SHKRIMI
e premte, 05 qershor 2020

SHERADIN BERISHA: KARIERA POLITIKE E KRYETARIT TË LDK'së, ISA MUSTAFA - GJATË REGJIMIT KOMUNIST (1980 - 1990) /Pjesa e dytë/

Pashtriku.org, 07. 12. 2014 - Pas demonstratave të 11 e 26 marsit dhe të 1 e 2 prillit 1981, regjimi komunist gjatë verës së atij viti ndërmori një sërë masash ideo - politike, të cilat kulmuan me "Platformën politike të KQ të LKJ’së për Kosovën", të miratuar më 17 nëntor 1981 në Mbledhjen e XXII’të të KQ të LKJ’së në Beograd. Në zbatim të kësaj Platforme, strukturat pushtetore’partiake dhe ato gjyqësore në Kosovë, në bashkëpunim me UDB’ën nisën një fushatë të gjerë arrestimesh e burgosjesh ndaj organizatorëve të demonstratave si dhe në të njejtën kohë intensifikuan diferencimin ideo - politik brenda radhëve të pushtetit, nëpër organizata punuese dhe në të gjitha institucionet tjera publike e me theks të veçantë në institucionet shkencore - akademike të Kosovës, siç ishin: Instituti Albanologjik, ai i Historisë dhe mbi të gjitha Universiteti i Prishtinës, i cili u cilësua si "Bastion i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptarë". Për t’i realizuar masat, që dolën nga "Platforma…" e KQ të LKJ’së, regjimi gjatë viteve 1981 - 1990 në vendet udhëheqëse i emëroi ato kuadro politike - komuniste, që ishin dëshmuar tashmë në luftimin dhe çrrënjosjen e "nacionalizimit dhe seperatizmit shqiptarë"! Në mesin e komunistëve më besnik për realizimin e kësaj politike antishqiptare ishte edhe Isa Mustafa.

T'iu referohemi fakteve!

Pas demonstratave të mars-prillit 1981, kur Azem Vllasi u zgjodh Kryetar i KK të LSPP të Kosovës edhe Isa Mustafa avansohet, duke u bërë pjesë e kësaj strukture pushtetore. Sa për ilustrim, lexoni kopjen e gazetës “Rilindja”, datë 15 maj 1981, ku Isa Mustafa, ishte pjesëmarrës në mbledhjen e kryesisë së KK të LSPP të Kosovës, përkrah Azem Vllasit,etj.



ISA MUSTAFA ANËTAR I ORGANIT TË DHUNSHËM NË QENDRËN E STUDENTËVE TË UP'së!

Meqë Qendra e studentëve të UP'së, para, gjatë dhe pas demonstratave të mars-prillit 1981, ishte shndërruar në epiqendër të organizimeve patriotike studentore, më 12 maj 1981 - delegatët e dy dhomave të Kuvendit të Kosovës dhe dhoma e ashtuquajtur shoqërore-politike, miratuan vendimin për vënien e masave të dhunshme në Qendrën e Studentëve, të cilën e cilësuan si "ndërmarrje e masave të përkohshme të mbrojtjes shoqërore e vetëqeverisëse dhe të pronësisë shoqërore në Qendrën e Studentëve në Prishtinë"!!! Në këtë organ prej pesë anëtarësh, të "masave të përkohshme", në të vërtetë të masave të dhunshme mbikëqyrëse e diferencuese ndaj studentëve u emërua edhe Isa Mustafa!

Për këtë ngjarje ka shkruar gazeta "Rilindja", e datës 13 Maj 1981 (ditë e mërkurë), që në faqen e parë!

Lexoni:


MBLEDHJET E DHOMAVE TË KUVENDIT TË KSA TË KOSOVËS

NË QENDRËN E STUDENTËVE - MASA TË DETYRUESHME

- U emërua organi i përkohshëm i qendrës së studentëve në Prishtinë.


Delegatët e dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës, në mbledhjen e djeshme, veç e veç ndër të tjera, shqyrtuan dhe përkrahën shumë raporte të punës së organeve të këtij kuvendi në vitin e kaluar, përkrahën disa dokumente federative, ndërsa në mbledhjen e Dhomës shoqërore-politike, me procedurë të shpejtuar, u miratua vendimi për ndërmarrjen e masave të përkohshme të mbrojtjes shoqërore e vetëqeverisëse dhe të pronësisë shoqërore në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Në Qendrën e studentëve në Prishtinë u emërua edhe organi i Përkohshëm prej pesë anëtarëve. Kryetar i këtij organi u emërua Shefki Bytyqi, anëtar i Kryesisë së Këshillit të Lidhjes së Sindikatave të Kosovës, ndërsa zëvendës Zhika Mitroviqi, jurist në BVI'në e Sigurimit Shëndetësor të Prishtinës. Anëtarë të këtij organi u emëruan edhe Ahmet Mumxhiu, prorektor i Universitetit të Kosovës në Prishtinë, ISA MUSTAFA, asistent në Fakultetin ekonomik në Prishtinë dhe Ruzhdi Ushaku, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Prishtinës…"


Lexoni faksimilin e "Rilindjes":




***

Në periudhën 1984 - 1988 Isa MUSTAFA ka mbajtur postin e Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës (ku përfshiheshin edhe komunat e sotme: Fushë Kosovë, Obiliq dhe Novobërdë), dhe si i tillë duket se ka qenë njeriu më i pushtetshëm i regjimit komunist, ashtu sikurse ishin: Ali Shukria - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1981-1982), Nebih Gashi - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1982-1983), Shefqet Jashari - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1983-1984), Ymer Pula - kryetar i KE të KSA të Kosovës (1982-1986), Kolë Shiroka - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1984-1985), dhe Kryetar i KK të KSA të Kosovës në periudhën (1985-1986), Nazmi Mustafa - kryetar i KE të KSA të Kosovës (1986-1989), Jusuf Zejnullahu - Kryetar i KE të KSA të Kosovës ( 1989-1990), Bajram Selani - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1986-1987), Remzi Kolgeci - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1987-1988), Azem Vllasi - Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1986-1988) dhe Rrahman Morina - Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1988-1990).



 Kryetari i KE të Prishtinës Isa Mustafa - në një mbledhje të dhomave të Kuvendit të Prishtinës, në vitin 1986.

PËRKUSHTIMI I ISA MUSTAFËS NË REALIZIMIN E VENDIMEVE POLITIKE PËR KOSOVËN - QË MERRESHIN NGA KRYESIA E RSFJ'së DHE KOMITETI QENDOR I LKJ'së!

Isa Mustafa, si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës në mandatin e parë (1984 - 1986) pasi i realizoi të gjitha objektivat që buronin nga organet më të larta pushtetore, në pranverën e vitit 1986 mandatohet për herë të dytë si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës (1986 - 1988). Gjatë këtyre viteve Isa Mustafa ka punuar me pëkushtim edhe të madh në realizimin e të gjitha vendimeve politike për Kosovën, që merreshin edhe në organet më të larta në Beograd, siç ishin: kryesia e RSFJ’së, KQ i LKJ’së, KQ LK të Serbisë etj.


Të flasim më konkretisht!

Në një intervistë dhënë të përditshmes "Rilindja" më 06 Shtator 1986, "Prishtina mobilizohet për vënien në jetë të konkluzioneve të Kryesisë së RSFJ’së dhe asaj të KQ të LKJ’së. Të vendosur që gjendja të përmirësohet", Kryetari i KE të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me qëllim të zbatimit të plotë të konkluzioneve të kryesisë së RSFJ dhe të KQ të LKJ lidhur me kthimin e serbëve e të malazezve në Kosovë, nga organet e administratës komunale ka kërkuar një efikastitet të shtuar. Ndërkaq, për zbatimin e ligjshmërisë, që ishte kërkesë bazë e konkluzioneve të të dy kryesive, (të RSFJ dhe të KQ të LKJ), Isa Mustafa kishte paraparë ashpërsimin e përgjegjësisë së bartësve të autorizimeve publike në të gjitha nivelet e organeve komunale, me qëllim që qytetarëve të përkatësisë serbe e malazeze t’u ofrohet siguri e plotë e punës dhe e jetës, dhe të thellohet besimi tek të gjithë qytetarët që janë shpërngulur e që duan të kthehen sërish. Është fjala për të gjithë ata ardhacakë të cilët kishin shkuar e ardhur disa herë në Kosovë, për të përfituar materialisht!!! Madje kryetari Isa Mustafa, krenohet me Komisionin për pengimin e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve në nivel të komunës, e cila ka hartuar programin konkret të masave për kthimin e të shpërngulurve ku është paraparë që të kthyerve t’u sigurohen kushte sa më optimale për punësim, banim e shkollim etj. Kryetari Isa Mustafa konsideron se atyre serbëve që janë shpërngulur me presion të drejtpërdrejtë duhet t’iu sigurohet kthimi dhe punësimi duke bërë përpjekje për programimin e mundësisë së tyre në OPB’të e komunës dhe për më tepër për të ndërprerë shpërnguljen e serbëve e të malazezëve, ai është zotuar që ardhacakëve serbë t’iu sigurojë banesa dhe ndarje të trojeve si dhe lehtësira në regjistrimin e tyre në fakultete. Në kuadër të zbatimit të konkluzioneve të dy Kryesive (të RSFJ dhe të KQ të LKJ), Isa Mustafa aktivitetin e tij e ka përqëndruar kryesisht në Fushë-Kosovë, në bastionin e lëvizjes nacionaliste serbe të përbërë nga: Kosta Bullatoviq, Mirosllav Sholeviq, Bogdan Kecman, Zoran Grujiq, Stevan Marinkoviq, Miqa Samargjiq, Boshko Budimiroviq etj. Ky njeri (që sot është Kryetar i LDK’së dhe në koalicion me PDK'në do të jetë Kryeministër i Qeverisë), në Fushë Kosovë ka ndërmarrë një vargë masash plotësuese për ndërtimin e shkollave, asfaltimin e rrugëve e të trotuarëve, aftësimin e stacioneve shëndetësore si dhe të çështjeve të tjera infrastrukturale, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më të mira për “ardhacakët” serbomalazezë, ndërkohë që shqiptarët jetonin në skajme e varfëri të skajshme. Sipas Programit të masave për kthimin e serbëve e të malazezve të shpërngulur jashtë Kosovës që është projektuar nga organet përgjegjëse të komunës në krye me Isa Mustafën "statusin e të kthyerve do ta kenë personat e shpërngulur me presion (!!!) nga komuna, përkatësisht nga Krahina që kanë jetuar jashtë Kosovës së paku një vit dhe ata të shpërngulur që kanë punuar jashtë Kosovës së paku një vit me kusht që para shpërnguljes të jenë lajmëruar nga SPB’ja komunale e Prishtinës."(!!!)

Për realizimin e Programit për kthimin e serbëve e malaziasve në Kosovë, Kryetari i KE të Prishtinës Isa Mustafa është zotuar për realizimin e disa prioriteteve, si: ndërtimin e repartit të ri "Jumkos" ose të "Titeksit" në Fushë - Kosovë, programin e shfrytëzimit të objekteve ndërtimore në Çagllavicë e Kishnicë, programin e shpuarjes së thellë në OP “Kishnicë dhe Novobërdë”, objektin që do të duhej ta hapte "Centro Kozha" e Titogradit, si dhe në programin e rekonstruimit të industrisë së tekstilit "Kosovka"…etj.

Për më tepër lexoni intervistën e Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës mr.Isa Mustafa.


PRISHTINA MOBILIZOHET PËR VËNIEN NË JETË


TË KONKLUZIONEVE TË KRYESISË SË RSFJ DHE ASAJ TË KQ TË LKJ’së

TË VENDOSUR QË GJENDJA TË PËRMIRËSOHET

(Bisedë me Mr. Isa Mustafën, kryetar i KE të Komunës)


Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e fundit nuk e aprovoi Programin e masave dhe të aksioneve për kthimin e serbëve dhe të malazezëve të shpërngulur jashtë Kosovës e të cilët dëshirojnë të kthehen në Komunën e Prishtinës. Rreth kësaj teme, kohëve të fundit pati polemika dhe komentime të nduarnduarshme e edhe të tilla që apriori i hudhnin poshtë përpjekjet që po bëhen këtu për kthimin e serbëve e të malazezve. Ky program, është edhe pjesë e pandarë e Programit operativ të KE të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për masat dhe aktivitetet e organeve të administratës e të atyre të jurisprodencës në realizimin e detyrave që dalin nga Konkluzionet e dy Kryesive më të larta të vendit (kryesisë së RSFJ dhe të KQ të LKJ - Sh.B) mbi situatën politike dhe të sigurisë në KSA të Kosovës. Në këtë temë biseduam me Mr.Isa Mustafën, kryetar të KE të Kuvendit të Prishtinës.




Isa Mustafa: Konkluzionet e të dy Kryesive kërkojnë angazhim të pashmangshëm të të gjithëve.


ORGANET E ADMINISTRATËS - MË VIGJILENTE


Çka u krye e çka mbeti të kryhet në frymën e konkluzioneve të dy Kryesive më të larta të vendit, në nivel të komunës?

Me konkluzionet e kryesisë së RSFJ dhe të KQ të LKJ kërkohet një efikasitet më i madh i organeve të administrates, subjekteve të tjera shoqërore dhe angazhimi i tyre në zbatimin e plotë të ligjshmërisë dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të të gjitha kombeve e të kombësive që jetojnë në Krahinë, përkatësisht në komunën tonë. Prej shpalljes së këtyre konkluzioneve dhe të masave konkrete të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Krahinës i jemi qasur punës në aftësimin organizativ, me kuadro dhe material si dhe në thellimin e vetëdijes së të punësuarve në këto organe për nevojën e efikasitetit dhe azhuritetit në kryerjen e të gjitha lëndëve në punë me qytetarët dhe përgjithësisht me punën e bashkuar. Në lëmenjtë, në të cilët konsiderohet se ka fryte të ngushta - në aspektin organizativ të kuadrove dhe për kryerjen e lëndëve e kërkesave të qytetarëve bëmë riorganizimin e ca organeve të administratës, ashtu që konstituuam Drejtorin për punë pronësoro - juridike, Sekretariatin për bujqësi dhe pylltari u bë riorganizimi në mes të Sekretariatit të Financave dhe të Shërbimit të të ardhurave, si dhe jemi marrë vesh që shërbimet që punojnë me qytetarë të organizojnë punën në dy ndërresa gjatë tërë ditës. Edhe më tutje do të vazhdojmë me inicimin e gjendjes në të gjitha organet e administratës dhe atyre të jurispondencës në drejtim të përmirësimit dhe aftësimit organizativ, me kuadro, material si dhe në përmirësimin e strukturës profesionale dhe kombëtare të të punësuarëve në to dhe në bazë të analizave të tilla do të ndërmarrim edhe masa konkrete. Në planë është edhe aftësimi i Sekretariatit për punë të Inspeksionit si dhe i Gjykatës Komunale dhe për kundërvajtje.


ASHPËRSOHET PËRGJEGJËSIA

Si mendohet të konkretizohet njëra prej kërkesave kryesore nga konkluzionet e dy Kryesive, ligjshmëria?

Në këtë drejtim parashihet ashpërsimi i përgjegjësisë së bartësve të autorizimeve publike në këto organe dhe atë që theksi i aktivietetit do të përqëndrohet në atë që qytetarëve të përkatësisë kombëtare serbe e malazeze t’u ofrohet siguri e plotë e punës dhe e jetës, dhe të thellohet besimi tek të gjithë qytetarët që janë shpërngulur e që duan të kthehen sërish. Prandaj edhe komisioni për pengimin e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve në nivel të komunës e hartoi programin konkret të masave e të aktiviteteve për kthimin e të shpërngulurve me të cilët është bërë përpjekje që të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen t’u sigurohen kushte sa më optimale për punësi, banim e shkolla, me ç’rast janë paraparë edhe përparësi të caktuara në kuadër të kushteve të barabarta me pjesëtarët e kombeve e të kombësive tjerë në këtë lëmë.

Theksimi i përparësisë së të kthyerëve serbë e malazias, posaçërisht të disa kategorive të tyre, konsiderojmë se në situatën e pikërishme politike nuk e shkel parimin e barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit. Konsiderojmë se atyre që janë shpërngulur me presion të drejtpërdrejtë duhet t’iu sigurohet kthimi dhe punësimi duke bërë përpjekje për programimin e mundësisë së tyre në OPB’të e komunës sonë. Duke u nisur nga përcaktimet e qarta për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve duhet bërë përpjekje edhe në lëmin e banesave dhe të ndarjes së trojeve si dhe në regjistrimin në fakultete, por pa i shkelur dispozitat ligjore e as të rregulloreve të OPB’ve që të kthyerve t’u jepet përparësi në kushte të njejta. Mirëpo, këtu duhet bërë përkufizimin e qartë në mënyrë që pjesëtarët e kombit serb e malazez që jetojnë këtu, të mos ndodhë që duke u bazuar në këto përparësi të të kthyerve, të kërkojnë gjithashtu zgjidhjen e problemeve të tyre të ngjajshme me shpërngulje, përkatësisht kthim. Prandaj tash e tutje do të ndërpriten edhe keqpërdorimet eventuale si bie fjala shpërnguljet formale, si kushte për punësi e banim si dhe për fitimin e beneficioneve tjera në mënyrë kundërligjore.


RRETH STATUSIT TË TË KTHYERËVE

Sipas Programit të masave e të aktiviteteve për kthimin e serbëve e të malazezve të shpërngulur jashtë Kosovës saktësohet (për të parën herë) rrethi më i ngushtë i personave që tash e tutje do të trajtohen si të kthyer. Kështu, statusin e të kthyerve sipas këtij programi do ta kenë personat e shpërngulur me presion nga komuna, përkatësisht nga Krahina që kanë jetuar jashtë Kosovës së paku një vit dhe ata të shpërngulur që kanë punuar jashtë Kosovës së paku një vit me kusht që para shpërnguljes të jenë lajmëruar nga SPB’ja komunale e Prishtinës. Kuptohet, ky kategorizim i tillë i të kthyerve ka efektin praktik vetëm në atë se vetëm kjo kategori të kthyerish gëzojnë përparësi në punësi, banim, arsim, kurse të gjithë të tjerët që janë shpërngulur apo ata që për të parën herë vijnë në Kosovë e që s’kanë jetuar këtu më parë, nuk i gëzojnë këto përparësi, por mund të konkurrojnë në punë, përkatësisht për banesë e regjistrim në fakultete në mënyrë të barabartë më të gjithë qytetarët e tjerë.

KUNDËR KEQPËRDORIMEVE DHE MANIPULIMEVE

Kishte edhe tentime të paraqitjes fiktive të shpërnguljes për të gëzuar ca privilegje, mirëpo u muar vesh të gjitha ato raste krijojnë atmosferë jo të shëndoshë në mjediset ku ndodhën e sidomos reagimin e arsyeshëm tek pjesëtarët e serbëve e të malazezëve që tash sa vite këtu presin në punë, banesë, regjistrim në fakultete ngase me të vihen në pozitë të pabarabartë me kategorit e të shpërngulurve fiktivë.

Po problemet e pazgjidhura komunale - urbanistike të disa pjesëve periferike të qytetit. Ç’u bë në zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve të këtyre mjediseve?

Në kuadër të zbatimit të konkluzioneve të dy Kryesive po ndërmerren masa konkrete edhe në zgjidhjen e problemeve komunale e urbanistike në komunën tonë e veçanërisht në mjediset ku kohëve të fundit ato edhe më së shumti u shprehën. Në Fushë-Kosovë, bie fjala u ndërmorën një varg masash plotësuese për ndërtimin e shkollave, asfaltimin e rrugëve e të trotuarëve, aftësimin e stacioneve shëndetësore si dhe të çështjeve të tjera infrastrukturale. Duhet theksuar veçanërisht faktin se kërkesat për zgjidhjen e këtyre problemeve infrakstrukturale erdhën si pasojë e rritjes dinamike të komunës sonë si dhe zgjerimit joproporcional të saj. Do të angazhohemi që t’i respektojmë së pari përparësitë e zgjidhjes së këtyre problemeve lokale që paraqiten në kuvendet deleguese dhe nëpër bashkësitë lokale, e jo që zgjidhja e tyre të kërkohet jashta institucioneve të sistemit tonë politik.


POTENCIALI EKONOMIK - I PAPËRSHTATSHËM

Përpjekjet e deritashme për pengimin e shpërnguljeve dhe për shtimin e numrit të të kthyerve po bëhet në kuadër të potencialeve ekzistuese ekonomike të komunës. Këto mundësi janë mjaft të kufizuara si për nga numri i madh i të papunëve (17500) pastaj nga struktura joadekuate e ekonomisë së komunës sonë, e cila si e tillë as që premton diç më tepër për zbutjen e këtij problemi nga shtimi i vazhdueshëm i humbjeve në ekonomi, të ciat tash arrijnë në 10 miliardë dinarë, si dhe nga fakti se tash sa vjet në komunën tonë nuk u hap asnjë objekt i ri ekonomik, që do të absorbonte numrin kaq të madh të të papunëve e me të edhe të atyre që mendojnë të kthehen. Me fjalë të tjera, ndonëse ekziston gatishmëria e punës sonë të bashkuar të komunës sonë që ta jap kontributin e saj në punësimin e të kthyerëve, megjithatë sinqerisht mendojë se ajo e vetmuar, pa ndihmën përkatëse të bashkësisë së gjërë si brenda Krahinës ashtu edhe jashta saj, vështirë që do të mund t’i realizonte me sukses detyrat e parapara me këtë plan. Është e nevojshne, prandaj në këtë drejtim të materializohen qëndrimet nga Mbledhja e LK’së së qytetit të Beogradit, si dhe përcaktimet kongresiane lidhur me zhvillimin më të shpejtuar të Kosovës, përmes procesit të bashkimit të punës dhe të mejeteve.

Edhe pse ka ca rezultate fillestare në këtë drejtim, marrë në tërësi me rezultatet e bashkimit të punës dhe mjeteve në nivel të komunës sonë nuk mund të jemi të kënaqur. Mjafton të theksohet vetëm e dhëna se gjatë pesëvjeçarit të kaluar nga gjithsej 25 marrëveshjet e nënshkruara u realizuan vetëm tri sosh. Jo vetëm që mungojnë programe konkrete, që do të kushtonin lirë e do të punësonin shpejtë një numër të konsiderueshëm të të papunëve, e edhe të të kthyerve, por edhe ato programe që u realizuan më tepër ishin në baza kreditore se në bazë të të ardhurave dhe në bazë të interesit të përbashkët. Ka iniciativa për realizimin e programeve të vogla që do të mund të konstribuonin për zgjidhjen e këtij problemi si bie fjala ndërtimi i repartit të ri “Jumkos” ose të “Titeksit” në Fushë - Kosovë ku pritet të punësohen 70-80 punëtorë, pastaj të programit prodhues në Prekoc, të programit të shfrytëzimit të objekteve ndërtimore në Çagllavicë e Kishnicë me nga 100 të punësuar, në programin e shpuarjes së thellë në OP “Kishnicë dhe Novobërdë” ku do të duhej të punësoheshin 330 punëtorë, në objektin që do të duhej ta hapte “Centro Kozha” e Titogradit, si dhe në programin e rekonstruimit të industrisë së tekstilit “Kosovka” ku në disa etapa gjatë këtyre 2-3 vjetëve do të duhej të zinin punë rreth 1700 punëtorë. Këto janë mundësitë e vetme në këtë moment ku mendojmë të orientojmë realizimin e këtyre detyrave konkrete nga programi i kthimit të serbëve e malaziasve.

Njëra prej intencave të “pakos” më të re të KEF’it, është edhe zvogëlimi i çdo lloji të konsumit e në veçanti i konsumit të përgjithshëm. Sipas kësaj, ne si komunë në këtë moment nuk kemi mundësi të ndajmë mjete të posaçme për qëllimet dhe detyrat që dalin nga këto dy programe tonat operative, por meqë jemi të limituar me mjete buxhetore, zgjidhjen e vetme të të gjitha këtyre detyrave e shohim në kuadër të punës së bashkuar.
 Blerim REKA


Kjo intervistë është botuar në gazetën Rilindja - E shtunë, 06 Shtator 1986, faqe 13.


Lexoni faksimilin:



"AKTIVITETI" I KRYETARIT TË KËSHILLIT EKZEKUTIV TË PRISHTINËS - ISA MUSTAFA

Më 9 tetor 1986 kryetari i KE të Prishtinës Isa Mustafa përuroj shkollën e re fillore në Vranjevc, dhe për këtë aktivitet ka shkruar "Rilindja" e datës 10 tetor 1986 faqe 1. Rilindja për këtë ngjarje shkruan: "Në Vranjevc dje solemnisht u përurua shkolla e re fillore.., dhe shiritin përurues e preu Isa Mustafa, Kryetar i KE të Prishtinës. Për më tepër Lexoni artikullin "Dëshmi e kujdes shoqëror" Rilindja 10 tetor 1986 faqe 1.




Në foto Isa Mustafa duke përuruar shkollën e re në Vranjevc të Prishtinës.


Ndërkaq më 22 dhjetor 1986 për nder të ditës së APJ’së, bashkë me zyrtarët më të lartë: Azem Vllasin, Budisllav Vujsiqin, Veso Sërdiqin, Ragip Halilin etj, edhe Kryetari i KE të Prishtinës Isa Mustafa, ka marrë pjesë në përurimin e ujësjellësit të ri në Bashkësinë Lokale të Llaple-Sellës. Për këtë “aktivitet” të Isa Mustafës ka shkruar gazeta “Rilindja”, datë 23 dhjetor 1986 faqe 1.

Rilindja ndër të tjera shkruan:

“Dje në Llaple-Sellë të Prishtinës - RRODHI UJI NGA UJËSJELLËSI I RI

Për sigurimin e mjeteve, kontribut të çmueshëm dhanë puna e bashkuar, njësitë e APJ-së dhe vetë fshatarët e kësaj ane.

Dje, në Bashkësinë Lokale të Llaple-Sellës për nder të 22 Dhjetorit, Ditës së APJ-së solemnisht u bë përurimi i ujësjellësit të ri dhe me këtë u realizua një pjesë e punës së projektit, sipas të cilit Sushica, Preoci dhe kjo BL do të kyqen në rrjetin e ujësjellësit regjional të “Batllavës”. Në këtë solemnitet, ku ishin të pranishëm edhe Azem Vllasi, kryetar i KK të LK të Kosovës, Nazmi Mustafa, kryetar i KE të Kosovës, Budisllav Vujisiqi, sekretar i KK të LSPP të Kosovës, gjeneral-majori Veso Sërdiq, Ragip Halili, kryetar i KK të LK të Prishtinës, Bozhidar Llaziqi, kryetar i KK të Prishtinës, Daut Jashanica, krytar i KK të LSPP të Prishtinës, Izet Shehu, kryetar i KK të LS të Prishtinës, ISA MUSTAFA, kryetar i KE të Prishtinës, shumë qytetarë dhe nxënës të kësaj BL, inaugurimin e kroit të parë në qendër të këtij fshati e bëri Nebih Gashi, anëtar i kryesisë së KSA të Kosovës.”…


 Faksimili i gazetës "Rilindja", e martë 23 dhjetor 1986, faqe 1.


 VIJON...


.............................................................................


- PJESA E PARË -

SHERADIN BERISHA: KARIERA POLITIKE E KRYETARIT TË LDK'së,


ISA MUSTAFA - GJATË REGJIMIT KOMUNIST (1980 - 1990)

HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3402


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks