SHKRIMI
e diel, 23 shkurt 2020

PROF.DR.AHMED ARSLLAN: FILOZOFIA E NJOHJES / Kriteret apo standardet e njohjes / e sakta - e vërteta dhe e sakta - e kuptimta(2)

Pashtriku, 9 dhjetor 2020:

Fusha, hapësira, kufijtë e njohjes


Krahas problemit të mundësisë dhe burimit apo mjeteve të njohjes, një problem tjetër i teorisë së njohjes është hapësira, fusha, kufijtë e njohjes. Pa dyshim, ky problem është vazhdimësi e atij të mëparshmit. P.sh., për një filozof i cili mendon se njohja fitohet vetëm përmes shqisave apo vrojtimeve dhe se arsyeja / racioja përbëhet prej këtyre dyjave, fusha e njohjes është e kufizuar me fushën të cilën e kapim vetëm përmes shqisave dhe perceptimeve. Me fjalë të tjera, nuk është e mundshme njohja e një sendi josensual / joshqisor. Nga ana tjetër, një filozof që mendon se intelekti i njeriut në këtë apo në një formë tjetër është i pavarur prej shqisave, nuk do ta ketë vështirë ta pranojë ekzistimin dhe njohjen e një fushe joshqisore, që s’mund të kapet përmes shqisave. Një fushë e këtillë është, p.sh., ajo e qenieve metafizike. Kur themi qenie metafizike, me këto thjeshtë nënkuptojmë Zotin, shpirtin si një substancë të mëvetësishme, jetën e paskëtejshme etj., që nuk janë fizike, që nuk zënë vend në hapësirë dhe kohë, që nuk mund të kuptohen përmes shqisave. Kemi shumë arsye për të menduar se, sa i përket gjerësisë së fushës së njohjes, një intuitivist do të jetë shumë më optimist se një racionalist. Në kuptimin klasik të gjithë filozofët apo më drejtë thënë vetë filozofia klasike, pra filozofia në kuptimin “të ngasësh pas urtësisë”, nuk e pëlqejnë kufizimin e njohjes njerëzore. Kështu, nga ky aspekt, për një Platon, për një Aristotel, për një Farabi, për një Hegel etj., njohja njerëzore nuk ka kufij. Me fjalë të tjera, përmes aftësive njohëse të tij, njeriu mund që, në kuptimin filozofik, çdo lloj pyetjeje t’i përgjigjet në mënyrë adekuate duke përfshirë këtu edhe pyetjet lidhur me Zotin, esencën e shpirtit, burimin e gjithësisë, fatin e njeriut etj. Njeriu mund t’i parashtrojë parimet e sjelljes së drejtë, qeverisjes së drejtë, së bukurës etj. E pra, ekziston mundësia për të fituar njohuri lidhur edhe me temat që e tejkalojnë botën dhe dukuritë natyrore apo fizike. Nëse duam ta themi shkurt e troç, metafizika është e mundshme. Përkundër kësaj, ashtu si do të shohim më poshtë në hollësi, ndër disa filozofë që e pranojnë mundësinë e njohjes si Kanti, Konti, Pirsi (Peirce) etj., në mënyra të ndryshme kanë thënë se nuk është e mundshme njohja e gjithçkaje, porse e mundshme është njohja e vetëm disa sendeve. Bile disa të tjerë kanë shkuar edhe më tej duke pohuar se filozofia nuk ka ndonjë njohje të veçantë dhe se detyrë e saj është “vetëm sqarimi, ndriçimi i kuptimit të gjykimeve / premisave”. Këta janë filozofët modernë si: Karnapi (Carnap), Shliku (Schlick), Ajeri (Ayer), të cilët merrnin pjesë në lëvizjen që në historinë e filozofisë quhet “Lëvizja e Rrethit të Vjenës”, sepse përfaqësuesit e saj më 1920 ishin tubuar rreth Vjenës dhe kishin formuar këtë lëvizje. Kjo lëvizje njihet edhe me emrin “pozitivizmi logjik” apo “neo-pozitivizmi”.



Kriteret apo standardet e njohjes

Përpos problemit të mundësisë, burimit dhe fushës së njohjes, ekziston edhe një problem tjetër që do ta trajtojmë së fundi e ai është se cilat janë kriteret apo standardet e njohjes, të njohjes së saktë apo më thjeshtë të së saktës?

Me fjalë të tjera, nga e dimë se njohja e saktë është e tillë?

Akoma më shkurtë, ç’është “e saktë”?

Përgjigjet që jepen për këtë çështje mund t’i përmbledhim në disa grupe: sipas një mendimi më të përhapur dhe që duket se është më i përshtatshmi me opinionin e përgjithshëm, e saktë quhet përputhshmëria e mendimit me realitetin. Nëse një mendim yni, që e kemi formuar lidhur me një send, përputhet me vetë sendin, atëherë këtij mendimi i themi se është i saktë, e nëse jo atëherë i themi se është i shtrembër / gabim.

Sa për një përngjasim mund ta marrim pasqyrën në vend të mendjes, kurse si lëndë të mendjes mund ta marrim një send që qëndron jashtë apo përpara pasqyrës. Me këtë rast, është e qartë se në pasqyrë do të paraqitet reflektimi apo imazhi i atij sendi. Tani, nëse ky reflektim apo imazh përputhet me vetë sendin, atëherë themi se kjo pasqyrë është e mirë dhe se e reflekton sendin në mënyrë të saktë. Mirëpo, nëse një arsye nuk e reflekton në mënyrë të përshtatshme sendin që qëndron përpara saj, porse e shtrembëron, e përdhos, ia shton ose ia merr diçka, ashtu siç ndodh me “pasqyrat komike” nëpër panaire të cilat trupin e njeriut e reflektojnë në trajta të çuditshme, atëherë themi se kjo arsye është e gjymtë dhe se një njohje e këtillë është “e shtrembër / e gabuar”.

Për këtë lloj të sakte përdoret emri “teori e korrespondimit”. Ndër emrat më të rëndësishëm të filozofëve që e kanë pranuar këtë teori ka qenë edhe Aristoteli. Mirëpo, për shkak të disa vështirësive dhe disa kuptimeve të ndryshme të njohjes që i ka shkaktuar kjo teori, janë paraqitur dhe teori të tjera lidhur me njohjen. Njëra prej tyre dëshiron që të saktën ta përkufizojë si përputhshmëri të përfytyrimit ideor jo me sendin apo dukurinë që ndodhet në botën e jashtme, por me një përfytyrim tjetër që ndodhet në arsye, që është përpara këtij përfytyrimi dhe që është më origjinal se ky i fundit. Meqë këtu kemi të bëjmë jo me përputhjen e njohjes me sendin, por me përputhjen e një përfytyrimi me një përfytyrim tjetër, të një njohjeje me një njohje tjetër, kësaj teorie i themi “teoria e koherencës”.

Një kriter i këtillë i së saktës, ashtu siç mund të paramendohet, është pranuar sidomos nga ana e filozofëve racionalistë. Si shembull mund ta përmendim Dekartin (Descartes). Për shkak të disa vështirësive që mendohet t’i përmbajnë qoftë teoria e korrespondimit, qoftë ajo e koherencës, një grup tjetër filozofësh të quajtur “pragmatistë”, kanë tentuar që të saktën ta përkufizojnë në një tjetër mënyrë. Sipas tyre, shkurtimisht, e saktë është ajo që pragmatisht na hyn në punë, që mund të verifikohet pragmatisht. Nocioni “pragma” që përdoret këtu, është përkufizuar ndryshe-ndryshe nga filozofë të caktuar pragmatistë. Për shembull, sipas W. Xhejmsit (William James) që është njëri prej përfaqësuesve të kësaj rryme, e saktë është ajo që për ne është e dobishme.

Një filozof tjetër pragmatist Xh. Devej (John Dewey), të saktën e përkufizon si një gjë që mund ta luajë rolin e një mjeti në zgjidhjen e problemeve tona (prandaj dhe mendimi i tij quhet “pragmatizëm instrumentalist”. Për dy llojet e pragmatizmit më hollësisht do të flasim më poshtë). Problemet kryesore të filozofisë së njohjes janë këto dhe të përngjashmet. Tani, nga parashtrimi në këtë mënyrë i këtyre problemeve, jepet të kuptohet se filozofia e njohjes përdor disa nocione bazë gjatë trajtimit të tyre. Këto nocione janë, si:

- njohja,

- e sakta,

- saktësia,

- njohja e saktë,

- e vërteta,

- siguria,

- arsyeja,

- intuita,

- prova,

- ndijimi,

- kuptimi,

- dobia etj.

Për disa prej këtyre (p.sh. njohja, e sakta, intuita, arsyeja etj.) deri më tani kemi dhënë disa sqarime. Këtu duhet të ndalemi mbi dy çifte konceptesh që për studentët e filozofisë kanë rëndësi të veçantë dhe të cilat shpesh edhe ngatërrohen me njëra-tjetrën. Çifti i parë i këtyre nocioneve është e sakta - e vërteta dhe e sakta - e kuptimta.

E sakta - e vërteta:

Përgjithësisht në jetën e përditshme kur dëshirojmë të theksojmë se nuk e shohim të saktë / të drejtë një pretendim të personit me të cilin flasim i themi “kjo fjala jote është gabim”, ose “kjo fjala jote nuk është e vërtetë”. Një shembull akoma më interesant ndodh me filmat amerikanë kur në skenën e gjykatës i pandehuri detyrohet të bëjë betimin. Ky betim ndonjëherë përkthehet “Betohem se do ta flas të drejtën dhe vetëm të drejtën”, e ndonjëherë “Betohem se do ta flas të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”. Në të vërtetë, i saktë është betimi i parë sipas të cilit i pandehuri zotohet se do ta flasë vetëm “të drejtën”. Sepse “e vërteta” nuk mund të thuhet asnjëherë: E vërteta është sendi që është lëndë e asaj që thuhet, që pretendohet dhe ndodhet në botën e jashtme, në botën objektive. P.sh. “dielli”, “temperatura / nxehtësia e ajrit”, “rënia e shiut” nuk janë të drejta, por të vërteta. Mirëpo, fjalët tona që i shprehim kur themi se ka diell, se temperatura është e nxehtë, se përjashta bie shi etj., janë “të drejta / të sakta” (ose, nëse në botën e jashtme nuk ka diell, nëse moti nuk është i nxehtë dhe nëse jashtë nuk bie shi, atëherë janë “të gabuara”). E pra, e sakta ka të bëjë me arsyen, me atë që është në arsye apo që e ka prodhuar arsyeja, me termin teknik, ka të bëjë me “gjykimet / premisat”. Një gjykim mund të jetë i saktë apo i gabuar. Nga ana tjetër, e vërteta apo e pavërteta ka të bëjë me lëndën e gjykimit, me atë që sipas subjektit quhet “e jashtme”. Shkurt thënë, një send apo një dukuri nuk mund të jetë e saktë apo e gabuar. Më drejtë thënë, çdo gjykim sapo të shprehet, nga aspekti i kësaj veçorie, pra si një zë apo si një shkrim që është, quhet i vërtetë.

E sakta - e kuptimta:

Ndër nocionet bazë të teorisë së njohjes të cilat shpeshherë ngatërrohen me njëra-tjetrën janë “e sakta - e kuptimta”. Së pari, nëse i lëmë mënjanë ngathtësitë kuptimore që shpesh i hasim në gjuhën e përditshme, sërish nga aspekti i teorisë së njohjes, një send, p.sh. një “njeri”, një “film” etj., nuk mund të jenë të kuptimtë apo të pakuptimtë. Vetëm një premisë mund të jetë e kuptimtë apo e pakuptimtë. Më drejtë, një premisë e pakuptimtë as që mund të quhet premisë. Sepse premisa është një fjalë që mund të jetë e saktë apo e shtrembër / e gabuar. Mirëpo, që një premisë të mund të jetë e saktë, së pari ajo duhet të jetë e kuptimshme. Një premisë e pakuptimtë, ashtu siç mund të nënkuptohet, meqë nuk ka kurrfarë kuptimi, nuk mund të paramendohet të ketë ndonjë kuptim si e saktë apo e gabuar. Përskaj kësaj, filozofët nuk janë të një mendimi sa i përket pyetjes se ç’duhet nënkuptuar me fjalën “kuptimi i një premise”. P.sh., ashtu si do shohim më vonë, pozitivistët logjikë, lidhur me kuptimin e një premise kanë sjellë një përkufizim mjaft specifik. Po kështu, edhe pragmatistët kanë ndër mend një gjë krejt tjetër lidhur me kuptimin e një premise. Mirëpo, ekziston një kriter i padiskutueshëm apo i pranueshëm nga të gjithë në shkallën më të ulët lidhur me kuptimin, e ai është se një premisë që nuk është renditur sipas rregullave sintaksore të një gjuhe, assesi nuk mund të quhet e kuptimtë. Sepse mjeti me të cilin merren vesh dhe kuptohen njerëzit, është gjuha. Gjuha shpreh diçka vetëm atëherë kur të formulohet si fjali apo shprehje e renditur sipas rregullave gramatikore, sintaksore. P.sh., fjalia “unë dje prej teje një mollë do të jap” është e pakuptimtë. Ajo s’është as e saktë, as e gabuar, thjesht është tamam e pakuptimtë. Së këndejmi, një fjali si kjo është e kuptimtë, por s’është as e saktë as e gabuar: “Tokën herë-herë e vizitojnë qenie që vijnë nga hapësira”. Kuptimi i kësaj fjalie është i qartë dhe i caktuar, mirëpo akoma nuk mund të themi se është i saktë apo i gabuar. Sepse, në të vërtetë, akoma nuk është vërtetuar në asnjë mënyrë pretendimi nëse vërtet e vizitojnë tokën jashtëtokësorët. Po në gjuhën e përditshme, madje edhe në bisedimet e nivelit më të lart, njëra prej gabimeve që haset më së shpeshti është ngatërrimi i fjalive “të flasësh logjikisht” dhe “të flasësh saktë”. S’ka mëdyshje se kushti i parë i çdo të foluri të saktë është “të qenët i logjikshëm”, mirëpo çdo “e folur e logjikshme” nuk siguron edhe “të qenët e saj e saktë”. Që të mund ta ndriçojmë më hollësisht këtë çështje, duhet më për së afërmi t’i shikojmë lidhjet midis “logjikshmërisë” dhe “saktësisë”, gjegjësisht midis logjikës dhe teorisë së njohjes.

VIJON...

Kapitulli i dytë i librit të Prof. Dr. Ahmed Arsllan Felsefeye Giriş (Hyrje në filozofi), Vadi Yayınları, Ankara, 1994.

***

Ilustrimet: © Pashtriku.org

____________

PROF.DR.AHMED ARSLLAN: FILOZOFIA E NJOHJES(1)

http://www.pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=9431


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks