SHKRIMI
e diel, 16 shkurt 2020

MEHMET HAJRIZI: HALIL MALAJ, VEPRIMTARI I HESHTUR I LËVIZJES KOMBËTARE

Prishtinë, 4 janar 2020: Vështrim për librin „HALIL MALAJ NJË JETË HISTORI (Monografi) të autores Zyrafete Kryeziu-Manaj, “Lena”, Prishtinë, 2019

Hyrje

Lëvizja Kombëtare e Kosovës në tridhjetë vitet e fundit të shekullit të kaluar, duke përfshirë edhe Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës karakterizohet me zhvillimin e vrullshëm e të pashuar deri në ngadhënjimin mbi forcat e regjimit pushtues, më 1999. Lëvizja çlirimtare e kësaj periudhe ishte më e strukturuar dhe me norma të rrepta organizative, më shumë se në çdo periudhe tjetër paraprake.


Mërgata shqiptare i dha kontribut të madh Lëvizjes së këtyre viteve, duke u bërë shpeshherë faktor përcaktues i saj. Brenda dhe jashtë, Lëvizja pagoi çmimin tragjik, duke derdhur gjakun e mijëra dëshmorëve në emër të lirisë.

Nga gjiri i kësaj lëvizjeje kanë dalë shumë personalitete dhe veprimtarë të përkushtuar në jetën e tyre. Njëri nga këta padyshim është edhe Halil Malaj, i cili veproi gjatë në shërbim të lirisë së Kosovës, brenda, por më shumë në mërgim.



Zyrafete Kryeziu-Manaj


1

Zyrafete Kryeziu-Manaj, veterane e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe autore e disa librave, në këtë fillim të vitit 2020 sjell para lexuesit veprën e saj më të re, kushtuar patriotit të shquar dhe veprimtarit të pareshtur, Halil Malaj. E lindur në Suharekë, Zyrafetja studimet e larta i ndoqi në Prishtinë dhe punoi një kohë në arsim, kurse aktualisht jeton në Suedi.

Duke qenë veprimtare e lirisë së Kosovës, më 1982 regjimi pushtues e dënoi me burgim për ta përplasur burgjeve, ku vazhdoi krijimtarinë, sidomos në poezi, në të cilat shprehte dashurinë për atdheun e saj dhe urrejtjen për pushtuesit gjakatarë serbë e jugosllavë. Me të dalë nga burgu poetesha Zyrafete Kryeziu i botoi poezitë e saj në revista dhe më vonë në përmbledhjen poetike me titull „Loti i tronditur“, për të vazhduar me librat, „Vasha e valëve“ (2010), „Mbi uraganin e dhimbjeve“ (2012), „Aty ku prehen dashuritë“, (2014), „Gulqim në metaforë“ (2016), „Poezi të zgjedhura“, shqip-suedisht, (2014) dhe libri më i ri „Halil Malaj një jetë histori”, monografi (2019).

2

Libri „Halil Malaj, një jetë histori“, është në radhë të parë fryt i një bashkëbisedimi të gjatë midis autores dhe atdhetarit Halil Malaj, por edhe i mbledhjes prej saj të shumë materialeve e fakteve për jetën dhe veprimtarinë e të intervistuarit dhe bashkëveprimtarëve të tij.

Vetë autorja në ballinë të veprës e ka përcaktuar llojin e krijimtarisë si monografi, por do shtuar faktin e përmbajtjes më komplekse të saj. Libri nuk është thjesht paraqitje biografike, por edhe një studim publicistik historik i veshur me petkun artistik letrar, me figura e metafora, me gjuhë të stilizuar që i jep veprës karakterin e kombinuar të zhanreve.

Libri hapet me thënien e njohur të Ciceronit, „Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën“, si kriter shkencor të cilit do t'i përmbahet besnikërisht autorja. Përveç hyrjes dhe një pasthënie vepra ka dhe 18 njësi në formë tregimesh reale të kryepersonazhit Halil Malaj që flet në vetën e parë, por të plotësuara edhe me shpjegimet e nevojshme të vetë autores.

Materialet e mbledhura dhe kujtimet e Halil Malajt, Zyrafetja i ka renditur dhe sistemuar me mjeshtëri dhe pasion, duke filluar nga ripushtimi i Kosovës më 1945 dhe deri në çlirimin e saj nga pushtuesit serbë e jugosllavë. Ajo fillon me paraqitjen e tablosë së Kosovës nën retë e zeza e të ngarkuara me peshën e robërisë, për të kaluar natyrshëm në nevojën e organizimit çlirimtar, së cilës Halil Malaj iu përgjigj me vullnetin e hekurt dhe frymën e sakrificës sublime, jo vetëm për veten e tij, por edhe të të gjithë familjes.

Autorja, sipas nevojës bën hyrjen e njësive të veprës, pastaj i lë lirinë e plotë ligjërimit të bashkëbiseduesit, ngjashëm me mënyrën e autores Ornela Radovicka në bashkëbisedimin me arbëreshin e famshëm, Antonio Bellusci në librin „Rrugëtimi i një arbëreshi“.

Gjuha artistike dhe e rrjedhshme, ritmi dhe dramaticiteti i zhvillimeve, ngarkesa emocionale e veprës, të bëjnë të ndjekësh faqe pas faqeje me ankth fatin e protagonistit të saj dhe nëpërmjet të tij edhe fatin e një populli të tërë në përpjekje për të dalë nga robëria.

3

Ata që e njohin shpirtin modest dhe karakterin e kulturën e Halil Malajt, e dinë ndjenjën e sikletit dhe emocionin e fuqishëm që e mbërthejnë Halil Malajn kur flitet për veprimtarinë jetësore dhe meritat e tij. Halili është nga ata veprimtarë çlirimtarë të rrallë që nuk e shquan veten si personalitet as mburret me veprimtarinë e tij e të familjes paraardhëse e pasardhëse. Luftëtarët e karakterit të tij shpeshherë mbeten figura pak ose hiç të njohura dhe paradoksalisht vetë ata sikur adaptohen me këtë status shoqëror të heshtjes dhe të vetëheshtjes. Këtë shpirt modestie, si virtyt të lartë, e ka vërejtur mirë edhe autorja e librit, prandaj e shquan disa herë. Diogjeni e pa një të ri tek skuqej nga turpi. Mos u shqetëso, - i tha,- kjo është ngjyra e virtytit. Halili turpërohet dhe skuqet kur vlerësojmë personalitetin e tij, madje në këtë moshë që është. Në gjithë ligjërimin e tij të regjistruar në libër, ai askund nuk duket si urdhërdhënës, ndonëse kishte përgatitur shumë veprimtarë, por si urdhërmarrës kokunjur në shërbim të Atdheut. Halili i fajëson disa individë bashkëveprimtarë t’i kenë përvetësuar veprimet e tij atdhetare, por edhe vetë ai shpesh ua atribuon bashkëveprimtarëve meritat e veta. Meritat mund t’i jepte Halili, por barrën e rëndë e të rrezikshme e mbante zakonisht për vete. Në libër rrëfen: “Kisha krijuar një rreth shokësh të mirë. Më mbështetnin në situata të caktuara, por barrën e rëndë nuk kam dashur asnjëherë t’ua ngarkojë atyre për ta shmangur veten...Mendoja, nëse do ta ngarkoja ndonjërin nga ata që të fusë material në Kosovë dhe nëse ai do të zbulohej e burgosej, atëherë unë do të ndjehesha shumë keq...”

I heshtur dhe pak i njohur është edhe babai i Halilit, Idriz Malaj, patriot dhe luftëtar i shquar. Kur gjatë Luftës së Dytë Botërore, në trevën e Dardanës Serbia e shtyu kufirin, duke hyrë në territorin e Kosovës, kryeplaku i Hogoshtit, Idriz Malaj ishte komandant i njërës prej pesë kompanive të Batalionit të vullnetarëve të Anamoravës, komanduar nga Sylë Ademi (Kopërnica), që luftonte kundër forcave serbe të cilat kishin guxuar ta shkelnin tokën e Kosovës. Idrizi bashkë me kushëririn e tij, Mehmet Malaj, morën pjesë në Luftën e Velegllavës në qershor, të Kikës, në korrik dhe të Bujanocit, në shtator të vitit 1944.

Halil Malaj ishte i vendosur ta vazhdonte luftën e babait të vet kundër regjimit pushtues serb e jugosllav, por u desh të priste organizimin e kushëririt të ri, Rexhep Malaj, fill pas demonstratave të vitit 1968, i cili ndër të parët e angazhoi edhe Halilin shumë më të vjetër se vetë. Halili e vazhdoi veprimtarinë çlirimtare në mërgim ku qëndroi plot tridhjetë vjet.

Sipas shembullit të kryefamiljarit, gjithë familja u angazhuan në Lëvizjen Kombëtare, duke filluar nga bashkëshortja dhe bashkëveprimtarja e tij besnike, Hazbija, pastaj vajzat Qefserja e Shyhretja dhe bijtë Salihu e Taipi, duke e kthyer shtëpinë në bazë të shpërndarjes së materialeve klandestine dhe të ideve të lirisë. Madje, nuse dhe pjesëtare e familjes u bë edhe veprimtarja e njohur, Zoge Shala- Malaj.

Për nevojat e Lëvizjes Halili nga mërgimi sillte shpesh në Kosovë materiale dhe literaturë të ndaluar. Me fillimin e botimit të “Liria”-s Halili ishte njëri ndër aktivistët që e sillnin atë rregullisht në Kosovë. Një rast derisa po dërgonte materialet në Zvicër për botimin e “Liria”-s, pati një aksident trafiku afër Zagrebit. Ai më shumë se për veten ishte i shqetësuar mos do t’i humbte ndjenjat e t’ia gjenin policia materialet e ngjitura për shpine. Bartja e materialeve klandestine, e librave dhe në shumë raste edhe e armëve paraqiste rrezik serioz në kushtet e ndjekjeve policore e survejimit të mërgimtarëve dhe e kontrollimit në imtësi në çdo çast si shqiptar i dyshimtë. Kjo veprimtari e veçantë bëhej rregullisht nga veprimtarë, si Halil e Hasan Malaj dhe shumë shokë të tyre.

Pas kryengritjes së vitit 1981, policia i shkoi në shtëpi Halilit, por në saje të gjeturisë të shoqes së tij, i shpëtoi arrestimit. Që nga atëherë, Halili plot 18 vjet veproi në ilegalitet të thellë. Megjithatë ai vazhdonte të lëvizte shpesh nga mërgimi në Kosovë për të sjellë materiale, mjete dhe libra të ndaluar, por me dokumente të të tjerëve dhe me shumë peripeci, për t’iu shmangur rrjetit agjenturor dhe policisë armike.

Brenda dhe jashtë Kosovës, Halili bashkëveproi me shumë shokë, si Rexhep Malaj, Kadri Zeka, Nuhi Berisha, Gani Sylaj, Hasan Malaj, Saime Isufin, Xhafer Shatri, Hydajet Hyseni, Ilmi Ramadani, Bajram Dermaku, Kadri Abdullahu, Ibrahim Kelmendi, Rrahim Xhaviti nga Konçuli, Elezi nga Smira, Ajdin Maxheraj, Sadriu e Kurdiu nga Çerkezi i Kumanovës, Reshati e Hakiu nga Përlepnica, Bajram Idrizi, Shaban Hasani e Azizi nga Pograxha, Nexhmedin Ahmeti, Haqif Krasniqi, Ismet Krasniqi e Shefketi dhe me simpatizantë të “Liria”-s, si Hajrizi nga Malisheva, Idrizi nga Bukoviku, Haziri nga Përlepnica, Ramizi nga Begunca, Bajram Gashi nga Begraca, Skënderi nga Vakajt etj. Halili komunikonte dhe kishte krijuar relata miqësie edhe me qytetarë dhe aktivistë gjermanë, të cilët në disa raste e kishin ndihmuar në veprimtarinë e tij.

Gjatë leximit të librit bie në sy një mbamendje e admirueshme e Halilit 83-vjeç, i cili sjell në kujtesë deri në detaje, jo vetëm zhvillimin e ngjarjeve, por edhe bisedat mësimdhënëse që kishte me bashkëveprimtarët, sidomos me heronjtë Kadri Zeka dhe Rexhep Malaj.

Me ndjenja dhembjeje dhe krenarie, Halili kujton ngjarjen tronditëse të 17 janarit të vitit 1982, kur u krye atentat i UDB-së jugosllave kundër Kadri Zekës e vëllezërve Gërvalla në Untergrupenbah, afër Shtutgardit në Gjermani dhe rënien heroike të Rexhep Malajt e Nuhi Berishës më 11 janar 1984 në Prishtinë.

Një përjetim që nuk do ta harrojë kurrë Halili, ishte takimi me Rexhep Malajn kur ky kishte dalë nga burgimi i gjatë. Halili kishte bërë rrugën e ilegalit me shumë peripeci dhe rreziqe që të çmallej me bashkëluftëtarin e tij të parë.

Është për t'u vlerësuar insistimi këmbëngulës i autores për të nxjerrë informatat në detaje, nganjëherë si me darë, nga i intervistuara që nuk i pëlqen të flasë për veten e tij, por për bashkëveprimtarët, të cilët i vlerëson aq lart. Ndihet i çliruar kur del në këtë terren dhe në mënyrë brilante portreton shokët e tij të luftës, si Rexhep Malajn, i cili ia hapi dyert e mëdha të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe e përgatiti me takt për të hyrë brenda saj me dinjitetin dhe integritetin e militantit të paepur. Ai nuk i ka harruar mënyrën bindëse të Rexhep Malajt për domosdoshmërinë e veprimit të organizuar dhe për ta frymëzuar e mobilizuar popullin e robëruar të ngrihet në kryengritje, sepse çlirimi duhet të vijë nga energjitë e bashkuara të popullit, si vepër e tij. Me të kryer „Akademinë ushtarake“, siç e quan ai, te strategu Rexhep Malaj, nis t'i zbatojë mësimet teorike të tij me punëtorët në mërgim dhe t'i plotësojë ato me literaturën që lexonte edhe vetë. Koha e gjatë e veprimtarisë, mbledh përvojë nga praktika e veprimit dhe nga leximi i literaturës. Halil Malaj dëshmon se jo vetëm mblidhte e shpërndante libra të ndaluar e botime të shtypit klandestin, por edhe i lexonte ato, madje edhe libra të autorëve të huaj, si bie fjala romanin „Për Atdheun“ të autorit spanjoll, Vincente Blasko Ibanjez, në të cilin personazhi Romeu përgatiste popullin e vet për rezistencë kundër forcave pushtuese. Këtë shembull Halili, tashmë si veprimtar profesionist ua rrëfente kolegëve për t'i edukuar me frymën e atdhedashurisë dhe të sakrificës në emër të lirisë. Megjithatë Halili modest, me gjithë përgatitjen e tij, sidomos pas arrestimit të Rexhep Malajt më 1975, vazhdon të kërkojë prijës e organizatorë, pa e konsideruar kurrë vetën si të tillë edhe pse kishte përgatitur për veprim e aderim në strukturat e organizuara të Lëvizjes aq shumë bashkëveprimtarë.

Natyra dhe mënyra e veprimtarisë çlirimtare në mërgim, ku Halil Malaj qëndroi dhe veproi gjatë, dallon nga ajo brenda atdheut, sepse ka specifikat e veta (puna kryesisht me punëtorë, bojkotimi i klubeve si instrumente të pushtuesit, kujdesi ndaj legjislacionit të huaj, konspiracioni specifik dhe zhdërvjelltësia për t'iu shmangur ndjekjeve gjatë kthimit në atdhe, rreziku i lartë i bartjes së materialeve inkriminuese, qoftë nga brenda apo nga jashtë etj.)

Halili ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat shqiptare në mërgim dhe bashkëvepronte me figura të shquara të Lëvizjes jashtë. Për shkak të veprimtarisë atdhetare atë e kishin larguar nga puna dhe banesa në Gjermani, por gëzonte mbështetje dhe solidaritet te bashkatdhetarët e vet.

4

Një skalitje të veçantë dhe me përkushtim autorja i bën figurës së Hazbije Malajt, nënës së dy vajzave dhe dy djemve të saj, veprimtarë të dënuar me shumë vite burg, bashkëshortes dhe bashkëveprimtares së Halil Malajt të mërguar larg saj dhe fëmijëve që nuk mund t'i shihte as në shtëpi as në burg, sepse kërkohej të arrestohej nga regjimi pushtues. Në mungesë të tij në familje, nënë Hazbija ishte prind i dyfishtë i shtatë fëmijëve të saj. Ajo rrugëtonte drejt kazamateve jugosllave për t'i vizituar fëmijët e saj të burgosur dhe rropatej me vështirësitë e jetës nën kushte të një lëçitjeje të familjes së saj. Këtë formë të dënimit Halili dhe familja e kishin përjetuar veçanërisht rëndë kur po përpiqeshin me sakrifica për lirinë edhe të atyre që kishin pranuar të mos shkelin pragun e shtëpisë së tyre. Regjimi pushtues i detyronte në këso lëçitje, madje edhe të afërmit e gjakut, miqtë dhe fqinjët e familjeve të të burgosurve politikë shqiptarë, si një masë dënimi shtesë për tërë familjen.

Megjithatë, jeta e Halilit dhe e familjes së tij nuk ishte e tëra dhembje, pikëllim dhe vuajtje. Vetë përfshirja në dallgët e rezistencës së organizuar kundër robërisë e bën veprimtarin të ndjejë atë përjetim që në estetikë quhet e madhërishmja, d.m.th. kënaqësia, apo po deshët lumturia në rrezik, paqja me ndërgjegjen, kuptimi dhe domethënia e vërtetë e jetës, krenaria dhe plotënia e personalitetit. Jeta e organizuar në Lëvizjen Kombëtare vetëkuptonte normat e rrepta të sjelljes e të veprimit, si disiplina e konspiracioni, por edhe parimet e virtytet e larta të personalitetit që duhej formuar çdo ditë. Ky formim i veprimtarit çlirimtar që bëhej në mënyrë kolektive dhe individuale prezupozonte përveç përvojës praktike edhe studimin, njësoj si intelektuali edhe bujku e punëtori. Halili vepronte, por edhe lexonte për të fituar çdo ditë dije dhe për t'u edukuar e fisnikëruar me guximin, dijen e vullnetin, me besnikërinë dhe përkushtimin, me atdhedashurinë e vetëmohimin, solidaritetin e humanizmin. Ai vetë i vërente ndryshimet që pësonte në jetën e re, duke përtërirë e rinuar shpirtin dhe energjitë njerëzore. Pas angazhimeve shumëdrejtimëshe lodhej, por pushonte me ndërgjegjen e qetë dhe shpirtin e patrazuar.

Në kujtesën e Halilit dhe në tekstin e autores parakalojnë edhe një galeri e tërë portretesh të bashkëveprimtarëve dhe familjarëve të protagonistit të veprës, me të cilët ai kishte lidhur fatin, kishte bashkuar energjitë dhe përpjekjet atdhetare.

5

Zyrafetja është nga ata autorë që në këtë libër vuan jo nga mungesa, por nga bollëku i lëndës për shtjellim. Ajo mund të bënte jo një, por të paktën shtatë libra për shtatë luftëtarët e lirisë të familjes së Halil Malajt, duke filluar nga babë Idrizi, i biri i tij Halili me bashkëshorten Hazbije dhe katër pasardhësit e tyre.

Libri me informacionin që sjell, me dëshmitë e dorës së parë, me relevancën e faktografisë historike dhe objektivitetin e trajtimit të asaj periudhe të Lëvizjes Kombëtare, përbën burim të dhënash edhe për studiuesit e historisë më të re të Kosovës dhe kombit shqiptar.

Nëpërmjet të protagonistit të veprës, autorja hedh dritë edhe mbi zhvillimet historike të viteve kur ai veproi, por edhe për vetë organizatën e tij. Jeta dhe veprimtaria e Halilit, ndërkaq, ishte dhe mbetet pjesë e tërësisë së jetës dhe veprimtarisë së organizatës ku ai militoi.

Në libër gjejmë tablonë e regjimit pushtues me gjithë egërsinë e tij, me shpirtin kriminal dhe urrejtjen patologjike, me veprimet monstruoze dhe imoralitetin ekstrem.

Autorja, duke shkruar për jetën dhe veprimtarinë e Halilit, e ka paraqitur atë si një shëmbëlltyrë frymëzimi të atdhedashurisë në luftë e në paqe. Libri përshkohet fund e krye nga mesazhi edukues për brezat e rinj dhe është shkruar më shumë për ta se sa për vetë protagonistin e veprës.

Përfundim

Hogoshti i vogël dhe kryengritës, ku lindi, u rrit dhe u edukua veprimtari Halil Malaj, qoftë edhe me vetëm dy familjet e tij emblematike, Malaj dhe Kastrati bën sa një krahinë e tërë shqiptare.

Si monument i ngritur për së gjalli, kjo vepër monografike dhe memoristike e nderon Halil Malajn, por i jep meritë të lartë edhe autores dhe veprimtares, Zyrafete Kryeziu-Manaj. Mbi të gjitha libri përbën një kontribut me vlerë për studimet historiografike dhe begatimin e fondit arkivor dokumentar e dëshmues të Lëvizjes sonë të re kombëtare.

Halil Malaj, ky burrë i madh i virtyteve të larta e fisnike, i kontributit madhor në themelet e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, meriton më shumë se kaq, por siç alarmon autorja, vlerat tona kombëtare nuk po çmohen sa duhet në plan institucional, madje as në atë mediatik e publicistik.

Në libër lexuesi i kujdesshëm mund të vërejë edhe ndonjë të metë e pasaktësi, gabim ortografik e sintaktik, se edhe Homeri dremitej, por që nuk i cenojnë vlerat e tij themelore. Njëra nga këto mangësi është edhe mosevidentimi i datave të zhvillimeve, mbasi të intervistuarit nuk i janë kujtuar saktë.

Paraqitja e ngjarjeve nuk ndjek kronologjinë e zhvillimit, por kthimi i kujtesës në formë digresioni i jep gjallëri akoma më shumë librit.

Në këtë fillim të Vitit të Ri, 2020, Halilit tonë le t'i urojmë pleqëri të bardhë dhe jetë të gjatë, bashkë me familjen e tij atdhetare!

Ne bashkëveprimtarët e Halilit do të jemi përjetë mirënjohës dhe krenarë për kontributin madhor që ai i dha radhëve tona të organizuara dhe çlirimit të Kosovës së tij të shtrenjtë, më të shtrenjtë se jeta e vet dhe e familjes që i kultivoi vlerat sublime.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks