SHKRIMI
e mërkurë, 12 maj 2021

POL MILO*: MOIKOM ZEQO NJË HOMAZH PËR KËRKIMIN DREJT SË VËRTETËS

Durrës, 5 prill 2021: “Jeta është një udhëtim eksperimental i ndërmarrë në mënyrë të pavullnetshme. Është një udhëtim i shpirtit nëpër botën materiale dhe, meqë është shpirti që udhëton, është shpirti që përjetohet. Kjo është arsyeja pse ekzistojnë shpirtra soditës që kanë jetuar më intensivisht, më gjerësisht, më të trazuar sesa të tjerët që e kanë jetuar jetën e tyre, thjesht nga jashtë.”

Fernando Pessoa, Libri i shqetësimit

“Nëse vërtet do të ishit kërkues të së vërtetës, atëherë do të ishte e nevojshme që të paktën një herë në jetë, të dyshonit, për aq sa është e mundur, në të gjitha gjërat.”

Dekart

Të shkruash për Moikom Zeqon është njësoj si të shkruash për të vërtetën. Ai e ka kërkuar aq shumë atë, saqë mund të thuash me siguri se asnjëri nga ne të tjerët që jetuam përqark tij, nuk i kemi shkuar ndonjëherë aq pranë. Kërkimi i tij ka qenë i madh, i vështirë, i pamundur. Vetë zbuluesi Galileo Galilei ka thënë se: "e vërteta është e thjeshtë për tu kuptuar, por e vështirë për tu zbuluar."



1. Arsyeja

E vërteta, si një çelës apo ingranazh, vjen përmes fakteve, të shkruara a të pashkruara. Pikërisht si fakte ndaj së vërtetës vijnë këto shkrime të hershme të profesor Fatmir Mingulit, që si një dishepull e tregon dhe e analizon mjeshtërisht atë. Kurse për të pashkruarat është punë e gjithsecilit të kërkojë. Këto shkrime të publikuara fillimisht në vitin 2005 në të njëjtën përmbledhëse, risillen po për të njëjtën arsye, rilidhja me dijen, sipas një metode që vetë Moikomi e zgjodhi si të tillë.

Të lidhesh me dijen moikomiane nuk është aspak e thjeshtë. Duhet të kundrosh nga pikat antike të të njëjtit qytet, tonit dhe tijit, në mënyrë që mund të rilidhesh me të njëjtat forma të mendimit dhe të kuptimit, e që pikërisht kështu fillon rruga e kërkimit dhe e eksperimentimit. Duhet të kërkosh të mundurën tek e pamundura, të dukshmen tek e padukshmja, të prekshmen tek e paprekshmja, të mendueshmen tek e pamendueshmja, nëpër shkallët dhe galeritë e një amfiteatri sa antik aq edhe modern.

Dhe prap mendimi, që sa i pamjaftueshëm është ky kërkim, do të na mundojë e do të na fusë nëpër dilema, qoftë si peshë apo qoftë si hall. - "Futja nëpër dilemat e studiuesit", thotë profesor Fatmir Minguli, "është si halli që s'i ngjan hallit. Dilemat janë probleme filozofike, shkencore, që kanë personalizimin por jo personalitetin e vet". Dhe pikërisht mungesa e këtij personaliteti, e identifikimit apo modelit të zgjidhjes, kërkon përfshirje përtej enigmës së tyre. Prandaj, "dilema është hall". Dilema është halli ku përfshihet lexuesi gjithashtu. Te “Grishja e Florimontit”, Moikomi hedh një tezë mjaft të guximshme: "Unë jam Ati, ti Florimont je biri, ky libër është Shpirti i Shenjtë. Po pse?"

-"Sepse brenda këtij triniteti, - shpjegon profesor Fatmiri, - ndodhet lexuesi i cili është fluidi brenda këtyre të treve. Libri është lexuesi!" Dhe lexuesi është Shpirti i Shenjtë, ndërkohë që Moikomi eksperimenton si arkeolog dhe si kineast.

2. Mistika dhe rregullat. Republika Narrative e Fatmir Mingulit

Dija nuk humbet, nuk zhduket, është si energjia që shëndrohet nga një formë në një formë tjetër, forma më e lartë e saj është dija për jetën. Pas kësaj dije Moikomi u përqendrua si një fëmijë që habitet dhe mrekullohet pas kupolës qiellore dhe shkëlqimit të miliona yjeve, duke pritur me krahëhapur dritat e meteorëve kur çajnë errësirën. Ndriçimi i errësirës është një fenomen sa i magjepsur aq edhe i zhytur në zbulimin e figurave të papara dhe të hijeve që krijohen.

Por këtu nuk janë vetëm hijet e jashtme por edhe ato të brendshme që e mundojnë shkrimtarin e mirëfilltë. Këto hije Mojkomi i ripërpunon mjeshtrisht duke krijuar hijen e vetvetes. Dialogun me të. Nga e pavetëdishmja ai krijoi dialogë mistikë me veten, procese komunikimi dhe përpunimi që habisin çdo lexues. Nëpërmjet këtij procesi ai krijoi dorëshkrimin me Makabe Zaharinë, që kur profesor Fatmiri shkruajti publikisht "E fshehta e dorëshkrimit", ai me të drejtë i’u shpreh: "Un vërtete e krijova në letra, kurse ti Fatmir e ngjalle atë!"

Profesor Fatmir Minguli e sheh procesin narrativ gjithëpërfshirës. Ai është banor i asaj që e quan “Republika Narrative”. “Kjo republikë - shpjegon ai - funksionon si çdo republikë mbi bazën e ligjeve dhe rregullave të komunikimit. Ajo nuk i përket as një sistemi monist apo totalitar dhe as diktaturës së vetvetes, por është një sistem gjithëpërfshirës i lëndës së gjërë narrative, ku çdokush komunikon me çdokënd, përtej hapësirës dhe kohës, anembanë botës, në çdo kohë dhe epokë.” Mjafton që të mos shkelen rregullat e mbara të komunikimit. Nëpërmjet këtyre rregullave jemi ne që kemi marrë përsipër një mision, më të hershmin dhe më të vështirin, atë të edukimit të brezave dhe të përcjelljes së punës kërkimore tek ata që më vonë do të dinë ti vënë gishtin kokës. Kjo është Republika më e rregullt.



3. Një jetë në kërkim të së vërtetës

Moikomi përpiqej, arsyetonte, argumentonte, shpesh herë dukej sikur sajonte për t’ju kundërvënë vetë arsyetimit të tij, dhe aty ku gjente forma të ngurta për tu kapur, mbështeste mirë tezën e tij, ndërkohë që aty ku ajo nuk mund të qendonte, atëherë e linte të lirë pezull në ajër, pa peshë, pa gravitet, të shkojë pas ndjenjave, përfytyrimeve, në një ndërthurje ku është mjaft e vështirë të ndahet realiteti nga përfytyrimi, e vërteta nga trillimi, pasi peneli ngjyrues i këtyre portreteve janë dëshira dhe pasioni.

Kjo është një e vërtetë e zbuluar dhe e rimishëruar sërisht, dëshira dhe pasioni janë armët e kërkuesit, eksploruesit mistik, arkeologut, njeriut që kërkon dhe gjen thesarin e mesazheve të fshehura nga gurët e rrënuar e të mbuluar me pluhur.

Kur flitet për thesare, nuk është e nevojshme të mendojmë ato qypat me florinj apo arin e tretur nëpër shtretërit e lumenjve. Thesaret janë mesazhet që transmetohen prej mijëra shekujsh, qoftë nga materia qoftë nga jomateria, njësoj siç është ajri, ozoni, energjia e errët në univers, apo drita e dukshme e diellit që ne e shohim çdo ditë. Por pa energjinë e duhur, pa dëshirën dhe pasionin për të kërkuar njeriu nuk do mundej kurrë të arrinte tek e vërteta. Moikomi mund të quhet pa frikë Borgesi shqiptar. Ai krijoi një revolucion letraro-shkencor, hodhi bazat e teletransportit brenda Shqipërisë, kishte vizionin që ta kthente Shqipërinë dhe gjithë vijën bregdetare perëndimore në muzeun më të madh të lashtësisë në botë, ku turistë nga e gjithë bota do mund të vinin të teletransportoheshin nëpërmjet ashensorëve elektrikë dhe do asistonin, nëpërmjet xhamave transparentë, kërkimet arkeologjike në fund të detit si dëshmitarë aktualë të një lashtësie pellazgo-ilire nga ku ka marrë bazat civilizimi modern. Për këtë ai i rikthehet gjuhës shqipe, si më e vjetra me prejardhje nga pellazgjishtja. Ai gjithashtu ngre lart figurën e shqiptarit, gati e mitizon atë. Nëpër tregimtarinë e tij vlerëson dhe i jep vëmendje mendimit artistik dhe filozofik të mendimtarëve si Leonik Tomeo, Jan Kukuzeli, Buzuku, Bogdani, Migjeni, Konica, etj, etj.

"Gjon Buzuku - thotë Moikomi - është diku, një qenie apo një dinozaur njerilibër, prapa nesh, diku në universin e kalendarit, i cili ulërin nga mungesat, i errësuar në rastësi, i balsamosur në akuariumin legjendar të shekujve."

Me shprehjen e tij: "O Zot, jam kaq i përkohshëm dhe për fat të mirë i vdekshëm deri në fund në çdo molekulë", na bëri që të mendojmë se ishim ne ata që patëm fatin e madh të ishim dëshmitarët e një shpirti prometik, i cili erdhi për të sjellë dritë nga një dimension i largët qiellor, u misherua në këtë hapësirë dhe kohë ku ne jetuam duke e ndriçuar sado pak, dhe shtegtoi sërisht në misionin e tij të madh, në kërkimin e së vërtetës.

Durrës, 07 Mars 2021




*Pol Milo është autor i librit me tregime

SHTEGTIMI I DINOZAURËVE FLUTURUES


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks