SHKRIMI
e mërkurë, 12 maj 2021

LUTFI ALIA: GENCI - MBRET I ARDIANËVE (I)

Pashtriku, 4 mars 2021: Mbreti Genci dhe lufta III iliro - romake.

Gjëndja e krijuar pas luftës kundër Maqedonisë dhe marrëdheniet e reja me Romën, gjetën një vlerësim të ri në Iliri, çka u shpreh me gjallërimin dhe aktivizimin e forcave antiromake. Mbreti Pleurati III, ndonëse ishte deklaruar aleat i Romës, në vitin 189 p.e.s, bëri kthesë dhe u përpoq ta shkëpuste varësinë e detyrueshme nga Roma, per të krijuar një shtet Ilir të pavarur. Roma reagoi me forcë kundër qëndrimit kundërshtues të ilirëve. Në situatën e tensionuar mes Ardianëve dhe Romës, përfituan dalmatët dhe daorsët, të cilët në vtin 180 p.e.s, u shkëputën nga pushteti i Pleuratit III dhe u lidhen me Romën. Dhe qyteti i Rizonit, ish kryeqyteti i Teutës, e braktisi priorin ilir dhe kërkoi mbrojtjen e Romës. [1, 2]


Në vitin 180 p.e.s, vdiq Pleurati III mbreti i ardianëve. Në krye të mbretërisë erdhi Gentius - Genci, i biri i Pleuratit dhe i Euridiçes. Gentius, Rex Illyricorum - mbreti i ilirëve, sundoi në vitet 180 - 168 p.e.s. Polibi dhe Tit Livi shkruajne se mbreti Genci drejtoi si mbret romak, nuk kishte organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij, madje ishte dhe kryekomandant i forcave të armatosura tokësore e detare. [3, 4, 5]

Genci kishte dy vëllezër më të mëdhenj, Platorin dhe një vëlla nga nëna Karavancin (Caravantius), i cili nuk gëzonte të drejtën e trashëgimisë së fronit.

Kryeqyteti i mbretërisë Ilire ishte Shkodra. [1, 3, 4, 5]

Emri Genci (greqisht: Genthios - Γένθιος, në latinisht Gentius), rrjedh nga greqishtja e vjeter Γέν - Gen, që do të thotë me gjeneru (me riprodhuar), emër i huazuar nga latinishtia në formën Gens dhe Gentis - rracë, fis. Latinisht emri shkruhet Gentius, por në bazë të rregullave fonetike të gjuhës latine, shqiptohet Gencius, pra në iliro-shqipe Genci.


 


Mbretërimi i Gencit filloi me një ngjarje tragjike, me shumë mistere dhe me komente të paqarta. Sipas Polibit, pas një grindje të ashpër gjatë një gostie në pallatin mbretëror në keshtjellen e Shkod-rës, Genci vrau të vëllain Platorin dhe dy miqtë e tij besnikë Etritin dhe Epikadin. [3, 5, 6]

Sipas Polibit, të cilit i referohet dhe Livi, Genci e vrau Platorin për dy motive: Se pari sepse donte ta kishte të sigurtë fronin, por dhe për xhelozi, sepse Platori do të martohej me Etuta (Etleva) vajza e Monunit, mbretit të Dardanëve dhe si kuptohet, kush martohej me Etlevën, ngjitej në fronin mbretëror të Dardanëve, sepse Monuni ishte i moshuar dhe nuk kishte trashgimtarë meshkuj. [3, 4, 5]

Sipas ligjeve ilire (të ruajtura ndër shqiptarët deri në gjysmën e parë të shekullit XX), me vdekjen e të vellait Platorit, për të mos u prishur krushqia ndërmjet dy familjeve mbretërore, Genci kishte të drejtë të merrte gruan e të vëllait, andaj në vjeshtën e vitit 180 p.e.s, Ai u martua me Etlevën prin-ceshën dardane, çka nuk u kundërshtua, por u miratua dhe nga mbreti Monuni i Dardanisë. [3, 5, 6, 7]

Genci e zgjeroi dhe e fuqizoi mbretërinë e tij, madje krijoi dhe konflikte me Romën.

Sipas romakeve, shkaku i këtyre konflikteve, ishin aktet e piraterisë të ilirëve në detin Adriatik. një histori e vjetër akuzash dhe kundër mbretëreshës Teuta, pjesërisht e motivuar kundër mbretit Genci. Roma reagoi ashpër.

Në vitin 180 p.e.s, pretori romak L. Duronis, gjatë patrullimeve në detin Adriatik, kapi dhe sekuestroi dhjetë anije ilire, të cilat i dërgoi në Brindizi. Këtë ngjarje, pretori Duronis e raportoi në Senatin Romak, ku theksoi se anijet ilire ishin kapur në flagrancë gjatë akteve të piraterisë ndaj anijeve të tregëtarëve romakë. Ky veprim i romakëve ishte si kundërpergjigjie ndaj Gencit, të cilin e Senati, pak muaj me parë e kishte akuzuar përgjegjës për sekuestrimin e anijeve romake dhe për burgosjen në ishullin Korcyra Negra të komandanteve dhe te marinarëve romakë. [3, 5, 8, 9]

Republika e Romës, dërgoi legatët për t’u ankuar te Genci, për inkursionet e piratëve ilirë dhe për ngjarjet në ishullin Korkyra. Genci nuk i pranoi akuzat. Reagimi i tij prepotent, nuk i pëlqeu romakëve. [3, 9]

Pas këtyre incidenteve, Roma u tregua e ashpër me Gencin. [3, 5] Marrëdhëniet e tensionura me Romën, e detyruan mbretin Genci, të krijoi aleancë me mbretin Perseu të Maqedonisë. [2, 4, 6, 8]

Administrata e mbretit Genci

Në pesë vitet e para të mbretërimit, Genci krijoi një shtet të fuqishëm politik, ushtarak dhe ekonomiko-financiar. Pushteti i Gencit mbështetej në ekonominë e përparuar skllavopronare. Sistemi autonom financiar dhe taksat e larta, i kishin garantuar rezerva të mëdha monetare. Genci ishte mbret shumë i pasur. [3, 5, 9, 10, 11]

Në trojet e mbretërisë Ardiane, qytetet kryesore Risinum, Lissus, Scodra, Lychnidia etj, prej shumë vitesh kishin monedhat e veta, ndërsa mbreti Genci prodhimin e centralizoi në Shkodër, ku emetoheshin monedha ari, argjendi dhe bronxi, me portreti i tij, ndërsa në faqen e pasme të monedhave ishte kalorësi ilir, i njëjtë me ate te bazorilievit të Apollonisë të shekullit III p.e.s. Në seri monedhash të tjera, në faqen kryesore ishte portreti i Gencit, me kapelen e gjërë tipike, ndërsa në faqen e pasme ishte anija ilire dhe mbishkrimi Shkodër, në gjuhën greke SKOΔRINΩN. [3, 5]

Gjatë sundimit të Gencit, Shkodra, Rizoni, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera u shtrinë deri në skajet më të thella të mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj.

Mbreti Genci, me politikën që ndoqi në fushën e prerjeve monetare u tregua një reformator i vërtetë. Kjo i lejoi të përqëndroi në duart e tij mjete të fuqishme financiare, si dëshmon përmbajtja e thesarit të tij dhe e arkës mbretërore, që u sekuestruan nga romakët në përfundim të luftës.

Mbreti Genci e kishte centralizuar pushtetin politik. Drejtimin dhe administrimin e qyteteve dhe të trevave rurale, ua kishte besuar “dinastëve”, princa me të drejtë trashëgimie pushteti. Ne fakt, dinastët ishin njerëz besnikë të emëruar nga mbreti Genci. Në dokumentat historike romake, “dinastët” njihen si “Principae Illyriorum - Princa ilirë”. [3, 5- XLV, 9, 10, 11, 12]

Gjatë viteve të mbretërimit të Gencit, për aristokratët ilirë filloi përdorimi i titulli “Princeps - Princ” dhe njesitë lokale administrative, sidomos ato në trojet rurale u quajtën Principata. [3, 5, 9]

Megjithëse krijoi një administratë të fuqishme lokale, nga ana tjetër, për të ushtruar pushtetin dhe per t’i mbajtur nënkontroll të gjithë trevat, mbreti Genci ua kufizoi autonominë drejtuesve lokalë, duke ua dobësuar vetëveprimin dhe autoritetin si dinastëve të qyteteve ashtu dhe atyre ruralë.

Thellimi i divergjencave me Romën

Ndërsa vazhdonte të forconte pushtetin politik, ekonomik dhe ushtarak të mbretërisë Ilire, Genci mbante qendrim refraktar ndaj Romës, e cila e shihte me shqetësim fuqizimin e tij në anën tjetër të Adriatikut dhe priste rastin të vepronte kundër tij.

Krahas akuzave si nxitës i piraterisë nga ilirët, Roma e akuzoi Gencin dhe për trajtimin gjoja të keq të aleatëve të saj, sidomos te banoreve te ishullit Issa dhe të qytetit Bassania prane Lisus. [3] Në këtë atmmosferë të tensionuar me Romën, kundër Gencit u rradhit dhe aristokracia ilire filoromake. [3, 4, 5, 11, 13]

Në vitin 171 p.e.s, me fillimin e luftës romako – maqedone, pretori Kajo Lukrecio (Cajo Lucrezio), gjatë një kontrolli naval në detin Adriatik, sekuestroi 54 anije të flotës të Gencit, me justifikimin për të forcuar asistencën e flotës romake. [3, 5, 6, 9, 13]

Ky veprim arbitrar i acaroi marrëdhëniet e Gencit me Romën.

Deri në vitin 171 p.e.s, mbreti Genci nuk kishte krijuar një pozicion preçiz kundër Romës, si duket priste rezultatet e luftës romako - maqedone. Ngjarjet e piraterisë të anijeve ardiane në detin Adriatik e detyruan Republikën Romake të dërgoi ambasadorët për t’i bërë thirrje Gencit të bashkohej me Romën, por këto traktativa nuk i dhanë rezultatet e pretenduara, madje pas dështimit të misionit, ambasadori romak Lucio Decimio (Luçio Deçimio), u akuzua nga Senati Romak si i korruptuar nga Genci. [3, 4, 5]

Aleanca iliro – maqedone kundër Romës

Jo vetëm Genci, por dhe Perseu, mbreti i Maqedonisë kishte probleme në marredheniet me Romën. Sipas Polibit, për të perballuar konfliktin me Romën, Perseu, kërkoi mbështetjen e Gencit. [3, 6, 7] Ilirët u bënë aleatë me maqedonët. Ne bisedimet dypaleshe, mbreti Genci dërgoi legatin Hippion, i cili i prezantoi pales maqedonase kushtet e marrëveshjes për shkëmbimin e robërve, qen-drimet diplomatike dhe ushtarake ndaj Romës. Për këtë aleancë, Perseu i premtoi Gencit shpërbli-min prej 300 talente argjendi. [3, 5]

Për zbatimin e marrëveshjes Genci ngarkoi bashkpuntorin e tij të ngushtë Pantauko (Pantauco) me të birin e tij Bantauko (Bantauco) dhe me Limneo Polemokrate, të cilët do të përfundonin bisedi-met me Metrodoro, përfaqësuesin e Perseut.

Për garanci të marrëveshjes, Genci la peng pranë Perseut legatin Olimpione. [3, 5, 6]

Ditën e nënshkrimit të paktit Maqedono – Ilir pranë lumit Elpeo në Maqedoni, mori pjesë vetë Perseu, i shoqëruar nga repartet e kalorësve. Në prani të dy palëve u bë shkembimi i roberve. Perseu nisi grupin e legateve, që do t’i dorëzonin 300 talente argjendi legatëve ilirë. Si shpërblim per realizmin e marrëveshjes, mbreti Genci i dha legatit Pantauko 10 talente argjendi. [3, 5, 6]

Perseu ishte koprac dhe hileqar. Krahas marrëveshjes me Ilirët, kishte bërë dhe një tjetër me Galët, të cilët dërguan 10 000 këmbësorë dhe kalorës, që kaluan përmes ilirisë, për t’u bashkuar me ushtrinë maqedonëse. Gencit i pagoi vetem 300 talente argjendi, ndërsa për repartet gale, Perseu derdhi shuma të mëdha. Për çdo kalorës gal, pagoi 10 filipe të arta, për çdo këmbësor 5 filipe të arta dhe sejcilin nga komandantët e kavalerisë dhe të këmbësorisë, e pagoi me 1000 filipe të arta. [3, 4, 5]

Pas paktit me maqedonët, Genci, i nxitur nga Pantauko, urdhëroi arrestimin dhe burgosjen e dy legatëve romakë M. Perpenna dhe L. Petilio. Me këtë veprim të nxituar, Genci i përkeqësoi raportet me Romën. [3, 5]

Në fillim të vitit 172 p.e.s, mbreti grek Eumene, pasi i shpëtoi atentatit të urdhëruar nga Perseu, shkoi në Romë dhe në senacë me dyer të mbyllura të Senatit Romak, denoncoi komplotin e organizuar nga Perseu, si dhe i informoi për aleancen dhe rrezikun e sulmit imediat iliro-maqedon kundër romakëve. Për ankesat e banorëve të ishullit Issa dhe të mbretit Eumene, Genci dhe Perseu ishin të mirinformuar, pasi në Romë kishin spiunët e tyre. Në këto rrethana Genci dhe Perseu u përpoqën ta zgjerojnë aleancën dhe me shtete të tjera, Fillimisht dërguan ambasadorë në ishullin e Rodit. Paria e Rhodit, e nxitur nga urrejtja ndaj Eumene, shprehu gadishmeri të luftonin krah ilirëve dhe maqedonëve kundër Romës. [3 - XLII, 5 - XLIV, 9, 12, 13, 14, 15 – 20]

Në dimrin e vitit 169 p.e.s, Genci dhe Perseu, bënë përpjekje për zgjidhje diplomatike të divergjencave me Romën. Për këtë qëllim dërguan delegacione në shtetet helene, duke iu kërkuar të ndërmjetësonin në Senatin Romak, për të shmangur luftën, por mediatorët helenë dështuan dhe atëhere Genci dhe Perseu e kuptuan se Roma nuk kishte dëshirë për paqetim. [3, 4, 5 - XLI, 10, 20 – 24]

Marrëdhëniet me Romën u këqesuan dhe nga ndërhyrja e delegatëve të ishullit Issa, të cilët u ankuan para Senatit Romak, për agresionet dhe grabitjet që pësonin nga flota ilire, si dhe denoncuan aleancën e ilirëve me maqedonët, që po përgatitehin për luftë kundër romakëve. [3, 5, 9, 20]

Lufta III romako – ilire

Në këto rrethana, Genci doli hapur kundër Romës. Ai nuk pranoi t’i nënshtrohet, nuk bëri as kompromise me Romën, por e mblodhi ushtrinë. Vendosi të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur si të vetëmen rrugë për mbrojtjen e pavarësise politike të shtetit ilir të Ardianëve.

Për fat të keq, në këtë konflikt iliro-romak, aristokracia ilire filoromake u rradhit kundër Gencit madje këtë situatë e shfrytëzuan fiset dalmate dhe daorse në trojet veriore të mbretërisë, që u shkëputën nga varësia e Gencit, duke u deklaruar aleatë të Romës. [3, 5, 9, 11, 12, 13]

Kur konstatoi se Genci u rradhit tërësisht krah Maqedonisë, Perseu i tërhoqi mesazherët dhe nuk ia pagoi 300 talentet që i kishte premtuar.[3]

Në këtë atmosferë kundërshtishë dhe tensionesh politike, filloi lufta III romako – ilire. Senati Romak i bindur për fitoren kundër ilirëve deklaroi: “Kjo është e vetmja luftë, që ia dimë fundin para se të filloi”. [3] Senati Romak, në vjeshtën e vitit 172 p.e.s, i shpalli luftë Perseut, madje para pushtimit të Maqedonisë, emëroi dy konsuj P. Licino Crasso (Kraso) dhe C. Cassio Longino (Kasio Lonxhino), mobilizoi ushtrinë dhe caktoi numërin e anijeve, për fushatën militare kundër Maqedonisë dhe kundër Ilirisë. [3, 5. 9]

I nxitur nga gjenerali Pantauko, mbreti Genci, dërgoi ushtrinë me 80 anije për të pushtuar Durrësin dhe Apolloninë. Konsulli P. Licino Crasso (Krasso) me kontigjentin e parë të flotes romake, fillimisht zbarkoi dhe pushtoi Apolloninë. Konsulli Krasso nuk ishte ekspert lufte, por kishte shtatmadhori me komandantë të shquar në luftat kunder Galëve dhe Kartagjenasve. Kontigjentin e dytë të ushtrise, Roma e dërgoi në qendrat e fortifikuara ilire, që ndodheshin në kufi me Maqedoninë. [5 -. XLII, 25 – 28]

Në vitin 168 p.e.s, Senati Romak urdhëroi gjeneralin L. Emilio Paolo të pushtonte Epirin. Ushtria romake sulmoi dhe shkatërroi 70 kështjella dhe qytete. Në përfundim të luftës, Paulo Emilio dërgoi në Romë rreth 120 000 epiriotë robër lufte. [5 - XLII]

Kundër mbretërisë ardiane, Roma dërgoi legjionet e komanduara nga pretori Luçio Aniçio (Lucius Anicius Gallus) dhe nga Maksimiliano, i biri i Paulo Emilio. Qytetet ilire ranë njeri pas tjetrit, madje pa luftuar kundër romakëve. Luçio Aniçio Gallo marshoi me legjionarët dhe arriti në lumin Genusio (Shkumbini), ku u bashkua me forcat e konsullit Appio Claudio Centone (Apio Klaudio Çentone), i cili ishte emëruar nga Senati përgje-gjës për Ilirinë. [3, 5 -. XLII]

Buzë lumit Genusio u ngrijt kampi i ushtrisë romake, ku bënin pjesë dhe ushtria ilire, si forcat e Bylis, të Amantia, të Apollonisë dhe të Durrësit, që lidhën aleancë me Romën,. Këto forca romako-ilire, te komanduar nga Pretori Luçio Aniçio, qëndruan në kampin e Genusio, në pritje të urdhërit për të marshuar drejt trojeve veriore ilire, për të sulmuar ushtrinë ilire të mbretit Genci. [3 -5]

Flota me trupat navale, të komanduara nga pretori Gn Ottavio, nga porti i Oreo u dërgua kundër flotës ilire në Apolloni dhe Durrës. Pas një beteje të ashper detare, flota e Gencit u thye dhe romakët morën nën kontroll të dy qytetet dhe detin Adriatik. [3, 5 - XLIV]

Mbreti Genci u detyrua ta përqëndroi ushtrinë në Lissus dhe ndërkohë, e dërgoi të vëllanë Karavanci me 1000 këmbësorë dhe 500 kalorës në qytetin Caviis Durnium (Kavis Durni), për të mobilizuar ushtarë. Banorët e Kavis, e mirëpritën Karavancin dhe shume banore hyne ne ushtrine e tij, ndërsa banorët e qytetit Caravandis (Karavandi), nuk e lejuan të hyjë në qytet. I revoltuar nga qëndrimi refuzues, Karavanci e sulmoi qytetin Karavandi me rrethinat, vrau, dogji e plaçkiti, por gjatë përpjekjeve mbetën të vrarë dhe shumë ushtarë të tijë. [3, 5]

Ushtria ilire mbeti e ndarë në dy pjesë. Mbreti Genci në krye të 15 000 shtarëve pushtoi qytetin Bassania, aleate e Romës, që ndodhej 5 milje ne jug te Lissus, ndërsa repartet e Karavanci nuk u perfshine ne luftime sepse ende ishin larg. [3, 5 - XLII]

Pas këtyre operacioneve, sapo u informua për marshimin e legjioneve Romake drejt Shkodrës, mbreti Genci u tërhoq në mbrojtje dhe u mbyll me ushtrinë në kështjellën e Shkodrës.

Pjestarët e familjes mbretërore, nëna Euridiçe, gruaja Etleva, dy djemt Skerdilaidi e Pleurati dhe familja e të vëllait Karavanci, u strehuan në qytetin Meteone në veriperëndim të liqenit të Shkodrës.

Ushtria romake e Lucio Anicio, i pushtoi njeri pas tjetrit qytetet ilire. Pasi morën Lissus, romakët çliruan qytetin-keshtjelle Bassania. Në luftimet për çlirimin e Bassania kontribuan dhe forcat ilire të parthinëve me 2000 këmbësorë të komanduar nga Epicado (Epikado) dhe 200 kalorës të komanduar nga Algalso. [3, 5]

- VIJON -


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks