SHKRIMI
e enjte, 13 gusht 2020

RRUSTEM BERISHA: KATËR BATALIONET E BRIGADËS 138 - AGIM RAMADANI, NË LUFTËN E KOSHARES, PRILL - QERSHOR 1999

Pashtriku, 7 qershor 2020:

Batalioni i parë "Bashkim Jasiqi" i Brigadës 138 “Agim Ramadani”


Batalioni i parë "Bashkim Jasiqi" ka qenë një nga shtyllat kryesore të Brigadës. Ka vepruar në drejtimin e sulmit 333 që ka përfshirë edhe pikën strategjike Maja Gllava, ku kanë qenë ish-vrojtoret e forcave armike. Kjo pikë, bashkë më Rrasën e Koshares, kanë qenë fushëbetejat më të mëdha të Betejës së Koshares.

Batalioni I është përbërë nga luftëtarë të kalitur nëpër beteja dhe vullnetarë të rinj, të cilët, përkundër mungesës së përvojës, me vullnetin dhe trimërinë e pashoqe e meritojnë epitetin e heronjve të gjallë. Komandant i këtij Batalioni ka qenë Skënder Hasangjekaj - “Noti”, nga Martinajt e Plavës, deri më 16 prill (1999) kur u plagos rëndë në ballafaqim me armikun. Pas kësaj date e deri në çlirim, komandant ka qenë Hisen Berisha - “Tre Dy Shtata”.

Skënderi është plagosur duke i shkuar në përforcim “Veteranit” në Rrasë të Koshares. E takova Skënderin të plagosur. Në dorë mbante shtrënguar kapuçin e vet. Ishte rëndë, kishte humbur shumë gjak. I thashë “për hajr plaga”, e ai ma zgjati kapuçin e ma ktheu “jepja djalit tim kujtim nga baba se nuk dihet a pshtoj gjallë”. Për fat të mirë, kapuçin nuk ia dhashë djalit të tij Notit, por ia ktheva prapë Skënderit, që emrin e luftës e kishte “Noti”.

Hisen Berisha vazhdoi me drejtimin e batalionit, nëpër luftime të rënda, që nuk pushuan asnjë ditë. Armiku me çdo kusht përpiqej ta rimerrte pikën strategjike te vrojtoret. Në përgjimin e komunikimeve e kuptuam se këtë pikë e quanin “kërpudhat” dhe vrojtoren e përdornin si orientim. Forcat tona e çuan në ajër vrojtoren, dhe armiku, gjatë afrimit për sulm diversant në këtë pikë, e humbi pamjen e pikës referente dhe mbeti i çorientuar në mjegull nën breshërinë e djemve të Batalionit I. Tamam si qura n'mjegull.

Në këtë pikë armiku ka sulmuar me luftëtarët e vet më me përvojë, nga betejat e Kroacisë dhe Bosnjes. Kanë provuar çdo ditë me forca të mëdha që ta marrin këtë pikë strategjike, nga shumë drejtime, madje kanë depërtuar edhe nëpër Shqipëri dhe kanë tentuar ta rikthejnë këtë pikë nga prapa shpinës sonë, por Batalioni I ua ka thyer turinjtë çdo herë, duke u shkaktuar humbje të tmerrshme. Amiku kurrë nuk arriti ta ripushonte asnjë pëllëmbë toke që ka qenë në përgjegjësinë e këtij Batalioni.

Në Batalion nganjëherë kishte edhe debate politike midis ushtarëve. Hiseni ua bënte me dije, me rreptësi komandati, se “partia jonë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe politika jonë është çlirimi i vendit”.

Armiku ka granatuar vazhdimisht edhe në drejtim të Shtabit të Brigadës. Predhat kalonin mbi Batalionin I dhe Hiseni më larmëronte me radiolidhje paraprakisht për ardhjen e predhës në drejtimin tim “Xhokeri për 327, po t’vjen ni kafe e idht”.

Lavdi heronjve dëshmorë e të gjallë të Batalionit të parë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”!






***

Batalioni i dytë i Brigadës 138 "Agim Ramadani"


Ky Batalion ka qenë përgjegjës për drejtimin operativ 777, i njohur si Rrasa e Koshares, pika e parë e marrë me sulm të rrufeshëm nga forcat tona në Ditën D, më 9 prill 1999.

Batalioni është komanduar nga Sali Çekaj - Veterani deri në ditën e rënies heroike më 19 prill, e pas kësaj dite e deri në përfundim të luftës, Fadil Hadërgjonaj - Bjeshka.

Rrasa e Koshares ka qenë pikë e rëndësisë së madhe strategjike për shkak të pozicionit dhe lartësisë mbidetare. Kush e kontrollonte këtë drejtim, e kishte nën kontroll komplet situatën e luftës. Prandaj, armiku këtu ka pasur përqendrimin më të madh të forcave të veta dhe luftimet kanë qenë të përditshme.

Armiku vazhdimisht ka provuar ta marrë Rrasën e Koshares me kundërsulme të shkallës se gjerë, të cilat çdoherë u ktheheshin në ferr nga djemtë tanë të Batalionit të dytë. Dhe armiku nuk sulmonte këtu me njësi dosido, por me brigadat më elite të veta - parashutiste dhe speciale. Madje i kanë ngjitur edhe tankset, që ishte veprim krejt i palogjikshëm për shkak të konfigurimit të terrenit.

Nga humbjet e tmerrshme që kanë pësuar për ripushtimin e dështuar të Rrasës së Koshares me mjete konvencionale lufte, armiku ka gjuajtur edhe helme lufte (sarin), që ndalohen me konventa dhe ligje të luftës.

Më 23 prill 1998, në afërsi të Oplazit kishin rënë dëshmorë në një pritë të armikut nëntë djem të Sllupit, nëntë të Hereqit dhe një i Dujakës. Më 23 prill 1999, Fadil Hadërgjonaj po e mendonte në kokë një "dhuratë" të madhe për armikun. Kërkoi që në drejtimin e Rrasës së Koshares të përdorej tërë arsenali që kishim në dispozicion, dhe kështu u bë. Atë ditë armiku pagoi shtrenjtë, shumë shtrenjtë, për njëvjetorin e dëshmorëve tanë.

Edhe ky Batalion ka qenë shtyllë e rëndësishme e Brigadës, me luftëtarë të regjur në beteja, e djem të rinj vullnetarë që kurrë nuk iu tremb syri.

Rrasa e Koshares, përveç që është toponim i krenarisë, është edhe i dhimbjes, sepse këtu ikën në pavdekësi Agimi, Saliu, Abazi e burra tjerë të mëdhenj të kombit.

Lavdi sa të jetë jeta trimave të Batalionit të dytë të Brigadës 138 "Agim Ramadani".






***

Batalioni i tretë i Brigadës 138 "Agim Ramadani"


Edhe kjo shtyllë e Brigadës sonë ka bërë histori me trimërinë, profesionalizmin dhe humbjet që i ka shkaktuar armikut, por edhe me dëshmorët e rënë për liri. Është komanduar nga Skënder Rexhahmetaj - Kulla me ndihmën e shefit të operativës se Brigadës, oficerit nga Çamëria, Adem Dahrit - Dagllasit.

Batalioni i tretë ka qenë përgjegjës për drejtimin e sulmit 555, nga kazerma e Koshares deri në afërsi të Shkozës. Luftimet kanë qenë të ashpra, çdo ditë. Në kuadër të Batalionit ka vepruar edhe njësia intervenuese, me luftëtarë të kalitur, nën udhëheqjen e Avni Rrustemit - Drenicës.

Këta luftëtarë janë ballafaquar edhe me fusha të minuara dhe deminim në zonën e tyre të përgjegjësisë.

Më 11 maj, pozicionet tona u sulmuan nga aviacioni luftarak i armikut. Këtë ditë na ranë dëshmorë 10 bashkëluftëtarë. Ekipet tona mjekësore, "Herifat", kalonin nëpër ferr për trajtimin e luftëtarëve të plagosur dhe shpëtimin e jetës së tyre. Ishte e pamundur të përballohej gjithë ajo sfidë. Në momentet më të rënda, Shaqir Krasniqi - Uka, bashkë me disa luftëtarë të Batalionit të tretë, u shkojnë në ndihmë "Herifave" për t'i përkrahur në shpëtimin e jetës së të plagosurve dhe bartjen e tyre për traajnim me të specializuar pas vijës së frontit.

Në Koshare jemi gëzuar e pikëlluar, kemi qarë e edhe kemi qeshur. E mbaj mend kur komandantët Skënder Rexhahmetaj dhe Adem Dahri na e prezantuan planin e sulmit në Shkozë. Plan profesional dhe kompetent. Ademi për të na e konkretizuar shkurt planin, më tha: zoti komandant, kjo është taktikë gaforre. Nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë taktikë! Çka është taktika gaforre? - i thashë. Ademi ma ktheu me buzëqeshje: taktika gaforre është, sulmo djathtas, kafsho majtas. Plasi gazi me humorin e komandantit tonë të dashur çam.

As komandant Kulla, as komandant Dagllasi e as komandant Uka nuk janë më në mesin tonë. Ata ndërruan jetë pas lufte, të dashur dhe të nderuar nga bashkëluftëtarët dhe tërë kombi.

Batalioni i tretë i ka dhënë Kosovës 16 dëshmorë dhe mbi 30 janë plagosur në betejë. Nuk do t'i harrojmë kurrë dhe do të mburremi gjithmonë që i kishim vëllezër të armës.







***

Batalioni i katërt i Brigadës 138 "Agim Ramadani"


Ky batalion fillimisht ka qenë në nivel kompanie, por u rrit shpejt me vullnetarët që vinin përditë në Koshare. Ka qenë përgjegjës për drejtimin e sulmit 555, i pozicionuar midis batalionit të dytë dhe të tretë. Në këtë pjesë më parë ishin të pozicionuara Forcat Komando "Delta".

Batalioni i katërt është komanduar nga Agim Haziri deri më 8 maj, e më pas, deri në përfundim të luftës, nga Pren Marashi. Komandant i kazermës së Koshares ka qenë Esat Krasniqi - Mjekra. Pjesë e komandës së batalionit të katërt ishte edhe Ramadan Gashi, që kishte ardhur në luftë nga Zvicra.

Edhe ky batalion është përballur çdo ditë me luftime të ashpra. Në përbërje të tij ka pasur luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, të përkushtuar deri në flijim për lirinë e vendit, pa dallim përkatësie partiake, krahinore apo fetare. Dua t'i përmend me respekt tre luftëtarë trima - Vesel Oruçaj - Rambo, Uran Shushka dhe Bedri Manxholli, komandantë të kompanive të batalionit të katërt. Këta kanë qenë motori i batalionit, që nuk është ndalur kurrë, vetëm përpara, edhe në kundërofensivat e armikut.

Ne e dinim se në Koshare kishte mercenarë rusë, që luftonin përkrah forcave serbe, sepse i kishim përgjuar në radiolidhje. Vulën e provës para gjithë botës e dha Batalioni i katërt, duke eliminuar dhe kapur trupin e kapitenit të ushtrisë ruse, Bulah Vitali Greboviç. Bashkë me të, atë ditë djemtë tanë i dërguar në ferr edhe 14 pjesëtarë tjerë të forcave të armikut.

Lavdi dëshmorëve të batalionit të katërt të Brigadës 138 "Agim Ramadani" dhe të gjithë luftëtarëve tjerë, sepse meritojnë lavdi për së gjalli.









- Autori ishte komandant i Brigadës 138 - Agim Ramadani - Koshare


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks