SHKRIMI
e hënë, 19 tetor 2020

GJOKË DABAJ: RIFAT KUÇI, THERANDË, PRIZREN, KORÇË

Durrës, 25 shtator 2020: Ka vite që e kam ndjerë për detyrë të shkruaj diçka për atë njeri, por që, në mënyrë të pafalshme, s’e kam gjetur rastin. Them, në mënyrë të pafalshme, sepse, të merresh me shkrime, ta konsidesrosh veten njeri i letravet, dhe të mos shkruash diçka për një njeri që gjithë jetën ia kushtoi Atdheut, do të ishte jo vetëm neglizhencë, por edhe faj.

Rifat Kuçi ka qenë një i atillë atdhetar që e ka merituar të shkruhet për ‘të, dhe do të duhej të ish shkruar për ‘të, e pakta një libër monografik, ku të përfshihej e gjithë veprimtaria e tij, e cila, e shkruar dhe e botuar, do të mund t’u shërbente brezavet.

E kam njohur në Prizren në vitet 1961-1962 dhe, nga viti 1964 e këndej, kemi qenë miq dhe shokë të ngushtë. Me dhjetëra letra dhe me dhjetëra fotografi do ta dëshmonin miqësinë tonë dhe, kushdo që do ta shihte e njihte atë marrëdhënie tonën, do të kish të drejtë të më thoshte: Ty nuk të falet, që ke ndenjur kaq vjet pa shkruar diçka për njeriun që e ke pasur kaq të afërt!

Një burrë i imët, i cili binte në sy midis gjithë profesorëvet të Shkollës Normale të Prizrenit, pikërisht me trupin e tij të vogël dhe me punën e tij të madhe. Ishte mësues i gjuhës shqipe dhe jepte mësim në klasa të para dhe të dyta. Unë isha në klasë të katërt. Kisha ardhur atë vit në Prizrren, për shkak të ngjarjevet që ndodhën në Gjakovë, kështu që s’e kisha pasur rastin ta kem mësues të drejtpërdrejtë. Por Haxhi Zyba dhe Fadil Cukaj, të cilëvet Rifati u jepte mësim, më flisnin shpeshherë për ‘të.

Mora vesh që kishte qenë në burg në Goli Otok dhe, për ne, ata që kishin kaluar nëpër burgjet e Jugosllavisë, ishin idhuj. I tillë ishte Zenel Kabashi që jepte biologji, i tillë ishte Enver Dukagjini që jepte gjeografi. Kisha në klasë edhe Ukë Ymerin (Ukë Kabashin), nxënës i rritur, i cili kish qenë dënuar bashkë me Rifatin, si pjesëtar i të njëjtit grup ilegal.

Kuptohet, informacioni ynë nuk ishte i zgjeruar, sepse nuk mund të bisedohej gjërë e gjatë për të tillë probleme. Por për ne mjaftonte të dinim që ky profesor, apo kushdo tjetër, ka qenë në burg për çështje kombëtare.

Sa herë që mungonte ndonjë mësimdhënës në klasat ku jepte mësim, Rifati nuk i linte nxënësit ta humbnin orën kot, por merrte regjistrin, hynte në klasë dhe u jepte lëndën e vet, gjuhën shqipe. Në atë mënyrë, orët e gjuhës shqipe në ato klasa pothuaj dyfishoheshin.

Në një rast, ndodhi që në hollin e shkollës u vendosën disa libra, të cilët, për nga forma, dalloheshin nga librat e tjerë. Në një krah të hollit, në kat të parë, ndodhej biblioteka dhe, ata libra, me sa duket, prisnin të inventarizoheshin dhe të hynin në bibliotekë. Ishin veprat e K. Marksit, F. Engelsit dhe V. I. Leninit, botuar në shqip, dhe thuhej se profesor Rifati i paskësh siguruar nëpërmjet ambasadës shqiptare në Beograd. Botime luksozë, të cilët unë më vonë pata rastin t’i lexoj e t’i studioj një për një këtu në Republikën e Shqipërisë. Kur e pyeta njëherë, pas shumë vitesh, pse ndodhi dhe si ndodhi ajo punë, Rifati m’u përgjigj: “Jugosllavia shitej si vend marksist dhe e dija që nuk mund të m’i ndalonin. Por unë kisha edhe qëllimin që nxënësit të shikonin konkretisht, përmes paraqitjes luksoze të atyre librave, sa e përparuar ishte Republika e Shqipërisë, për të cilën sërbët thoshin se s’ka bukë për të ngrënë. Prandaj dhe i lashë të rrinin në sallon më shumë se një javë.”

Në grupin tonë ilegal “Liria” i përmendnim shpesh, profesor Zenelin, profesor Enverin dhe profesor Rifatin, por Bedrush Çollaku, që e kryesonte grupin tonë, na kish dhënë porosi që të mos kontaktonim shumë me ‘ta, sepse ashtu puna jonë do të binte në sy.

Në korrik të vitit 1962 unë pata marrë detyrën për të kaluar kufirin. Erdha në Tiranë ilegalisht, me mendimin për t’u kthyer prapë ilegalisht dhe për të vazhduar punën që e kishim nisur. Por organet e RPSSH-së, në vend që të më jepnin mundësinë për t’u kthyer, me ç’rast me siguri do të kisha zënë burgun, me të drejtë, nuk më lanë të kthehesha, por më çuan në Tepelenë.

Në vitin 1964 UDB-a jugosllave organizoi një valë tjetër arrestimesh. U arrestuan edhe djemtë e grupit tonë “Liria”. Rifat Kuçin dhe ish-të burgosurit e tjerë filluan t’i thërrisnin në zyrat e UDB-ës për të dhënë deklarata. Kjo do të thoshte që ata, ose do të riburgoseshin, ose UDB-a do t’i përdorte si dëshmitarë kundër atyre që tashmë ishin prangosur.

Rifat Kuçi shumicën e kohës në Goli Otok, më shumë e kish kaluar në qelitë e izolimit, se sa me të burgosurit e tjerë. Prandaj dhe ish tharë e tretur trupi i tij. Nuk deshi që t’i provonte edhe njëherë tortura të atilla, prandaj vendosi të kërkojë deportim në shtetin shqiptar.

Në vitet para pushtimit italo-gjerman, familja Kuçi kish qenë shpërngulur në shtetin shqiptar dhe kish jetuar për disa vjet në Myzeqe. Qe kthyer në Suharekë vetëm kur Italia e kish pushtuar edhe Kosovën, pushtim i cili, me të drejtë, konsiderohej çlirim, sepse e kish përzënë Jugosllavinë… Rifati e kish ruajtur letërnjoftimin e asaj kohe dhe, një ditë, kur e patën thirrur në UDB-ë, ai ua paraqiti atë letërnjoftim dhe u tha: “Jam shtetas i huaj. Keni detyrë të më trajtoni si të tillë.”

Nuk po zgjatem në sqarimin e situatës që iu krijua me atë rast organevet të shtetit jugosllav, por, me sa duket, atyre u levërdiste më shumë ta degdisnin Rifat Kuçin “andej nga kishte ardhur”, se sa t’u hapte telashe nëpër gjykata. I thanë të bënte kërkesë për t’u “riatdhesuar” dhe, një ditë të bukur, Rifati ngarkoi plaçkat në një kamion të madh dhe, të pajisur me dokumentet përkatës të “riatdhesimit”, bashkë me dy prindët pleq, me bashkëshorten Zymryten (Zekien) dhe me dy djemtë e vegjël, Besnikun dhe Flamurin, policia e Prizrenit e përcolli deri në Morinë.

Organet e shtetit shqiptar e pritën mirë, sigurisht duke e ditur e njohur krejt veprimtarinë e tij atdhetare qysh kur ish 14 vjeç. Me gjithë orenditë e pajisjet shtëpiake që i kish me vete, e çuan drejt e në Korçë dhe atje i dhanë një banesë, dy dhoma e kuzhinë, në katin e pestë të një godine që sapo ishte ndërtuar. I dhanë edhe punën si mësues në një shkollë të qytetit. Zymryten e punësuan në rrobaqepësi.

Një ndër punët e para të Rifatit, mbasi qe vendosur në Korçë, ishte të interesohej për mua, pasi, me sa duket, kalimi im në RPSSH dhe mënyra se si e kisha kaluar kufirin, kishte krijuar njëfarë atmosfere në Prizren, veçanërisht në Shkollën Normale të Prizrenit, por edhe në seancat e gjyqit ku qenë gjykuar shokët e mi.

Ish krejt e natyrshme që, për të gjetur mua, duhej të pyeste në organet e punëvet të brendshme dhe ata i thanë se unë isha i internuar në Tepelenë. Sapo e ka marrë vesh këtë lajm, Rifati, me sa di unë, ka bërë një deklaratë për të treguar të vërtetën si më njihte mua. Njëkohësisht ka kontaktuar me njërin nga oficerët e Ministrisë së Punëvet të Brendshme, Shaban Brahën, për t’ia sqaruar punën time dhe, bashkë me Zymryten, ka ardhur për të më takuar mua mu në Tepelenë, një vend që është mjaft larg, nga Korça dhe nga Tirana.

Unë në atë kohë isha punëtor në Ndërmarrjen Bujqësore të Beçishtit, që ndodhej përtej Vjosës, përballë Tepelenës... Rifati s’e kish në natyrën e tij të shfaqte farë revolte a pakënaqësie… Ndenjëm e biseduam për shumë gjëra. M’i tregoi të gjitha ç’kishin ndodhur, mbasi unë e kisha kaluar kufirin. Më tha se, dy vjet më vonë, shokët e mi i kishin arrestuar dhe se ata kishin mbajtur qëndrim heroik përpara gjykatës. Më foli veçanërisht për Fadil Cukajn, për Bedrush Çollakun, për Haxhi Zybën… Ndërsa unë i tregova për shumë gjëra që ai nuk i dinte.

Dy apo tre vjet më vonë, në vitin 1967, mua m’u dha e drejta për të vazhduar studimet në Fakultetin Filologjik në Tiranë. Lidhjet tona tani ishin edhe më të ngushta. Në universitetin e Tiranës tashmë ishte edhe djali i vëllait të Rifatit, Shefki Kuçi, student në Inxhinierinë e Ndërtimit. Rifati na takonte kur vinte në Tiranë, por edhe unë shkoja në Korçë dhe pritesha atje si në familjen time.

Në shtëpinë e Rifat Kuçit, por edhe të vëllait të tij, Hasan Kuçit, si edhe te dhëndri i tyre, Bajram Bylykbashi, s’kish biseda të tjera, përveç atyre patriotike, sidomos për gjendjen në Kosovë. (Mbas deportimit të Rifatit për në RPSSH, ishin deportuar edhe i vëllai Hasani me gjithë familje, edhe e motra Kimetja me gjithë familje dhe, që të tria ato familje, ishin vendosur në qytetin e Korçës, duke u dhënë banesa mu në qendër të qytetit dhe punë secilit prej të rriturvet, ndërsa për fëmijët shkollë, brenda në Korçë, ose me bursa shteti në Tiranë.)

Pikërisht sepse ishin familje atdhetarësh, unë mendoj që dora sërbe nuk ka ndenjur pa u zgjatur deri aty. Në Kosovë Sërbia e kish pak më vështirë për të vepruar, sepse populli kish mësuar të ruhej, ndërsa këtu në RPSSH zotëronte mendimi që spiunazhi sërb nuk kish fushë veprimi. Por e vërteta ish ndryshe. Sado që partia në pushtet dhe sigurimi i shtetit qëndronin vigjilentë, siç thuhej në atë kohë, agjenturat e huaja arrinin të depërtonin. Po e them këtë, sepse, me kohë, në të dyja familjet Kuçi ndodhën tragjedi.

Në vitn 1970, unë, duke qenë ende student, krijova familje. Rifati më ofroi një dhomë në banesën e tij, deri sa unë të mbaroja studimet dhe të më jepej edhe mua punë e banesë si të tjerëvet. Në shtëpinë e Rifatit, madje, u organizua edhe një dasmë e vogël, ku ime shoqe, Fotinia, u prit si nuse e familjes.

...Patriotizmi i Rifat Kuçit, në të gjithë rastet, shprehej konkretisht. Në vitin 1944, kur s’ish më i madh se 14 vjeç, ai i ishte bashkuar ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare dhe kish shkuar në luftë. Ka qenë efektiv i Brigadës së Pestë Sulmuese, ka luftuar në radhët e asaj brigade deri në Bosnjë dhe, kur luftëtarët nga Republika e Shqipërisë janë kthyer në shtetin e vet, ai i ka përcjellë shokët e luftës deri në Qafë-Thanë dhe është kthyer në Suharekë. Aty është regjistruar në një shkollë dyvjeçare për mësuesi dhe, sërish fare i ri, e ka filluar profesionin e mësuesit.

Ka punuar mësues, në mos gabohem, nga viti 1947 deri në vitin 1952, kur është arrestuar “për veprimtari armiqësore”, sepse bënte pjesë në njërën nga organizatat ilegale të kohës. Është dënuar me katër vjet heqje lirie dhe, siç thashë më parë, dënimin e ka kryer në Goli Otok, në njërin nga kampet më të rëndë të Jugosllavisë Titiste.

Mbas burgut, duke shfrytëzuar ligjet që i kish Jugosllavia, ka mundur të punësohet përsëri si mësues, duke vazhduar njëkohësisht edhe shkollimin pa shkëputje nga puna. Ka krijuar familjen dhe, nga Suhareka, është vendosur në Prizren.

...Kur ka ardhur në Korçë, i është dhënë mundësia të lidhet me ish-komandën e Brigadës së Pestë Sulmuese dhe, mbështetur në dëshmitë e pjesëtarëvet të asaj brigade, i është dhënë statusi i veteranit të luftës nacionalçlirimtare. Si ish-efektiv i asaj brigade, Rifati merrte pjesë në të gjithë manifestimet përkujtimorë që organizoheshin në përvjetorë të ndryshëm.

...Mbasi mbarova fakultetin, unë u emërova mësues në rreth të Matit dhe shkova atje me gjithë familje... Në banesën e Rifatit, pikërisht në dhomën që ai na e kish vënë në dispozicion, ne ishim bërë edhe me djalë. Dardani kish lindur në maternitetin e Korçës dhe, tre muajt e parë të foshnjërisë së tij i ka kaluar në banesën e Rifat Kuçit.

...Por jeta e familjes Kuçi, për fatin tonë të keq, nuk rrodhi ashtu siç e meritonte dhe siç duhej. Rifati u sëmur rëndë... Pak para se të vdiste, i shkova te spitali në Tiranë për herë fundit… U gjallërua. Se ku e mori gjithatë fuqi për të qëndruar më këmbë, çuditeshin edhe mjekët dhe infermierët. Ndenjëm pothuaj dy orë bashkë. Ai nuk donte të ulej, por rrinte më këmbë, për të mos u treguar i dobët. E tillë ishte natyra e Rifat Kuçit. I tillë ishte karakteri i tij.

…Ky ka qenë takimi ynë i fundit. Nuk kaluan shumë ditë dhe m’u desh të shkoja për t’i dhënë lamtumirën e fundit në varrezat e Korçës, ku e përcollën qindra korçarë edhe kosovarë me një nderim të jashzakonshëm.

…Jeta e mëvonshme e dy familjevet Kuçi, e Rifatit dhe e Hasanit, ka hapur një plagë të madhe në shpirtin tim.

Po rrëfej vetëm njërin nga rastet, për ta mbyllur këtë shkrim me respektin më të madh për ato familje, por edhe me dhimbje të papërshkrueshme.

Besniku, djali i madh i Rifatit, mbaroi shkollën e mesme profesionale “7 Nëntori” në Tiranë, sot “Harri Fulc”, dhe diplomoi për teknik televizorësh. U punësua në Korçë dhe ishte një ndër mjeshtrit më të mirë. Kush kish defekt në televizor, apo çfarëdo kërkese tjetër shërbimi, vinte në repart dhe kërkonte Beson.

Por nuk qe e thënë që jeta e tij të rridhte në mënyrë normale. U sëmur rëndë edhe çuditshëm. As sot nuk e di çfarë diagnoze mund t’i vihej... E la punën. U mbyll në shtëpi në moshën më të bukur. Për vite me radhë nuk dilte askund. Pinte disa baqeta cigare në ditë. Hante fare pak. Nuk kish dëshirë të bisedonte me askënd.

Nëna e tij Zymrytja dhe i vëllai Flamuri, vuajtën për vite me radhë, jo se u dhimbeshin koha e mundi për t’i shërbyer Besos, por sepse s’dinin ç’sëmundje kish dhe s’kishin asnjë mundësi për t’ia lehtësuar vuajtjet... Më në fund, Besua i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i pestë…

Në familjen e vëllait të Rifatit, Hasanit, ndodhën të tjera tragjedi, tash për tash, të vështira për t’u shpjeguar.

…Sot, Zymrytja dhe Flamuri jetojnë në Prizren. Unë shpresoj dhe uroj që ata, pjesën tjetër të jetës ta kalojnë mirë, duke e shëruar sa të jetë e mundur këtë plagë të madhe që na e hapi Besniku.

Por do të dëshiroja që, sidomos meritat e Rifat Kuçit në shërbim të Kombit e të Atdheut, të njiheshin shumë më mirë, edhe në Therandë, edhe në Prizren, edhe në Korçë, por edhe në krejt Shqipërinë, sepse të tillë ishin botëkuptimi dhe veprimtaria e tij gjatë gjithë jetës: Atdheu mbi të gjitha!

Gjokë Dabaj, Durrës 15-23 shtator 2020






kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks