SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXIII)

Pashtriku, 18 mars 2021: Shkrime për Naser Hajrizin

1. Selatin NOVOSELLA (veprimtar)

Si nxënës i zgjuar dhe i guximshëm, Naseri kishte krijuar lidhje të afërme edhe me disa arsimtarë në Shkollën e Mesme „Miladin Popoviq“ të Prishtinës, e sidomos me arsimtarët Ahmet Qeriqi dhe Zenun Gjocaj. Atyre shpeshherë u dërgonte botime të ndaluara të kohës, të cilat i merrte në familjen atdhetare Hajrizi. Kjo familje vazhdonte të ishte një çerdhe e sigurt, ku merreshin vendime për veprimtarinë e mëtutjeshme për çlirimin e Kosovës.


Veprimtaria e Naser Hajrizit konsistonte në ngritjen teorike dhe politike, në edukimin atdhetar, në zgjerimin e radhëve të anëtarëve të organizatës ku vepronte dhe në përhapjen e ideve të luftës për liri. Andaj, kryengritja e vitit 1981 nuk e befasoi Naserin, sepse ishte i përgatitur dhe i gatshëm të ballafaqohej me çdo situatë, i gatshëm për sakrificat më të mëdha. Pas demonstratës së 26 marsit, në të cilën Naseri kishte qenë shumë aktiv, në mbrëmjen e asaj dite, i kishte thënë axhës së vet, Tahirit, se fitorja jonë tashmë është e sigurt, sepse është ngritur në këmbë i gjithë populli me ne.

Asnjë nga xhaxhallarët, por as babai dhe motra e tij, nuk kishin munguar në demonstrata, prandaj kjo i jepte kënaqësi të veçantë Naserit entuziast. Për përcaktimet kombëtare të Naserit flet edhe fakti se, disa ditë para se të vritej kishte punuar në drugdhendje një stemë të Shqipërisë, e cila sot ruhet në Muzeun Historik në Tiranë.

Pjesë nga shkrimi për dëshmorin, Naser Hajrizi, në librin „Dëshmorët e Pranverës Shqiptare '81“ të autorit, Selatin Novosella.



Portret i punuar nga Hydajet Hyseni


***

2. Adem SYLEJMANI (veprimtar)

Militanti që u qëndroi besnik idealeve për çlirim


...U bënë 26 vjet, kur Naseri shënoi në veprën e tij atdhetare aktin e rënies për lirinë e popullit të vet.

Kujtimet mposhtin harresën, vepra e tij e mbushur me përpjekje liridashëse është bazë për të mësuar brezat tanë, ashtu siç edhe vetë ai mësoi se si duhet të luftohet dhe vdiset për liri. Aty do të mësojnë ata që e duan dhe luftojnë për të bërë lirinë. Gjaku i derdhur i të riut militant, Naser Hajrizi dhe i të rinjve të tjerë, është simbol i një lufte për jetë të re, të lirë, në tokën tonë të lirë, siç e ëndërruan ata. Për këto ideale u vra edhe biri i saj, Naser Hajrizi...

...Naser Hajrizi po rritej në përpjekje. Ai po përpiqej të jepte shembullin e një djaloshi që po merrte detyra të rënda, detyra që nuk ia lejonte mosha. Donte të bënte diçka për Atdheun e tij.... Ai kryente dy detyra njëkohësisht, atë të nxënësit për të nxënë dije dhe atë të luftës për çlirim, për të shpërndarë zjarrin e lirisë te të tjerët...

...Naseri nuk erdhi rastësisht në skenën e Lëvizjes çlirimtare. Nuk do të jenë rastësisht bashkë me Asllan Pirevën në ballë të demonstratës, në anën e liridashësve. Nuk do të jenë rastësisht në ballë të gurrës, mu aty ku fillon liria, aty ku i thuhet jo robërisë, aty ku derdhet gjaku i rinisë.

Flamurin e luftës çlirimtare, dufin e urrejtjes ndaj pushtuesit, rënkimin e kësaj toke dhe trimërinë e dëshmuar për çlirimin e saj, burrërinë dhe besnikërinë ndaj popullit dhe atdheut, shpirtin e revolucionarit e të gjitha virtytet që i duheshin për ta mbajtur flamurin e nderit dhe të lavdisë për jetë, i fitoi në organizatën ku militonte, e cila po i ushqente anëtarët e vet me cilësitë e domosdoshme. Ata i ndihmonte orientimi i saj i drejtë për çlirimin e popullit shqiptar nga robëria. Në këtë rrugë po ecte Naseri me vendosmëri dhe besim të palëkundur, sepse në shpirtin e tij rinor ishte farkëtuar ideali i madh i luftës për liri.

Jugosllavia përdori ushtrinë për t'i shtypur demonstratat paqësore për liri. Ata vranë Naserin, Asllanin... Kosova po e paguante me gjak çmimin e lirisë. Në altarin e nderit dhe lavdisë, rrinë krenar dhe me lavdi, emri i Naserit, Asllanit, Sherifit..., i brezit të dëshmorëve që e lartësuan luftën dhe përjetësuan rrugën e cila ende vazhdon.

Në kujtesën tonë vijnë madhështore ato ngjarje, jehona e të cilave u dëgjua kodo në Evropë. Filli i kuq i përpjekjeve çlirimtare dhe rinia në krye të detyrës, e shtojnë edhe më shumë urrejtjen, mallkimin e nënave dhe baballarëve tanë ndaj pushtuesit, i cili nuk u ngop kurrë me gjak shqiptari...

Marrë nga një shkrim i gjatë i autorit,

Adem Sylejmani, kushtuar dëshmorit, Naser Hajrizi, botuar në vazhdime në revistën „Çlirimi“, Organ i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, nr. 219, 220, 221, mars-qershor 2007, Prishtinë.

***

3. Bajram KURTI (publicist)


Naser Hajrizi u rrit dhe u edukua në frymën e atdhedashurisë në familjen liridashëse të Beqir Kamber Hajrizit nga fshati Strofc i Vushtrrisë...

Shtëpia e Naserit ishte kthyer në vendtakim dhe vatër të organizimit të lëvizjes mbarëpopullore. Ai këmbente literaturë edhe me profesorët përparimtarë të shkollës.

Të gjitha këto rrethana, së bashku me traditën patriotike familjare, literaturën patriotike dhe mësuesit përparimtarë të shkollës, e kultivuan dhe e parapërgatitën shpirtin e kryengritësit që në çdo rrethanë, sado e vështirë që të ishte, të mos befasohej, por të ishte i gatshëm deri në sakrificën e fundit në luftë kundër armikut kolonialist serb.

Marrë nga: Bajram Kurti,

Gjaku i lirisë V/VI, Prizren, 2003.

4. Avdi GjATA, Bajram KURTI, Resul BEDO,

Begzat BALIU (autorë)


Kryengritja e Vitit 1981 Naserin nuk e befasoi, sepse ishte i përgatitur dhe i gatshëm të ballafaqohej me çdo situatë, sado e vështirë të ishte, i gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën për lirinë e popullit të shumëvuajtur në kthetrat e gjakatarëve sllavë.

Familja Hajrizi rrjedh nga fshati Strofc, komuna e Vushtrrisë, fshat me tradita patriotike. Kjo familje ishte dhe mbeti përherë e nderuar, punëtore, bujare dhe përparimtare. Pjesëtarët e kësaj familje gjithnjë u dalluan për patriotizëm dhe dashurinë e tyre ndaj gjuhës e kombit tonë, duke u bërë rezistencë të fuqishme të gjithë armiqve që mësynë t’i pushtojnë këto troje arbërore.

Si pasojë e kësaj rezistence heroike, pushtuesit vazhdimisht e patën halë në sy familjen Hajrizi, duke e maltretuar dhe persekutuar, por asnjëherë nuk ia dolën që ta nënshtrojnë burrërinë dhe trimërinë e trashëguar brez pas brezi.

Marrë nga libri Gjaku i lirisë, 1981-1995, Prishtinë, 1996,

të autorëve Avdi Gjata, Bajram Kurti, Resul Bedo, Begzat Baliu.

***

5. Ernest LUMA (gazetar)


Me flamuj, pankarta e me një renditje që tregonte shkallë të lartë disipline, nxënësit kishin hyrë sikur një ushtri ngadhënjimtare në qendër të Prishtinës. Në ballë: Naser Hajrizi e Asllan Pireva. Në pritë: Tanket, ushtria dhe policia jugosllave, që ishin gati ta shndërrojnë 2 prillin në natë Shën Bartolemeu, në kryeqytet. Urdhri për ndalim i oficerëve ushtarakë të armatës jugosllave ishte tretur disfatshëm në brohoritjet për Kosovën-Republikë....

Asllan Pireva e Naser Hajrizi janë dy nga dëshmorët e vitit 1981. Ishin nxënës maturantë. Plumba snajperësh i kishin goditur për vdekje në mëngjesin e 2 prillit, në qendër të Prishtinës.

Më pas, pikërisht në vendin ku ata kishin rënë, pushteti kishte ngritur dy WC publike. Ironi. Ishte ky dhunimi dhe vrasja e dytë që u ishte bërë atyre, por tani në rrafshin urbanistiko-politik...

Ora e dorës, të cilën prindërit dhe familja e mbajnë si shenjë të Naserit, qëndron e ndalur: 10:00. Atë moment të dy ishin rreshtuar në themelet e lirisë së Kosovës. Duke e mposhtur frikën me trimëri, vdekjen me përjetësi, diktaturën me moshën dhe sakrificën e tyre.

Për nënë Fatimen e Babë Beqën, ashtu sikur edhe për prindërit e Asllanit, vërtet ora 10 e 2 prillit 1981, kishte shënuar nga një djalë më pak, por për Kosovën dy dëshmorë më shumë në themelet e lirisë.

Të dy dëshmorët e 2 prillit kishin rënë qysh herët në veshët dhe sytë e diktaturës. Sigurimi shtetëror dinte diçka për aktivitetin e tyre. Për këtë, një hetues nga pushteti i atëhershëm, ia kishte tërhequr „vërejtjen“ familjes së Asllan Pirevës për aktivitetin e tij „kundërshtetëror“ në të cilin qenka kyçur bashkë me shokun e tij të shkollës, Naser Hajrizin...

Shokët e Naserit, kishin thënë në shtëpinë e babë

Beqës se shoku i tyre dëshmor ua kishte hapur dhe trasuar sigurt rrugën atyre...

Marrë nga „Kosovapress“ 2 dhe 3 prill 2001,

shkrim në përkujtim të 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.

Botuar edhe te „Epoka e Re“, e datës 2 dhe 4 prill 2001.

***

6. Musli KRASNIQI (politolog)


Naseri i përcillte me vëmendje tregimet dhe kujtimet e më të vjetërve, bazuar në përvojën e tyre të ballafaqimit me pushtuesin. Ai nëpërmjet të tregimeve të tyre po mësonte për historinë e kombit, për gjakun e derdhur, për fitoret dhe humbjet...

Viti i madh 1981, Naser Hajrizin e gjen të përgatitur, të organizuar dhe të brumosur me virtytet dhe idealet më të larta të shqiptarizmit. E kjo brumosje, para se gjithash, bazën e kishte në familjen e tij...

Sot ai rron. Është i gjallë në zemrat tona, në gjirin e familjes, në kujtimet e shokëve, në këngën e popullit. Gjaku i tij dhe i Asllanit ishte amanet që nuk u harrua për asnjë çast. Lulëkuqet e njoma çdo 2 prill freskojnë varret e tyre.

***

Fotografia


Në vitrinën time të vogël

Një fotografi...

Me sy shqiponjë,

Me ballë krenar e vetull shkabë.

Unë mezi rrokem nga vitrina

Me gishtin tregues nga fotografia,


Nuk di ta pyes nënën,

Por ajo më tregon:

Daja yt është biro,

U vra për liri, në prill ’81.




Musli Krasniqi, Pranvera e madhe ’81,

Epoka e Re, 2 prill, 2004.


***

7. Zëri i Kosovës (organ i shtypit klandestin)

“Vëlla, bëhu i fortë se Naserin na e kanë vrarë“


Dy prilli ishte mjegull nga bombat lotsjellëse me reaksion të fortë. Ushtonin krismat e automatikëve, kurse në anën tjetër u përgjigjej zëri i popullit kosovar kundër shtypjes e robërisë...

Naseri, përkrah punëtorëve, studentëve, fshatarëve e nxënësve përleshej me gjakpirësit.

Nëna e rriti me vuajtje e në varfëri dhe tani në çastet historike ia fali një nëne më të madhe, Kosovës. Nga plumbat e gjakatarëve ra heroikisht edhe i riu, Naser Hajrizi, i cili u godit me plumb në kokë dhe me gjakun e tij të njomë e skuqi tokën e Kosovës së dashur.

Varri i Naserit për çdo natë mbulohej me lule të freskëta të vëna nga dora e popullit, duke e nderuar këtë trim që ra krah për krah me vëllezër të tjerë për lirinë e Kosovës.

Marrë nga „Zëri i Kosovës“, nr. 2-3, 1985.



Çiftelia e Naser Hajrizit


***

8. Sheradin BERISHA, Pashtriku.org

Naser Hajrizi, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare

(Në 31- vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi)


...Pas demonstratave të vitit 1981, në vendin ku u vranë heroikisht dy dëshmorët, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, regjimi pushtues ngriti një nevojtore publike me dy hyrje. Sot aty s’ka më nevojtore, por gjer në vitin 2008 aty s’kishte as edhe një shenjë të vogël që të kujtonte historinë e asaj ngjarjeje.

Dhe kjo u bë e mundur vetëm më 2 prill 2008, kur u vendos një pllakë përkujtimore, si kujtim i vend rënies së tyre.

Më 2 prill 1981 në Prishtinë, ranë dëshmorë edhe Xhelal Maliqi e Salih Abazi, më 3 prill në Vushtrri, Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni, ndërsa po të njëjtën ditë në Ferizaj bien dëshmorë: Rizah Matoshi e Sherif Frangu. Më 13 Maj në Prekaz, pas një përballje me forcat policore-ushtarake jugo(serbo)sllave bien për të mos vdekur kurrë, Tahir e Nebih Meha, ndërsa më 26 korrik të atij viti në Gjakovë vritet Nesimi Dervishdana.

Lavdi u qoftë të gjithë dëshmorëve të Kombit të rënë në Pranverën e madhe shqiptare të vitit 1981!


Nga Pashtriku.org, 01. 04. 2012.

- VIJON -

____________________________

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXII)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11016


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks