose si themelime të reja.

Pas GRK-së së themeluar në fillim të viteve shtatëdhjetë, në periudhat vijuese para dhe pas kryengritjes më 1981, janë formuar edhe shumë organizata të tjera çlirimtare, si Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ), Lëvizja për Çlirim Nacional dhe Social e Kosovës (LÇNSK), Fronti i Kuq Popullor (FKP), ALBANIKOS, Partia e Luftës e Kosovës (PLK), Fronti Nacional-Çlirimtar (FNÇ), Kushtrimi i Lirisë (në Maqedoni), Marksistë-Leninistët e Kosovës, (MLK), OMLK e riformuar, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) e shumë të tjera të formuara brenda dhe jashtë vendit.

4. LKSH e kësaj dekade kishte si mjet veprimi edhe një shtyp klandestin të admirueshëm dhe të larmishëm. Praktika e shtypit klaandestin kishte filluar më 1974 nga Grupi Revolucionar i Kosovës, me revistën „Zëri i Kosovës“, për t'u pasuruar shpejt edhe me një varg organesh të shtypit, trakte politike, thirrje dhe komunikata, botime të veçanta etj., të cilat i jepnin zë LKSH dhe siguronin komunikimin më adekuat midis saj dhe publikut të brendshëm e të huaj. Gjurmë të pashlyshme në historinë e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare kanë lënë organet e shtypit klandestin të LKSH, si Liria, Lajmëtari i Lirisë, Bashkimi, Revolucioni, Zëri i Atdheut, kurs nga viti 1982 LRSHJ-LPK gjatë gjithë dekadës e botoi organin Zëri i Kosovës në qindra numra dhe dhjetëra mijë ekzemplarë. Organe të tjera dhe buletine të shumta ishin edhe Rruga e Lirisë (Afrim Zhitia, Fadil Vata, Fahri Fazliu), Minatori, Pararoja, Kushtrimi i lirisë, Informatori, Çlirimi dhe dhjetëra të tjerë. Ndërkaq, gjatë viteve tetëdhjetë, LPRK ngriti tetë radio lokale në mërgatë.

Në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës gjatë kësaj periudhe, shtypi klandestin dhe botimet e veçanta u bënë mjet i pazëvendësueshëm për përhapjen e ideve të lirisë, demaskimin e politikës shtypëse e shfrytëzuese të regjimit pushtues në Kosovë dhe informimin objektiv të qytetarëve e zgjimin kombëtar shqiptar. Nëpërmjet të shtypit të saj, Lëvizja Kombëtare Shqiptare i mbronte e kultivonte vlerat e traditës luftarake shqiptare, edukonte atdhedashurinë, frymën e sakrificës, trimërinë e virtyte tjera të larta njerëzore e kombëtare.

5. Afrim Zhitia më 1984 ishte arrestuar si pjesëtar i Fronti Nacional-Çlirimtar (FNÇ), për t’u dënuar në moshë të njomë, me tetë vjet burg, nga të cilat i mbajti katër.

Pas katër viteve burgimi, ai më 1988 kthehet në Kosovë, tashmë i formuar si drejtues profesionist dhe revolucionar. Me të dalë nga burgu i gjeti shokët e tij në krye të detyrës. Fahri Fazliu që ishte shumë aktiv në këtë periudhë vuri kontakt me Afrimin, ngjashëm siç ishin lidhur për të mos u ndarë kurrë edhe heronjtë Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, më 1983. Regjimi e kishte arrestuar Afrimin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe fill pas burgut e ktheu përsëri atje, por duke pasur parasysh zhvillimet dramatike në Kosovë, ai arratiset dhe kalon në konspiracion të thellë. Afrimi në burg ishte i vetëdijshëm se pas mbarimit të dënimit, nuk do t’i kthehej jetës së qytetarit të rëndomtë dhe punës për mbijetesë, por frontit të hapur, sepse atje do t’i gjente shokët e vet në llogoret e tij.

(VIJON ...)


___________________________

Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut

MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E VITEVE TETËDHJETË DHE DY HERONJ TË SAJ, AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU (1)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9187

***

MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA KOMBËTARE E VITEVE TETËDHJETË DHE DY HERONJ TË SAJ, AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU (2)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9189


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks