SHKRIMI
e martë, 29 shtator 2020

PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: NJË DOKUMENT 'TOP SEKRET', PËR REAGIMET NDËRKOMBËTARE TË DEMONSTRATAVE NË KOSOVË 1981 (35)

Prishtinë, 9 korrik 2020

NJË DOKUMENT 'TOP SEKRET', PËR REAGIMET NDËRKOMBËTARE TË DEMONSTRATAVE NË KOSOVË 1981

Duke shfletuar, hulumtuar dhe studiuar dokumentet e periudhës më të re të Kosovës, me theks të veçantë demonstratat e vitit 1981, në shumë kuti të arkivit hasa materiale të cilat flitnin për informimin që bënte KQ i LKJ-së lidhur me demonstratat. Më tërhoqi vëmendjen një informatë që në fillim të saj shkruante “Top sekret”, andaj kureshtja prej hulumtuesi ishte edhe më e madhe.


Demonstratat studentore 1981,

Duhet shtuar se, Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 e të tjerat në vijim, nuk ishin rastësi në historikun tonë. Ato ishin një vazhdim i luftës së shqiptarëve që ishin nën okupimin jugosllav dhe që me vite e vite kishin luftua për liri dhe të drejta kombëtare e politike. Megjithatë, demonstratat e atij viti, duke i krahasuar me demonstratat e vitit 1968, ishin një dëshmi e qartë për rritjen e shkallës së pjekurisë e të vetëdijes politike të shqiptarëve. Është një fakt i pamohueshëm se demonstratat fillimisht (11 mars) u kërkua ndryshimi dhe përmirësimi i situatës ekonomike, si dhe zgjerimi i të drejtave dhe lirive politike. Lufta për ndryshimin e gjendjes ekonomike e politike të popullit shqiptar u sintetizua në kërkesën “Kosova-Republikë” që synonte të ndryshonte pozitën kushtetuese të Kosovës dhe të mbarë popullsisë shqiptare në Jugosllavi në kuadër të federatës.

Programi i Demonstratave 1981

Ndërsa sa i përket Programit të Demonstratave të 1981, dihej se, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë së atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim, kërkesa këto, që vazhduan të prezantohen edhe në programet e lëvizjes ilegale, në vitet e mëvonshme, por edhe të Demonstratave të vitit të madh.

Duhet thënë se Programi i demonstratave, ishin vetë kërkesat që u paraqitën në to e që nuk dallonin nga ato të demonstratave të 1968, dhe nga programet e shumta të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi.



Hydajet Hyseni duke i paraqit kërkesat e studentëve më 1981

Kushtetuta e vitit 1974 nuk ishte dëshirë e pushtetarëve por ishte rezultat dhe sukses i Lëvizje kombëtare që përjetoi nivelin më të lartë organizativ me 1968 dhe ngritjes së nivelit politik (kjo ngritje duhet të merret si ngritje në kuadër të procesit e jo si rritje e aspiratës), sepse, deri në këtë kohë, shqiptarët në kërkesat e tyre politike ishin shprehur vetëm për bashkim kombëtarë e jo për ndonjë ngritje të statusit në Shtetin e Jugosllavisë.

Të gjitha programet e organizatave ilegale shqiptare kishin karakter kombëtar

Duhet theksuar se, edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët e veprimit.

Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjitha atyre ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin statike, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione si:

1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;

2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe nën

3. Republika e Kosovës.

Kërkesa për Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar.

Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 nuk kishin vetëm kërkesa të karakterit social por edhe politik. Por, duhej të vinte dita e 26 marsit, që gjithçka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë.

Me 26 mars, u shpalos haptas programi i demonstratave me krye kërkesën për Kosovën-Republikë, dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 e 2 prillit e më vonë, do të ishin programi, boshti dhe themeli vertebror i Demonstratave të vitit 1981. Demonstratat e vitit 1981 do të konsiderohen se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore.

Prej parullave që u shpalosen në këto demonstrata, veçojmë: “Vdekje armikut - Liri popullit”, “Kosova-Republikë”, “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça punon, Beogradi ndërton” e të tjera si këto, ku shihet dukurish se kërkesat e demonstruesve ishin politike, kombëtare e social-ekonomike, të cilat burimin e kishin dhe, në mënyrë eksplicite paraqitnin programin e tyre politik të cilat siç u pa i dëshmoi dhe i rezistuan kohës. Kërkesa më e rëndësishme, në të vërtet kërkesa historike e këtyre demonstratave ishte kërkesa që shqiptarëve t’u njihet e drejta e popullit shtet krijues, e drejta që shqiptarët në Kosovë dhe në trevat e tjera me shumicë shqiptare të kenë republikën e tyre, siç i kishin popujt e tjerë në Jugosllavi.

Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, 2 prill 1981

Më 2 prill 1981, Beogradi kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, po atë ditë, në Prishtinë tërë ditën kishin vazhduar demonstratat masive të shqiptarëve. Po atë ditë, demonstratat u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill vazhduan në Ferizaj, në Viti, përsëri vazhduan në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill u organizuan demonstrata edhe në Deçan e në Istog. Me demonstrata u vazhdua përsëri në Prishtinë edhe me 18 maj 1981.

Mbyllet mësimi në Universitet dhe shkolla të Kosovës

Pas kësaj, organet e pushtetit dhjetë ditë para afatit urdhëruan përfundimin e ligjëratave në Universitetin e Prishtinës. U ndërpre qarkullimi i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në komunikacion. Kështu, Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë përpjekje që ta shkëpusnin edhe nga bota.

Edhe pse opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i kishte cilësua paqësore, edhe pse këto demonstrata kishin karakter demokratik e kombëtar, në Kosovë nga çdo republikë jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën: bomba me gaz lotsjellës, shkopinjtë gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopter, autoblinda, aeroplan luftarakë, bile-bile edhe të tipit MIG-21”. Në Demonstrata pati të vrarë e të plagosur, të arrestuar e të arratisur jashtë atdheut. Gati një brez i tërë në forma të ndryshme gjenocidi u flijua në altarin e shenjët të atdheut.



Statistikat e të dënuarve ishin jo të sakta

Statistikat e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishin të sakta. Ajo ndërronte nga momenti në moment, dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave, dënoheshin profesorët e tyre, ngase kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”. Këtë më së miri e dëshmon rasti i profesorit Ukshin Hotit, për fatin e të cilit nuk dihet edhe sot. Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i kishin strehuar ata. Dënoheshin nënat, pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe, në fund , dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptar kudo që ndodheshin.

Nuk kurseheshin as mërgimtarët

Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm, siç ishte rasti i vëllezërve Tahir e Nebih Meha nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqeshin edhe jashtë kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i atdhetarëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri e shumë të tjerëve. Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur. Ato vazhduan deri në vitet e fundit të shekullit XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të rinj atdhetar: Rexhep Mala e Nuhi Berisha. E këta nuk ishin të vetmit.



Duhet thënë edhe këtë se Demonstratat e vitit 81 nuk e avancuan statusin e Krahinës së Kosovës në kuadër të ish federatës Jugosllave, por çështjen kombëtare e avancuan shumë e dukshëm. Këto ngjarje bënë një rrotullim kopernikan në vetëdijen e popullit shqiptarë të Kosovës dhe të botës demokratike. Me këto ngjarje u bë një revolucion në kokat e shqiptarëve, ata njëherë e përgjithmonë u shkëputen nga ndikimet për integrimin e tyre në Jugosllavi. Demonstratat e vitit 1981 nga shumë studiues u quajtën edhe Revolucion kombëtarë, sepse objektivi kryesor ishte liria kombëtare nga zgjedha skllavëruese.

Jehona e demonstratave në arenën ndërkombëtare

Demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Parulla e asaj pranvere të vitit ‘81 “Republikë, kushtetutë –ja me hatër ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, edhe do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), do të shfaqet në momentin më të duhur historik, për të mbrojtur popullin, po ashtu edhe tokatë e robëruara shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.

VIJON ...

_______________________


PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: DOK 2 - TOP SEKRET - FJALA HYRËSE E ALI SHUKRISË LIDHUR ME VLERËSIMIN E SITUATËS POLITIKE DHE TË SIGURISË NË KRAHINË, QERSHOR 1981 (34)

http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10225


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks