SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXII)

Pashtriku, 16 mars 2021:

3. Gani DELIU (mësimdhënës i Naserit)

Naserin e pata nxënës në klasat III dhe IV të shkollës së mesme, deri në ditën e rënies. Si nxënës ishte i qetë, jo i ekspozuar për asgjë, apo të them se ishte disi i tërhequr në vetvete. Fytyra e tij shprehte brengë të madhe dhe sikur në shpirt kishte një vullkan, i cili pret momentin që të shpërthejë. Dhe erdhi momenti kur ai vullkan shpërtheu. Kur fliste Naseri linte përshtypjen e një djali, jo që sapo kishte dalë nga adoleshenca, por të një burri të pjekur, një tamam burri.


Në ditën e vrasjes, para orës tetë u nisa për të shkuar në shkollë. Sa zbrita nga banesa, atje te rruga “Bledi”, pashë në të dy anët e rrugës për Gërmi, kordon të forcave speciale jugosllave, të cilat jo vetëm që nuk lejonin kurrfarë qarkullimi të njerëzve, por edhe i rrihnin dhe i maltretonin, gjë që e përjetova edhe vetë.

Duke u kthyer përpjetë për në banesë, pashë tek vinte nga lart me vrap një djalë i ri. Ishte Naseri. I dola përpara dhe i thashë; “Ndal pak Naser!” „Profesor s'ka më ndalje“. Megjithatë u ndal pak. I thashë të mos zbriste poshtë, sepse kishte forca të mëdha ushtarako-policore. Më tha, “pikërisht për këtë kemi dalë, duhet përzënë okupatorin”. Vazhdoi së vrapuari. Pashë që nuk arriti ta shpërthente kordonin. Pas pak u kthye duke vrapuar përpjetë. Përsëri i dola përpara. E luta që të pushonte pak. Piu një gotë ujë dhe më tha: “Mjaft kemi pushuar”. „Naser ke kujdes se sot nuk është sikur dje.“ „Profesor, për ne si e djeshmja, si e sotmja, janë një, e kemi dhënë besën e madhe që këtë okupator ta largojmë njëherë e përgjithmonë nga trojet tona”, tha i vendosur. Vazhdoi rrugën atyre kodrave të “Taslixhes”, në atë mëngjes pranveror. Një diell i hajthëm ka qenë.

Pas dy-tri orësh mora lajmin më të dhimbshëm në jetën time: „Është vrarë Naseri!“... Lavdi!

Për një kohë u ndërpre mësimi në shkollë. Ditën që u kthyem, qëlloi të isha kujdestar i ditës. Në sallë erdhi drejtori dhe na e lexoi urdhrin e Sekretariatit Krahinor të Arsimit, sipas të cilit të gjitha shkollat, orën e parë do t’ia kushtonin dënimit të demonstratave, siç i quanin ata, “kundërrevolucionare”. Profesorët i morën ditarët dhe u nisën për në klasë. Mbetën dy profesorë të fundit, Veli Fazliu dhe Fatmir Sopi. M'u drejtua Fatmir Sopi, „O profesori Gani, po dua me të thënë diçka (ishim vetëm ne). I rrodhën lotët para se të ma thotë fjalën: „Nuk mundem të shkoj në klasën time pa nxënësin që s'është më në jetë, pa Asllan Pirevën. Të njëjtën fjalë ma tha edhe kujdestari i Naserit, Veli Fazliu. Në klasat e dëshmorëve, shkuam Skënder Sejdiu dhe unë. Pas meje erdhi edhe drejtori i shkollës. E hapa derën e klasës, duke i thënë drejtorit të hynte përpara, por nuk pati kurajë. Hyra përpara, nxënësit u ngritën në këmbë, pastaj u ulën. Sytë më shkuan te lulet mbi bankë. Heshtje. Në atë atmosferë të rëndë, të zymtë, pa asnjë pëshpëritjen më të vogël, dëgjohet britma e drejtorit, (i cili tërë kohën shëtiste nëpër klasë), me një zë të rëndë: “Çka keni shkruar këtu?” M'u afrua e më kapi për krahu dhe tha: „Kthehu mbrapa!“. U ktheva. Nga njëri skaj i murit, përballë nxënësve, duke kaluar nëpër tabelë, deri në skajin tjetër, kishte qenë e shkruar parulla „Kosova-Republikë“, me shkronja të gjata, sigurisht më shumë se një metër. Drejtori tentoi që nxënësi kujdestar t'i fshinte ato, e thirri emrin e nxënësit kujdestar, nuk pranoi nxënësi t'i fshijë. E thirri kryetarin e klasës, as ai nuk pranoi. Për ta qetësuar situatën, i thashë se unë do të merrem me këtë.

Pas 2 prillit në shkollën tonë ka qenë periudha më e vështirë deri në përfundim të vitit shkollor. Gjatë kësaj kohe nuk është zhvilluar fare procesi mësimor. Shumë vështirë ishte t’i shihje profesorët e zymtë dhe të revoltuar kur merrnin ditarin dhe shkonin në klasë.

Në bankat në të cilat kishin qenë për dy vite të ulur nxënësit, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, deri në përfundim të vitit shkollor nuk janë larguar buqetat e luleve.

Nga intervista dhënë autorit, janar 2017, Skenderaj



Libra dhe fletore të Naserit


***

4. Shefkije BEGOLLI (mësimdhënëse)


Në vitin 1981 ishte fillimi i karrierës sime në Shkollën e Mesme "Miladin Popoviq" në Prishtinë. Ai vit filloi me demonstratat e 11 e 26 marsit, pastaj të 1 dhe 2 prillit, të cilat ishin të kobshme për tërë popullin e Kosovës e posaçërisht për nxënësit tanë, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi. Ata ishin dy maturantë, të cilët për një muaj do të diplomonin, por më 2 prill u vranë mizorisht. Ishte ditë shumë e vështirë për ne, për familjarët, për të gjithë ata që i njihnin këta dy djelmosha.

Asllan Pireva ishte një djalë me shtat të gjatë e flokë kaçurrel, ndërsa Naser Hajrizi ishte pak më i shkurtër, me flokë të krehura lart. Të dy ishin të buzëqeshur dhe me kokën lart tërë kohën. Dy nxënës shumë të sjellshëm, dy nxënës shumë të mençur.

Vëllai im, doktor Petrit Begolli atë ditë u ndodh koincidentalisht në vendin ku ranë dëshmorët. Ishin dy nxënës pa armë, të shtrirë në tokë. Ai ishte përpjekur t’u japë ndihmë dhe ashtu të përgjakur i ka futur në veturën e vet për t’i dërguar në spital, por fatkeqësisht ishte vonë. Të nesërmen e kuptova që ata dy nxënës kanë qenë Asllani dhe Naseri...

Në klasë, të gjithë ishim të përlotur, nuk fliste asnjëri asnjë fjalë. Banka ishte e zbrazët, por një tufë lule ishte mbi të. Kaloi ora pa e thënë asnjë fjalë. Atë ditë dhe shumë ditë të tjera.

Çfarë ironie! Drejtori i shkollës nëpër korridore na qortonte për pamjen tonë të zymtë. Mua më tha: "Duhet të buzëqeshni kur të hyni në orë të mësimit, nuk bën të hyni ashtu " ...

Të tmerrshme ishin ato kohë...

Nga intervista dhënë autorit, shkurt 2017, SHBA.

***

5. Skënder SEJDIU (mësimdhënës i Naserit)


Kur t'i kujtoj ato ditë dramatike nga kjo distancë kohore, më duhet fillimisht ta sjellë ndërmend atmosferën e përgjithshme që mbizotëronte gjatë gjysmë vjetorit të dytë në Shkollën e Mesme Teknike, ku sapo kisha filluar të punoja si arsimtar i lëndëve profesionale. Ishte grumbulluar një vrerë i përgjithshëm i pakënaqësisë gjithëkombëtare kundër regjimit jugosllav, i cili ne shqiptarët na konsideronte qytetarë të rendit të dytë. Lista e padrejtësive ishte e gjatë, prandaj kupa ishte mbushur si një fuqi baroti dhe pritej të shpërthente. Në anën tjetër, zgjimi i ndërgjegjes kombëtare ishte në nivelin më të lartë.

Maturantët e shkollës sonë, bashkë me Naserin e Asllanin, vlonin nga kjo ndjenjë. Kënga e fuqishme patriotike dridhte muret e shkollës për çdo ditë. Më parë se brenga për të ardhshmen e karrierës së tyre, ata ishin të interesuar për çështjen kombëtare. Sytë e shkruar të Naserit shkëlqenin sa herë që bisedonim për këto tema. Në sytë e Naserit e të shokëve të tij, lexoheshin dëshirat e tyre dhe gatishmëria për të dhënë gjithçka për kombin. Fitili i burës së pakënaqësive u ndez nga studentët dhe u përhap shpejt në të gjitha shtresat e popullit.

Demonstrata e 1 prillit të vitit 1981, ishte masive dhe gjithëpërfshirëse. Ishim bashkë me nxënësit, në mesin e tyre.

Të nesërmen në mëngjes, shkolla jonë, si çdo institucion tjetër, ishte e rrethuar me policë, ku kishim mbetur të ngujuar me nxënës (jo të gjithë, pasi që një pjesë që udhëtonin ishin bllokuar në ardhje). Dyert e shkollës ishin të bllokuara nga disa aktivistë partiakë e të sigurimit, por nxënësit shpërthyen nga dritaret e pastaj me forcë i hapën dyert dhe ia mësynë qytetit për t'iu bashkëngjitur demonstratave.

Tashmë i gjithë qyteti ishte i mbushur me policë, prandaj vështirësohej bashkimi demonstruesve në grupe të mëdha. Pati edhe përleshje me forcat policore e ushtarake që kishin zënë të gjitha pozicionet strategjike në qytet dhe qëllonin me armë.

Nga forcat ushtarake jugosllave vriten edhe dy lulëkuqet e shkollës sonë: Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva si dhe plagoset shoku i bankës së Naserit, Sylë Loshi. Në Kosovë u shpall shtetrrethim dhe orë policore. Shkolla jonë u mbyll...

Kthimi në shkollë ishte shumë i rëndë. Bankat e Naserit dhe Asllanit ishin të mbuluara me karafila të kuq. Dhembje dhe gjëmë. Të gjithë qanin, si nxënësit ashtu edhe arsimtarët, të cilët madje ishin të urdhëruar nga aktivistët dhe sigurimi që të mbanin orë “edukative” kundër demonstratave. Hyra me zemër të thyer, më parë në klasën e Naserit e pastaj edhe në atë të Asllanit. I ngrita fillimisht nxënësit për t'iu bërë homazhe nxënësve të vrarë, duke i nderuar me një minutë heshtje. Pastaj fillova t'i inkurajoj nxënësit e përlotur, duke i lutur që së bashku ta kthejmë dhembjen në forcë, se Naseri dhe Asllani nuk kanë vdekur dhe s'do të vdesin kurrë. Ata zgjodhën përjetësinë në këmbim të robërisë. Neve na lanë një amanet për ta vazhduar rrugën e lirisë. Me kokën lart, nxënësit që më përcillnin, i ndalën lotët dhe i zëvendësuan me një shkëlqim premtues të syve, si betim për vazhdimin e rrugës së shokëve të rënë. Kjo na bëri edhe më të afërm mes veti dhe na ndihmoi të gjithëve që të përfundojmë këtë pjesë të vitit shkollor. Ndaj personelit arsimor si dhe disa nxënësve vazhdoi gjuajtja e shtrigave nga dora e regjimit.

Nga një dorëshkrime për Naserin,

i autorit, Skënder Sejdiu, maj 2017.

***

6. Muhamet GjOCAJ (mësimdhënës i Naserit)


Aktivistët e shërbimit të sigurimit të atëhershëm, si arsimtar i ri, më thirrën në zyrë dhe ma tërhoqën vërejtjen se një numër i nxënësve janë të organizuar dhe po shpërndajnë pamflete, po bëjnë veprimtari armiqësore (kështu i thoshin ata në atë kohë). Pikërisht ishte një agjent që e përcillte shkollën tonë dhe në ambientet e shkollës më thotë: “Muhamet, duhet të keni kujdes me disa nxënës.” Natyrisht që unë nuk i njihja as ata as nxënësit tjerë që ishin informatorë të tyre, por insistova të interesohem se kush janë ata nxënës. Në bisedë e sipër m’i dha disa emra, se këta janë nxënësit që duhet t’i përcillni. Dhe në mesin e tyre ishte edhe Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Enver Zeneli etj.

I thirra me radhë, më kujtohet shumë mirë. Edhe me Naserin kam biseduar dhe i kam thënë: “Naser të lutem të kesh vëmendje, nuk po të them për të mos vazhduar kurrgjë, por të ruheni më shumë për shkak se ishit të identifikuar, po ju përcjellin”.

Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.

***

7. Sylë TAHIRSYLAJ (mësimdhënës i Naserit)


Naser Hajrizit i kam dhënë mësim në të gjitha klasat e shkollës së mesme, në të dy fazat. Naseri ka qenë nxënës i drejtimit elektroteknik të stabilimenteve elektrike dhe elektronike medicinale. Ky profil ka qenë i veçantë dhe kjo ishte gjenerata e parë e tij në Kosovë.

E kam njohur mirë Naserin, sepse gjashtë orë në javë kemi qenë bashkë në klasë. Madje edhe temën e diplomës e kishte te unë. Tema ka qenë për stabilimentet elektrike dhe elektronike medicinale, për gama-kamerën etj. Ai punonte seriozisht në temë, duke shfrytëzuar kryesisht literaturën shqipe. Jam kujdesur, sa kam pasur mundësi t’i siguroj literaturë, duke i dhënë edhe disa libra që i kisha marrë më 1979 në Shqipëri. Më kujtohet që pos literaturës profesionale, ia kam dhënë edhe librin “Shotë dhe Azem Galica”, po ashtu të botuar në Shqipëri.

Naseri ka pasur specifikat e veta të veçanta. Ka qenë shumë i afërt me rrethin e gjerë të shokëve, ka pasur respekt edhe nga trupi arsimor, ka pasur një elokuencë që ishte shenjë se ka lexuar shumë libra.

Më 2 prill nxënësit tanë shpërthyen dyer e dritare dhe dolën nga shkolla në demonstratë. Kur kemi arritur në Tokë Bahçe, kanë ardhur nxënësit e Shkollës Teknike “Miladin Popoviq”. Prijës ishte Naseri...

Në atë moment ka ardhur policia për t’i penguar dhe u përdor gazi lotsjellës. Nxënësit janë shpërndarë në drejtime të ndryshme, por përsëri janë tubuar në shesh, pikërisht te Teatri. Naseri edhe pse ishte plagosur, vazhdoi aktivitetin në ballë të nxënësve që vërshuan në Sheshin, tash, “Skënderbeu”. Unë aty e kam parë për herë të fundit Naserin, bashkë me disa shokë. Ai e mbante lart flamurin, i cili u mbulua nga tymi i gazit lotsjellës.

Jemi informuar më vonë se Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva kishin rënë dëshmor, përkatësisht në mes të Bankës dhe Shtëpisë së Mallrave

Nga intervista dhënë autorit, shkurt 2017, Prishtinë.

***

8. Drita EMËRLLAHU ( mësimdhënëse e Asllanit)


Kam pasur fatin t’i jap mësim Asllan Pirevës, një nxënës i pashëm, i qeshur, i formuar, shumë i vendosur në qëndrimet e veta, me flokë ngjyrë të zezë e kaçurrela dhe me faqe të kuqe..., si flamur. Ka qenë djalë energjik dhe shumë i shëndetshëm.

Nxënësit tanë, Asllani dhe Naseri e lanë mësimin dhe dolën jashtë në rrugë që të kërkojnë liri dhe ranë dëshmorë në emër të saj.

Ne kemi mbajtur disa akademi përkujtimore, ku i kemi përkujtuar në fshehtësi, nxënësit dëshmorë. I kemi ftuar edhe familjarët e tyre.

Pos veprimtarive përkujtimore, ne si kolektiv i kemi vizituar edhe familjarët. Gjatë një vizite të tillë në familjen e Naser Hajrizit, në përvjetor të rënies së tij, kishte edhe shumë të tjerë. Pos evokimit të kujtimeve që u bënë për dëshmorët, një çun i ri, shumë i vogël, e recitoi bukur një poezi jashtëzakonisht prekëse...

Intervistë dhënë autorit, Prishtinë, 2017.

***

9. Esat MORINA (mësimdhënës)


Dua të tregoj një rast kur shkuam për ngushëllime në familjen e Naserit. Ishim gjithë kolektivi, profesoresha dhe profesorë në odë. Femrat ishin më të ndjeshme dhe filluan të qajnë, Drita dhe Shefkija. Ne shkuam aty t’u japim pak gajret, por ndodhi e kundërta, ata na jepnin neve gajret: “Mos u mërzitni se edhe ju i keni pasur si fëmijët tuaj”. Unë jam befasuar shumë se çfarë burrnie kanë pasur ata. Djali u kish shkuar edhe nuk u mërzitshin, se e dinin që për Atdhe e ka dhënë jetën.

Intervistë dhënë autorit, Prishtinë, 2017.

***

10. Fatmir SOPI (mësimdhënës i dy dëshmorëve)


Në vitin shkollor 1980/1982, në Shkollën Teknikë “Miladin Popoviq, kemi punuar një pjesë e mirë e arsimtarëve. Në moshë kemi qenë mjaft të ri, faktikisht kemi qenë studentë, prandaj dallimi në moshë mes nesh dhe nxënësve, posaçërisht maturantëve, ka qenë shumë i vogël, 3 deri 5 vjet. Kjo e ka bërë të veten, ne jemi mirëpritur prej tyre dhe kemi krijuar një besim reciprok. Me ta kemi pas raporte shumë të mira dhe ato raporte kanë ardhur gjithmonë duke u thelluar.

Kam vërejtur në atë kohë se te ata nxënës ka qenë e akumuluar një energji pozitive e cila me siguri, kur flasim prej perspektivës së sotme, ka qenë e kontrolluar prej veprimtarëve të kohës. Megjithëse ishin nxënës, Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Fatmir Graiçevci, Ilaz Zhitia etj., kanë treguar një pjekuri shumë të madhe në çdo aspekt edhe atë politik. Ajo energji kulmoi me demonstratat e vitit 1981. Shumica prej nxënësve kanë qenë vazhdimisht pjesëmarrës të rregullt të demonstratave, madje në disa raste në ballë të tyre, si më 2 prill në Prishtinë.

Kam pasur rast shumë herë ta bëja rrugën këmbë, nga shkolla deri në qytet, sepse nuk kishte mjete të komunikacionit. Gjatë rrugës kam biseduar me nxënës për mësimin, për problemet e moshës, por besa edhe për politikën. Një bashkëbisedim i fundit që kemi pasur me Asllanin, më kujtohet shumë mirë. Ka qenë koha kur filluan demonstratat dhe në ndarje e sipër i kam thënë: “Asllan, nuk është e tepërt të keni kujdes dhe të ruheni në protesta dhe demonstrata.” Kam marr prej tij një përgjigje që nuk e harroj kurrë: “Unë për vete jam i përgatitur për gjithçka, di edhe të mbrohem edhe të sillem në çfarëdo situate, por e kam gajlen e një vëllait tim që është shumë i ri e me një grup të shokëve as nuk mund t’i ndalësh. U them se ju jeni aq të ri sa nuk keni nevojë të dilni as në rendin e parë, as në rendin e fundit, por ruajeni mesin diku.” Kjo më ka bërë shumë përshtypje. Do të thotë që përkundër moshës së re, ata kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm edhe të ushtruar se si të veprohej në situata të tilla. Mirëpo, fatkeqësisht më 2 prill, Asllani dhe Naseri vriten.

Më 3 prill, ka ardhur tek unë në shtëpi një shok i tyre, Fadil Beselica dhe më ka treguar se janë vrarë Asllani dhe Naseri. Të them të drejtën, nuk e di ta kem ndier veten ndonjëherë më keq. Atëherë, përkundër faktit se pothuajse të gjitha rrugët kanë qenë të mbyllura, bashkë me Fadilin arritëm në varrim të Asllanit.

Procesi mësimor është ndërprerë. Kur ka filluar sërish, kemi qenë të obliguar prej shkollës që secili të shkojë në klasë të vet dhe ta mbaj orën e parë. Kur kam shkuar aty, ka qenë një gjendje që edhe e kam pritur, por jo aq të rëndë. Banka e Asllanit dhe ajo e Naserit kanë qenë të mbuluara me lule. Përveç emocionit tim kisha edhe emocionet e 35 nxënësve. Jam munduar të gjej fjalë për ngushëllim, por ka qenë shumë e vështirë. Pati raste që arsimtarët të mos mund t’i mbanim orët.

Shumica e arsimtarëve kanë qenë në nivel në çdo aspekt, por ka pasur edhe ndonjë përjashtim individual. Në orën e dytë apo tretë, kur kam shkuar në klasën tjetër, atëherë i kemi thënë E-42, ka qenë një nxënës, Fatmir Graiçevci dhe posa kam hyrë më është drejtuar me një kërkesë: “Në orën e parë nuk patëm mundësi t’i nderojmë Asllanin dhe Naserin ashtu siç e meritojnë, prandaj po kërkojmë që së bashku të mbajmë një minutë heshtje për këta dy heronj.” Natyrisht që u pranua.

Emocionet kanë qenë të vazhdueshme dhe ato na kanë përcjellë vazhdimisht derisa është kryer viti shkollor.

Pas fillimit të mësimit, u krijuan kushtet që në mënyrë grupore të shkojmë për ngushëllime në familjen e Naserit. Kemi shkuar së bashku me nxënës dhe me disa kolegë profesorë. Aty kemi pa një qëndrim burrëror të asaj familjeje. Me atë qëndrim ata faktikisht na kanë ngushëlluar neve. Pasi që jemi kthyer, drejtoria dhe këshilli i aktivistëve partiakë që vinin çdo ditë në shkollë, kërkuan llogari që kemi shkuar në të pame. Neve nuk na bënte përshtypje kërcënimi i tyre.

Intervistë dhënë autorit, Prishtinë, 2017.

***

11. Hajrije SHAIPI-SYLEJMANI (drejtoreshë aktuale e shkollës së dëshmorëve)

Kam nderin të flas si përfaqësuese e Shkollës së Mesme "Gjin Gazulli", shkollë kjo e cila krenohet edhe sot e kësaj dite me ish nxënësit e saj që ranë dëshmorë në Kryengritjen e vitit 1981. Kujtimi për ta asnjëherë nuk është shuar as zbehur, por përkundrazi janë marrë shembull edukimi.

Më vjen mirë që historia nuk është harruar dhe nuk duhet të harrohet faktikisht, se një popull që e harron historinë, nuk ka të ardhme. Çdo aktivitet përkujtimi për dëshmorët, në një mënyrë na jep forcë t'i tejkalojmë të gjitha situatat e vështira.

Për Naser Hajrizin dhe Asllan Pirevën ne u flasim nxënësve që ta përcjellim mesazhin e tyre te gjeneratat e reja. Në kujtimet për dëshmorët gjejmë gjithmonë diçka të ngrohtë, diçka miqësore e luftarake, gjejmë virtyte dhe kjo sigurisht që na mbanë të gjithëve.

Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.

***

12. Jonuz SALIHU (mësimdhënës)


Naseri dhe Asllani rrjedhin nga dy familje emblematike, patriotike që kanë dhënë shumë për Kosovën gjatë të gjitha periudhave historike.

Naseri dhe Asllani nuk arritën të diplomoheshin në shkollë, por u pajisën me diplomën e dëshmorit të kombit. Jeta e tyre u bë model për të rinjtë e Kosovës.

Normalisht që ne, si edukues të brezit të ri, (si profesor i ri, kam filluar punën në shkollën e dëshmorëve në vitin 1982) na ka takuar të organizojmë akademi përkujtimore. Çdo 2 prill i përkujtonim dëshmorët me akademi e veprimtari kulturore, por zakonisht në orët e pasdites, kur mungonte drejtori serb.

Qëllimi ynë ishte t’i edukonim nxënësit në frymën e lirisë dhe të atdhedashurisë, sipas shembullit të dëshmorëve, sepse shkolla njërën nga objektivat e ka edhe edukimin patriotik.

Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.

- VIJON -

______________________

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXI)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11010


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks