SHKRIMI
e diel, 24 shtator 2017

DR. SABRI KIҪMARI: CILAT JANË TRI DIMENSIONET E POLITIKËS

Pashtriku.org, 15 maj 2017: 1. Ç´është politika/

Kur flitet për politikën, në komunikimin e përditshëm, asaj i jepen kuptime të ndryshme. Në disa raste politika si nocion lidhet me praktikën politike, në të tjera raste me institucionet përfaqësuese dhe shpesh si mekanizëm interaktiv në mes të aktorëve të ndryshëm dhe shumë rrallë nocioni politikë i përkujton qytetarit të rëndomtë politikën si shkencë. Politika si shkencë dhe politika si praktikë kanë një lidhje organike me njëra tjetrën. Praktika politike nuk ka të bëjë me të kundërtën e teorisë politike. Ajo drejtohet në fushën e ideve nga kjo e dyta. Edhe në Kosovë po të pyeten qytetarët e rëndomtë se ç´është politika pyetësi do të merrte një larmi të madhe përgjigjiesh, të cilat, përgjithësisht, do të përfaqësonin botëkuptimet e qytetarëve, përkatësinë partiake, nivelin intelektual, vetëdijen politike, prejardhjen familjare dhe pozicionin në strukturat shoqërore.

• Për disa politika do të identifikohej me sakrificën për të mirën e përgjithshme, patriotizmin, guximin deri në rënjen sublime (ish të burgosurit politikë);

• për të tjerët politika ka të bëjë me veprimin institucional, pragmatizmin, lojalitetin ndaj sistemit për të mirën e përgjithshme (ish funksionarët e LKJ dhe përkrahësit e tyre);

• një grup i tretë politikën do ta nënkuptonte si veprim paralel institucional, rezistencë paqësore, demokraci, pluralizëm (aktivistët e LDK);

• kurse një grup i katërt me politikë do të emërtonte heroizmin, luftën për liri, lavdinë (ish ushtarët e UÇK).

Do të ishte i rrallë ndonjë qytetar që në përgjigjien e tij do të mundohej të zbërthente më në detale përmbajtjen e nocionit politik. Natyrisht që do të kishte edhe të tillë persona që, të dëshpruar në momente të caktuara kohore nga politika, për të do të përdornin shprehjen „rrenë“, „dredhi“, „mashtrim“, „dallavere“, ashtu siç do të ketë edhe të tillë që do të shprehnin rrezikshmërinë e veprimit politik: „politikanët shpesh vriten, burgosen, rrahen, ndiqen me, ose pa, të drejtë, si pasojë e veprimit politik“. Ndonjëri nga të pyeturit sigurisht do të përmendte shembuj të rënjes dhe ngritjes së politikave dhe politikanëve: „sot je dikushi, nesër s´je kurkushi“ etj.

• Por ç´është politika në të vërtetë?

• Cilat janë dimensionet e veprimit të saj?

• Si duhet kuptuar politikën si teori dhe politikën si praktikë?

Ky punim synon t´u jap një përgjigjie këtyre pyetjeve konform zhvillimeve të sotme në lëminë e teorisë, shkencës, filozofisë dhe etikës politike.

2. Politika si praktikë

Grekët e vjetër që nga Platoni dhe Aristoteli dallonin tri forma të marrëdhënjeve të njeriut me botën:

1. teorinë,

2. praktikën dhe

3. poezinë.

Me praktikë ata nënkuptonin jetën e njeriut si qenje individuale dhe shoqërore. Synim i shoqërisë ishte bashkëjetesa e njerëzve në shtëpi dhe polis (shtet). Max Weberi, një nga klasikët e shkencës politike, e definon politikën si “përpjekje drejt pjesëmarrjes në pushtet ose drejt ndikimit në shpërndarjen e pushtetit, qoftë në mes të shteteve, qoftë brenda një shteti në mes të grupeve njerëzore, që e përbëjnë atë.” Hannah Arendt kishte një admirim të veçantë në aftësinë e njeriut për veprim praktik. Pikërisht në këtë dimesion të veprimit shoqëror e shihte ajo dështimin e totalitarizmit. Sipas saj praktikë do të thotë, jo se ne duhet të jemi të përcaktuar nga raportet e jashtme, por nga liria e brendshme. Pasuesit e teorisë së Max Weberit e definojnë sot politikën si „zhvillim dhe formim të bashkësisë përmes mjetit të tillë, i cili është i veqantë për bashkësinë: pushtetit.“ 2 Kurse njëri nga studiuesit gjerman të shkencës politike Ulrich von Alemann e definon politikën si „konflikt interesash nën parakushtet e shfrytëzimit të pushtetit dhe nevojës së kencenzusit. Sipas kësaj mund të përfundohet se shkenca politike është ajo shkencë sociale, e cila merret shkencërisht me studimin e një politike të tillë, bazuar në dimensionet e formës politike (polity), përmbajtjes politike (policy) dhe proceseve politike (politics).“ 3

3. Dimensionet e politikës

Meqenëse gjuhës shqipe, njësoj si edhe asaj gjermane, i mungon veçimi i saktë emërtues i përmbajtjes së tri dimensioneve themelore të politikës do të përdoren këtu shprehjet e gjuhës angleze: politics, polity dhe policy. Këto tri dimensione përmbledhin në të vërtetë konceptimet e përgjithshme në shkencën politike bashkëkohore mbi politikën. Ato paraqesin trekëndëshin teorik të shkencës politike bashkëkohore. Ato janë instrument analitik, përmes të cilit politika ndahet në dimensionin e:

1. procesit politik (politics),

2. të veprimit publik (policy) dhe

3. të sistemit politiko-institucional (polity).

Këto tri dimensione përcaktojnë, në të vërtetë tri çështje bazë të etikës politike bashkëkohore:

- a është i përcaktuar dhe kordinuar veprimi i aktorëve politik;

- a janë zgjedhur mjetet e arsyshme dhe të qëndrueshme (institucionet dhe ligjet);

- a janë për t´u përligjur qëllimet dhe programet e një politike të caktuar.


Dimensioni i parë i quajtur si politics ngërthen në vete këto fusha të politikës: veprimin politik, procesin politik, interesat, pushtetin, konfliktet, kompromiset etj. Pra kemi të bëjmë me fushën e ndërmarrjeve konkrete të aktorëve politik për të realizuar programet, qëllimet, synimet, strategjitë, planet e tyre. Ky dimension është një dimension procesual, i cili bazohet në ndërmjetësimin e interesave përmes dy mekanizmave themelor: konfliktit dhe koncenzusit. Objekt i këtij dimensioni të politikës janë angazhimet konkrete për zgjidhjen e një situate të dhënë problematike. Për shembull: Gjendja në qytetin e Mitrovicës ka krijuar një situatë problematike për aktorët politikë në Kosovë. Ata duhet të veprojnë politikisht, të mbrojnë interesat territoriale të Kosovës, të ndërmarrin hapa konkret, për të arritur zgjidhjen e këtij problemi. Pas fjalëve të thëna në Parlament nga kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare (Hamiti e Limaj) duhen pasuar veprimet konkrete: duhet filluar procesi politik në mbrojtje të interesave të qytetarëve, duke mënjanuar konfliktin dhe siguruar koncenzus ose shumicë absolute parlamentare.

Dimensioni i dytë i quajtur si polity ka të bëjë me rregullimin politik, kushtetutën, normat bazë, institucionet dhe rregullat e tjera normative-kushtetuese. Institucionet kryesore të një rregullimi shtetëror parlamentar përbëhen nga parlamenti, gjyqet, qeveria, entet, institucionet edukative. Përmes këtyre insititucioneve kanalizohen bazat e krijimit dhe veprimit të vullnetit politik: zgjedhjet, të drejtat themelore si liria e të menduarit, të organizuarit dhe të bashkimit. Pra në dimensionin e quajtur polity kemi të bëjmë me apektin normativ të politikës, përmes të cilit përcaktohen rregullat e veprimit politik: fusha e mundësive të veprimit, kufizimi i veprimit të aktorëve, por edhe sanksionet në rast shmangjeje nga aspektet normative të aprovuara. Si shembull mund të marrim precizimin në Kornizën Kushtetuese rreth (mos)kufizimit të së drejtës së Kryetarit të Kosovës për të ushtruar edhe detyrën e udhëheqësit të partisë politike. Sipas Kornizës Kushtetuese (në Pjesën e 2, neni 9.2.7.) kryetarit të Kosovës i kufizohet e drejta e “ushtrimit të funksionit tjetër zyrtar ose të ketë punësim tjetër.” A është detyra e kryetarit të partisë politike një funksion zyrtar? Sipas pikëpamjes së autorit të këtij punimi drejtimi i një partie politike pjesëmarrëse në pushtet dhe përfaqësimi i “unitetit të popullit” nuk mund të shkojnë së bashku. Një krahasim me formulimin që gjendet në Ligjin Themeltar të RFGJ (Art. 55, Pika 2) na sjell deri te rezultati i një ngjajshmërie të theksuara me formulimin në Kornizën Kushtetuese. (Presidentët gjerman, posa e marrin detyrën e tyre, heqin dorë publikisht nga funksionet në parti.) Duke pasur parasysh faktin se Korniza Kushtetuese i përcakton kryetarit të Kosovës një rol kryesisht përfaqësimi, me ngjajshmëri të theksuara me rolin e Presidentit Federal në RFGJ, dhe ai merr obligim të “përfaqësoj unitetin e popullit dhe garantoj funksionimin demokratik të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes” 4 mosheqja dorë nga funksionet partiake e dëmton pozitën institucionale të kryetarit të Kosovës. Nëse qytetari që nuk ka votuar për partinë e kryetarit të Kosovës dëgjon lajmin se kryetari i Kosovës, që e përfaqëson edhe atë qytetar që nuk ka votuar për të, merr pjesë në mbledhjen e partisë së vet, detyrimisht e vë atë në një pozitë të theksuar mosbesimi ndaj sinqeritetit përfaqësues të kryetarit.

Dimensioni i tretë i quajtur policy përmban në vete qëllimet politike, detyrat, programet, planet dhe strategjitë. Zhvillimi dhe kryerja e detyrës së saj nga ana e politikës varet nga interesat në shoqëri. Ekzistojnë interesa individuale, shoqërore, materiale dhe ideale. Pasi që këto interesa në shoqëri janë shumë të larmishme dhe shpesh kundërthënëse, politika paraqet aftësinë e tejkalimit të situatave konfliktuoze. Pra këtu kemi të bëjmë me fushën e përcaktimit të synimeve dhe njohjen e legjitimitetit të interesave të grupeve shoqërore të një politike të caktuar, të fiksuar në dokumente politike, të cilave aktorët duhet kthyer dhe vështruar vazhdimisht, duke bërë bilancin e arritjeve dhe mangësive. Si shembull mund të na shërbejë në këtë rast përcaktimi programor i pjesës dërmuese të partive në Kosovë për pavarësi. Derisa disa nga partitë këtë qëllim politik e kanë fiksuar në programet e tyre (PDK, AAK, LPK), disa të tjera e kanë përcaktuar këtë qëllim politik vetëm në dokumentet dytësore - në programet zgjedhore (LDK), kurse dy subjekte politike kanë përcaktuar qëllime të tjera - bashkimi i kombit shqiptar në një shtet (UNIKOMBI, LKÇK). Krahas këtyre qëllimeve programore, të shtruara në programet bazë partiake apo në ato zgjedhore, ekzistojnë edhe partitë që synojnë rilidhjen e Kosovës me Serbinë (Koalicioni serb “Kthimi”), pra qëllime dhe platforma të kundërta me grupin e partive të para.

4. Qëllimet e politikës

Në aspektin e përgjithshëm aktorët politik të një sistemi të demokracisë shumëpartiake, si përfaqësues dhe mbrojtës të interesave të përgjithshme, përcaktojnë qëllime universale si paqja, liria, barazia, demokracia dhe mirëqenja. Këto qëllime universale kanë zënë vend edhe në dokumentet programore të pothuajse të gjitha partive në Kosovë. Por, kjo megjithatë nuk është e mjaftueshme. Precizimi formal në dokumente partiake të këtyre formulimeve bazë duhet pasuar me veprime konkrete konform këtyre qëllimeve universale. Në veprimin e përditshëm politik insistohet për të mbrojtur interesat e caktuara. Mbrojtja e interesave është një gjë krejtësisht legjitime nga aktorët politik dhe ata të shoqërisë civile. Bile, sa më shumë që të ketë aktorë jashtëpartiakë, aq më pluraliste bëhet skena e përfaqësimit të interesave dhe me të edhe konkurrenca në larminë e veprimit politik. Përmes kësaj i bëhet një presion i vazhdueshëm politikës, e cila detyrohet që të respektojë përfaqësuesit e interesave, të cilët do të mund që pakënaqësinë e tyre ta kthenin në favor të opozitës. Por mbrojtja e interesave duhet bërë konform një rregulle bazë të ruajtjes së stabilitetit politik, pra të sigurimit të mirëqenjes dhe interesit të përbashkët. Jo egocentrizmi, por mirëqenja duhet të jenë qëllimet finale të aktorëve politik. Liria, paqja, barazia, demokracia dhe mirëqenja janë bazat e sistemit kushtetues demokratik. Këto pesë qëllime bazë, që duhet të jenë qëllim i secilit aktor politik, fitojnë në peshë sidomos nëse qytetari kosovar e rikthen për një moment vëmendjen nga e kaluara jo e largët, kur:

- në Kosovë nuk kishte liri dhe qytetarët vuanin nën thundrën e një pushtimi të egër antinjerëzor - fitimi i lirisë ishte synim i të gjithë qytetarëve;

- në Kosovë nuk kishte paqe dhe lufta për çlirim ishte bërë i vetmi mjet për mbrojtjen e jetës dhe të dinjitetit njerëzor, qytetar e kombëtar - vendosja e një paqeje të qëndrueshme ishte qëllimi i luftës çlirimtare;

- në Kosovë nuk kishte barazi, sepse pakica e shtypte mizorisht shumicën - vendosja e barazisë së të gjithë qytetarëve ishte imperativ i shumicës dërmuese të qytetarëve;

- në Kosovë nuk kishte demokraci, sepse qytetarëve nuk u lejohej të vendosnin vetë e lirshëm për sistemin e tyre politik, për përfaqësuesit e tyre, për të ardhmen e tyre - vendosja e demokracisë ishte bërë qëllim i pashmangshëm për evitimin e padrejtësive;

- në Kosovë nuk kishte mirëqenje, sepse të mirat materiale, pasuria e përbashkët dhe ajo individuale, rrezikoheshin, dëmtoheshin dhe vidheshin nga shteti, qoftë përmes ligjesh diskriminuese, qoftë përmes veprimesh antiligjore të përfaqësuesve të shtetit - vendosja e mirëqenjes për të gjithë qytetarët ishte bërë domsodoshmëri për sigurimin e mbijetesës së tyre.

Këto pesë komponenta përbëjnë bazën programore të veprimit politik e kombëtar, kur popujt janë të pushtuar. Këto pesë komponente paraqesin edhe pesë principet bazë të veprimit politik në kohë paqeje. Por principet apo qëllimet programore nuk përcaktojnë edhe veprimin konkret në situata konkrete politike: ato janë paraprakisht të panjohura. Principet duhet të luajnë vetëm rol orientues. Për të zhvilluar një politikë të drejtë dhe të mirë nuk mjafton vetëm përcaktimi i principeve politike. Varshmëria ekskluzive vetëm nga principet e paracaktuara më parë mund të ketë pasoja në realizimin e zgjidhjeve të konflikteve dhe situatave politike që krijohen. Sidomos një gjë e tillë mund të ketë efekte negative nga aktorët që situatat i gjykojnë sipas koncepteve bardh - zi.

5. Përfundim

Baza e politikës gjendet në faktin se njerëzit nuk mund të jetojnë si qenje të ndara, të vetmuara dhe të palidhura në aspektin shoqëror. Njeriu është pra një zoon politikon (qenje politike), siç e pati cilësuar Aristoteli. Ai është i varur në shumë drejtime nga të tjerët. Njerëzit kanë nevojat e tyre, të cilat duan t´i plotësojnë. Disa nga këto nevoja janë të domosdoshme për ruajtjen e qenjes njerëzore. Nëse nevojat materiale (ushqimi, veshja, banimi) janë të domosdoshme për ruajtjen e ekzistencës fizike të njeriut, nevojat shpirtërore (dashuria, respekti, dinjiteti) i nevojiten atij për të ruajtur qenjen e tij transcendentale prej njeriu. Për sigurimin e këtyre dy segmenteve ekzistencialiste të njeriut shtrohet si domosdoshmëri nevoja e organizimit të njeriut në shtet - pra nevoja e politikës si teori dhe e politikës si praktikë. Veprimet praktike politike duhen studiuar paraprakisht nga aktorët politik. Fakti i studimit të tyre paraprak shtron nevojën e organizimit nga ana e shtetit të edukimit politik - të instituteve shkencore politike. E detyra e instituteve është jo sjellja servile ndaj pushtetarëve, por analizimi paraprak i veprimeve politike, shtruarja e ideve në rrafshin teorik për politikën dhe kritika e rreptë ndaj gabimeve të aktorëve politik.

(Pashtriku.org, 02. 07. 2010 )

(Botuar për herë të parë në revistën “Zëri”, Nr. 1821, të datës 19 qershor 2002)


________________

NGA ARKIVI I PASHTRIKU.ORG

CILAT JANË TRI DIMENSIONET E POLITIKËS

Shkruan: Dr. Sabri Kiçmari ( * )

http://pashtriku.beepworld.de/files/kosova_2010/korrik_2010/dr.sabri-kimari_tri_dimensionet_e_politikes_2.7.10.htm



KUSH ËSHTË DR. SABRI KIÇMARI

Dr. Sabri Kiçmari ka lindur më 14 shtator 1967 në Gurash (LLadofc) të Besianës (ish Podjevës). Shkollën fillore e mbaroi në Besianë, kurse atë të mesme në Qendrën Mjekësore „Ali Sokoli“ në Prishtinë. Në moshën 14-vjeçare, për shkak të veprimtarisë së fshehtë në përkrahje të demonstratave të vitit 1981, në tetor të vitit 1981 burgoset nga regjimi i atëhershëm. Pak pas regjistrimit të studimeve, në shtator të vitit 1988, u detyrua të hedhej në ilegalitet, meqë kërkohej të arrestohej nga regjimi i Beogradit për shkak të veprimtarisë antipushtuese. Në vitet 1988 – 1989 ai udhëheq LPRK, si sekretar organizativ i Komitetit Drejtues (Provizor), së bashku me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë, Beqir Beqën, Bardhyl Mahmutin etj. Si pjesëtar dhe udhëheqës politik i „Çetës së Llapit“, Sabri Kiçmari merr pjesë në organizimin, planifikimin dhe kryerjen me sukses të një numri demonstratash dhe aktivitetesh tjera kundër pushtuesit në Llap, Drenicë, Prishtinë dhe vende të tjera të Kosovës. Në demonstratën e 30 majit 1989 ai, së bashku me Ali Ajetin dhe shokë të tjerë, ishte një nga organizatorët kryesor, me ç’rast bie heroikisht dëshmori Ali Ajeti, të cilit i gjendet pranë deri në momentet e fundit të rënies së tij. Pas rreth një viti të qëndrimit në ilegalitet, në gusht të vitit 1989, me vendim të Komitetit Drejtues të Lëvizjes largohet jashtë vendit së bashku me bashkëluftëtarët e tij. Pas vendosjes në Gjermani vazhdon veprimtarinë e tij politike në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK, si sekretar i Nëndegës së LPK për Gjermani. Në tetor të vitit 1998 emërohet Përfaqësues për Marrëdhënie me Jashtë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kurse në prill të vitit 1999 edhe përfaqësues Diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës për Austri, detyra të cilat i kryen deri në përfundim të luftës. Në këtë detyrë punon me intesitet të lartë në informimin, përfaqësimin dhe mbrojtjen e fjalës, interesave dhe të drejtave të luftëtarëve të lirisë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës në qindra takime me ministra shtetesh, diplomatë dhe gazetarë. Pas luftës emërohet për një periudhë të shkurtër kohore këshilltar diplomatik i Kryeministrit të QPK dhe bashkëdrejtues i Departamentit të Pushtetit Lokal në Këshillin Tranzitor tä Kosovës. Sabri Kiçmari në vitin 1994 i regjistron studimet për shkencë politike, sociologji dhe filozofi në Universitetin e Bochumit (RFGJ). Pas intensifikimit të aktiviteteve diplomatike në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës detyrohet që për dy vite me radhë (1997 – 1999) t’i ndërpresë studimet. Në vitin 2000 kthehet sërish në RFGJ dhe ju përkushtohet studimeve të lëna përgjysmë duke i përfunduar me sukses ato. Më 12 dhjetor 2001 mbron me sukses magjistraturën për filozofi politike në Universitetin e Bonit (RFGJ). Më 12 qershor 2007 mbron me sukses disertacionin po ashtu në Universitetin e Bonit. Për katër vite me radhë (2001 – 2005) punoi si analist në Institutin për Analizimin e Mediave në Bon. Që nga Marsi i vitit 2006 është ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në tetor të vitit 2006 është emëruar ligjërues dhe prodekan i Fakultetit të Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Kolegjin Universitar „Victory“, kurse një kohë ka kryer edhe detyrën e prorektorit pranë këtij Universiteti. Ka publikuar një numër të madh artikujsh, punimesh dhe analizash në revistat „Zëri i Kosovës“, „Interesi nacional“, „Zëri“, „Politika dhe shoqëria“, „Studime sociale“, pastaj në të përditshmet „Koha ditore“, „Epoka e re“, „Infopress“ etj. Në mars të vitit 2004 është botuar libri i tij i parë „Drejtpeshimi“ nga Shtëpia Botuese “Koçi“ (Tiranë). Që nga tetori i vitit 2002 është anëtar i Shoqatës Gjermane për Filozofi, kurse nga fillimi i vitit 2007 anëtar i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Pas kthimit të tij në Kosovë, në tetor të vitit 2005, është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kurse për zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 është nominuar kandidat në listën e PDK për Kuvendin e Kosovës. Aktualisht Dr.Sabri Kiçmari, është ambasador i Republikës së Kosovës në Austri.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks