SHKRIMI
e mërkurë, 26 nëntor 2014

ELIFE LUZHA: PIKPAMJET E FILOZOFËVE RRETH LIGJIT SI THEMEL I ORGANIZIMIT SHOQËROR (III)

Njeriu nuk jeton i vetmuar. Ai jeton në një shoqëri i rrethuar nga njerëz të tjerë të ngjashëm me të. Ky fakt quhet kushtëzim natyror i njeriut (Guchet, 2001: 65). E dimë, thotë Hobs se në rregullat e luftës dominojnë dy virtyte kryesore siç është forca dhe dinakëria, atëherë atë që e përvetëson dikush (me forcë apo dinakëri) i takon atij dikush për aq kohë sa është në gjendje ta mbrojë. Ja pra ku e çon njeriun “kushtëzimi i tij natyrorë”, shprehet ai!

MENDIMTARËT MODERNË MBËSHTESIN SHTETIN E SË DREJTËS

Thuhet se formula moderne e shtetit të së drejtës është shpikur nga Zhan Bodini. Ai thoshte se, sovrani nuk është sovraniteti. Qeveria e shtetit caktohet nga sovrani me vullnetin e tij dhe me një kohë të caktuar. Nga këtu del se bërthama e këtij mandati është ligji, sepse ligji është vepra e vullnetit të sovranit (Mere, 2007:89). Pra ligji si vepër e vullnetit njerëzor të sovranit dhe jo e vullnetit hyjnor, apo pjellë e natyrës, karakterizon konceptin e modernëve për ligjin. Lidhja e ligjit me vullnetin e sovranit me një fjalë përmbys konceptet antike dhe mesjetare për të drejtën. (Mere, 2007:90). Shteti i së drejtës nënkupton qeverisjen e gjërave të veçanta sipas normës të së drejtës thotë Bodini, duke shtuar se shteti i së drejtës varet nga përpjekja për të pajtuar vullnetin e qeverisësve me normat juridike të sovranit. (Mere 2007:92). Kurse ajo që e dallon një shoqëri kusarësh apo piratësh nga shteti është që të parët mblidhen për të bërë krime e të dytët bashkohen për hir të “drejtësisë”, do të shprehet Hugo Grotius në Traktatin “për të drejtën e luftës dhe të paqes”. Aty H.Grotius si jurist që ishte nuk bënë përpjekje për të moralizuar të drejtën, por për të përshtatur juridikisht rregullat morale. Detyrimi moral sipas tij na mëson (detyron) të mos lakmojmë të mirën e tjetrit, të respektojmë ujdinë (marrëveshjen) dhe fjalën e dhënë e rregullat e saj imponojnë atë që duhet të jetë. (Mere, 2007:100).

Shoqëria evropiane e shek. XVII, ishte e pushtuar kryesisht nga dy përvoja historike. Nga njëra anë bëhej fjalë për tmerrin e luftërave fetare, dhe nga ana tjetër ishin zhvillimet shumë të mëdha të arritura nga shkencat natyrore. Këto dy përvoja i bashkoi në veprën e tij Hobsi (Jakoby, 2006:112). Thomas Hobbes shtetin e quante “Laviatan”. Laviatan ishte libri i parë në filozofinë politike dhe shoqërore (Samuel Enoch Stumpf:217). Është njëra prej biblave të Anglisë, thesar i urtësisë morale e politike, kryevepër më e madhe e filozofisë politike që është shkruar ndonjëherë në anglisht (Guchet, 2001: 64).



Thomas Hobbes


________________________


Hobsi i lindur më 1588 është një prej atyre intelektualëve të mëdhenj që lindin dy apo tri here në shekull. (Guchet, 2001: 62). Nëna e tij ishte një grua shumë e ndjeshme andaj dhe Hobsi gjatë tërë jetës së tij u quajt si njeri i pamposhtur, por që “trembej si fëmijë”! Ai jetoi në një periudhë të historisë angleze që nuk ishte aspak e volitshme për një njeri të prirë pas qetësisë e paqes. Nëpër universitete diskutohej për monarkinë, interpretimin e biblës dhe për të drejtat e ndërgjegjes individuale, të cilat sipas Hobsit dobësonin Anglinë, duke përgatitur edhe luftë civile. Për shkak të shkrimi të tij politik (De corporo politico) Hobsi u detyrua të emigrojë në Paris. Gjatë kësaj kohe pati diskutime të ashpra me Rene Dekartin të cilit i dha mësime matematike. Aksi i Hobsit nuk kalonte kah Platoni e Aristoteli por nga Demokriti e Epikuri si dhe sofistët grekë. (Guchet, 2001: 63). Përderisa për mendimin antik njerëzit duhet të jetonin sipas natyrës, Hobsi shoqërinë politike nuk e mendon si gjendje të natyrës, por si rezultat i një marrëveshjeje (Mere, 2007:106). Mendimin e Aristotelit se: “shoqëria politike është një fakt natyror”, Hobsi e quan budallallëk. Sipas tij njeriu kërkon shoqëri vetëm kur ia do interesi, vetëm kur ia do nevoja. Kurse shoqëria politike është fryt artificial i një marrëveshjeje vullnetare, e një llogaritje interesash. (Guchet, 2001: 67).

Njeriu nuk jeton i vetmuar. Ai jeton në një shoqëri i rrethuar nga njerëz të tjerë të ngjashëm me të. Ky fakt quhet kushtëzim natyror i njeriut (Guchet, 2001: 65). E dimë, thotë Hobs se në rregullat e luftës dominojnë dy virtyte kryesore siç është forca dhe dinakëria, atëherë atë që e përvetëson dikush (me forcë apo dinakëri) i takon atij dikush për aq kohë sa është në gjendje ta mbrojë. Ja pra ku e çon njeriun “kushtëzimi i tij natyrorë”, shprehet ai! E për ta shpëtuar njeriun nga kushtëzimet natyrore, duhet krijuar një fuqi të papërballueshme e dukshme dhe e prekshme. Ajo është shteti apo dukuria publike. Është “Njeriu” artificial që do ta bënin njerëzit natyror dhe që do të merren vesh përmes një pakti (Guchet, 2001: 67). Njerëzit lidhin një kontratë “me njëri tjetrin” që të drejtën natyrore dhe absolute t’ia kalojnë një të treti. Pra është fjala për grupim me marrëveshje rreth një personi të përbashkët për të gjithë. Kështu shumica e bashkuar te një person i vetëm sipas Hobsit quhet Shtet. (Mere, 2007. 107). Dhe ata tash quajnë të drejtë apo të padrejtë vetëm atë që e urdhëron sovrani. As që mund të parafytyrohet ndryshe. Vallë a nuk e kishin pranuar vullnetarisht që ky të ishte përfaqësuesi i tyre?! Sigurisht që ky pushtet i pakufizuar ka edhe gjëra të pavolitshme, por mos vallë njeriu në këtë jetë e ka rrugën e shtruar me lule, pyeste gjeniu Hobs (Guchet, 2001: 71).

Për Hobsin njeriu është qenie me dëshira, me një fjalë ai është dëshira vetë. Të krijosh epërsi mbi tjetrin, pra të kesh pushtet mbi të është dëshirë themelore e çdo qenieje. Vetëm vdekja është ajo që i jep fund këtij pasioni. Gjendja natyrore e njeriut, sipas Hobsit është dënimi për të lakmuar gjënë e tjetrit. Njeriu dëshiron që të ketë sa më shumë për veten, pa marr aspak parasysh të afërmit e tij (Jacoby: 2006:113). Njerëzit do ta kalonin kohën duke e shqyer njëri-tjetrin sikur të mos ishin të pajisur nga arsyeja (Jacoby, 2006: 114). Andaj vetëm ligji i përbashkët përcakton normën e përgjithshme të barazisë. E ligji fillon vetëm atëherë kur ka një sovran, pasi si në kuptimin juridik ose ligjor, një ligj është përcaktuar si komandë e sovranit. Që në primitivizëm njerëzit i njihnin ligjet natyrore dhe në një lloj mënyre edhe i zbatonin. Por vetëm pas vendosjes së sovranit mund të ekzistojë një rregull ligjor, sepse vetëm atëherë krijohet aparati ligjor. Thelbi i drejtësisë sipas Hobsit ishte të zbatosh marrëveshjen të cilën e ke bërë për t’iu bindur sovranit .” (Samuel Enoch Stumpf:226). Nuk mund të flitet për gabime dhe as për ndalesa, pa një ligj pozitiv të pranuar nga të gjithë, që u imponohet të gjithëve, dhe vendos se çka duhet të bëjmë e çka nuk duhet të bëjmë. (Mere, 2007:105). Asgjë nuk mund të quhet e padrejtë nëse nuk i referohemi ligjit. (Midgaard, 2007:91). E drejta sipas Hobsit nuk ka dhe nuk mund të ketë veçse një burim: Shtetin. Sovrani ka të drejtën absolute të qeverisë, dhe gjithmonë shtetasit i nënshtrohen atij. (Samuel Enoch Stumpf:225).

Gjithsesi Hobsi ishte për një shtet ligjor, ku do të mbretërojë ligji. Ai thotë se sovrani mund të heqë ligjet, me të cilat nuk është i kënaqur. Kurse ligji më i mirë është ai që është për të mirën e shoqërisë dhe para së gjithash që kuptohet lehtë. (Midgaard,2007:92). Ligjet nuk janë bërë për të penguar ekzistencën e njerëzve, por për t’i udhëhequr ata. Ato i ngjajnë “atyre gjerdheve, që nuk bëhen për t’i ndaluar udhëtarët, por për t’i mbajtur në udhën e duhur”. E sovrani duhet t’u garantojë shtetasve të vet barazi ndaj ligjit e taksave publike. Duhet t’u garantojë shtetasve mirëqenie materiale, të luftojë papunësinë, të ndihmojë ata që janë të paaftë për të punuar, duke mos i lënë “në dorën e mëshirës private”, shprehej Hobs (Guchet, 2001:73). Sovrani, thotë ai, ka edhe një detyrë tjetër: Ai duhet të jetë përherë i suksesshëm. Nëse nuk mund t’u sigurojë shtetasve të vet sigurinë e duhur, gjë që është qëllimi i tij i vetëm, atëherë këta shtetas nuk do të kishin më asnjë detyrim ndaj tij. Ky është i vetmi përjashtim që mund të bëhet në kalimin e të drejtës natyrore te secili. Askush nuk do të mund t’u mohonte këtyre shtresave të drejtën natyrore absolute për të mbrojtur vetveten. Shtetin e mbron pohimi i prerë dhe ushtrimi i plotë i të gjitha tagrave nga ana e sovranit. Nëse ky do të hiqte dorë sadopak prej tyre, kjo do të ishte vdekjeprurëse (Guchet, 2001:74).

Nuk duhet harruar se shtetin të cilin e ndërton autori ynë është i krishterë. E për këtë ai thotë: “nëse njerëzit do të ndodheshin në gjendjen natyrore, atëherë duhet pranuar se çdo i krishterë do të kishte të drejtë ta interpretonte shkrimin e shenjtë sipas mendjes së vet. Por nuk ka një kishë më vete e një shtet më vete. Një qeverisje shpirtërore a një qeverisje lëndore:” (Guchet, 2001:76). Asnjë autoritet i pretenduar shpirtëror nuk është krijuar për të shemëruar me pushtetin Sovran. Askush nuk ka përse t’u shërbejë dy zotërave (Guchet, 2001.77). Me një fjalë Hobsi as që interesohet për të vërtetat e mirëfillta fetare. Asnjë “mistikë”!!!. Shtetin diskutimet politiko-fetare mund ta degdisin në varr (Guchet, 2001:78). E paqja sigurohet vetëm duke ju nënshtruar autoritetit sovran shpjegon gjeniu Hobs. Ai nuk u kërkon shtetasve të vet që të besojnë, por që të binden.

LIGJI DUHET TË JETË SI VDEKJA, ASKUSH S'MUND T’I SHMANGET ATIJ (Monteskjë)

Monteskjë më 1748 në Gjenevë botoi librin “Fryma e Ligjeve”, hartimi i së cilës kishte zgjatur 20 vjet. E kam shkruar këtë vepër për të provuar se ligjvënësi duhet të karakterizohet nga fryma të moderimit, sepse e mira e politikës dhe ajo morale ndodhen gjithmonë brenda dy caqeve, - thoshte ai (Guchet, 2001: 122). Ky nuk është thjeshtë një libër, por një jetë, pohon Faguet (Guchet, 2001: 119).



Monteskje

________________

Kurse disa të tjerë vlerësuan se: “Kjo vepër qysh prej krijimit të diellit është e vetmja që mund ta ndriçojë botën më mirë” (Guchet, 2001.160). Ndryshe nga filozofët tjerë, Monteskjë mendonte edhe për mundësinë e ndikimit të shkaqeve fizike që mund të kenë mbi ligjet. Ligjet i përshkruan si një “lidhje të nevojshme të ardhura nga natyra e gjërave”. Ai thotë: “Me sa duket ligjet lidhen me fizikën e vendit, me klimën e ftohtë, të nxehtë apo të butë, me cilësitë e terrenit, me shtrirjen e madhësinë e tij”. Më vonë merret edhe me nocionin psikologjik e kolektiv të çdo kombi, i cili ashtu si edhe klima ndihmon të krijohen mënyra qeverisjeje (Guchet, 2001: 121) Përcaktimin që Monteskjë i bënë ligjeve “Si raporte të nevojshme që rrjedhin nga natyra e gjërave” na bën të nënkuptojmë divorcin e plotë nga konceptet teologjike-politike tradicionale të ligjit. Edhe para se të bëheshin ligjet ka pasur raporte drejtësie, thotë Monteskjë. Duhet ditur edhe gjendjen në të cilën ndodhej njeriu para se të krijohej shoqëria: në një gjendje të tillë ai varej nga ligjet e natyrës. Të thuash se e drejta fillon vetëm me atë që urdhërojnë apo ndalojnë ligjet është sikur të thuash përpara se të bëje një rreth të gjitha rrezet nuk ishin të barabarta (Guchet, 2001: 123).

Njeriu si qenie fizike, thotë Monteskjë, i thyen pa reshtur ligjet e Zotit dhe ndryshon ligjet e veta. Duhet pasur kujdes thotë ai që “ligjvënësit” të mos ndryshojnë frymën e përgjithshme të një kombi” (Guchet, 2001:155). Ajo që është vendosur nëpërmjet ligjeve duhet reformuar po me anën e ligjeve, kurse zakonet dhe sjelljet e vjetra mund të ndryshohen vetëm me zakone dhe sjellje të reja. (Guchet, 2001:157). Monteskjë dallon dy tip ligjesh: Ligjet civile, që nënkuptojnë ligjet që lidhen me krijimin e shtetit dhe ligjet politike, që nënkuptojnë ligjet që lidhen me ruajtjen e shtetit. Monteskjë si teoricien i shtetit historik, dallimin konceptual të ligjit civil dhe ligjit politik e sheh si të pandashëm në shtetin historik kur ai është i themeluar (Mere, 2007:131). Analiza e shtetit nënkupton bashkëjetesën institucionale të ligjeve civile dhe politike. (Mere, 2007:132). Fuqia e shtetit është një edhe pse me tre pushtete të ndara, gjyqësori, legjislativi dhe ekzekutivi. Koncepti i fuqisë së shtetit mund të perceptohet vetëm nëse vendosim ligjin (pra lidhjen) që rregullon raportin e pushteteve midis tyre (Mere, 2007:34). E shteti është i konsoliduar vetëm atëherë ku bashkëveprojnë tre pushtetet (Mere, 2007:41). Ligjet varen nga natyra e qeverisjes madje edhe nga parimi i qeverisjes. Kur flasim për parimet e qeverisjes, atëherë rrjedh përfundimi se korrupsioni i qeverive pothuajse gjithmonë fillon nga korrupsioni i parimeve: kur parimet qeverisëse korruptohen, atëherë edhe ligjet më të mira bëhen të këqij dhe kthehen kundër shtetit. Kur parimet janë të shëndosha, edhe ligjet e këqija “kanë efektin e ligjeve të mira”, sepse forca e parimit “tërheq rreth vetes gjithçka”. (Guchet, 2001: 125).

Ashtu sikurse edhe Aristoteli, Monteskjë virtytin e vlerëson si parimin bazë të demokracisë. Ai thotë: “si për shtetin dhe interesin e përgjithshëm duhet të sakrifikohet çdo gjë, të gjitha orekset tua”! Në demokraci udhëheq shumica. Nëse demokracia funksionon keq dhe ligjet e saja nuk zbatohen më, atëherë do të thotë se shumica është e korruptuar. Kjo është një e keqe e pariparueshme që do të thotë se “Shtetin e ka marrë lumi”. (Guchet, 2001.127). Në këso rastesh “Republika katandiset në një kufomë dhe forca e saj qëndron vetëm te pushteti i disa qytetarëve, ndërsa gjithë të tjerët, tanimë janë shthurur”. Virtytet, thotë Monteskjë, nuk guxojnë të shuhen. Prandaj dhe në qeverisjen demokratike më tepër se kudo, ndihet nevoja e arsimimit, sepse vetëm nëpërmjet arsimimit mund të ngulitet në mendjen e të miturve vetëmohimi, dashuria për ligjet dhe atdheun, dhe mund të arrihet që interesi publik të vihet përmbi interesin vetjak. (Guchet, 2001.128).

Liria politike nuk është aspak se mund të bësh ç’të duash, thotë Monteskjë. Liria nuk është pushtet i popullit, por pushtet i ligjeve, thotë ai. Ligji e saktëson lirinë politike. Kur janë në fuqi ligjet atëherë edhe populli është i lirë. Liria politike e një qytetari është ajo qetësi shpirtërore që rrjedh prej mendimit se ai ndihet i sigurt, e për të pasur këtë liri duhet pasur një qeverisje të “tillë ku asnjë qytetar të mos ketë frikë prej një qytetari tjetër”. Por jo të gjitha qeverisjet e moderuara e sigurojnë këtë liri (Guchet, 2001.139). Nuk mund të bëhet fjalë për liri nëse pushteti gjyqësor nuk është i ndarë prej pushtetit ligjvënës dhe prej pushtetit ekzekutiv, thotë i madhi Monteskjë.

VIJON...

- Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY - Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë - Prishtinë.


kthehu

FOTOLAJM

TRUPA E MASKAVE TEATRALE TË KOSOVËS, TË CILËT AKTROJNË MË SKENAR E REGJI TË DJALLIT! (sh.b)

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks