SHKRIMI
e mërkurë, 21 nëntor 2018

GANI QARRI: ZEQIR HALILI (1853-1918), NJË JETË NË LUFTË PËR LIRI(II)

Cyrih, 18. 11. 2014 - (Kontributi i Zeqir Halilit në luftërat çlirimtare të vitit 1912) - Më 11 janar të vitit 1912, pas shumë problemesh,më në fund Parlamenti i Perandorisë turke do të shpërndahej. Të nesërmen, më 12 janar, paria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemaili dhe Hasan Prishtina do të mbanin një Mbledhje në periferi të Stambollit , e cila sipas vendit ku u mbajt,në histori do të njihej si Kuvendi i Taksimit. Aty, u vendos që Kombi shqiptar të marrë në duart e veta, fatin e tij dhe vendi të drejtohet prej një qeverie shqiptare. (Prof. Dr. Hakif Bajrami: "Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?") I alarmuar nga paralajmërimi i Hasan Prishtinës në parlamentin turk, para se të shpërbëhej se nëse qeveria xhonturke nuk pranon kërkesat e shqiptarëve, ai i pari do ti prij luftës kundër Perandorisë dhe gjendjes së acaruar në trojet shqiptare, në fillim-marsin e vitit 1912,ministri i brendshëm turk Adil beu, do ta vizitonte Kosovën, duke qëndruar së pari në Mitrovicë e pastaj në Pejë e Gjakovë për të ndaluar pak edhe në Prizren, para se nga andej të kalonte në Shkodër,ndaj i njoftuar për këtë itinerar, Zeqir Halili dhe Bajram Daklani,do të kalonin disa dit lufte në Has të Kosovës gjat ndjekjeve të ministrit xhonturk.

Më 7 mars të vitit 1912,në rrugëtimin e Adil beut nga Peja në Gjakovë, megjithëse mbrohej nga dy batalione me ushtarë,Mahmut Zajmi me bashkëluftëtarët e tij do ta sulmonte pranë fshatit Strellc të Deçanit,duke zhvilluar luftime për disa orë, ku sipas burimeve konsullore do të vriteshin 30 dhe plagoseshin 50 ushtar.

Më 7 mars, kur ministri turk po kalonte nga peja në Gjakovë, i shoqëruar nga dy batalione,u sulmua nga forcat kryengritëse të komanduara nga Mahmut Zajmi në rrugën Pejë Gjakovë, në afërsi të fshatit Strellc. .... Edhe forcat që u dërguan në drejtim të Prizrenit për t`i hapur rrugën Komisionit u sulmuan nga kryengritësit më 11 mars midis fshatrave Raçë e Moglicë. Pas tri ditë luftimesh ushtritë turke i sprapsën kryengritësit vetëm pasi përdorën forcat e artilerisë. ( Shqipëria .com Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912. Kreu XIII, " Shpërthimi i kryengritjes dhe veprimet e para të armatosura. Mars-Maj 1912")

Në këto tri ditë luftime në këtë trevë hasjane,në gjatësi frontale prej 7-8 kilometrash,sa ka hapësira nga Raça e Moglica deri te Ura e Shejtë, udhëheqësit kryesor të luftimeve edhe në Has ishin Zeqir Halili e Bajram Daklani,të cilët sipas fjalëve të pleqve tanë, ata natën e parafundit,të lodhur nga luftimet, shiu dhe balta pranverore, do të pushonin e pastroheshin në kullën prej guri të gjyshit tim, prej nga pas mesnate me ndihmën e xhaxhait të gjyshit Adem Halil Qarrit, i cili do të vritej nga serbët më 1913 në Zhur afër Prizrenit,do të niseshin mbi kuaj të ngarkuar me armë e municion, për të arrit herët-para mëngjesit te ura e Shejtë, ku do të zinin pritat me luftëtarët që ishin strehuar dhe ushqyer në shtëpitë përreth , dhe më në fund, edhe sipas një shkrimi të datës 6 mars të viti 2014, nga Dr. Masar Rizvanollit, në "gjakovapress", do ta ndalonin e si duket dhe detyronin ministrin turk, të miratonte "me ferman" lejimin e shkollave në gjuhën shqipe.


 

Bajram Mani dhe Bajram Nimani


Bajram Daklani dhe Zeqir Halili,në mars 1912, i prenë rrugën Haxhi Adil beut, ministrit të brendshëm turk te Ura e Fshajit dhe i kërkuan hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e alfabetit latin në to.87. Mirëpo, okupimi i qytetit nga forcat serbo-malazeze më 1912 pengoi çfarëdo orvatje për hapjen e tyre.88. (Dr. Masar Rizvanolli "Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918" gjakovapress 6 mars 2014)

Në muajt prill dhe maj të vitit 1912,para shpërthimit të kryengritjes,në të gjitha krahinat filluan mbajtjet e tubimeve për Lidhjen e Besës ndërmjet shqiptarëve. Një tubim të tillë , nën udhëheqjen e Bajram Currit e Zeqir Halilit, do ta mbanin edhe prijësit e Krasniqes, Gashit, Bytyqit, Hasit dhe Rekës, në mbështetje të kuvendit historik të Junikut dhe fillimit të luftës së përgjithshme kombëtare për çlirim nga Perandoria turke.

Në këtë luftë çlirimtare që pasoi pas lidhjes së shumë besave në krahina të ndryshme, si emërues i përbashkët për luftë unike do të shërbejnë Vendimet e Kuvendit të Junikut 21-25 maj 1912. (Prof. Dr. Hakif Bajrami: Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)

Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912)

Për jetësimin e vendimit të prijësve shqiptar dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912,Hasan Prishtina do të kthehej ndër të parët në atdhe, kurse Ismail Qemali,pa vonuar do të nisej në misione diplomatike për sigurimin e përkrahjes së Pavarësisë së Shqipërisë e cila parashihej të shpallej atë vit. Si vend më i përshtatshëm për mbajtjen e një Kuvendi me kaq rëndësi , do të zgjidhej Juniku, në të cilin nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912 do të mbaheshin punimet e kuvendit dhe merrej vendimi historik për fillimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare.

Zeqir Halili si trim e luftëtar i dalluar dhe patriotë i shquar i kombit që ishte edhe kësaj radhe,zërit të atdheut për çlirim nga Perandoria turke dhe luftës kombëtare për Pavarësi, do ti përgjigjej shpejt dhe me vendosmëri ashtu siç e kishte traditë ai, tani e sa kohë, duke bashkuar Krasniqe e Gash,Bytyq,Has e Rekë dhe fiset tjera të Malësisë për të nisur i pari kryengritjen,që në pranverën e atij viti.

Atbotë, për heroizmat dhe përpjekjet e tij të pareshtura anti-osmane do të shkruante pothuajse i gjithë shtypi i kohës,e në mënyrë të veçantë gazetat që dilnin në gjuhën shqipe si "Liria" (1908-1910) nga Mithat Frashëri në Selanik, "Dielli" (1909-1910)Fan Noli,Faik Konica, etj...në Boston, "Shkupi"(1911-1912) Jashar Erebara në Shkup, "Drita" (1901-1908) Shahin Kolonja në Sofje, ”Korça”(1908-1910) Sami Pojani Korçë,etj. si dhe do t’i këndoheshin këngë të zgjedhura epike, nga opusi i gjerë i popullit të tij të robëruar, i cili nga heronj të tillë me besim dhe entuziazëm priste çlirimin dhe arritjen e lirisë.

Bashkë me Bajram Currin, i cili po-ashtu i takonte fisit të madh të Krasniqes dhe ishte me origjinë nga Malësia,disa ditë para se të fillonin luftimet me garnizonin turk të vendosur në Qafë të Prushit,sipas të vjetërve, thuhet se ata të dy-do të vendoseshin në Has, në Kullën e Hysen Selmanit të Qarrit, të cilin e kishin edhe si"vëlla"nga fisi,prej nga do të niseshin në sulm dhe udhëhiqnin betejën e njohur të Qafës së Prushit,ku do ta shkatërronin garnizonin turk, të vendosur atje, si dhe kapnin shumë municion e armatime, me të cilat do të pajiseshin kryengritësit e Hasit, Krasniqes, Gashit dhe Bytyçit, të cilët pak kohë më vonë do të nisnin sulmet për çlirimin e Gjakovës.

Suksesi i kryengritësve të udhëhequr nga Bajram Curri, dhe Zeqir Halili, në Qafë të Prushit, sipas Hasan Prishtinës jo vetëm që do t’u jepte zemër të gjithë luftëtarëve shqiptarë dhe shpirt kryengritjes së përgjithshme kombëtare e cila kishte marrë përmasa të mëdha dhe shtrihej shpejt e me guxim gjithandej, anë e mbanë hapësirave të Kosovës.

Nga aty fitoret e luftës nuk patën të ndalur, deri me ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë.

Bajram Curri e Zeqir Halili, në këtë betejë dëshmuan edhe një herë se Malësia e mirë si pjesë e ndritur e Dardanisë së vjetër,është vendlindje e shumë trimave të kombit me të cilët në krye, ushtarët e lirisë së trojeve tona, nga arenat e luftërave të mëdha, në sa e sa përballje me armikun, dolën faqebardhë.

Ata,si dikur edhe sot, janë dhe mbeten krenaria e kombit të të gjithë shqiptarëve kudo.

Luftimet për çlirimin e Gjakovës i drejtonin Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani e Ali Binaku me shtatë nipat e tij nga Krasniqja e Malësisë kreshnike, një betejë e suksesshme e filluar natën për ta zbardhur ditën edhe me një fitore mbi Gjakovën e çliruar.

Më 22 korrik të vitit 1912,ishin kreatorët e fitoreve,si Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani etj,të cilët në krye të 12000 kryengritësve të Malësisë dhe Rrafshit të Dukagjinit, do të hynin në Prishtinë si çlirimtarë, kurse nga aty me 6000 luftëtarë do të niseshin drejt Shkupit,për çlirimin e tij si kryeqytet i vilajetit të Kosovës.

Pas sukseseve të njëpasnjëshme nga krahina në krahinë më 5 gusht të vitit 1912,me urdhër të Bajram Currit,200 luftëtarë pararojë me në krye Bajram Daklanin, do të hynin si çlirimtarët e parë në Shkup ku Bajram Daklani po atë ditë,për herë të parë pas rreth 500 vitesh robërie, do ta ngrinte me krenari Flamurin Kombëtar të fitores,ndërsa më 13 gusht të po ati viti, në ballë të 6000 kryengritësve, në Shkup do të arrinte edhe Bajram Curri e Zeqir Halili, me ç`rast Bajram Curri do ti lironte mbi 1000 të burgosurit shqiptar, të ngujuar padrejtësisht nga pushtuesit xhonturq.

Zeqir Halili, kontribuoi shumë edhe për arritjen e Pavarësisë së Shqipërisë siç do të ipte çdo gjë nga vetja në luftimet kundër pushtuesve serbo-malazezë për mbrojtjen e tokave tona, duke mos dorëzuar armët as pas ardhjes së ushtrisë Austro-Hungareze në vendin e shqipeve, deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Madje besohet se Zeqir Halili më 1912 ishte me Isa Buletinin në Vlorë dhe ai paraqitet me emrin e personazhit-Shpend Dragobia edhe në filmin "Nëntori i Dytë" por ka dhe shkrime mbi këtë temë,si teksti në vijim;  Zeqir Halili, i njoftun si luftëtar pa kompromis, që bashkë me Is Boletinin ka marrë pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlonë më 1912,vritet nga austro-hungarezët. (Ramiz Lushaj "Abedin Mulosmanaj: Politikani e Diplomati i njoftun, njeriu i besës e i letrave shqipe" Portali "Tribuna Shqiptare" August 17,2011, dhe www.voal-online.ch/index.php?mod=article&page 15.08.2011.)

Është vështirë të gjenden luftëtar dhe prijës tillë trima e luftëtar të pa epur si Zeqir Halili, i cili një jetë-gjatë, shkëlqeu si diamanti para drite në përpjekjet e pareshtura për liri, pa u lodhur asnjëherë,nga përballjet e vështira me armiq dhe pushtues të shumtë të trojeve shqiptare.



Elani i tij luftarak, vërtetohet edhe një herë më tepër në dokumentarin kushtuar Binak Alisë, nga mesi i të cilit për disa minuta flitet edhe për Zeqir Halilin,ku sipas një raporti të gjetur në arkivat e luftës së Malit të Zi, të datës 15 tetor 1912, thuhet se Bajram Curri dhe Zeqir Halili ,nga 2 maji (i atij viti), do të sulmonin çdo ditë pozicionet e forcave malazeze, që tentonin ti zaptonin trojet tona etnike.

Pushtimet e tokave shqiptare nga fqinjët hegjemonist

Megjithëse për shpërbërjen e Perandorisë Osmane në Ballkan,rol vendimtar patën kryengritjet shqiptare të shekullit XIX dhe fillim-shekullit XX, e në mënyrë të veçantë luftërat e viteve 1908-1912, të cilat quan në dëbimin përfundimtar të Perandorisë turke nga kjo pjesë e Evropës, me gjithë kontributin që shqiptarët dhanë si dhe të drejtën e tyre për liri dhe shtet-formim, Fuqitë e Mëdha me qëndrimet e tyre indiferente deri në përbuzje ndaj popullit tonë, do ti zhgënjenin shumë shqiptarët, sidomos gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912-1913.

Madje, përkundër asaj se më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare dhe kërkonte nga Fuqitë e Mëdha njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, ato për rreth një vit gati sa heshtën fare, për ti shpërblyer pas një vitit agresorët me më tepër se gjysmën e tokave tona, të pushtuara që më parë dhe pranuar vetëm rreth gjysmën e mbetur të tyre si gjysmë-shteti shqiptar, nga data 29 korrik e vitit 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Madje,po ato Fuqi të Mëdha,të cilat pas çlirimit të Shkupit që në gusht të vitit 1912,menjëherë dhe në mënyrë ultimative,pas katër ditësh gjendje lufte (Dr.Hakif Bajrami, "DVOR" letra e A.Rajsit.....), do ti detyronin pa të drejt kryengritësit shqiptar të çarmatoseshin dhe ktheheshin të dëshpëruar në shtëpitë e veta, duke lënë vendin pa mbrojtje, dhe hapur dyert e pushtimit në të gjitha anët, hap e krah,vendeve hegjemoniste fqinje të cilat nuk vonuan të zaptonin trojet tona, përkundër deklaratave famoze të Fuqive të Mëdha para kryengritësve shqiptarë, kinse nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve me luftë.

Në anën tjetër, Perandoria turke në vend sa ta njihte dhe pranonte Shtetin e Pavarur Shqiptar, vazhdonte edhe më tej të deklaronte me kokëfortësi se si tokat tona i takonin Perandorisë.

Pretendimi turk mbi tokat tona, ishte edhe një pretekst i mirëseardhur për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat të ndihmuara financiarisht e ushtarakisht me armatim dhe mercenarë të shumtë rusë, në emër të "çlirimit" të popujve ortodoksë nga shteti "osman" në tetor të vitit 1912, ti shpallnin luftë Turqisë,për të pushtuar me forcën e armëve,tokat shqiptare.

Megjithëse ato vite shqiptarët vërtet luftuan si trimat, fatkeqësisht përpjekjet për mbrojtjen e trojeve tona etnike ,nuk do të përfundonin as pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare, ngase shtetet hegjemoniste fqinje sapo kishin filluar tu suleshin si hienat,për grabitjen dhe copëtimin sa më parë të tyre, nga të gjitha anët.

Ndaj,edhe pse vendi ende nuk e kishte marrë veten nga plagët e luftës me Perandorinë, luftën me pushtuesit e rinj e kishte në prag dhe zëri i atdheut, luftëtarët me nam si Zeqir Halili me shokë, do ti ftonte për t’u dal zot përsëri tokave të të parëve,dhe mbrojtur shtetin e ri të sapo-shpallur si të Pavarur, nga sulmet e shovinistëve serbo-malazez dhe grek të cilët donin të përpinin deri në fund çdo pjesë të atdheut dhe zhduknin nga faqja e dheut çdo gjë shqiptare.

Veprimet e fqinjëve hegjemonist nuk ishin të papritura për shqiptarët, ata tanimë ishin mësuar me qëllimet e tyre grabitqare, ndaj ashtu siç edhe pritej, më 13 tetor të vitit 1912, Serbia sulmoi Kosovën, Shqipërinë veriore dhe viset lindore në Iliridë. Mali i Zi, Plavën,Gucinë, Hotin, Grudën Kelmendin, Pejën e Gjakovën e më vonë edhe Shkodrën, Greqia Janinën dhe tërë Çamërinë si dhe viset e Shqipërisë së jugut deri në Shkumbin, ndërsa Bullgaria në Lindje synonte të arrinte në Korçë dhe më në thellësi të zemrës së Shqipërisë së Jugut. Përveç pushtimit të tokave tona etnike,siç mësojmë nga historia kombëtare e atyre viteve të cilat pasqyrohen qartë edhe te portali"Pashtriku.org" ushtritë zaptuese të vendeve hegjemoniste fqinje, shkaktuan masakra dhe terror të paparë mbi popullsinë e pambrojtur civile. Për shembull, në fillim të luftimeve në Lumë,serbët nisën ti vrisnin shqiptarët me pushkë, kurse më vonë do ti thernin ata me thika dhe bajoneta. Kështu që, edhe gazeta britanike”Daily Telegraph” do të shkruante: ”Historia nuk njeh masakrime më të tmerrshme se ato të gjeneralit serb, Bozhidar Jankoviq, mbi shqiptarët".

Kurse për krimet serbe gjatë muajve shtator -tetor të vitit 1913,në Dibër e rrethinë, do të mbante shënime edhe shkrimtari ynë i mirënjohur Haki Stërmilli,të cilat na flasin me këtë gjuhë trishtimi: ”Tabakhaneja, që dikur ishte thertore bagëtish në qytet, tani (nga serbët) është kthyer në thertore shqiptarësh,....etj. E vrasjet dhe gjenocidi mbi popullin tonë do të vazhdonin, deri me ardhjen e Austro-Hungarisë, në këto troje.

Madje,forcat austro-hungareze,do ta ndiqnin ushtrinë serbe,jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe nga vet Serbia, e cila me gjithë vrasjet dhe gjenocidin që kishte ushtruar mbi shqiptarët në shtëpitë dhe tokat e tyre, deri pak kohë më parë, tani me ndihmën e Esat Pashë Toptanit dhe bashkëpunëtorëve tjerë shqiptar, do të kalonte pa therrë në këmbë,mes për mes maleve dhe fushave të Shqipërisë së ndarë në klane rivalizuese, për tu rigrupuar në ujdhesat e "Greqisë". Vetëm luftëtarët si Bajram Curri,Isa Buletini Zeqir Halili, Dy Bajramat e Malësis etj., do të luftonin pareshtur edhe në ato vite të kobshme kundër të gjitha forcave pushtuese të vendeve hegjemoniste fqinje, sidomos kundër atyre serbo-malazeze.

Madje Zeqir Halili me bashkëluftëtarët e tij,i ndihmuar edhe nga Bajram Mani, bajraktar i Krasniqes dhe Bajram Nimani udhëheqës i njohur i Malësis, nuk do ti ndalonte luftimet as në muajt korrik e gusht të vitit 1915, si në Qafë të Morinës,ashtu edhe në Gash e Krasniqe, i cili në krye të malësorëve kryengritës, do të arrinte që në vitin 1916, me zjarrin e pushkës t’i dëbonte përfundimisht forcat pushtuese serbo-malazeze, nga Malësia. Baroni austro-hungarez, Franc Nopça (1877-1933), i njohur si ekspert i Gjeologjisë, Etnologjisë, Historisë etj. u mor gjatë me studimet albanologjike,historinë dhe të drejtën kanunore në trevat e veriut, i cili pas studimeve të gjata në trojet shqiptare,do të shkruante rreth 54 vepra mbi popullin, historinë dhe gjeografinë e vendit tonë, për tu kthyer në shkencëtar udhërrëfyes mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ai në librin "Udhëtime nëpër Ballkan" në kujtimet e tij, gjatë një tubimi në Kishën e Rajës, e përshkruan Zeqir Halilin si personalitetin më të rëndësishëm të shtatë bajraqeve.

Vrasja e dy Bajramave dhe Zeqir Halilit

Si udhëheqës me shpirt kryengritës,luftëtar besnik dhe idealist i paepur i motos "Ja vdekje,ja Liri", atij do ti vinte një vdekje e pamerituar,krejt ndryshe nga ajo që e kishte menduar ai dhe të tjerët për të. E përgatitur në heshtje, papritur dhe e organizuar në mënyrë tinzare,jo e drejtë dhe tejet e pa denjë për Zeqir Halilin, mori me pabesi këtë frymëzues të madh të kauzës kombëtare, i cili përherë mbeti ushtarë i përkushtuar i atdheut. Ndaj ai kishte legjitimitet dhe arsye të forta, të mos pajtohej me të gjitha veprimet e cilitdo njësit austro-hungarezë në trojet shqiptare.

Madje, në gjendjen çfarë ishte dhe para rreziqeve që ndodhej vendi, i rrethuar në çdo anë prej grupesh kriminale që vinin të armatosur nga shtetet hegjemoniste fqinje për terrorizimin e banorëve shqiptar në zonat kufitare, ai pati të drejt të binte në kundërshtim të papajtueshëm me kërkesat e austro-hungarezëve për çarmatosjen e malësorëve si dhe tendencat e tyre për burgosjen e banorëve kryengritës të Malësisë, të cilët armët i kishin pjesë të jetës ndaj dhe nuk pranuan t’i dorëzonin asnjëherë.

Por, në vijim, le të kalojmë te shkaqet e vrasjes së tij.

Sipas asaj që dëshmojnë pasardhësit e familjes dhe stërnipat e nderuar të Zeqir Halilit, vëllezërit Agim e Shkëlzen Mulosmanaj, shkaku që do ta qonte Zeqirin në konflikt me forcat austro-hungareze,ishte një rast i cili edhe në këtë kohë, mendohet të ketë qenë i pa qëllimtë, dhe nga ata shpjegohet me sa vijon :

Disa muaj para vrasjes së Zeqir Halilit, një Kaçak i strehuar në malet pranë vendit të quajtur Qafa e Luzhës, aty ku ndan rruga për Bytyq, do të dëgjonte zhurmën e patrullës ushtarake austro-hungareze e cila kalonte atypari dhe në përbërjen e saj, kishte edhe një doktor.

Personi në fjalë, duke menduar se për shkak të mosdorëzimit të armës,patrulla e përmendur,ishte vënë në kërkim të tij, nga frika e çastit, shtie në drejtim të ushtarëve, me ç`rast një nga plumbat do ta vriste doktorin.

Megjithatë, fatkeqësisht vetëm disa vite pas shuarjes së Zeqir Halilit, do të merrej vesh se autori i vrasjes kishte qenë dikush tjetër, madje një kaçak i "përtej Drinit" i cili ditën kritike,rastësisht qëlloi në atë vend, ndërsa me origjinë, duhej të ishte nga Puka apo rrethina e saj.

Pasi që dorasi kishte ikur në thellësi të maleve të cilat ishin shtëpi e beden mburoje për te, por tokë e panjohur dhe e frikshme për njësitin austro-hungarezë, ata në pamundësi të kapjes së autorit ,do të rrethonin fshatin Luzhë dhe tubonin gjithë banorët në Xhamin e fshatit, duke kërkuar tu tregonin se kush e kishte vrarë doktorin austriak. Megjithëse askush nuk dinte,ushtarët lirojnë vetëm grat dhe fëmijët,por jo edhe burrat të cilët të lidhur dy nga dy do ti nisnin në drejtim të Bujanit, për ti vrarë në shenj hakmarrjeje. Ndërkohë,të liruarit e alarmuar, njoftojnë Zeqir Halilin dhe kërkojnë ndihmën e tij për shpëtimin e burrave luzhjanë. Ndaj gjenerali kryengritës i Malësisë së mirë nuk mund ta përpinte në heshtje një padrejtësi të tillë. Ai, mobilizon shpejtë "ushtarët" e tij dhe rrethojnë patrullën austro-hungareze në oborrin e Xhamisë së Bujanit, ku ( sipas vëllezërve mulosmani) kishin detyruar burrat e marrë peng të Luzhës që ti hapnin vet varret e tyre, para se ti pushkatonin.

Zeqir Halili me të arritur në vendin e ngjarjes,njofton udhëheqësin e patrullës austro-hungareze, se ata ishin të rrethuar dhe i jep atij një ultimatum të shkurtër për lirimin e menjëhershëm të burrave të pafajshëm.

Nga frika e konfrontimit të armatosur, njësiti austro-hungarez, aty liron burrat e marrë peng, por me tu kthyer në Qaf të Luzhës, varin hoxhët e fshatit Luzhë dhe Pacit të Bytyqit, për të cilët thuhet se është ngritur edhe një përmendore në kujtim të tyre.

Madje,ata kishin trishtuar për vdekje edhe një të ri, të cilin për shkak të moshës minore e falin, por nga frika që kishte pësuar, me të arritur në derë të shtëpisë, thuhet se kishte vdekur nga traumat e saj.

Ushtarët e mllefosur austro-hungarez, jo vetëm se nuk do ta harronin shpejt turpërimin e përjetuar,por nga bashkëpunëtorë shqiptar dhe spiun dashakëqij vendor, të cilët nuk ua donin të mirën dy Bajramave as gjeneralit të Malësisë, do ta keq-informonin komandën austro-ungareze, kinse doktorin e tyre, me ndihmën e Bajram Manit dhe Bajram Nimanit e kishte vrarë vet Zeqir Halili.

Ndaj papritur e pa-kujtuar, vetëm pak kohë para se ushtria austro-hungareze të tërhiqej nga trojet shqiptare,në mëngjesin e 18 gushtit të vitit 1918, njësiti i postës ushtarake të Tropojës do të organizonte një ekspeditë të armatosur, me ç`rast në vendin e quajtur Malet e Policës,së pari do ti vrisnin të dy bajramat; Bajram Manin atëbotë "Bajraktar" i Krasniqes dhe Bajram Nimanin nga fshati Margegaj, trima të njohur dhe kryengritës me nam të Krasniqes të cilët nga viti 191o e deri më 1915,ishin bërë shembull për luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese turke dhe atyre serbo- malazeze, si bashkëluftëtar të ngushtë të Zeqirit.

Vetëm,disa orë më vonë dhe pak kilometra më tej,njësiti i "nemces" siç quheshin austro-hungarezët nga banorët vendës atë kohë, do ta vriste edhe Zeqir Halilin, derisa ai pushonte i qetë dhe pa ndonjë parandjenjë të keqe, me familjen e tij pranë Qafës së Markofqës në Bjeshkët e Gjarprit,si pikë e zgjedhur për pushime nga paraardhësit e tij.

Pas këtyre vrasjeve, malësorët e Krasniqes dhe Gashit,të prirë nga Rexhep Abdullahu, do ta sulmonin postën e ushtrisë austro-hungareze në Tropojë të vjetër,ku do të zhvillohej një përleshje e ashpër,me ç`rast do të vriteshin disa pjesëtar të forcave austro-hungareze,për shkak të vrasjes së dy Bajramave dhe prijësit të shumë luftërave e betejave kombëtare Zeqir Halilit.

Kështu përfundoi jeta e dy dy burrave të dalluar dhe luftëtarëve trima të Malësisë si dhe e një udhëheqësi të shquar, të denjë e të pa epur kombëtar, nga më të shquarit e kohës, nga pinjollët e familjes së Binak Alisë, Malësisë dhe trojeve shqiptare kudo.

Mirënjohjet dhe harresa ndaj Zeqir Halilit

Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Tropojës, për merita të veçanta atdhetarie,luftarake e trimërie, urtësie,bese e bujarie, më 18 janar të vitit 1983, bazuar në vendimin Nr.02, Zeqir Halili, do të shpallej "Dëshmorë i Atdheut"!





Ndërsa,sipas nismës së një grupi intelektualësh,mbështetur në Ligjin Nr.8652, të datës 31.07.2000,me rastin e 90 vjetorit të rënies, me datën 14.08.2008, Zeqir Halilit do ti ndahej "Mirënjohja e Komunës" së Bujanit. Kurse më 1 tetor të vitit 2013,Lidhja e Historianëve të Kosovës "Ali Hadri" dega në Deçan, i ndau "Mirënjohje" Familjes së Zeqir Halilit. Më shumë hollësi se si ai vuajti, qëndroi dhe luftoi për 30 vite me radhë kundër pushtuesve dhe armiqve të kombit, nuk ishte e lehtë të sigurohen,madje ato sikur motet e mëdha i kishin marrë me vete për tu mbuluar nga vitet jo tërësisht-dashamirëse nëpër kohë, me hijen e trashur të harresës,nga "pakujdesia" shoqërore dhe shtetërore, si histori. Ndaj si parandjenjë jo e mirë që ndoshta edhe vet e pati,sado që të gjitha argumentet dëshmojnë se Zeqir Halili deri në vdekje mbeti kryengritës i përhershëm, përkundër përpjekjeve të pareshtura dhe gjithë viteve të kaluara me pushkë në dorë, ai do të shkonte me plagë të hapura në trup e shpirt dhe dëshirën e paplotësuar për të parë një herë në jetë, atdheun e tij të lirë. Madje, sikur mos të mjaftonin vështirësitë që kaloi, si dhe luftërat e betejat e mëdha që ai mbijetoi duke qëndruar përherë në ballë të tyre,si rrallë ndonjë prijës a udhëheqës tjetër,gjatë 30 vitesh qëndrese kundër turqve, serbo-malazezve dhe austro-hungarezëve, të cilët më në fund do ta vrisnin në befasi,është i dhembshëm fakti se gati me të njëjtin fat apo ngjashëm, do të pësonin edhe të bijtë si dhe jo pak nga bashkë-familjarët dhe pasardhësit e tij. Por pasi që ai vetë më nuk mund të flas, dhe përmendorja e tij,bënë sikur nuk shqetësohet shumë për harresën që iu bë emrit dhe veprës së heroit në shoqëri,për Zeqir Halilin si luftëtar i devotshëm i kombit, sikur mjaftojnë ato pak metra dhe, ku pushon i qet trupi i tij,mbuluar me tokën e të parëve për të cilin ai dha aq shumë, sa ishte gjallë. Ndaj nga dita e kobshme kur Zeqir Halili i Krasniqes u nda nga jeta në mënyrën që ne tanimë e dimë,familjar e të njohur, sa herë kalojnë pran varrit ku ai ra,nuk përmbajnë dot lotët e dhembjes që u rrjedhin nga sytë, kurse natën,siç qajnë motrat për vëllain e shuar me tradhti, zanat e malit të cilat dikur ndriçonin shtigjet nga ai nxitonte në luftë, tani e një shekull, mallkojnë pabesinë dhe shtojnë vajin për vrasjen prapa shpine të tij.

Burimet:

1. (Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912-Historia e Shqipërisë" historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_13.php.)

2. https://www.shqiperia.com/ "Kryengritjet-kunderosmane

3. Zekirja Cana,"Lëvizja kombëtare shqiptare në kosovë,1908-1912"

4. ."Libri "Krijuesit e Historisë" Prishtinë 2012.

5. www.shqipëria.com "Kryengritja në Malësinë e Mbishkodrës 1911"

6. historia.shqiperia.com/rilindja/ Kreu _11.php "Kryengritja e Kosovës e Vitit 1910" Kreu XI )

7. www.shqiperia.com "Shqipëria gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 1908 dhe Kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909"

8. Prof. Dr. Hakif Bajrami: Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)

9. Dr. Jusuf Bajraktari, "Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912", Prishtinë, 1998".

10.Dr. Masar Rizvanolli "Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918" gjakovapress 6 mars 2014)

11. Kryengritja e Kosovës e vitit 1910,Kreu XI

12. Wikipedia "Franc Nopça"

Për fund, dua të falënderoj përzemërsisht vëllezërit Agim dhe Shkëlzen Mulosmanaj, për ndihmën me dëshmi, dërgimin e fotografive origjinale të Zeqir Halilit si dhe kopjet e mirënjohjeve të tij.


 (FUND)


........................................................


PJESA E PARË

GANI QARRI: ZEQIR HALILI (1853-1918), NJË JETË NË LUFTË PËR LIRI(I)

HAPE: http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3338


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks