SHKRIMI
e premte, 18 qershor 2021

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (IX)

Pashtriku, 25 shkurt 2021: Kurorë lavdie e një jete të shkurtër

„Përmasa e jetës duhet të jetë më shumë në përpjesëtim me intensitetin e përvojës sesa me gjatësinë e vet.“ Thomas Hardy

„Nëna ju kish rritur / Për një botë të re, / Lule more trima / Që ratë për Atdhe.“ Popullore

Fatimja u ngrit lehtë nga shtrati që të mos e zgjonte Beqirin që sapo kishte fjetur. Dita e 2 prillit ende nuk kishte zbardhur, kurse ajo s’kishte vënë gjumë në sy gjithë natën.


Naseri u vonua deri pasmesnate. Kur erdhi ashtu i lodhur dhe i nxirë nga tymi, Fatimja u befasua, sepse nuk ishte mësuar ta shihte të përlyer e me rroba të zhubrosura. Ai zakonisht vishej me sqimë, pedanteri dhe shije. Kostumet dhe frizura e tij i jepnin më shumë pamjen e një burri serioz, se sa të riut njëzetvjeçar. Disa të rinj, të shtyrë nga snobizmi, ndiqnin njëfarë mode të kohës, duke u veshur me xhinse të rreckosura e të ngjitura për trupi, me flokë të gjatë e të shpupurishur dhe leshra të pambajtura me kujdes në fytyrë. Naserit i dukej e përçudnuar kjo pamje, prandaj nuk i pëlqente.

Fatimja e dinte fillimin e Kryengritjes, por jo mbarimin e saj. Ajo dhe i shoqi ishin të shqetësuar atë natë, do të vine apo jo i biri, por edhe kur erdhi, makthi e mbante të gozhduar Fatimen nga pasiguria e së nesërmes...

Naseri bëri një dush, piu një gotë qumësht dhe u shtri të pushonte, por Fatimja vazhdoi me mendimet ogurzeza që i vinin nga një parandjenjë si xanxë. Asaj i shkoi mendja te nënat tjera të Kosovës. Do të jenë kështu si unë, pa gjumë, tha me vete. Mirë thonë, mos u ndodhtë fëmijëve çfarë u mendojnë nënat! Më duket se unë e shkreta po ndjell kob sonte...

Tek po dilte nga dhoma e fjetjes, Fatimja ktheu kokën dhe pa se nuk e kishte zgjuar Beqirin. U gëzua, sepse ai po kalonte një rrufë me temperaturë, prandaj kishte nevojë për pak pushim. E mbylli lehtë derën dhe doli në ballkon.



Naseri në mes shokëve


Qielli ishte pa re. Yjet xixëllonin lart dhe Fatimes fillimisht iu duk sikur po lëviznin. Qyteti dukej i qetë, si deti pa erë. Në sheshe llamburitnin dritat. Poshtë lagjes, angullinte një qen. Nuk dëgjoheshin krisma as zallahi. Ishte një qetësi e frikshme, para stuhisë...

Ajo hyri brenda, shkoi në banjë dhe u hodhi ujë të ftohtë syve, rregulloi flokët dhe pa fëmijët tek po flinin të qetë. Më i vogli, një vajzë trëndelinë, nuk i kishte ende dy vjet jetë. Naseri e donte shumë, e merrte hopa në duar dhe e çonte lart mbi kokë. Ajo qeshte, por edhe frikësohej. Më shumë parapëlqente t’i bënte kolovajzë në duar, por poshtë, afër dyshemesë.

Pranë saj ishte edhe i vëllai kolopuç.

Naserin e kishte zënë gjumi.

Fatimja mblodhi rrobat e Naserit dhe i futi në makinën larëse. Hyri në kuzhinë të përgatiste mëngjesin, por pa se as bukë nuk kishte mbetur. Nuk ishte e sigurt të gjendej herët bukë në qytetin e trazuar të Prishtinës, prandaj bëri brumin gati për një bukë nore. Një tenxhere grafulloi. Ajo i hoqi me nxitim kapakun, por i rrëshqiti nga dora dhe ra poshtë në pllakaqet e dyshemesë me rrapëllimë derisa u qetësua.

Në ëndërr, Naseri ishte në Qyqavicë, te dajallarët. Kishin dalë në mal, por papritur filloi një rrebesh shiu nga një shtëllungë e zezë reshë. Pastaj shkrepi një vetëtimë që u shoqërua me bubullimë të thekshme. I doli gjumi, kur kapaku i tenxheres në kuzhinë zuri vend në dysheme. Ai u bind shpejt se krisma nuk kishte ardhur nga qielli, por nga toka, e zmadhuar, ashtu siç e bëjnë ëndrrat. Ndezi abazhurin, shkoi në kuzhinë dhe pa të ëmën duke shikuar kapakun e cifluar. Ajo ktheu kokën dhe pa të birin.

Të zgjoi krisma? pyeti Fatimja.

Jo, jo, tha Naseri mahmur. Ç‘po bën kaq herët?

Bubërri, tha Fatimja shkurt.

Ai u afrua te dritarja të shikonte si dukej dita e re. Qielli ishte i kaltër, si liqeni i Gërmisë. Ah! Liqeni i kujtoi thyerjen e rregullave të konspiracionit nga një shok i tij, i cili duke shëtitur me një nga kolegët e Naserit, i kishte thënë se me Naserin dhe disa shokë të tjerë kishin biseduar për formimin e grupit ilegal me emërtimin domethënës “Zjarri”. Në vetvete, s’kishte asgjë të rrezikshme, sepse ai kolegu ishte nga njerëzit më të afërm dhe më të besueshëm të Naserit, por normave organizative duhej përmbajtur rigorozisht.

U kthye në dhomë dhe ra kollotumba në shtrat si të hidhej në ujë.

Vallë të kenë fjetur shokët? mendoi me vete.

Iu duk se kishte pushuar mirë dhe ndjehej i freskët, me energji të ripërtërirë. Pas demonstratës, mbrëmë i kishin ndarë detyrat me shokët. Naseri bashkë me Asllanin, natën vonë kishin shumëzuar në ciklostil trakte dhe i shpërndanë në lagje të qytetit, por edhe në shkollë, klasë më klasë, me thirrje që të dilej në mëngjes në demonstratë, ashtu siç ishin betuar mbrëmjen e kaluar të 1 prillit. Traktin e kishin hartuar dhe shpërndarë pa u konsultuar me bashkëveprimtarë të organizatës, por fundja a nuk u kishin thënë se veprimtarët duhet të kenë vetiniciativë? Pastaj, ku t’i gjeje, kur secili ishte në veprim. Në rikujtim të ngjarjeve të ditës, ai u dremit përsëri.

Pas pak Naseri u zgjua, bëri disa lëvizje gjimnastikore, shkoi te lajtorja dhe lau sy e faqe. Shikoi përreth, por rrobat nuk ishin gjëkundi. Në parakthinë pa të ëmën tek po hekuroste rroba të pastra. Nuk i bëri zë, por vetëm vuri buzën në gaz me dhembshuri dhe dashuri, njëkohësisht. Këto punë Naseri zakonisht i bënte vetë, por atë mëngjes sikur i pëlqeu veprimi i nënës së tij.

Ajo mbaroi hekurosjen, shkoi në fund të korridorit dhe i mori këpucët e Naserit t’i lustronte. Me këpucët në dorë, Fatimja e pa Naserin të zgjuar dhe qeshi e gëzuar.

Mirëmëngjesi nënë, tha Naseri. Nuk fjete më?

Mirëmëngjesi.

Nënat zgjuar janë mor bir, tha, por u pendua menjëherë, se mos e bënte merak djalin. La këpucët mbi dollap dhe u afrua ta përqafonte të birin. Kështu e kishte zakon gjithmonë, kur i përcillte fëmijët, por edhe kur i ktheheshin. Përqafimi i fëmijëve i jepte ndjesi kënaqësie si në ekstazë dhe i dukej se po ripërtërihej vetë, kurse fëmijët po i rriteshin në krahët e nënës. Tashmë kishte shtatë fëmijë, katër vajza dhe tre djem. Numri shtatë i dukej me mbarësi, sepse i kishin thënë se dendur hasej në krijimtarinë gojore të shqiptarëve.

Nënë, tha Naseri, lëri këpucët se do t’i mbath atletët sot!

Atletet? mendoi me vete Fatimja. Domethënë përsëri demonstratë. Ajo kishte pyetur në heshtje me këpucë, por i biri iu përgjigj me atlete! Këpucët do të thoshin shkollë, atletet demonstratë.

Hajër qoftë!

Ajo nuk foli, se iu duk që foli mjaft i biri. Rregulloi flokët nën shami, siç e kishte shprehi, mbase më shumë për t’u gjetur vend duarve dhe shkoi te Beqiri. Ai ishte zgjuar dhe po i ndërronte veshjet e natës, qull nga djersët e rrufës.

Pusho edhe pak se nuk je mirë, Beqë! A do të shkosh në punë, apo më mirë rri në shtëpi sot, sa ta marrësh veten.

Më duhet të shkoj, se punën e kam ashtu, tha Beqiri dhe u shtriq, duke kërcitur eshtrat. Nëse mëkeqem, kthehem më vonë.

Fatimja deshi t’i thoshte të shoqit shqetësimin për atletet e Naserit, por nuk e trazoi.

Ajo e shtroi tryezën e mëngjesit të përgatitur herët dhe i ftoi të uleshin ata që ishin zgjuar. Nuk ishte e sigurt se do ta pëlqente i biri mëngjesin, mbasi mendonte se ai ishte nga pak nazik, jo vetëm në veshje, por edhe në ushqim. Naserin e pa me motrën e tij të madhe, edhe ajo në shkollë të mesme, tek po shushuritnin pranë një ponice, por nuk dëgjoi asnjë fjalë. E mori me mend përse po flisnin ashtu në qoshe të korridorit, ku nuk i dëgjonte askush.

Naseri e hapi bukën dhe bëri sandviç me vezë të fërguara dhe djathë. Nuk u ul në tryezë, po hante në këmbë, duke nxjerrë nga hundët melodinë e këngës së Mine Pezës. Nuk ishte hera e parë të këndonte kështu në vete nëpër shtëpi: më-më-më-më-më...

Naseri shikoi një ndryshkull që e kishte prej dy ditësh në shputën e këmbës, por ishte tërhequr dukshëm. U shtrëngua mirë dhe u nis për në shkollë. E ëma e përcolli deri te dyert e oborrit dhe aty u ndalën të dy.

Biri im, mos u vono sikur mbrëmë! i tha me përgjërim e ëma. A keni demonstratë sot? nuk u durua pa e pyetur.

Po kemi, edhe më të madhe se dje, tha plot entuziazëm Naseri. Tashti do të shkoj në shkollë, se e kemi lënë të shkojmë të gjithë bashkë në demonstratë.

Po kur kryhet kjo demonstratë, o Naser?

Kjo është kryengritje, nëna ime, kryengritje dhe nuk kryhet shpejt. Ta ndalësh kryengritjen, do të thotë të bësh paqe me armikun, madje paqe pa kushte. Atje duhet të jemi të gjithë dhe deri në fitore. Më vonë dil edhe ti se shumë gra po dalin!

Kujt t’ia lë fëmijët e vegjël? tha Fatimja.

U përshëndetën duke u përqafuar edhe njëherë.

Paçi fatin e mirë e dalshi faqebardhë, o bir! tha Fatimja dhe mezi i mbajti lotët.

Mirupafshim! ia ktheu Naseri, duke bërë dorën grusht.

Fatimja e shikonte të birin me mallëngjimin e nënës në ankth, tek po lëshohej vërtik rrugicës derisa iu përhumb figura e tij. Me duar në gji u kthye në shtëpi...

Asaj iu bë nakël kërkesa e të birit, “dil edhe ti”...

*

Shpatit tatëpjetë, Naseri takoi një profesor të tij, që banonte aty afër. Ai qëndronte në rrugë dhe vështronte herë poshtë, herë lart shpatit të “Taslixhes”. E ndaloi Naserin të bisedonin pak.

Ku vete Naser? e pyeti.

Në shkollë, tha ky.

Poshtë rrugës, te kryqi i parkut janë stacionuar forca policore serbe. Unë isha që parë dhe kur u thashë se po shkoja në detyrën time në shkollë, më torturuan dhe më kthyen mbrapsht, tha profesori. Të sugjeroj të kthehesh, se edhe më keq do të sillen me ty kur të shohin të ri.

Kemi nisur një rrugë pa kthim prapa, profesor, foli me figura Naseri. Unë duhet të gjej shtigje të arrij në shkollë patjetër, sepse aty e kemi lënë takimin me kolegët që bashkë të shkojmë drejt qytetit.

Profesorit i ndrinin sytë nga krenaria për nxënësin e tij, por edhe nga lotët që po i mblidheshin. Atij iu kujtua kënga e Naserit në klasë, kur nuk e ndali derisa e mbaroi, paçka se drejtori egërshan serb mund ta dëgjonte dhe t’i denonconte të dy në polici. Dënimi më i butë për profesorin do të ishte përjashtimi i tij nga puna.

Mirupafshim, profesor!

Mirupafshim në qytet, Naser burri!

*

Naseri mori në të majtë, doli në krye të rrugës “Bledi”, tejkaloi një bregore të butë dhe të rrumbullakët, si barku i një shtatzëne, hipi sipër një kodre tjetër më të lartë dhe shkoi tatëpjetë drejt shkollës, pa ndonjë rrezik. Mbrapa shkollës pa dritaren nëpërmjet së cilës kishte hyrë mbrëmë natën dhe i shkoi buza në gaz. Hyri brenda në shkollë. Shumë nxënës tashmë kishin depërtuar, ashtu si Naseri, duke gjetur ose duke bërë shtigje. Shumë të tjerë erdhën më vonë. Kishte edhe profesorë, në sytë e të cilëve vërehej shqetësimi për nxënësit e tyre.

Filluan lëvizjet nëpër klasë dhe pastaj u mbush korridori me nxënës. Naseri e kishte në krah të djathtë Asllanin, por edhe shokë e shoqe rreth e rrotull.

Të dashur kolegë, nisi të flas me zë të lartë.

Motra dhe vëllezër!

Ne po nisemi bashkë drejt një provimi të rëndë e të rrezikshëm, por të lavdishëm. Le të dalim duke marshuar në demonstratë, ku i gjithë populli ynë i robëruar do ta shprehë revoltën kundër pushtuesve. Në rrugë, aty te parku, na presin forca policore dhe ushtarake, por me gjokset tona do t’i zmbrapsim, sepse nuk ka forcë ta ndalojë vrullin tonë. Kur populli ngrihet në këmbë, stuhia mposhtet, ka thënë një dijetar. Duhet t’u tregojmë se ky vend ka zot, ka popullin e vet, trim e të pamposhtur. Ata do të na kërcënojnë, por le të mos trembemi as shpërndahemi, ai që nuk i frikësohet vdekjes, nuk përfill as kërcënimet. Nderin dhe atdhedashurinë duhet ta dëshmojmë sot në vepër. Koha nuk na pret, duhet të nisemi!

Rroftë liria!

Rroftë liria! buçiti korridori dhe nxënësit filluan të lëvizin drejt oborrit.

Ej! thirri një nxënës, dyert i paskan mbyllur!

Provuan të hyjnë nëpër mësonjëtore, të dilnin për dritare, por edhe dyert e tyre ishin mbyllur. Nxënësit që ishin mbyllur në klasë kërcenin nga dritarja dhe derdheshin në rrugë. U thyen dyert dhe u hapën dritaret pa ndonjë vështirësi dhe shumë shpejt rruga u mbush me nxënës. Shumë profesorë iu bashkëngjitën marshit të nxënësve të tyre.



Ata ecnin me hapa të shpejtë dhe këndonin këngë patriotike. Naseri dhe Asllani ishin vënë në ballë të demonstruesve. Arritën afër parkut të “Tokë Bahçes”, aty ku kryqëzoheshin rrugët, “Miladin Popoviq” dhe “Bledi” me rrugën tjetër që çonte te depot e ushtrisë jugosllave. Forca të mëdha e kishin bllokuar rrugën, duke qëndruar në gjendje gatishmërie me armë në dorë. U hodhën bombat e para me gaz lotsjellës, por djem të shkathët i mënjanonin tutje me shqelma. Tymi i mbuloi demonstruesit, por ata brohoritnin dhe nuk shpërndaheshin. Naseri dhe Asllani përpiqeshin t’ua kthenin bombat forcave policore, por nuk arrinin t’i hidhnin midis tyre. Dikush nga nxënësit ra në tokë nga tymi helmues, disa të tjerë filluan të largohen anash, ku kishte më pak tym. Nxënësit kishin marrë qepë me vete, të cilat ua lehtësonin frymëmarrjen. Nga policia u shkrep një armë me plumba, por nuk u godit askush. Naseri e kapi me dorë një nga bombat e gazit dhe e hodhi midis policëve. Kishte nga ata, pa maska, që u tërhoqën mbrapa, duke ikur nga tymi i bombës. Një bombë tjetër, policia e hodhi pikërisht atje ku kishte më shumë vajza, duke menduar se do të ishte hallka e dobët e zinxhirit që nuk po këputej. Naseri u hodh dhe e kapi bombën, duke e kthyer atje nga ishte nisur.

Naser! bërtiti njëra nga vajzat dhe si shigjetë vrapoi drejt tij.

Ma jep dorën! tha dhimbshëm.

Naseri ia shtriu dorën e mbuluar me gjak dhe blozë të zezë të gazit të djegur.

Kuqezi, tha Naseri me buzëqeshje të çiltër.

Mos bëj shaka! tha ajo, shpejt duhet ta lidhim. Hoqi shaminë me të cilën mbrohej nga tymi dhe ia lidhi dorën, sa ta ndalonte gjakderdhjen. Një nejës që e kishte në trinë, nuk i dukej nga gjaku që po ngjizej.

Forcave serbe po u vinin përforcime. Naseri vlerësoi se ishte e pamundur të shpërtheheshin dhe të zmbrapseshin. Por as nxënësit nuk duhej zmbrapsur.

Ai u kthye nga demonstruesit dhe u tha se duhej ndjekur rrugët anësore në grupe të vogla dhe pas gjysmë ore të rigrupohemi bashkë në hyrje të qendrës së qytetit. Naseri e kishte ngritur lart dorën e lidhur, duke treguar sa rrugë kishte dhe ku të nxjerrin.

Ata që nuk e dinin çfarë i kishte ndodhur me dorën e tij, nuk e dallonin, të ishte e lidhur, apo mbante lart një flamur të palosur.

*

Shokët dhe shoqet me të cilët Naseri po ngjitej shpatit, e sugjeruan ta pastronin dhe ta lidhnin dorën e plagosur. Rruga e çonte drejt në shtëpi, por nuk deshi ta shihte e ëma të plagosur, prandaj u ndalën te një fqinj që e njihte në rrugën “Taslixhe”. Në shtëpi gjetën të ëmën e zotit të shtëpisë me disa fëmijë. Ajo e pastroi plagën me antiseptik dhe e mbështolli mirë me fashë sterile, si të ishte doktoreshë.

Naser, tha, biri im ti duhet të shkosh te mjeku, se plaga është e thellë, mund të palavohet e të mbetesh pa dorë.

Nuk të kam pyetur Naser, a ke nënë?

Po, e kam një në shtëpi, tha Naseri duke pirë një gotë qumështi mazatar.

Nga një e kanë të gjithë, po shko pak te ajo se nuk e ke larg, e të këshillon më mirë.

Faleminderit shumë loke, kurse unë tashti me këta kolegët duhet të shkojmë te Nëna e Madhe, se po na thërret.

Mirupafshim Loke!

Mirupafshim e zoti ju ruajt!

*

Nxënësit e normales, siç i quanin ata të shkollës së Naserit, (shkollë normale ishte dikur) ashtu si u morën vesh, shumica, u takuan te Xhamia e Madhe. Aty kishte një shesh para Xhamisë, kurse babai i Naserit kundruall saj e kishte zyrën e punës në katin e dytë. Naseri vrapoi shpejt shkallëve ta shihte babain, sepse e kishte lënë me temperaturë. Zyra ishte e zbrazët.

Ku është Beqa? pyeti Naseri një vajzë që po e pastronte korridorin.

Kanë dalë në demonstratë, tha vajza ftohtë, sikur të tregonte se po e furnizonin depon e ndërmarrjes.

Naseri pa nja flamur kuqezi me shtizë të re mbi tavolinën e punës. Mendoi pak, duke hezituar, por vendosi ta marrë me vete. Doli para shokëve me flamur në dorë dhe të gjithë bashkë, marshuan drejt qendrës. Kur arritën te selia e Kuvendit, e cila shpesh quhej Këshilli Ekzekutiv, sepse aty ishin të dy nivelet e pushtetit kuisling, ushtarë të dislokuar zgjatnin armët duke kërcënuar demonstruesit që të ktheheshin, ndryshe do të shtinin mbi ta. Askush nuk i përfillte, por as ata nuk shtinë. Gjatë natës ushtria jugosllave i kishte pushtuar të gjitha institucionet shtetërore, radion, televizionin, gazetat etj.

Demonstruesit u mblodhën në sheshin e madh para Teatrit Krahinor. Ora kishte shkuar tetë e gjysmë e mëngjesit. Duke valëvitur flamurin, Naseri mendoi të hipte në shkallët e teatrit dhe t’u fliste demonstruesve, por në çast u dëgjuan krisma të fuqishme në të katër anët dhe sheshi u përflak. Demonstruesit filluan të shpërndahen në drejtime të ndryshme, një pjesë sheshit drejt Hotel Grand-it që kishte edhe degëzime tjera, një tjetër drejt qendrës universitare, të tjerët drejt lumit të vogël që shkonte te Parku i “Tokë Bahçes”, kurse Naseri me shokë dhe shumë të tjerë, hynë rrugës së ngushtë përbri Shtëpisë së Mallrave që i nxirrte në sheshin midis Bankës Popullore dhe Postës Qendrore.

U dëgjuan krisma të forta, kurse mbi kokat e demonstruesve binin ciflat e fasadës së objektit tregtar.

Kaloni më shpejt! tha Naseri, nga katet e Bankës po gjuajnë. Kati përdhesë i Bankës ishte një sallë e madhe veshur me xhama. Brenda dukeshin ushtarë dhe oficerë në gjendje gatishmërie.

Në sheshin e vogël, ku u ndalën demonstruesit flamuri kombëtar valëvitej në duart e Naserit, si të ishte në majë të kështjellës. Një oficer në katin e tretë foli me eprorin e tij, pastaj drejtoi snajperin drejt flamurit. Flurudha nuk ishte e gjatë. Mori në thumb ballin e flamurtarit, duke llogaritur me perceptimin e syrit pikën parapritëse dhe tërhoqi këmbëzën. Naseri bashkë me flamurin po ulej ngadalë poshtë, pa bërë zë. Asllani e vuri re, ia mori flamurin nga dora dhe e kapi për krahu Naserin. Një shkrepje tjetër e rrëzoi si lisin përtokë edhe Asllanin. U afruan t’i ndihmonin shokët e tyre dhe demonstrues të tjerë. Naseri përpiqej të thoshte diçka, por nuk kuptohej. Gjaku i dy të rinjve, të qëlluar në kokë, rrodhi mbi flamur dhe tatëpjetë u bashkua në cep të tij...

Në çast erdhi një makinë, nga e cila doli një burrë thatim me mantel të bardhë. Dy të qëlluarit me armë i futën shpejt në ndenjëset mbrapa të veturës, hyri edhe një demonstrues dhe u nisën drejt qendrës spitalore.

Ju jeni doktor? pyeti demonstruesi, ashtu kot.

Po. Isha duke shkuar në punë me makinën time në Shtëpinë e Shëndetit, aty afër, kur pashë dy të vrarët dhe juve përreth. Hyra te shërbimi emergjent dhe kërkova autoambulancë, por të gjitha ishin në terren. Zgjidhje e vetme ishte makina ime...

Të gjitha rrugët e qytetit ishin përplot demonstrues. Po vinin nga të gjitha anët të tjerë, si delta e lumit që derdhet në det. Disa helikopterë bënin xhiro në qiellin e Prishtinës. Krismat nuk pushonin, kurse gjithandej qytetit përhapej një zhurmë mbytëse, si gjëmë.

Nga të gjitha demonstratat, sot është më e madhja, tha doktori. Duket sikur gjithë Kosova është në Prishtinë. Kryengritja ka kulmuar. Dasmë pa mish nuk ka...

Ata po vonoheshin duke ndjekur rrugë anësore, por edhe ato ishin me demonstrues. Anash rrugëve, në derë dilnin plaka dhe vajza të vogla me ujë, ushqime dhe fruta, duke ua ofruar demonstruesve me duar të zgjatura. Njëri nga demonstruesit u përndante ngastra palaniku njerëzve rreth tij. Një kamionetë private ngarkuar me pije, ushqime dhe fasha e limona ua kishte zënë rrugën. I zoti i saj i thërriste demonstruesit të furnizoheshin nga kamioneta. Më tutje dukej një traktor, me rimorkion plot gurë. Demonstruesit më shumë furnizoheshin aty se te kamioneta.

Hynë në rrugën “Ramiz Sadiku”, ku lumin e demonstruesve po e çante një kolonë tankesh, nga të cilat shtihej me armë mbi njerëzit që brohoritnin parulla. Ata qëndronin si statuja ndanë rrugës, pa provuar të iknin, megjithëse vërenin tek binin për toke demonstrues të përshkuar nga plumbat. Katër avionë luftarak bënin xhiro me zhurmë shurdhuese mbi qiellin e Prishtinës.

Duan të bëjnë efekte paniku, tha doktori.

Një shok banke i Naserit, sapo ishte plagosur rëndë në këmbë. Dy demonstrues po ia lidhnin plagën të mos i shkonte gjaku. Ai kishte qenë pranë Naserit para teatrit, por në zallahinë që u krijua nga ndërhyrja e forcave, e humbën njëri-tjetrin, sepse valët i hodhën në drejtime të kundërta. Ky u ndodh para Fakultetit Juridik. Ashtu i plagosur, thirri: Naser! Naser! sa të verifikonte nëse rastësisht ndodhej aty, por askush nuk u përgjigj. Naseri nuk ishte larg tij, por nuk fliste më...

Te kryqi i rrugëve pranë mensës së studentëve, një civil serb shtiu me armë mbi demonstruesit. Gjaku rrodhi asfaltit tatëpjetë. Demonstruesit e panë kriminelin dhe u vërsulën drejt tij, por ai iku, duke lënë shtëpinë bosh, së cilës të rinjtë ia vunë flakën. Nga kazerma e ushtrisë erdhën dy helikopterë mbi kampusin universitar, duke shtënë me armë mbi demonstruesit. Në mes të rrugës, dy tanke po digjeshin.

- VIJON -


______________

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (VIII)

http://www.pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10925


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks