SHKRIMI
e martë, 15 qershor 2021

XHELAL ZEJNELI: ANALIZË ESTETIKE E

Shkup, 2 janar 2021: Me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së Gjergj Fishtës


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si Eqrem Çabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.

Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthënë të veprës fishtiane, Fishta, më shumë se cilido krijues tjetër, i ka dhënë shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lartë deri në vitin 1941 si “poet kombëtar i Shqipërisë” dhe si “Homeri shqiptar”, pas vitit 1945 Fishta menjëherë ra në harresë. Edhe vetëm përmendja e emrit të tij, ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati pothuajse gjysmë shekulli. Në periudhën para Luftës së Dytë Botërore, Fishta cilësohej si zëri i kombit.

Ka studiues që kanë pyetur: a mund ta mbajë epitetin poet kombëtar edhe gjysmëshekulli më vonë?

SHËNIME PËR JETËN – Lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo de Martino (1830-1923)[1]. Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe në Shkodër ku, që fëmijë, u ndikua nga de Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili ia ushqeu këtij djaloshi të zgjuar dashurinë për letërsi dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte 15 vjeç Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t’u bërë prift. Në seminaret dhe në institutet françeskane në Sutjeskë, në Livno dhe në Kreshevë Gjergji studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe serbo-kroatishten.

Ai përgatitej për karrierë ekleziastikedhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (1822-1905) dhe me poetin kroat Silvie Strahimir Kranjçeviq (1865-1908) të cilët ia zgjuan talentin letrar. Më 1894 Fishta u shugurua prift dhe u pranua në urdhrin françeskan. Me t’u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 bashkëpunoi me Preng Doçin (1846-1917), i cili ishte abat me influencë në Mirditë; me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për ta zgjidhur çështjen shqetësuese të alfabetit të shqipes. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore dhe publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër. Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres ku morën pjesë delegatë nga Shqipëria dhe jashtë saj, vendosi përfundimisht alfabetin e gjuhës shqipe, çështje kjo e studiuar hollësisht nga Fishta. Ai u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej 11 delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Në tetor 1913 Fishta themeloi të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Me përjashtim të viteve të Luftës së Parë Botërore, të viteve 1915-1920 si dhe të viteve 1925-1929, kjo revistë me ndikim dhe me nivel të lartë letrar doli rregullisht deri në korrik 1944. Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës, gazetë politike dhe kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e kultus protektorat-it. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), me Ndre Mjedën (1866-1937) dhe me Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej Austro-Hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur lidhur me përdorimin zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve, Komisia vendosi që të përdorej dialekti qendror i Elbasanit si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare. Fishta shpresonte se koinea shqiptare e veriut do të shërbente si normë letrare për gjithë vendin, ashtu siç kishte shërbyer gjuha e Dantes si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim dhe nga viti 1921 të drejtojë shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium illyricum (Kolegji ilirian), i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani ai ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.

Në gusht 1919 Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris (1919) dhe në këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit – Imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në SHBA për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje Fishta e vizitoi Bostonin, Nju-Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 përfaqësoi Shkodrën në parlamentin e Shqipërisë dhe në gusht të atij viti u zgjodh zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti në detyrat e tij si personalitet politik apo si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), në Sofje (1931) dhe në Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga viti 1935 deri më 1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, në hajatin, në kishën dhe në kopshtin e tij plot trëndafila, ku Fishta merrej me krijimtarinë e vet letrare. Si poet kombëtar i brezit të tij, është nderuar me diploma, me çmime dhe tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Më 1911 Austro-Hungarezët ia dhanë Ritterkreuz-in. Më 1925, Papa Piu XI (1857-1939) e dekoroi me çmimin Al Merito. Qeveria greke ia dha medaljen prestigjioze Feniks. Urdhri françeskan e nderoi me titullin Lector jubilatus honoris causae, ndërsa më 1939 u bë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe të Arteve. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. U varros në oborrin e kishës së Gjuhadolit.

Nekrologun e varrimit e mbajti veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe personaliteti i arsimit Aleksander Xhuvani (1880-1961) dhe me atë rast Gjergj Fishtën e krahasoi me poetin antik Tirteun.[2]

Zotnij të ndershëm!

Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të “Lahutës së Malcisë”, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë. E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e “Mrrizit të Zanavet” e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj. Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën. Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën. Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në kët dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.

Shkodër, 31 dhjetor 1940

* * *

Pushtetarët e pasluftës, nën akuzën proitalian, i nxorën eshtrat e poetit nga varri dhe urdhëruan hedhjen e tyre në lumin Drin. Lidhur me “fatin” e eshtrave të poetit, është botuar një shkrim në Gazetën Shqiptare, datë 10 prill 2008 që jepet në vazhdim: Në Kishën e Fretënve Françeskanë zotëron heshtja këtë mesditë. S‘ka kurrfarë lëvizje. Asnjë pipëtime. Zëri ynë kumbon. Hapësira e sallës së madhe plotësohet veç prej stolave të drunjtë, të cilat në kohë meshe me siguri janë të mbushur plot me besimtarë. Është mbresëlënëse arkitektura e kësaj ndërtese. At Vitori, na shoqëron për tek ai vend që shumë kush sot e quan varri simbolik i At Gjergj Fishtës. Ecim drejt tij dhe ndeshim një kryq në mur, një flamur i kuq përbri tij dhe dy pllaka të errëta mermeri në dysheme. “Ky është vorri i Fishtës”, thotë At Vitori, ndërsa na rrëfen historinë e ndërtimit të tij. Historia është e njohur për shumëkënd. Në vitin 1995, aty në atë cep të kishës janë kryer gërmime. Të gjithë e dinin se aty ishte varrosur Fishta, varri i të cilit në vitin 1967 u hap, dhe prej andej u nxorën eshtrat e poetit të madh. Kjo ngjarje përkonte me kthimin e kishës në kinema për qytetin e Shkodrës, dhe në përgjithësi me sulmet e ashpra ndaj çdo subjekti të klerit katolik. Ai që i kishte zhvarrosur eshtrat e poetit në 1967 nuk kishte menduar ta pastronte deri në detajet më të imta varrin. Pjesë të vogla eshtrash dhe dëshmi të tjera kishin mbetur në vend. Në vitin 1995 aty u kryen gërmime, ku u gjendën disa eshtra të poetit. Dëshmi që i kishin rezistuar kohës, janë ende aty poshtë njërës prej pllakave të errëta prej mermeri. Pjesa tjetër e eshtrave? Ajo pjesë e historisë është e zotëruar prej hipotezave. Dje në Gazetë botuam një letër të hapur të studiuesit shkodran, Fritz Radovani, i cili dëshmon mbi një amanet që i kishte lënë në vitin 1980 ish-roja i varrezës së Rëmajt, i quajtur Gjon Gjergji. Në dëshminë e tij, Radovani tregon se si ish-drejtori i Ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema “Punëtori” (ish-Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, i kishte shkruar në shtëpi Gjon Gjergjit një pasdite rreth orës 15:00 dhe pasi e kishte marrë në makinën e tij, ishin drejtuar kah varreza e Rëmajt. Atje, në afërsi të varrit të Motrave Stigmatine, fare branë murit të varrezës pranë një selvie, kishin hapur një gropë të thellë rreth 50-60 cm dhe kishin futur brenda një thes çimentoje me eshtrat e Fishtës. Shyqyri Rrjolli sipas gjasave e kishte kryer këtë veprim në kundërshtim me urdhrin që i kishin dhënë. Ish-roja i varrezës ia ka treguar këtë sekret Fritz Radovanit në vitin 1980, duke iu lutur ta mbante të fshehtë deri kur të vinte momenti i duhur për ta publikuar. Dje, kjo dëshmia e publicistit Radovani u publikua në faqet e “Gazetës Shqiptare”. Ishte pikërisht kjo histori që na solli në Shkodër. Jemi fillimisht këtu, në Kishën e Fretënve Françeskanë, sepse këtu nis historia. Nga biblioteka e Françeskanëve kemi marrë procesverbalin e gërmimeve të vitit 1995, ku jepet me hollësi se ç‘pjesë të eshtrave kishin mbetur në varrin e Fishtës. Pjesa tjetër, e marrë që aty, nëse nuk janë hedhur në lumin Drin, sikurse është besuar deri më sot, duhet të jetë diku në Shkodër.

Sot, një shenjë varri e Fishtës ndodhet në kishën e Fretënve.

* * *

KRIJIMTARIA LETRARE - Fishta është poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, klerik i lartë, politikan. Është autor i gjithsej 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më mahnitëse – siç thonë disa studiues – në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, me poemën epike historike “Lahuta e malcís”, Shkodër 1937.

Vepra e Fishtës në letërsinë dhe në kulturën shqiptare është e shumanshme. Në fushën e letërsisë, ku punoi dyzet vjet, krijoi një vepër të madhe në të gjitha gjinitë. Me “Lahutën e malcis”, për të cilën u pagëzua “epiku më i madh i shekullit”, e ndërtoi epin shqiptar të shekullit XX.

Edhe pse Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik e satirik nuk janë më pak të rëndësishme se ato në gjini të tjera. Shumë studiues e vlerësojnë më lart poezinë e tij lirike. Botimi i parë i Fishtës me poezi lirike, Vjersha të përshpirtshme të kthyeme në shqip, Shkodër 1906, përmbledh krijime me frymëzim katolik. Aty gjejmë përkthime poetësh italianë si Pjetro Metastazio-n (Metastasio, 1698-1782) nga Roma; romancierin e poetin romantik Alesandro Manxoni (Manzoni, 1785-1873) nga Milano; atdhetarin Silvio Peliko(Pelico, 1769-1845) nga Torino; lirikun dhe historianin e letërsisë Xhakomo Xanela (Zanella, 1820-1888) nga Viçenca etj.

Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale u botua me titullin Pika voëset, Zarë 1909, kushtuar Luigj Gurakuqit (1879-1925).

Në librat me lirika: “Mrizi i zanave” dhe “Vallja e Parizit” paraqiti botën e tij shpirtërore që ushqehej nga dashuria dhe dhimbja për atdheun. “Mrizi i zanave”, Shkodër 1913, përfshin edhe disa poezi fetare nga “Pika voëset”. Fryma e përgjithshme që e përshkon këtë përmbledhje është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më fort në botimet e tjera të zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në botimin post mortem më 1941. Poezitë si Shqypnija, Gjuha shqype, Atdheu, Shqypnija e lirë dhe Hymni i flamurit kombtar shprehin krenarinë e poetit për pavarësinë e atdheut.

Në këtë vëllim janë përfshirë edhe melodrama alegorike “Shqyptari i gjytetnuem” dhe vazhdimi i saj “Shqiptarja e gjytetnueme”.

Krahas poezisë me tema atdhetare të përqendruar në vëllimin e mësipërm, poezinë e vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe “Vallja e Parrizit”, Shkodër 1925. Poezia e kësaj përmbledhjeje, ndër to vjershat si Të kryqzuesmit, Të zanun e pafaj të Virgjërës Mri, Nuntsiata dhe Sh Françesku i Asizit, përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në Shqipëri.

Fishta ishte edhe mjeshtër i poezisë satirike. I qortoi cenet e sjelljes dhe plogështinë intelektuale të bashkëvendësve. Ai nuk e kishte ironinë dashamirëse e këshilluese të Andon Zako Çajupit (1866-1930), por satirën therëse e djegëse, një ekuivalent ky në poezi i prozës satirike therëse të Faik Konicës (1975-1942). Fishta kishte botuar vjersha satirike në revistën Albania të Konicës me pseudonimin Castigat ridendo (qorton duke qeshur).

Më 1907, ai e botoi pa e vënë emrin e vet, përmbledhjen satirike me 67 faqe “Anxat e Parnasit”, Sarajevë 1907, e cila i hodhi themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga disa kritikë konsiderohet si vepra më e mirë poetike e tij. Me veprat satirike “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit” Fishta u bë satiriku më i njohur i letërsisë shqiptare.

“Anxat e Parnasit”, e shkruar më pas “Anzat e Parnasit” me shumë shprehje therëse, por të bukura, u ribotua më 1927, 1928, 1942 dhe 1990. Kjo përmbledhje satirike i solli poetit shumë miq e armiq.

“Gomari i Babatasit” është një tjetër vëllim satiriko-humoristik, i botuar me pseudonimin Gegë-Toska, në kohën kur Fishta qe anëtar i Parlamentit të Shqipërisë. Në këtë vepër që fitoi popullaritet të madh në kohën e vet, autori godet atdhetarët e rremë dhe dembelët.

Përveç melodramave të përmendura më sipër, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër, ndër to edhe përshtatje nga një varg klasikësh të huaj, p.sh. “I ligu për mend”, Shkodër 1931, komedi në tre akte e Zhan Batist Molierit (Jean Baptiste Poquelin Molière, 1622-1673) dhe “Ifigenia n’Aulli”, Shkodër 1931 e tragjediografit antik grek, Euripidit (485-406 para K.).

* * *

KRIJIMET DRAMATIKE - Ndër veprat e tjera dramatike që hartoi apo përshtati janë edhe disa pjesë të shkurtra me tema fetare: “Barit e Betlêmìt”, pjesë me tre akte për krishtlindjen, “Sh’ Françesku i Asisit”, Shkodër 1912, tragjedia “Juda Makabé”, Shkodër 1923, “Sh’ Luigji Gomzaga”, Shkodër 1927 dhe “Jerina, ase mbretnesha e luleve”, Shkodër 1941.

Fishta ka shkruar ese dhe studime për çështje të kulturës autentike shqiptare dhe për problemet estetike të artit. Në shkrimin “Parathënia e Kanunit të Lek Dukagjinit”, bën një tipologji të kulturës shqiptare në gjirin e kulturave të tjera botërore.

Fishta shkroi një tip të veçantë proze, në fillim udhëpërshkruese e më vonë një shkrim dëshmues dhe komentues - eseistik: “Lot gjaku, Një udhëtim nëpër Shqipëri të re”.

Me veprën e tij, himnizonte shqiptarin e përjetshëm duke kritikuar shqiptarin e përditshëm.

* * *

SI LINDI “LAHUTA E MALCÍS” – Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh me fshatarin e moshuar Marash Uci (vdiq më 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Marash Uci i rrëfente Fishtës për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në veçanti për betejën e famshme në Urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të poemës me titullin “Te ura e Rrzhanicës”, u botuan në Zarë më 1905 e 1907. U ribotuan të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Fishta i shkruante këngët e tjera të cilat filloi t’i botonte që nga viti 1921 në revistën që drejtohej prej tij - “Hylli i Dritës”. Botimi përfundimtar i poemës me 30 këngë dhe 15.563[3] vargje u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Poema përmban 1274 fjalë të rralla.

Verbi (fjala) fishtiane i përcjell notat muzikore të instrumentit të lahutës me përsëritjet e tingujve të fjalëve dhe të strukturave sintaksore; me epitetet, krahasimet, similitutat [4]dhe hiperbolat; me metaforat, simbolet dhe mitemat [5]; me pyetjet dhe përgjigjet, me pyetjet retorike, pasthirrmat etj.

Poema ka një strukturim të hapur gjuhësor dhe ritmik (aliteracioni, rima, ritmi i këmbyeshëm brenda njësisë metrike dhe ndërmjet vargjeve). Kjo poemë epike u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe përsëri në Romë më 1991. “Lahuta e malcís” është përkthyer edhe në gjermanisht dhe në italisht.

* * *

“LAHUTA E MALCÍS” - Poema nis me përleshjet kufitare midis fiseve të Hotit e të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malazezë më 1858. Thelbi i veprës janë këngët 6-25 që u kushtohen ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit (1878), i cili i dha toka kufitare shqiptare Malit të Zi dhe çoi në krijimin e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e revolucionit të xhonturqve, i cili në fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një autonomi, si dhe luftërat ballkanike të viteve 1912 dhe 1913, që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

* * *

“Lahuta e malcís”, me synimin që të bëhej epope kombëtare, e kapërcen stilin baladesk të Jeronim De Radës (1814-1903) dhe tregimin historik të Naimit (1846-1900), duke u derdhur me një vrull epik dhe dramatik. Duke qenë se poema u shkrua për një kohë të gjatë, ajo nuk e ka të njëjtën fuqi në çdo këngë veç e veç, ashtu siç nuk ka dhe një strukturë të lidhur në vazhdimësi. Në variantin përfundimtar, autori krijoi një renditje kronologjike për ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit XIX deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës, më 1913. Në poemë pasqyrohen luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha. Heronjtë e Lahutës janë të shumtë dhe nga ana funksionale janë të ngjashëm në vepër, për arsye se i kanë karakteristikat e heroizmit shqiptar.

Vepra nis me heroizmin e shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre nga sulmet e malaziasve, të përqendruara në Shqipërinë e veriut. Ajo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për t’i kapur ndodhitë dhe cilësitë shqiptare. Nga fokusimi i një krahine vepra zgjerohet në tërësinë etnike shqiptare. Nis me trajtimin e burrërisë së një mjedisi për të arritur te koncepti i burrërisë si virtyt kombëtar.

Në këtë mënyrë “Lahuta e malcís” bëhet vepër për himnizimin e virtyteve të përhershme të shqiptarëve si dhe projekt i idealeve të poetit. Duke u mbështetur në jetën autentike shqiptare, me mjediset reale e fantastike të mendësisë shqiptare si dhe me kërkimin e modelit të shkrimit që mbështetet në letërsinë popullore shqiptare, poema epike e Fishtës synon të ngrihet në nivelin e eposit kombëtar.

Pavarësisht nga fakti se poeti mbështetet në modelet krijuese të letërsisë popullore, “Lahuta e malcís” është një vepër e kulluar autoriale.

Poema përmban tre tipa këngësh:

- këngë historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Lidhja e Prizrenit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londonit të cilat janë të ngjashme me këngët popullore historike. Në to ngjarjet historike pasqyrohen në kohë

- këngët kreshnike, ku shpërthimet krijuese imagjinatave shpijnë te cikli i kreshnikëve apo te baladat popullore. Në to fantazia krijuese e poetit ndërtohet mbi mitologjinë shqiptare (Orët, Zanat, Dragonjtë);

- këngët autoriale, si Patër Gjoni apo Tringa, ku imagjinata e poetit, edhe kur mbështetet në tekstet e baladave, i shndërron ato në stilin vetanak. Te këto këngë vepron fantazia e autorit, por edhe mendësia e tij që del në vepër në trajtën e porosisë përfundimtare.

Kjo formë e krijimit i prek edhe heronjtë e veprës: përballë Oso Kukës së patrembur, i cili për atdheun në çdo çast është i gatshëm të flijojë veten, model ky popullor i therorisë shqiptare, shfaqet Abdyl Frashëri – hero i ideologjisë kombëtare, apo Naim beu (Frashëri) – hero i kulturës shqiptare (në këngën origjinale të Patër Gjonit). Shfaqet edhe heroina Tringa, e cila, bashkë me flijimin për atdheun, shpalos një bukuri, dashuri, virgjëri dhe pafajësi, duke u kthyer kështu në një krijesë poetike burimore të Fishtës.

“Lahuta e malcís” është një vepër epike me një ndërtim të brendshëm dramatik, ku spikatin veprimet, dialogu, përshkrimi i shkurtër dhe gjuha e folur, e cila, duke u kthyer në gjuhë të shkruar, i ruan shenjat e emocioneve të personazheve. Duke iu përmbajtur këtij modeli dhe këtij stili, poeti vë në tekstin e tij format e dendura apo të shkurtra të letërsisë gojore, jo si citat, por si mbindërtim, rëndom më fuqishëm – në trajtën e urimeve dhe të mallkimeve.

Një nga figurat zotëruese të poemës është hiperbola me të cilën poeti përshkruan ngjarjet dhe pamjen fizike të personazheve. Kjo figurë është ndërtuar rëndom duke marrë për bazë krahasimin.

Faqe tronditëse të poemës janë ato ku bashkohen dhe harmonizohen veprimet epike me shpërthimet lirike dhe me lirinë e imagjinatës së autorit, duke krijuar kështu një dramacitet të fuqishëm. Të tilla janë këngët që ndërlidhen me heroinën letrare – Tringën.

Këtu bashkohen idealet e poetit: trimëria dhe atdhetarizmi deri në flijim; bukuria dhe njomësia që rrezatojnë dashuri; pasqyrimi i moralit të femrës shqiptare dhe tragjizmi i saj. Të gjitha këto lidhen në një orkestrim të habitshëm e të magjishëm të natyrës. Në veprat e tij epike, poeti manifestoi një forcë të madhe lirike, ngase atje kishte mundësi. Vetëm mjedisi shqiptar i krijonte mundësi poetit të shfaqte shpërthimet personale, si karakteristika të lirikës së tij.

Poeti u mbështet në modelin e “Këngës së Gjergj Elez Alisë”. Në këngën e Fishtës veprimi është invers: i sëmuri (vëllai) vdes dhe mbetet Tringa (motra), e cila mbron nderin, pragun, bukurinë e saj të paprekur, virgjërinë dhe botën poetike të Fishtës. Në këtë mënyrë, ajo i dorëzohet jo vdekjes, por pavdekësisë. Ajo që ndodh më tej me Tringën, është endje e imagjinatës së poetit në botën e mitologjisë shqiptare. Heroina shkon te simotrat e saj –zanat.

Cikli i këngëve për këtë heroinë zbulon mënyrën se si poeti e ndërton “Lahutën e malcís”: ngjarja apo ndodhia reale, me anë të frymëzimit lirik, kalon në shkallën e përgjithësimit dhe të idealizimit. Çdo gjë që është burimore shqiptare ngrihet në nivelin e përjetësisë, si kërkesë morale, jetësore dhe artistike e poetit. Një portretizim të tillë fizik dhe moral të bukurisë me anë të figuracionit popullor, poeti e bën pikërisht te personazhi i Tringës.

Sipas disa studiuesve, kryevepra e Fishtës – “Lahuta e malcís”, është e papërsëritshme në letërsinë shqiptare. Ajo pasqyron në mënyrë të sistemuar kulturën dhe historinë autentike të shqiptarëve me anë të shprehjeve të pasura gjuhësore, si dëshmi e jetës shqiptare edhe në lëmin e gjuhës.

Vargu i poemës, tetërrokëshi i ngjashëm me vargun më të njohur popullor, ndikoi që poema të fitojë një popullaritet të shpejtë. Vepra ka një histori të gjatë shkrimi dhe leximi që kanë ndikuar te njëra-tjetra. Këngët e para të poemës autori i botoi si këngë popullore. Por, lexuesi i priti ato më me endje se krijimet e tjera të tij. Me fjalë të tjera, shija e lexuesit, u bë frymëzim shtesë që autori ta vazhdojë dhe ta përfundojë veprën. Mirëpo, Fishta nuk do të ishte i madh, sikur të mos e tejkalonte shijen e kohës. Në këngët popullore, poeti gjeti vetëm modelin e komunikimit, ndërkaq këndvështrimi për qenësinë shqiptare është i vetë poetit.

Në poemën epike “Lahuta e malcís”, kemi personazhe historike si: Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Abdyl Frashëri, Marash Uci, Çun Mula, Haxhi Zeka, Pater Gjoni, Bec Patani, Tringa, Dedë Gjon Luli.

Fishta na jep edhe figura historike të huaja si: Franc Jozefi i Austro-Hungarisë, Vilhelmi i Gjermanisë, Krajli i Inglizit, Regji i Italisë etj.

Përballë tyre, autori i poemës na jep figurat historike të palës kundërshtare, si: knjaz Nikolla, Mark Milani, Vulo Radoviqi, Mil Spasi, Mehmet Ali Pasha, Abdullah Pashë Dreni, Turgut Pasha; cari i Rusisë, kreu i Francës etj.

Poeti na i jep në poemë edhe figurat mitologjike: Ora e Shqipnisë, Ora e Bardhë e Trojanit, Zana e Durmitorit, Zana e Miliskaut, Zana e Veleçikut, Zana e Madhe, Zana e Frymëzimit, Ora e Durmitorit, dragonjtë, kuçedra etj.

Për poemën mund të nxirren disa konstatime por edhe ca dilema, si:


- Uniteti i poemës duhet gjetur te fryma e kombit e cila ka bashkuar njerëz, fakte dhe ngjarje të Rilindjes deri në pavarësi;

- Mjetet artistike për krijimin e poemës janë marrë, qoftë nga eposi i lashtë shqiptar, qoftë nga tradita homerike;

- Mbështetja e poemës në eposin e lashtë duhet kërkuar në motivet tradicionale që i përshtaten lëndës bashkëkohore, në mendësinë kanunore që i përshtatet më së miri mendësisë bashkëkohore, duke himnizuar besën dhe burrërinë me gjuhën burrërore të Këngëve të kreshnikëve;

- Lidhjen me traditën homerike të Lahutës fishtiane duhet kërkuar në situatat e veçanta të kënduara në poemë me figuracion dhe përmasë homerike;

- Bota mitologjike e poemës duhet studiuar në dukurinë funksionale të saj: zanat dhe qeniet e tjera të mitologjisë sonë (Lugati, Kulçedra, Dragoi etj.) a janë te Fishta me funksionin që kanë hyjnitë te Homeri, ku njerëz, fakte dhe ngjarje shpesh varen prej kapricave të hyjnive;

- Figuracioni, a i ka ato përmasa hiperbolike siç e kërkon epika tradicionale dhe siç e kanë Këngët e kreshnikëve, ku topuzi ngulet 12 pash nën dhe, dhe 12 pash përpjetë ngrihet pluhuri.


Parimet nga të cilat u udhëhoq poeti për krijimin e epopesë së shqiptarëve janë një sintezë e poetikës aristoteliane me shkollën romantike të Evropës perëndimore të shekullit XIX.[6] Duke qenë se Fishta bazohet te klasikët greko-romakë, poema epike e tij “Lahuta e malcís” është vepër neoklasike.

Vargu epik i Fishtës këmbehet me pasazhe lirike pa më të voglin kufizim dhe si tablotë rrëqethëse tragjike që mbizotërojnë në vepër, filtrohet në të, një ironi e hollë.

Përveç konfliktit shumëpalësh, që herë zgjerohet e herë qendërzohet dhe subjektit të pasur me episode dramatike, në poemë veprojnë edhe qindra personazhe të individualizuara që e shpalosin karakterin e tyre me veprime heroike, përballë kundërshtarëve dhe krahas bashkëluftëtarëve e qenieve mitologjike. Fati i tyre është i përcaktuar historikisht, manipulohet nga mbretër e diplomatë, mbrohet ose braktiset nga Orët e Zanat dhe në çastin e fundit, ndodhet në dorën e vetë atyre, pikërisht si fati i atdheut. Këndej buron ndoshta edhe mesazhi më optimist i eposit fishtian. Mesazhi i poetit është mesazh i krijuesit artistik të frymëzuar nga Zana mitologjike, mesazh i përjetimeve vetjake nga kontaktet me thellësitë e shpirtit njerëzor të një fisi që ka mbetur i pacenuar prej ideologjive të huaja. Ky mesazh optimist vjen si një ndjenjë që përftohet nga skajshmëritë e dhimbjes dhe të krenarisë, të zhgënjimit dhe të kokëfortësisë, të pasionit dhe të stoicizmit, të arsyes dhe të instinktit, të qytetërimit dhe të primitivizmit.

Trajta tregimtare, e gërshetuar me dialogë të gjatë, i mundëson poetit të përcjellë një informacion të gjerë etnografik dhe një dendësi të thellë mendësish kontradiktore. Përshkrimet e dhjetëra betejave me hollësi tronditëse janë tablo të gjalla, ku vijnë në kontrast ngjyrat natyrore të peizazhit në orë të ndryshme të ditës apo të natës, të ngjeshur me ngjyrën e kuqe të gjakut, që kullon nga kokat e prera dhe nga baruti i djegur, përzier me kundërmim kufomash kundërshtare. Betejave të individualizuara u paraprijnë kuvendet e trimave, debatet e diplomatëve, prapaskenat e mbretërve, të shfaqurit e qenieve mitologjike, që për nga veprimet dhe gjykimet, me të madhe u ngjajnë njerëzve.

* * *

VIJON ...


_______________________


XHELAL ZEJNELI: ANALIZË ESTETIKE E "LAHUTËS SË MALCIS" (I)

http://www.pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=10764


***

XHELAL ZEJNELI: ANALIZË ESTETIKE E "LAHUTËS SË MALCIS" (II)

http://www.pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=10765


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks