SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

XHAFER DURMISHI: PROGRAMI I JUSUF GËRVALLËS

Pashtriku, 4 mars 2021:


 


 


 





I shprehur

1. Në Aktgjykimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare....

2. Në Programin dhe Statutin e Frontit të Kuq Popullor

3. Në gazetën Bashkimi

4. Në revistën Lajmëtari i lirisë

5. Në letrën dërguar Enver Hoxhës

6. Në artikuj teorik ende të pabotuar

7. Në letrat - raportet dërguar Sabri Novosellës

8. Në revistën Zëri i Kosovës

***


1. Në Aktgjykimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare....

Aktgjykim: "I akuzuari Isa Demaj


Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror-socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim - vëllazërimit e barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e po ashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështu që gjatë viteve 1975 deri në 1979 në Lipjan dhe vendet tjera gjatë bisedave me të akuzuarin Avdi Kelmendi, e pastaj me Ismajl Gashin, Beqir Lecin, Ekrem Llugiqin dhe persona tjerë ka deklaruar se në Jugosllavi nuk ekziston socializmi i vërtetë po vetëm politika revizioniste, se shoku Tito është antikomunist dhe se politika e tij të cilën e udhëheqë shkon në favor të kapitalizmit, se Beogradi udhëheqë politikë shfrytëzuese ndaj Kosovës, se RSFJ i shfrytëzon pasuritë natyrore të KSA të Kosovës. Poashtu ka kritikuar sistemin socialist vetëqeverisës dhe ka deklaruar se duhet punuar me rininë shqiptare në mënyrë që e njejta të ngritet ideologjikisht për veprimtari armiqësore ndaj RSFJ, e pastaj në banesën e Ismajl Gashit në Lipjan ka deklaruar se situata politike e Kosovës nuk ka ndryshuar pas Plenumit të Katërt, kurse para nxënësve të QAMO në Lipjan, ku ka qenë i inkuadruar në veti të profesorit të gjuhës shqipe ka recituar vargje nga “Lahuta e Malësisë” dhe shumë herë është shprehur armiqësisht ndaj sistemit socialist në RSFJ, dhe gjatë bastisjes në shtëpinë e tij më 27 dhjetor 1979 janë gjetur shtatë ekzemplarë të revistës “Ylli”, vjersha “Kosovës” e materiale tjera me përmbajtje armiqësore, - me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ." (AKTGJYKIMI I GJYKATËS SË QARKUT NË PRISHTINË P - nr. 137/80, 4 qershor 1980, www.pashtriku.org)

Aktgjykim: “I akuzuari Avdi Kelmendi, si në hetime ashtu edhe në seancë kryesore, pohon se me veprimtari armiqësore ka filluar të merret nën ndikimin e të akuzuarit Isa Demaj i cili e ka frymëzuar me ideologji të huaj. Për Jugosllavinë i ka folur se është larguar shumë nga socializmi duke shkuar rrugës së revizionizmit modern, se Titoja është antikomunist dhe se politika që e udhëheq ai është në kundërshtim me parimet marksiste-leniniste dhe shkon në favor të imperializmit, se Jugosllavia ka politikë shfrytëzuese ndaj Kosovës dhe popullatës së saj, duke ia grabitur pasuritë nëntokësore e mbitokësore.” (Aktgjykimi i Shefqet Jasharit me shokë. Gjykata Supreme e Kosovës, Ap-nr. 248/80, 10 nëntor 1980. faqe 8)

Aktgjykim: "Sipas mendimit të Jusuf Gërvallës në komitet duhet të marrin pjesë të akuzuarit Ismajl Haradinaj, Nimon Mustafaj, Nazmi Selmani dhe dy hoxhallarë, imami i fshatit Drenofc dhe një hoxhë nga Gjakova. ... Sipas porosisë së Jusufit bëjnë bisedë edhe me të akuzuarin Nimon Mustafaj, e njoftojnë me “Statut” dhe “Programin” e “Lëvizjes nacionalçlirimtare të Kosovës”, i përcjellin porositë e Jusuf Gërvallës dhe i shtrojnë për detyrë që të kontakton dhe angazhoj Hafizin - hoxhë, të cilën detyrë e pranon, kështuqë pas 3-4 ditësh shkon në Gjakovë, gjen momentin e përshtatshëm për bisedë me Hafizin, i parashtron qëllimin e ardhjes së tij, mirëpo nuk arrin me e angazhuar pasi i njejti refuzon. Për këtë e njofton të akuzuarin Ismajl. Për të akuzuarit Ismajl dhe Hasan kanë qenë të papranueshme dhe inkompatibile në bazat “Marksiste” që anëtarë të komitetit të jenë hoxhallarët, kështuqë në këtë drejtim të akuzuarit Ismajl e sidomos i akuzuari Hasan Ukëhaxhaj është angazhuar që të gjej njerëz të përshtatshëm për komitet." (Aktgjykimi kundër Ismail Haradinajt me shokë nga Gjykata e Qarkut në Pejë, Më datën 6 gusht 1981, P. nr. 106/81, www.pashtriku.org)



2. Në Programin dhe Statutin e Frontit të Kuq Popullor

Programi i Jusuf Gërvallës, është i shprehur mirë në përpilimin nga ai i Programit dhe Statutit të Frontit të Kuq Popullor.

Jusuf Gërvalla: "Egzistojnë shumë grupe e organizata, që të gjitha me një qëllim të vetëm, madje me një ide të vetme edhe për mënyrën e sendërtimit të këtij qëllimi (jo zogistë, ballistë… po vetëm komunist, marksist-leninistë që pranojnë vetëm pikëpamjet e një vendi të vërtetë socialist, siç është Shqipëria), por gjithë këto grupe e organizata e patën vështirë t´i shplohen shoqja-shoqes dhe t´i bashkojnë armët, sepse armiku pat infilturar në radhët e tyre një armatë agjentësh." (Bashkimi, janar-shkurt 1980, faqe 2, shtylla 4)

Jusuf Gërvalla: "Lufta kryesore dhe e vetme do të jetë lufta kundër robëruesit jugosllav, në krye me klikën titiste dhe shovinizmin sllavomadh (serb, malazez e maqedon) me qëllim të çlirimit social e nacional nga Jugosllavia dhe të bashkimit shoqëror e kombëtar me vendin amë, Shqipërinë Socialiste. Kjo është e drejtë legjitime e popullit shqiptar, i cili, megjithëse derdhi pa kursim gjakun e vet të shtrenjtë për tokat e veta të shenjta, u bë pre e apetiteve pushtuese jugosllave dhe e politikës diskriminuese të fuqive të mëdha.

... Meqë interesat tona klasore e kombëtare përputhen me interesat klasore e kombëtare të popujve të Jugosllavisë, ne nuk dëshirojmë luftë me këta popuj, pos me klikën revizioniste të Beogradit. Prandaj në kohë ”paqeje”, FRONTI I KUQ POPULLOR ka për detyrë që me propagandë të shëndosh patriotike dhe marksiste-leniniste, t’i çjerrë maskën përgjithësisht klikës së egër të Beogradit dhe të thërras në luftë kundër saj edhe forcat përparimtare të popujve tjerë të Jugosllavisë. Mbi të gjitha, forca e propagandës i drejtohet popullit shqiptar, në mënyrë që ai të përgatitet në baza sa më të shëndosha e më të forta për revolucionin e ardhshëm.

... Strategjia e punës dhe e luftës së FRONTIT TE KUQ POPULLOR do të jetë strategjia e PPSH, e cila e ka demaskuar dhe demaskon me ngulm revizionizmin dhe politikën e egër jugosllave të gjenocidit mbi shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Lufta e shokut Enver Hoxha kundër revizionizmit, strategjia e hollë dhe trimëria e pashembullt e Tij në mbrojtjen e interesave jetike të popullit dhe të Shtetit Shqiptar, do të jenë mësimet bazë për të gjithë anëtarët e FRONTIT TE KUQ POPULLOR dhe do të studiohen me kujdes në mënyrë kreative, duke iu përshtatur kushteve konkrete.

... Vendimet bazë dalin nga komunistët, pasi të jenë analizuar në mënyrë kritike dhe pasi të jetë konstatuar se sjellin kontribut të padyshimtë për revolucionin. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare (në viset e robëruara) FRONTI I KUQ POPULLOR do t’i organizojë masat rreth sajë, pasi PK do të jetë prezentuesje më e denjë e klasës punëtore.

Propaganda duhet të kryhet në çdo vend dhe në çdo rast e kohë; ajo duhet të jetë propagandë e shëndosh, që demanton dhe demaskon plotësisht realitetin revizionist jugosllav dhe sidomos politikën antishqiptare të Jugosllavisë.

... - TE RROJE SHOKU ENVER HOXHA, QE PO NA NDRIQON RRUGEN E VEPRIMIT!" (PROGRAMI DHE STATUTI I FRONTIT TE KUQ POPULLOR, maj 1980)

Jusuf Gërvalla

3. Në gazetën Bashkimi

Programi i Jusufit në mënyrë të përsosur është i shprehur edhe në artikullin "Bashkimi bënë fuqinë" i botuar në numrin e fundit të gazetës Bashkimi.

Jusuf Gërvalla: "Po deshëm që lufta jonë, nga një rezistencë spontane, të kalojë në luftë të organizuar për çlirimin kombëtar dhe klasor, atëherë para nesh shtrohet si domosdoshmëri studimi dhe përvetësimi i historisë kombëtare dhe i literaturës revolucionare marksiste-leniniste. Zotërimi i kësaj literature nga avangarda jonë dhe popullarizimi i saj në masa ka qenë dhe mbetet detyrë primare për zgjimin e vetëdijes kombëtare e klasore të masave popullore dhe të punonjësve.

Nën kujdesin e Partisë së Punës të Shqipërisë, sot në Atdheun tonë socialist lulëzon një literaturë e begatshme revolucionare. Nga literatura e tillë, që duhet të përvetësohet në mënyrë të domosdoshme dhe të ngutshme, sidomos nga pararoja jonë revolucionare, donë vecuar këto pikëmbështetje kryesore: veprat e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit e ato të marksist-leninistit dhe prijësit të madh shqiptar, shokut Enver Hoxha; historia kombëtare shqiptare, ajo e PPSH-së dhe dokumentat e PPSH-së; shtypi shqiptar, sidomos publikimet shkencore nga lëmi i historisë dhe ai i ndërtimit teorik dhe praktik të socializmit në Atdheun tonë." (Bashkimi, janar 1981, faqe 1, shtylla 1-2)

Jusuf Gërvalla: "Për një Shqipëri socialiste të të gjithë shqiptarëve!

Lëvizja jonë, lufta jonë nacionalçlirimtare, revolucioni ynë, na shpien pikërisht te qëllimi ynë kryesor: te një Shqipëri socialiste e të gjithë shqiptarëve. Kjo aspiratë është vënë edhe në ballë të organit tonë "Bashkimi" në trajtë parulle.

Nëse lufta jonë nacionalçlirimtare synon çlirimin kombëtar të të gjitha trojeve tona të pushtuara nga Jugosllavia, atëherë jemi duke luftuar për një Shqipëri. Nëse pos çlirimit kombëtar synojmë edhe çlirimin klasor, atëherë jemi duke luftuar për një Shqipëri socialiste, e cila pas bashkimit të tokave që iu shkëputën padrejtësisht trungut shqiptar, do të jetë Shqipëria socialiste e të gjithë shqiptarëve.

Ai që bënë zhurmë duke na e mohuar një të drejtë të tillë, në thelb është reaksionar, sepse pikëpamjet e tilla janë kryekëput pikëpamje imperialiste, kolonialiste e revizioniste. T´i mohosh popullit tonë të drejtën e luftës nacionalçlirimtare, do të thotë të pajtohesh me robërimin e popujve, dhe kjo është antimarksiste e antileniniste." (Bashkimi, janar 1981, faqe 1, shtylla 2)

Jusuf Gërvalla: "Bashkëpunimi internacionalist i forcave tona çlirimtare

Siç shihet edhe në Programin e Frontit të Kuq Popullor, ne kurrë nuk do të luftojmë kundër popullit serb, malazez e maqedonas. Përderisa ata të mos i përgjigjen ndërsimit të klikës titiste.

...Nga kjo del se ne, në baza të shëndosha marksiste-leniniste, nuk pranojmë të bëjmë gabime trashanike, siç është identifikimi i një populli me qeverinë e tij, kur kjo qeveri është antipopullore. As veprimet e individit të helmuar me politikën shoviniste që ndjek ndaj shqiptarëve udhëheqja revizioniste jugosllave, ne nuk do t'i përgjithësojmë dhe etiketojmë si akte të popullit serb, malazez e maqedonas. Lufta dhe revolucioni ynë do të jenë më të fuqishëm e më të plotë, sa më shumë që të shtrijnë ndikimin e tyre edhe në çlirimin kombëtar e klasor edhe të popujve të tjerë, mbi të cilët ushtrohet dhuna e pushtuesve të huaj apo e pushteteve të veta reaksionare e antipopullore." (Bashkimi, janar 1981, faqe 1, shtylla 2)

Jusuf Gërvalla: "Në gjithë të kaluarën tonë fqinjësore, siç tregon përvoja shekullore, "Bashkimi i armëve (shqiptare) me fqinjët e Ballkanit ka qenë (për ne) vetëvrasje." (Arben Puto).

...Kështu, çështja e bashkëpunimit në baza të internacionalizmit proletar me serbët, malazezët dhe maqedonasit, për ne është një gjë shumë e vështirë, ndoshta edhe e pamundshme. Megjithatë, kur te këto popullsi të kemi hetuar disponim të mirë për bashkëpunim mbi bazat e përmendura ne nuk do të refuzojmë." (Bashkimi, janar 1981, faqe 1 shtylla 3)

Jusuf Gërvalla: "Me këtë rast duhet të vëmë në dukje se ne ende nuk kemi qenë në gjendje ta formojmë partinë tonë komuniste marksiste-leniniste, pa të cilën gati do të jetë e pamundshme hyrja konkrete në luftën e ardhshme nacionalçlirimtare dhe në revolucionin tonë. Kjo na nxjerr te një cështje tjetër që kërkon sqarim. Ishte Partia Komuniste Shqiptare (sot Partia e Punës e Shqipërisë) ajo që e pat themeluar Frontin Nacional Çlirimtar (sot Fronti Demokratik). Dhe kjo ishte rruga e drejtë. Te ne ka ngjarë e kundërta. Fronti i Kuq Popullor, i themeluar prej forcash patriotike, pret themelimin e partisë sonë komuniste marksiste-leniniste e cila do të vihet në ballë të luftës dhe të revolucionit. Sipas vlerësimeve të Frontit, arsyeja për këtë inverzion qëndron në kushtet konkrete, të cilat kanë ndikuar që forcat patriotike të masave të gjëra të ecin një hap përpara organizimit të komunistëve tanë. Në kësi konteksti e shohim aktivitetin e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të tjera Shqiptare nën Jugosllavi - një organizatë e hershme, që ka mbledhur dhe mban rreth vetes njerëz me eksperiencë patriotike e revolucionare dhe me të cilën jemi duke bërë përpjekje për njohje reciproke dhe për bashkim. Në kësi konteksti jemi duke përcjellë gjithashtu edhe aktivitetin e Marksist-leninistëve të Kosovës, që po shfaqen këto kohët e fundit me organin e tyre "Liria". Duke u nisur nga kryartikulli në numrin e parë të këtij organi, si dhe nga përmbajtja e tij përgjithësisht e nga trajtimi marksist-leninist i problemeve nga ana e krijuesve të "Lirisë", ne e vlerësojmë shumë të drejtë punën e Marksist-leninistëve kosovarë. Kjo na jep shpresë që së shpejti, ndoshta pikërisht nga radhët e tyre, do të realizohet edhe kërkesa e domosdoshme për themelimin e vetë partisë komuniste marksiste-leniniste.

Për sa i përketë strategjisë së ndjekur gjer më tash në luftë kundër socialshovinizmit jugosllav, ne kemi vlerësuar se pjesa më e madhe e grupeve dhe organizatave patriotiko-revolucionare shqiptare janë puqur në një pikë: në etapën e deritashme të luftës e të revolucionit tonë, ato i kanë dhënë armikut një grusht nga aspekti politik, duke bërë me veprimtarinë e tyre të ngritet vetëdija kombëtare e masave tona popullore. Vitet e fundit bashkë me vetëdijen kombëtare janë arritur rezultate të shënueshme edhe në ngritjen e vetëdijes klasore, që është një hap i madh cilësor drejt revolucionit. Këtë ua dimë për nder patriotëve e revolucionarëve tanë, që ditën ta përqafojnë e ta përhapin në masa literaturën revolucionare marksiste-leniniste, sidomos atë që po botohet në Tiranë dhe është bërë fener ndricues edhe për forcat revolucionare në të gjithë botën.

Mirëpo, vlerësojmë ne gjithashtu, tani ka ardhur koha që të kalohet në një etap tjetër të luftës: në aksione të sinkronizuara për dëmtimin e armikut edhe në pikëpamje ekonomike e luftarake. Kështu sikurse strategjia, edhe taktika e deritashme, në rast të tillë, duhet t´ia lëshoj vendin taktikës së re. Në këso kushtesh bëhet edhe më i nevojshëm bashkimi i shpejt i organizatave tona patriotiko-revolucionare, të cilat, deri më tash, megjithë strategjinë e njejtë apo të ngjashme, kanë aplikuar taktika të ndryshme." (Bashkimi, janar 1981, faqe 2, shtylla 1)

Jusuf Gërvalla: "Mirëpo na habit qëndrimi i pacipë i disa forcave, të cilat ndjekin rrugën revolucionare, siç janë ta zëmë disa parti marksiste-leniniste. Pa informata të sakta mbi historinë e popullit shqiptar dhe mbi gjendjen e mjeruar të shqiptarëve me banim në Jugosllavi, ato sikur duan të na e mohojnë gjithashtu të drejtën për luftë nacionalçlirimtare. Duke përdorur disa klishe prej arrivistësh të revolucionit, ata pëshpërisin: Ju duhet të veproni vetëm për ngadhnjimin e revolucionit proletar në Jugosllavi, jo ju duhet patjetër të zhvilloni një bashkëpunim internacionalist me serbët e malazezët, jo duhet të hiqni dorë nga vetëvendosja gjer në shkëputje dhe bashkimi me vendin amë, sepse vendi amë nuk e potencon kështu si ju cështjen tuaj, ju nuk keni të drejtë, e të tjera, e të tjera. Nga ana tjetër, kudo që u shfaqet rasti, ata nuk lënë pa propaganduar përkrahjen e tyre ndaj luftrave nacionalçlirimtare dhe revolucioneve." (Bashkimi, janar 1981, faqe 2, shtylla 3)

Jusuf Gërvalla: "Kështu do ta ruajmë edhe në të ardhmen njëri tjetrin: Shqipëria e PPSH dhe e shokut Enver Hoxha ne nga rreziku i çkombëtarizimit dhe i shfarosjes, dhe ne atë nga apetitet pansllave të Jugosllavisë; derisa të vijë edhe Nëntori i tretë - ai i bashkimit të plotë kombëtar dhe i jetës në liri e socializëm." (Bashkimi, janar 1981, faqe 3, shtylla 2)

4. Në revistën Lajmëtari i lirisë

Jusuf Gërvalla; ”Se anija jonë ka erë të mbarë, e cila do ta nxjerrë nga dallgët e stuhishme, dëshmon fakti se të gjitha organizatat patriotike shqiptare, që i janë vënë përballë deri më tash qeverisë fashiste të Beogradit, duke lëshuar përherë e më shumë rrënjë në popull, kanë pasur një drejtim dhe një platformë të vetme: çlirimin nga robëria jugosllave dhe bashkimin me vendin amë, Shqipërinë, të tillë çfarë është ajo, me Partinë e Punës në krye. Kështu, lëvizja jonë mbi të gjitha, na del edhe largpamëse: ajo ka zgjedhur një platformë politike dhe një ideologji, e cila do të jetë ideologjia e së nesërmes së njerëzimit.” (Lajmëtari i lirisë, gusht 1980, faqe 2)

Jusuf Gërvalla: ”Cila qenka platforma jonë?

Përgjithësisht, ne përvetësojmë vijën ideopolitike të Partisë së Punës të Shqipërisë, me adaptime minimale, që implikohen aty-këtu nga gjendja jonë karakteristike. Përafërsisht këtë vijë ndoqën afro pesëdhjetë organizatat dhe grupet patriotike revolucionare të shqiptarëve të Kosovës, që armiku, fatkeqësisht, arriti t’i dëmtojë bukur shumë qe tridhjetë e pesë vjet.

Kemi njoftime se armiku ynë shekullor, qeveria e Beogradit, për të dëmtuar luftën tonë të drejtë, e cila mund të arrihet vetëm duke përfillur idenë e një revolucioni të përgjithshëm socialist, djem nga radha e shqiptarëve ushtron dhe organizon në një ushtri iluzioniste, në ushtrinë e treqind partive shqiptare, që hanë bukën e imperializmit dhe njëkohësisht ia zgjasin jetën qeverisë shoviniste të Beogradit. Lufta e emigracionit shqiptar, me rrënjë në imperializmin e kalbëzuar e me idenë e saj të përgjithshme shkatërrimin e Shqipërisë së sotme dhe të rezultateve të saj të shkëlqyera në avancimin e socializmit, jo vetëm që është luftë e huaj për ne, por ajo do të luftohet pa kompromis, sikundër që luftohet çdo fraksion armiqësor, që do të quhet dezertim nga e vetmja luftë e drejtë – revolucioni socialist.” (Lajmëtari i lirisë, nr.1, gusht 1980, faqe 16)

Jusuf Gërvalla: ”Si gjithmonë, edhe sot, pararoja jonë revolucionare dhe mbarë populli ynë, me sy e me zemër jemi të drejtuar nga nëna Shqipëri dhe presim çastin që fatin tonë do ta lidhë sërish me fatin e saj, si një pjesë e pandashme, për tërësinë e së cilës është derdhur gjaku i bijve martir të Shqipërisë ndër shekuj.” (Lajmëtari i lirisë, nr. 2, tetor-nëntor 1980, faqe 3)

Jusuf Gërvalla: ”Mbi idetë dhe lëvizjet përparimtare asnjë popull nuk mund të vërë dorë përgjithmonë, ashtu si e vë njeriu kësulën në kokën e vetë të patjetërsueshme. Ku zënë fill, nga shtegtojnë dhe ku ngrehin çerdhe lejlekët e anës së ndriçuar të vetëdijes së Planetit, është punë që nuk mund të hetohet jashtë ligjëshmërisë dialektike, dhe kjo ligjëshmëri për të paditurin shfaqet përplot pusi.

Ideja e madhe komuniste mori krah në Gjermani, me Marksin në ballë. U avancua dhe materializua në Revolucionin e madh rus, të cilit i priu Lenini dhe të cilin e çoi përpara Stalini. Po pasi braktisi stepet e paskajshme, e pezmatuar në tradhtinë e akullt hrushoviane, ideja e madhe komuniste u strehua dhe nguliti në Shqipërinë e ’vogël’. Këtu gjeti prehje dhe truall të përshtatshëm për lulëzim të plotë. Së këndejmi fshikullon sot pa mëshirë imperializmin dhe social-imperializmin, ’eurokomunizmin’ fodull. Këtu u bë fener për proletarin, të nënshtruarin, të kolonizuarin. Kudo në botë. Sepse siç thotë poeti, Shqipëria është një magje lirish, që formulën e lirisë nuk e mban sekret.” (Lajmëtari i lirisë, nr. 2, tetor-nëntor 1980, faqe 4)

Jusuf Gërvalla: ”Për fatkeqësinë e imperializmit, social-imperializmin e të social-shovinizmit, për fatkeqësinë e gjakësorit dhe të tradhtarit - bota anembanë po zien. Zien bota për fatbardhësinë e të shtypurit dhe të të shfrytëzuarit." (Lajmëtari i lirisë, nr. 2, tetor-nëntor 1980, faqe 6)

5. Në letrën dërguar Enver Hoxhës

Jusuf Gërvalla: "Po tash, meqë lufta jonë politike ka hyrë në fazën e vet përfundimtare, e cila po zhvillohet në favorin tonë, janë të domosdoshme edhe forma më të larta organizimi të aktivitetit revolucionar. Edhe nga kjo pikpamje ne, me një vonesë të konsiderueshme, kemi arritur në përfundimin se luftës sonë i duhet një emërues i përbashkët dhe i fuqishëm..., është e domosdoshme një ndihmë konkrete nga ana e Partisë së Punës të Shqipërisë. Një ndihmë e tillë, konsiderojmë ne, është e drejtë e patjetërsueshme si për PPSH – në, ashtu edhe për djalërinë patriotike e revolucionare shqiptare në pjesën e robëruar të atdheut tonë të përbashkët.. Kështu do të përligjej dhe do të fuqizohej edhe lufta jonë e drejtë, po edhe përkrahja që do të merrnim nga PPSH. Ndihma, natyrisht nuk ka munguar as deri më tash. Literatura revolucionare dhe patriotike, që ka depërtuar në masë të madhe edhe te populli ynë këndej, ka rëndësi të madhe dhe ka ushtruar ndikim të madh. Një rol të rëndësishëm ka luajtur deri më tash sidomos Radio Tirana me emisionet e saj. Dhe një nga masat më të qëlluara për afrimin dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare, shoqërore, politike e ideologjike të popullit tonë në pjesën e robëruar të Shqipërisë, konsiderojmë ne, ka qenë ajo e 28 Nëntorit të kaluar, qëkur shqiptarët në Jugosllavi mund ta ndjekin edhe programin e Televizionit Shqiptar. Mirëpo për t’ia dalë në mënyrë sa më të denjë dhe sa më efektive qëllimit tonë të lartë, mendojmë se në mesin tonë duhet të punojë një dorë e rysur komuniste, që do të na i trasmetonte drejtpërsëdrejti bazat e shëndosha të veprimtarisë së një partie komuniste marksiste-leniniste në kushtet e ilegalitetit të thellë. Nga ana jonë mund të themi se një gjë është fare e sigurt: njerëz përparimtarë nga të gjitha strukturat shoqërore te ne janë të gatshëm të punojnë pa kursyer asgjë për atdhe dhe për idetë e larta komuniste. Pos kësaj, në mesin tonë dita ditës po nxjerr kokë një mendim i përgjithshëm: brezi ynë i sotëm e ndjen veten të thirrur ta bëjë një hap të madh përpara në luftën për liri dhe bashkim me vendin amë, në mos edhe ta realizojë përfundimisht revolucionin e pashmangshëm. Prandaj, të sigurt se kjo çështje është e denjë për kujdesin Tënd, të Partisë së Punës dhe të mbarë popullt shqiptar, ne presim që kërkesa e mbarështruar këtu për ndihmën e përmendur nga ana e PPSH-së, të hasë në mirëkuptim dhe të shqyrtohet në nivelin për të cilin do të konsideroni ju se është adekuat." (Letër Enver Hoxhës, 19 gusht 1980; Marrë nga libri i Faridin Tafallarit, Dhimbje krenare, Tiranë 1998, faqe 98-99)

6. Në artikuj teorik ende të pabotuar

Jusuf Gërvalla: "Rruga e rezistencës më të vogël - Historia e luftrave çlirimtare dhe revolucioneve ka treguar se lidhur me këtë çështje, në periudha të ndryshme kanë dalë divergjenca në lëvizjet revolucionare, që kanë çuar edhe në përçarje të plotë dhe në tradhtinë e teorisë marksiste-leniniste, si teoria më e përsosur e revolucionit, nga ana e revolucionarëve, që kanë qenë të prirur të ndjekin rrugën e rezistencës më të vogël, duke u përpjekur që pjesëzat e tërësisë t'i imponojnë si tërësi dhe qëllime të fundit. (...) Lëvizja revolucionare marksiste-leniniste synon dhe realizon krijimin e forcave të rregullta revolucionare, teorikisht të përgatitura dhe të lidhura në trajtë ingranazhi, që mund të sigurojnë vazhdimësinë e veprimtarisë revolucionare, ta përcaktojnë orientimin dhe koncentrojnë forcën goditëse të masave popullore e punonjëse, duke mos u zbrapsur e hutuar as në kohën e vlimeve të masës e as në kohën e tërheqjes së saj para brutalitetit të armikut - t'ia bëjnë armikut varrin e vërtetë." (Luftë të dëshpëruarish apo lëvizje të ndërgjegjshme?)

7. Në letrat - raportet dërguar Sabri Novosellës

Jusuf Gërvalla: "Konkretisht në rrethinën e Shtutgartit janë nja 7 – 8 shokë të gatshëm e të përshtatshëm për punë patriotiko-revolucionare. Ata presin ndonjë orientim nga unë. Po unë duke qenë dhe vetë në mjegull për gjendjen time, nuk kam dashur t’i ngashnjej e pastaj t’i lë në gjysmë të rrugës. Prandaj u kam folur për gjëra të përgjithshme në çështje të organizimit, të propagandës dhe të agjitacionit si dhe kam bërë përpjekje për t’ua dhënë elementet e domosdoshme shkencore të historisë kombëtare dhe të lëvizjes komuniste shqiptare e ndërkombëtare. Janë punëtorë dhe ma ka marrë mendja se në radhë të parë u duhet një ngritje e tillë ideore, politike e shkencore. ... Lidhur me këtë, për fillim, kemi zënë të organizojmë një varg demonstratash, nëpër qendra të ndryshme evropiane, që kanë për qëllim të bëhen përpjekje e zëshme e ngjarjeve aktuale në Kosovën tonë trime. Demonstrata e parë, shumë e sukseshme, është bërë para ambasadës jugosllave në Bërn të Zvicrës, më 11 prill, në të cilën kanë marrë pjesë edhe shqiptarë nga RFGJ. Demonstrata e dytë do të mbahet po në Zvicër, në qytetin Cyrih, më 18 prill, kurse të tretën e kemi parashikuar në Shtutgart, aty nga 26 prilli. Parullat e demonstratave kanë një përmbajtje thellësisht marksiste-leniniste dhe përkrahin deri në fund kërkesat e rinisë heroike të Kosovës për republikë (që nënkupton edhe përfshirjen e tokave dhe të popullsisë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi). ... Kam pasur nderin të njihem edhe me sekretarin e parë të Partisë Komuniste Gjermane, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri dhe i kam dërguar një letër me lutjen që edhe ai me partinë e tij të shikojë ndonjë formë të përshtatshme ndihme për përkrahjen morale të popullit shqiptar të Kosovës. Ende s’kam marrë përgjigje prej tij, por shpresoj se megjithatë do të na ndihmojë patjetër, sepse për këtë i obligon drejtpërdrejt edhe artikulli i “Zërit të popullit” i datës 8 prill, se siç dihet, kjo parti e komunistëve gjermanë ka për busollë të vetme PPSH-në." (Letër Sabri Novosellës, 14 prill 1981; Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010, faqe 259-260)

8. Në revistën Zëri i Kosovës

Jusuf Gërvalla: "Prandaj, në mbrojtje të vullnetit sa e sa herë të ndrydhur e të nëpërkëmbur të popullit shqiptar në Jugosllavi, ne - një pjesë e pararojës patriotike e komuniste të shqiptarëve të robëruar, që jemi organizuar në gji të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi - dalim para popullit tonë, para opinionit jugosllav dhe atij botëror me këto kërkesa minimale të parevokueshme:” (Zëri i Kosovës, nëntor 1981, faqe 2)


© Pashtriku.org - Mars 2011

 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks