SHKRIMI
e diel, 16 shkurt 2020

MEHMET HAJRIZI: FRONTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS (24)

Pashtriku, 12 dhjetor 2019:

5. FRONTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

5.1 Nevoja e bashkimit të forcave

Një nga sprovat më të rënda të Lëvizjes në fundin e viteve shtatëdhjetë, ishte koordinimi i strukturave të saj të ndara gjithandej Kosovës e në mërgatë dhe bashkimi i energjive militante. Kjo vështirësi vinte, jo nga gjoja ngjyrimet e ndryshme ideologjike të organizatave, siç mund të dëgjohet ndonjëherë, por mbi të gjitha për shkak të veprimit të tyre në konspiracion të thellë. Siç dihet, armiku jo vetëm arrinte të infiltronte brenda radhëve të Lëvizjes elementë provokatorë dhe spiunazhi, por madje edhe të krijonte organizata të tëra me emërtime pompoze, për të gjurmuar, zbuluar e kapur organizimin e vërtetë kombëtar. Mund të ndodhte gjithashtu që pas emrave të mëdhenj, shpeshherë të fshiheshin grupe të vogla, pa ndonjë organizim të mirëfilltë.


Organizata kishte vënë kontakte me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, me Partinë Komuniste, Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi, materialet interne të së cilës i kishte siguruar, me Frontin e Kuq Popullor, me Lëvizjen për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës në Ferizaj etj. Një bashkëpunim më i mirë ishte me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, bazat e të cilit i kishin vënë Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla.



Udhëheqja e OMLK, sidomos pas demonstratave, në kushte të shtetrrethimit intensifikoi përpjekjet dhe kontaktet me organizatat simotra për të shqyrtuar mundësitë e bashkimit të të gjithë potencialit të Lëvizjes.

Për Lëvizjen Kombëtare të kohës ishte bërë imperativ jo vetëm bashkimi i organizatave, por edhe ndërtimi i një fronti me bazë të gjerë shoqërore, i cili do të mblidhte gjithë elementët luftarakë e çlirimtarë të popullit të robëruar. Te “Liria” nr. 4-5 u botua artikulli programatik “Përpara drejt fitores!”, (shih shtojcë) i cili u referohej shtresave të shoqërisë kosovare, me synim të mobilizimit gjithëpopullor dhe të neutralizimit të forcave regresive e rreziqeve të luftës qytetare.

OMLK në plan teorik dhe praktik, programatik dhe organizativ po bënte përgatitjet intensive për Frontin Popullor.

5.2 Tezat e Frontit

Fronti Popullor ishte hapësira dhe forma adekuate organizative për realizimin e platformës politike për Republikën si qëllim i kohës.

Nisur nga kjo nevojë historike, Komiteti Drejtues i OMLK hartoi dokumentin “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, në të cilin thuhej: “Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ka luftuar në shekuj për lirinë, të cilën nuk e fitoi kurrë. Me gjithë gjakun e shumtë që derdhi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai nuk e fitoi të drejtën e tij të ligjshme dhe të premtuar që të vendosë vetë për fatin e tij. Këtë të drejtë, që më parë e kishin proklamuar vetë shovinistët e rinj jugosllavë, pas përfundimit të luftës, e mbytën në gjak. Me anë të forcës dhe tradhtisë, ata bënë që Kosova dhe tokat tjera shqiptare, që Fuqitë e Mëdha padrejtësisht i kishin shkëputur nga Shteti Shqiptar, të pushtohen përsëri dhe të copëtohen në mes të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Populli i robëruar shqiptar u bë objekt i një politike të egër shoviniste të shtypjes e shfrytëzimit të pamëshirshëm, të dhunës, terrorit, shkombëtarizimit e gjenocidit të paparë. Çështja kombëtare e popullit tonë mbeti një problem i pazgjidhur, një “plagë e hapur që kërkon shërim”. Popullit shqiptar në Jugosllavi, dhe sidomos atij në Maqedoni e Mal të Zi, i janë mohuar e shkelur të drejtat më elementare kombëtare... Kosova dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi janë shndërruar në koloni të vërtetë të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në burim të tyre të thjeshtë të lëndëve të para dhe krahut të lirë të punës... Lëvizja revolucionare e pranverës së këtij viti, është vazhdim i drejtpërdrejtë i luftës së pandërprerë të popullit tonë për liri, dëshmi i ngritjes së saj në një shkallë akoma më të lartë... Suksesi i demonstratave dhe grevave të këtij viti është i jashtëzakonshëm:

U arrit një politizim, mobilizim dhe bashkim i paparë i popullit tonë;

U ngrit në një shkallë akoma më të lartë fryma e tij luftarake, patriotike e klasore; U shtua edhe më shumë besimi i tij në forcat e veta të pashtershme;

Politika antipopullore e udhëheqjes shoviniste të Jugosllavisë u demaskua e u diskreditua edhe më shumë, jo vetëm në sytë e popullit tonë, por edhe në sytë e popujve jugosllavë dhe atyre botërorë. Doli në shesh, jo vetëm politika e shovinistëve serbomëdhenj për fashistizimin dhe rankoviqizimin e mëtejshëm të Jugosllavisë, por edhe plani i rrezikshëm që ata po kurdisnin në bashkëpunim me socialimperialistët sovjetikë, kundër popujve të Jugosllavisë dhe Ballkanit;

Çështja e Kosovës u popullarizua edhe më shumë në të gjithë botën. Lufta jonë e drejtë fitoi simpatinë dhe përkrahjen e të gjitha forcave përparimtare në të gjithë botën... Në këto kushte, para gjithë Lëvizjes Komuniste Patriotike e Revolucionare në Kosovë del detyrë e ngutshme bashkimi dhe organizimi më i mirë i të gjithë popullit tonë dhe luftës së tij të drejtë. Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës mendon se në kushtet e tanishme kjo mund të arrihet më së miri duke organizuar Frontin Popullor për Republikën e Kosovës. Qëllimi i Frontit për Republikën është që krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e Republikës brenda Federatës jugosllave. Kërkesa për Republikën e Kosovës është e drejtë dhe përkrahet nga i gjithë populli shqiptar. Populli i Kosovës kurrë nuk ka vendosur për fatin e vet. Tokat e tij janë pushtuar me forcë dhe i janë aneksuar Serbisë. Në mbledhjen e AVNOJ-it nuk kishte asnjë delegat shqiptar. Populli shqiptar jeton në tokën e vet, ku ka jetuar brez pas brezi. Populli shqiptar në Kosovë i ka të gjitha karakteristikat që përbëjnë një popull dhe një komb. Ai nuk është ‘pakicë kombëtare’, nuk është ‘kombësi’ (narodnost), siç e kanë cilësuar shovinistët jugosllavë. Ai përbën mbi 80 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Për nga numri i banorëve, krahina e Kosovës është rreth tri herë më e madhe se Mali i Zi që është Republikë.

Republika e Kosovës do të mundësojë zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës si dhe afirmimin e mëtejshëm kombëtar të të gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi. Republika e Kosovës do të jetë fitore e madhe edhe për popullin shqiptar në Maqedoni, në Serbinë e ‘ngushtë’ e Mal të Zi, prandaj edhe përkrahet prej tij. Republika e Kosovës nuk u sjell asnjë të keqe popujve jugosllavë dhe Federatës së tyre; përkundrazi ajo është edhe në interes të tyre dhe e forcon Federatën jugosllave. Kërkesa për Republikën e Kosovës është një e drejtë që buron edhe nga Kushtetuta e Jugosllavisë, një e drejtë, që e gëzojnë popujt e tjerë të Jugosllavisë. Dënimet që u jepen përkrahësve të kërkesës për Republikë janë të paligjshme. Kërkesa për Republikën e Kosovës nuk është kërkesë për ndryshimin e kufijve në Jugosllavi e Ballkan. Ajo nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara e vendimet e Helsinkit dhe nuk sjellë kurrfarë rreziku për paqen në Ballkan.

Për t’ia arritur këtij qëllimi, Fronti duhet të bashkojë në luftën për Republikë të gjitha masat popullore, punëtorët, fshatarët, zejtarët, rininë, gratë, inteligjencën revolucionare e elementë përparimtarë nga radhët e ndryshme të borgjezisë, të gjithë komunistët, patriotët dhe revolucionarët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet politike, dallimet klasore, fetare a krahinore.

Fronti Popullor për Republikën duhet të jetë, jo një koalicion i paqëndrueshëm i krerëve të forcave të ndryshme politike, por një bashkim luftarak i pathyeshëm i të gjitha masave tona popullore; jo marrëveshje me fjalë dhe në letër, por një bashkim në luftë e sipër; jo qëllim në vete, por një levë e rëndësishme për edukimin, mobilizimin dhe organizimin e masave popullore në luftë për të drejta dhe liri... Në Frontin e Republikës do të bëjnë pjesë të gjitha organizatat dhe grupet ilegale komuniste patriotike e revolucionare, pavarësisht nëse është Republika qëllim i tyre i fundit ose jo, pavarësisht nëse janë ose jo për socializmin e vërtetë. Republika e Kosovës është në interes të të gjithë popullit të Kosovës, në interes të sotmes dhe të së ardhmes së tij, prandaj në Front duhet të bëjnë pjesë të gjithë ata që janë për lirinë e Kosovës, për Republikën e saj.

Në Frontin për Republikën mund të bëjnë pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës, në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, në viset e tjera të Jugosllavisë apo kudo tjetër në botë. Fronti do të luftojë për lirinë dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi.

Republika e Kosovës është në interes edhe të popujve joshqiptarë të Kosovës, prandaj edhe ata duhet ta përkrahin kërkesën për Republikë dhe të përfshihen në radhët e Frontit. Fronti Popullor për Republikën e Kosovës nuk do të ketë asgjë të përbashkët, por do të jetë kundër LKJ-së dhe organizatave tradhtare të masave, si LSPP, LRS, LS, KKASHG etj., që janë vegla të shovinizmit serbomadh. Fronti do të luftojë për demaskimin dhe izolimin e udhëheqjeve të tyre tradhtare dhe për tërheqjen në anën e tij të masave të mashtruara e të manipuluara prej tyre. Në Frontin për Republikën nuk mund të bëjnë pjesë gjithashtu as grupet e organizatat fashiste e terroriste dhe agjenturat e ndryshme, që organizon reaksioni i jashtëm apo i brendshëm.

Krahas luftës për Republikën, Fronti do të punojë edhe për organizimin e luftës në çdo ndërmarrje, fshat, shkollë e fakultet, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, politike, ekonomike e shoqërore të klasës punëtore, fshatarësisë, rinisë, gruas, inteligjencës etj., për organizimin e rezistencës kundër plaçkitjes së pasurive të Kosovës, të luftës për mbrojtjen e kulturës materiale e shpirtërore të popullit tonë.

Për realizimin e qëllimeve të tij, Fronti do të përdorë të gjitha format e luftës dhe organizimit, do t’i kombinojë e zëvendësojë ato në përputhje më kërkesat e situatës dhe strategjisë së tij.

Në veprimtarinë e tij, Fronti do t’i japë përparësi organizimit dhe luftës ilegale, por krahas kësaj ai do t’i shfrytëzojë gjerësisht edhe të gjitha format e mundshme legale.

Fronti është kundër reformizmit dhe legalizimit borgjez dhe nga ana tjetër, lufton kundër pikëpamjeve dhe metodave anarkiste e terroriste të luftës, të cilat e dëmtojnë rëndë dhe e komprometojnë luftën tonë të drejtë.

Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për armiqësimin e popullit shqiptar në Jugosllavi me Shqipërinë socialiste...

Fronti do të përpiqet për zhvillimin e marrëdhënieve sa më të ngushta e të gjithanshme midis popullit shqiptar në Jugosllavi dhe atij në Shqipëri.

Fronti Popullor për Republikën e Kosovës do të luftojë gjithashtu edhe kundër përpjekjeve të shovinistëve serbomëdhenj për ta armiqësuar popullin shqiptar me popujt jugosllavë në Kosovë dhe në Jugosllavi. Fronti nuk i ngatërron popujt jugosllavë me krerët e tyre shovinistë. Luftën e tij ai jo vetëm që nuk e drejton kundër proletariatit dhe popujve jugosllavë, por përkundrazi, ai i konsideron ata si aleatë të tij në luftën për të drejta dhe liri.

Këto janë tezat kryesore që OMLK i propozon si bazë për organizimin e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Gjatë diskutimit ato me siguri që do të plotësohen, përsosen e kristalizohen më tej dhe mbi këtë bazë do të përcaktohet vija politike, ideologjike e organizative e Frontit.

OMLK u bën thirrje të gjithë komunistëve, patriotëve e revolucionarëve të organizuar e të paorganizuar që t’i përgjigjen ashtu si duhet thirrjes së Atdheut për bashkim në frontin e përbashkët të luftës për të drejtat dhe lirinë tonë, për Republikën tonë.

Forca jonë qëndron në unitetin tonë. Sa herë që populli ynë ka bashkuar armët dhe zemrat në një front të vetëm, ai ka arritur të mposhtë dhe të mbulojë me turp armiqtë shumë më të mëdhenj e më të armatosur. Këtë e dëshmojnë luftërat legjendare të Skënderbeut, e dëshmon lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e dëshmon epopeja e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e dëshmojnë edhe grevat e demonstratat tona heroike.

Në luftë për të drejtat tona ne, gjatë kësaj pranvere, pavarësisht se cilës organizatë i takonim, u lidhëm sup më sup dhe si shokë dhe vëllezër të vërtetë luftuam, u përleshëm e u gjakosëm me armiqtë dhe tradhtarët e urryer të popullit tonë. Tani para nesh shtrohet detyra që këtë bashkim të paparë që e arritëm në luftën tonë, ta ruajmë e forcojmë më tej, ta bëjmë të organizuar, të qëndrueshëm, të pathyeshëm, të përjetshëm. Bashkimi bën fuqinë. Bashkimi është imperativ i kohës. Të bashkuar e të lidhur si vëllai me vëllanë, ne jemi më të fuqishëm se të gjithë armiqtë tanë, të bashkuar ne jemi të pamposhtur. Vetëm të bashkuar si grusht i vetëm në Frontin Popullor për Republikën, ne do të arrijmë fitoren tonë, lirinë tonë” .

5.3 Roli i mërgatës

Tradita patriotike e mërgatës shqiptare, si në shoqëritë e Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Selanikut etj., po vazhdonte edhe në kohën e re.

Mërgata e vjetër shqiptare në Evropën Perëndimore, të cilën e përbënin kryesisht të ikurit nga Shqipëria pas LDB, politikisht ishte e organizuar më shumë në organizata tashmë të lodhura e pa ndonjë ndikim që kishin vepruar edhe më parë në atdhe, si “Lëvizja e Legalitetit”, “Balli Kombëtar”, “Partia Agrare”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit” etj. Nga radhët e organizatës me orientim të djathtë, Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, që vepronte jashtë nën drejtimin e Emin Fazlisë, më 1981 u vra në Bruksel nënkryetari Vehbi Ibrahimi dhe u plagos në Frankfurt Rasim Zeneli.

Mërgatën e re, të filluar në vitet ’60 të shekullit të kaluar, e përbënin më shumë shqiptarët nga Kosova dhe nga viset tjera shqiptare në Jugosllavi, fluksi i të cilëve sa vinte e rritej, për të arritur shifrën në rreth 200.000 veta në vitin 1981. Kosovarët mërgimtarë që fillimisht qëndronin larg organizimeve politike, në vitet ’70 nisën të aderonin në organizatat çlirimtare, të formuara në atdhe ose edhe të formonin grupime të reja, siç ishte dega e OMLK-së, e udhëhequr fillimisht nga Hasan Malaj dhe Kadri Abdullahu, Fronti i Kuq i Ibrahim Kelmendit, i cili botonte organin “Bashkimi” (tre numra), Grupi komunist “Zëri i Kosovës”, i Riza Salihut, Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën më vonë në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla.

Mërgata shqiptare, si gjithmonë gjatë historisë, ishte e gatshme t’i kontribuonte Lëvizjes Kombëtare në të gjitha drejtimet, por kësaj radhe ajo ishte e paorganizuar mirë, e survejuar nga regjimi dhe për më tepër nën një presion të vazhdueshëm të tij për ta tërhequr në sferën e interesit të vet. Sikur edhe brenda, jashtë atdheut organizatat patriotike shqiptare ishin të ndara, pa ndonjë lidhje organizative mes vete, madje shpeshherë me shpinë të kthyer njëra-tjetrës.

Kadri Zeka, me të arritur në Zvicër më 1978, mblodhi veprimtarët më të përparuar e më të sigurt dhe i hyri ndërtimit të një strukture të re organizative e të qëndrueshme, që po rritej nga dita në ditë.

Në mërgim Kadriu njihet me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendin për t’i hyrë bashkimit dhe organizimit të mirëfilltë të mërgatës. Pas goditjeve të rënda që pësoi Lëvizja më 1981, ata vazhduan intensivisht procesin e bashkimit të të gjithë potencialit organizativ e veprues patriotik jashtë dhe brenda Kosovës. Gjithë kjo punë kolosale po bëhej nën kredon e formuluar nga Kadri Zeka: “Kosovës i duhet një zë i vetëm i fortë e kumbues dhe jo disa zëra të mekur”. Kjo thirrje emblematike, nga goja e tij do të jehojë viteve në vijim të shtigjeve të lirisë së Kosovës. Xhafer Durmishi, veprimtar i njohur i LNÇKVSHJ, duke trajtuar përpjekjet e bashkimit më 1981 ka shkruar: “Në shtator erdhën Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës te Jusufi. Jusufi (Gërvalla) ishte parimisht 100% me tezat që shtroheshin. Ai i shtypi (radhiti) në makinën e tij të shkrimit, i shumëzoi, i dërgoi një numër ekzemplarësh Kadri Zekës në Zvicër dhe vetë i shpërndau në krejt rrethin e Shtutgartit. Bashkimi shikohej si një çështje e ditës, bisedat dukej se do të ishin vetëm formalitet me një procedurë shumë të shkurtër. Jusufi kurrë nuk do të përshkruante (radhiste) ato teza e t’i shpërndante sikur të mos pajtohej pikë për pikë me pikëpamjet e tyre”.

Në tetor të vitit 1981 në një takim të mbajtur në Stamboll midis Kadri Zekës, si përfaqësues i OMLK-së e i Tezave të Frontit, dhe të Sabri Novosellës e Bardhosh Gërvallës, si përfaqësues të LNÇKVSHJ-së kishte dështuar bashkimi i organizatave, për shkak të dallimeve konceptuale, por edhe për arsye të tjera triviale. Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka mbeten një shembull i shkëlqyer dhe monumental në historinë e përpjekjeve të figurave të shquara të kombit tonë për bashkimin e mendjes e të forcës në luftë për liri dhe përparim.

Kontributi i tyre për ngritjen e radhëve të organizuara, propagandimin e ideve të lirisë dhe sqarimin e popullit për gjendjen e tij, si dhe për ndërtimin e vizionit për të ardhmen, i bënë ata personalitete të shquara të kombit. Bedri Islami, njëri ndër drejtuesit e LPK-së, ka shkruar : “Mund të thuhet pa pasur asnjë lloj frike se mos gabojmë se, me shfaqjen e figurave të tilla politike shumëdimensionale, si Jusufi, Kadriu dhe Bardhi, e rreth tyre edhe shumë militantë të çështjes kombëtare, diaspora shqiptare mori vlerat e saj, që nuk i kishte deri atëherë, filloi shndërrimi i saj, nga një masë e çfarëdoshme, e uritur për të pasur më shumë marka apo më shumë ujë, në një forcë lëvizëse të historisë së re të Kosovës, në një përmasë të uritur për lirinë e Kosovës. Nëse nuk do të ishin fillesat e vitit 1980 dhe puna e Kadriut, Jusufit dhe Bardhit, si dhe e organizatës së krijuar prej tyre më 17 janar 1982, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, nuk do të kishim pasur një diasporë si ajo që u shfaq madhërishëm në luftën e Kosovës”.

VIJON …

(Fusnotat janë hequr)

__________________

MEHMET HAJRIZI: TEZAT DHE ANTITEZAT PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (23)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9344


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks