SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

Saime Isufi: Një „vrasje në Shtutgart“, më 17 janar 1982

Pashtriku, 28 mars 2021: “Kadriu ka një meritë të veçantë për botimin e gazetës “Liria”. Në vitin 1980 ka bërë përgatitjen teknike dhe ka siguruar botimin e gazetës, dhe jo vetëm botimin, por edhe shpërndarjen e saj ndër mërgimtarët tanë në Zvicër fillimisht e më tej edhe në Gjermani e gjetkë, për ta sjellë deri në Kosovë, në çdo skaj të saj. Ai ka organizuar atje dhjetëra veprimtarë të Organizatës, kurse në vitin 1981, ka qenë në ballë të demonstratave që u bënë në Zvicër, Gjermani, Belgjikë etj., në mbështetje të demonstratave të Kosovës.” (Mehmet Hajrizi)




Ballina e librit: Vrasje në Shtutgart


Vepra „Vrasje në Shtutgart“ është shkruar nga shkrimtari, publicisti dhe gazetari Apostol Duka. Kjo vepër doli nga shtypi në janar të këtij viti dhe u promovua në vendbanimin e dëshmorit, në Gjilan, pikërisht më 17 janar 2009, në përvjetorin e 27’të të rënies së Kadri Zekës në Gjermani, në afërsi të Shtutgartit. Jo pa qëllim autori i vë titullin “Vrasje në Shtutgart”. Secili nga ne kur dëgjon fjalën Shtutgart, vrasje në Gjermani, vrasje e trefishtë, na shkon mendja menjëherë tek vrasja makabre që bënë kriminelët e UDB-së në Untergrupenbach, afër Shtutgartit, më 17 janar të vitit 1982, duke vrarë tre atdhetarët e mëdhenj të kombit tonë Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla.

Kadri Zeka, deri në momentin e vrasjes, aktivitetin e tij atdhetar e patriotik e zhvillonte në Zvicër, pra në mesin tonë, në mesin e bashkatdhetarëve në të gjitha kantonet e Zvicrës, duke filluar nga St. Galleni, aty ku jetonte, për të vazhduar në Cyrih, Bern, Basel, Biel, Solothurn, Lozanë e deri në Gjenevë. Përveç Zvicrës, aktivitetin e tij, sidomos pas demonstratave të popullit në Kosovë në pranverën e vitit 1981, Kadriu do ta zgjeronte në të gjitha shtetet e Evropës, duke organizuar e bashkuar bashkatdhetarët në protesta e demonstrata të fuqishme, duke njoftuar opinionin ndërkombëtar për kërkesat dhe të dretjat të shtruara nga populli i Kosovës në demonstrata. Në këtë rrugë po përgatitej edhe mërgata për beteja të ardhshme, e cila çoi deri tek mobilizimi i mërgatës në luftë të armatosur me armiqtë serbomëdhenj, në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Autori i librit, Apostol Duka, siç shprehet në libër, filloi të shkruaj krejt rastësisht një libër për Kadriun, nga se kishte dëgjuar të jetë shkruar shumë pak, në krahasim me punën që kishte bërë Kadri Zeka për atdheun e tij. „Rasti është mbret i botës”, shkruan autori, duke aluduar në rastësinë e lindjes së idesë për të shkruar librin në fjalë. Autori në këtë nismë jo të qartë plotësisht, takoi dhe mori një mori intervistash me famljarë e bashkëpunëtorë të Kadriut, gjë që nuk e kishte pritur. Aktiviteti dhe lidhjet e veprimtarsisë së Kadriut e çonin autorin në momente dhe njerëz të paparashikuar. Për të shkruar veprën, ai do të drejtohej tek familjarët dhe prej tyre do të merrte lidhjet me bashkëveprimtarët e Kadriut, vargu i të cilëve ishte i pafund; si i atyre në Kosovë por dhe në diasporë.

Në kopertinën e librit është vendosur një pikturë e titulluar „Kosova martire“ e cila i shkon një atdhetari të martirizuar siç ishte Kadri Zeka. Në faqen tjetër është vendosur piktura e veprimtarit Emrush Xhemajli, në të cilën figura e Kadriut me gazetën „Liria“, dhe „Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës“, paraqitet e plotësuar dhe lexohet shumë qartë: rruga drejt lirisë dhe bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një front të vetëm.

Në hyrje libri ka dy poezi: „Varrezat“ kushtuar varrezave të dëshmorëve dhe tjetra kushtuar dëshmorëve Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha e Zijah Shemsiu. Poezia titullohet: „E shkruar në çastet e fundit“ dhe nis e mbaron kështu:

Aty ku shpaloset flamuri me pala,

Pushon Rexhep Mala,

Aty ku fryn era dhe dehet e çmendet veriu,

Po prehet Nuhiu

Dhe dheu rënkon, dhe dridhet flamuri me theka,

Pushoni, pushoni,

Po fle Kadri Zeka.

Dhe plagët i dhembin, dhe thekshëm vikat në acar:

“Zija Shemsiu, si mundet, si mundet,

Që s’paska akoma një varr?!...“

Pas poezive, libri shoqërohet me një fotografi. Në fotografi është shtatorja e dëshmorëve Rexhep Malaj e Nuhi Berisha e vendosur në qendër të Gjilanit dhe para shtatores babai i Nuhi Berishës, gruaja e Rexhep Malës e veprimtari Ilmi Ramadani. Me të gjithë këta emra Kadri Zeka e ka të lidhur qoftë direkt (si me Rexhep Malajn e Ilmi Ramadanin), por edhe indirek (i frymëzuar dhe i betuar për të vazhduar rrugën e tij, Nuhi Berisha), veprimtarinë e tij atdhtare.

Autori shkruan se si vendosi të shkruaj një libër për dëshmorin Kadri Zeka; se si kishte dëgjuar për Kadri Zekën; kishte shkruar ndonjë rresht me rastin e vrasjes bashkë me vëllezërit Gërvalla, por jo më shumë. Të tjerat, pra për jetën dhe veprën e dëshmorit do të mësonte nga intervistat e familjarëve dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Apostol Duka librin e ka bërë kryesisht me intervistat e familjarëve dhe të bashkëveprimtarëve të Kadriut. Autori u ka mbetur besnik intervistave të dhëna, duke mos ndërhyrë fare në to, qoftë në aspektin e të folmes dialektore, por edhe të të dhënave ndonjëherë të pasakta të të intervistuarve.

Në intervistat e vëllezërve të dëshmorit, shprehet dashuria e tyre për vëllain e vogël, mbështetja që i japin ata vëllait në veprimtarinë e fshehtë për atdheun, por njëkohësisht edhe shqetësimi i madh i tyre për vëllain, pas rrezikimit të tij. Ai po kërkohej nga organet e UDB-së të burgosej dhe ishte detyruar të kalonte në ilegalitet dhe familja nuk dinte vendndodhjen e tij për disa muaj, për shkak të veprimtarisë ilegale që zhvillohej në atë kohë. Nga intervistat e mëtutjeshme me vëllezërit e Kadriut, përshkruhen me hollësi bastisjet, ndjekjet e burgosjet e familjarëve, si ajo e Tap Zekës, i cili humbi njërën veshkë nga torturat çnjerëzore që ushtruan kriminelët në Burgun Qendror në Beograd; por edhe kërcënimi i hapur që iu bë babait e vëllezërve të Kadriut në atë kohë nga udbashi Selim Brosha se “Kadri Zekën do ta vrasim!” Edhe përkundër këtyre presioneve, familja gjithmonë qëndroi në anën e Kadriut dhe kjo nuk qe e lehtë për atë kohë.

Duke qenë se në fillim të librit janë vënë intervistat me vëllezërit, ata nuk janë kursyer por kanë dhënë me përkushtim çdo hollësi që ka të bëjë me jetën e Kadriut që nga lindja, fëmijëria, shkollimi, studimet, puna si mësues dhe gazetar në Radio Prishtinë. Me mbështjejen që i dha familja duke qenë e ndërgjegjshme për punën atdhetare që bënte Kadriu, ajo do të ishte edhe krenare më vonë për birin e saj dëshmor, i cili tani nuk ishte më vetëm i familjes Zeka, por bir i gjithë Kosovës.

Libri do të vazhdojë me intervistat e bashkëveprimtarëve të dëshmorit, nga të cilat del qartë vepritmaria patriotike e atdhetare e tij. Vlen të përmenden fjalët e Mehmet Hajrizit në këtë vepër se: “Kadriu ka një meritë të veçantë për botimin e gazetës “Liria”. Në vitin 1980 ka bërë përgatitjen teknike dhe ka siguruar botimin e gazetës, dhe jo vetëm botimin, por edhe shpërndarjen e saj ndër mërgimtarët tanë në Zvicër fillimisht e më tej edhe në Gjermani e gjetkë, për ta sjellë deri në Kosovë, në çdo skaj të saj. Ai ka organizuar atje dhjetëra veprimtarë të Organizatës, kurse në vitin 1981, ka qenë në ballë të demonstratave që u bënë në Zvicër, Gjermani, Belgjikë etj., në mbështetje të demonstratave të Kosovës.”

Në vepër është edhe intervista e Hydajet Hysenit, shok i ngushtë i rinisë së hershme dhe i veprimtarisë ilegale i cili nënvizon se “… jeta dhe vepra e tij (pra e Kadri Zekës, shën. imi) ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e gjithë veprimtarisë së Organizatës sonë”. Flasin pastaj veprimtarët Berat Luzha, Fazli Avdullahu. Xhafer Shatri del me artikullin “Gjurmët e një krimi të madh”, i cili flet për rrethanat dhe aktorët e mundshëm të vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, për të vazhduar më pas me fjalët e Hasan Malajt, figurës qendrore të Lëvizjes dhe aktivitetit në mërgatë dhe bashkëpunëtorit më të afërm të Kadri Zekës. Pas Hasan Malajt vijnë kujtimet e veprimtarëve Bejtullah Tahiri, Haqif Krasniqi, një punëtor veprimtar shumë aktiv në Zvicër, duke u përmbyllur kështu pjesa e intervistave, kujtimeve të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve, për të vazhduar pastaj me fjalët e gruas dhe vajzës së dëshmorit Rexhep Malaj.

Duhet përmendur se autori, duke patur në epiqendër figurën e Kadriut, sepse libri do të duhej t’i kushtohej kushtimisht atij, sikur ka rrëshqitur ngapak nga ky mision, duke futur pjesë ose intervista ndoshta të panevojshme, ndonjëherë edhe të dhëna të pasakta dhe që nuk i përkasin apo nuk e kanë vendin në një libër të tillë (gjithmonë duke patur parasysh se vepra do të shkruhej për Kadriun). Më vonë vijnë artikujt dhe fjalimet e Kadri Zekës. Artikujt të botuar në shtypin ilegal të asaj kohe, ndërsa fjalimet të mbajtura në demonstratat e mërgimtarëve në vitin 1981 në disa shtete të Evropës, (vetëm atë vit, pra më 1981, janë organizuar nëntë demonstrata me bashkatdhetarët) në ballë të të cilave ishte gjithmonë Kadri Zeka me fjalimet e tij të zjarrta dhe vëllezërit Gërvalla.

Përmbylljen e librit, “Vrasje në Shtutgart», autori do ta bëjë, pas intervistave të pafund me familjarë dhe bashkëpunëtorë të dëshmorit, duke u njohur kështu më mirë me jetën dhe veprimtarinë e Heroit të tij, me fjalët: “..si prijës dhe luftëtar i vijës së parë i Lëvizjes së madhe Çlirimtare për lirinë e Kosovës”.

Shkruan: Saime Isufi Pashtriku, 22. 05. 2009

 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks