SHKRIMI
e shtunë, 18 janar 2020

MEHMET HAJRIZI: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (17)

Pashtriku, 24 shtator 2019:

4. DEMONSTRATAT E VITIT 1981

4.1 Rrethana të para demonstratave


Ndryshe nga viti 1963, kur me ndryshimet kushtetuese në Jugosllavi, nën presionin e politikës serbe autonomia e Kosovës pësoi tkurrje të dukshme, më 1974 pati avancim të statusit, por nuk u realizua Republika e Kosovës. Pas vitit 1974, Kosova me status tashmë të definuar kishte humbur edhe një shans historik, prandaj ishte tepër e vështirë të realizohej shpejt barazia e saj me republikat tjera të federatës. Lëvizja Kombëtare e viteve në vijim nuk e theksonte më veçanërisht Republikën, sepse ngjashëm me fillimin e viteve ’60 ishte përqendruar në strategjinë e bashkimit kombëtar.

Fundi i dekadës pritej me tensione e ndryshime të reja në Jugosllavi, si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare, e ashpërsimit të kontradiktave brenda Federatës, e fundit të jetës së Josip Brozit, por edhe e rritjes së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.

Brenda kampit socialist po ngjizej embrioni i transformimeve të mëdha që solli fundi i shekullit, por në dukje ishin veçanërisht dy vatra fillestare e pararendëse të këtyre proceseve demokratizuese: Polonia me “Solidarnostin” dhe Kosova me Lëvizjen e zgjuar Kombëtare.

Pas vdekjes së Titos, nuk kishte më kush të mbante në zap klanet ndërluftuese politike në Jugosllavi, prandaj nisën të shfaqeshin më me forcë dy tendencat e njohura kontradiktore në këtë kreaturë artificiale popujsh: unitarizmi i hegjemonistëve serbomëdhenj, që synonin të kishin rolin e xhandarit jo vetëm në Jugosllavi, por në tërë Gadishullin e Ballkanit dhe fryma decentraliste e konfederaliste, centrifugale, e përfaqësuar nga dy republikat më të zhvilluara, Sllovenia dhe Kroacia. Duke rënë shtylla vertebrore e ngrehinës, pritej që shumë shpejt të shembej e tëra, qoftë nga faktorë të brendshëm ose edhe me intervenim të jashtëm. Nga ana tjetër, edhe përreth Jugosllavisë dhe në botë, gjendja ishte mjaft e ngarkuar. Liria shkruante: “Bota kurrë s’ka qenë më e rënduar nga retë e luftës. Sot, vendet e zhvilluara kapitaliste, çdo ditë harxhojnë mesatarisht 1 miliardë dollarë për luftën dhe armatimet, kurse dy superfuqitë dhe blloqet e tyre, në arsenalin e armëve të tyre kanë grumbulluar më shumë se 60 mijë lloje të armëve bërthamore, me një forcë shpërthyese 1 milion herë më të madhe se bomba e hedhur në Hiroshimë të Japonisë...Paqja dhe siguria e vërtetë mund të sigurohen vetëm kur fatet e tyre t’i marrin në duar vetë popujt”.1



Në kohën kur Serbia po përgatitej që pas vdekjes së Titos, duke vënë në zbatim planin e saj në “Librin e Kaltër” për suprimimin e autonomisë së Kosovës, në kohën kur pritej tërmet politik që do të çonte drejt konfederalizimit ose edhe të rrënimit të Jugosllavisë, Kosova duhej të mendonte seriozisht për hapat imediatë që duhej të ndërmerrte për shpëtimin e vet, ajo duhej ecur me guxim përpara, për të mos u kthyer prapa. Në çastin historik, Kosova duhej ta mbronte, por edhe ta avanconte statusin e saj politik, për të hyrë e barabartë me njësitë tjera federale, në proceset historike të transformimit.

Veprimet e Lëvizjes u përqendruan sërish në kërkesën për Republikën e Kosovës, sepse kështu sigurohej baza e së drejtës për vetëvendosje dhe shkëputje. Opinioni për Republikën po përhapej shpejt, jo vetëm në qarqet e Lëvizjes (shih qëndrimet e OMLK te “Liria”,2 para, gjatë dhe pas demonstratave, qëndrimet e PKMLSH në materialet e saj etj.,), por edhe në publikun e gjerë e te disa zyrtarë politikë. Strategjia e bashkimit dhe taktika e Republikës nuk ishin dy çështje kundërthënëse që të përjashtonin njëra-tjetrën, sepse Republika përbënte hapin e parë drejt vetëvendosjes dhe bashkimit. Kosova dhe Shqipëria në atë kohë nuk i kishin kushtet e brendshme ta realizonin bashkimin kombëtar, por as rrethanat historike e politike ndërkombëtare nuk e mundësonin një ndërmarrje të shpejtë drejt këtij qëllimi. Republika e Kosovës, jo vetëm ishte e pranueshme për shumë demokraci të mëdha ndërkombëtare, por në një masë të konsiderueshme edhe opsion realisht i mundshëm. Studiuesi Jakup Krasniqi ka shkruar: “Në fakt nuk ishte tërheqje nga Programi i Bashkimit Kombëtar, por mënyrat se si ishin shtruar kërkesat, mjetet që ishin zgjedhur për të realizuar kërkesën, raporti i forcave të brendshme dhe të jashtme, niveli i gatishmërisë së qytetarëve, treguan se kërkesa për Republikë ishte realiste për kohën... Bashkimi i trojeve shqiptare nuk mund të bëhej me demonstrata paqësore e aq më pak mund të bëhej pa një angazhim shumëdimensional të shtetit shqiptar. Bashkimi kombëtar po mbetej për kohë tjera. Bashkimin kombëtar nuk e kishim shkëmbyer me kërkesën Kosova-Republikë”.3

Gjatë këtyre viteve, Lëvizja Kombëtare shqiptare vazhdonte jetën, në kushte të konspiracionit dhe të ndjekjes policore. Në vigjilje të demonstratave të vitit 1981, përveç OMLK vepronin edhe

1. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Sabri Novosella etj.),

2. Lëvizja për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës (Mustafë e Bajrush Xhemajli, Imer Grainca, Xhabir Morina etj.),

3. Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (Abdullah Prapashtica etj.),

4. Fronti i Kuq Popullor (Ibrahim Kelmendi etj.),

5. Grupi Marksist-Leninist për çlirimin e Kosovës (Sherif Krasniqi etj.),

6. Grupi Marksist-Leninist i Kosovës-Llap (Bajram Ajeti etj.) dhe disa grupe e organizata të tjera më të vogla brenda e jashtë Kosovës.

Lëvizja Kombëtare kishte një bilanc të shkëlqyer të punës edukuese dhe propaganduese me masat, në shumë forma të kombinuara, në sqarim të gjendjes së robëruar të Kosovës dhe në orientim drejt rrugës së çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

4.2 Shkaqet e shpërthimit

Një gazetë e huaj, shkruante pas demonstratave të vitit 1981 se ato kishin filluar për një shkak bizar, kur një student në mensë e gjen në gjellë një kacabu dhe nga gërdia e përmbys pjatën. Në përpjekje për të sqaruar kush i nisi i pari demonstratat, është përmendur emri i një studenteje, por edhe i një studenti, që në shenjë revolte kundër kushteve të këqija të jetesës e të ushqimit, e gjuan pjatën dhe aty merr shkas protesta në rrugë e studentëve më 11 mars 1981.

Politika e regjimit pushtues dhe eksponentët e saj në Kosovë, dëshironin megjithatë që adresën e fajtorit të fillimit të dramës ta përcaktonin jo te një kacabu, por në Tiranë, ose edhe në fuqitë perëndimore, të cilat gjoja e paskëshin nxitur dhe inkurajuar lëvizjen reaksionare e kundërrevolucionare të mbeturinave borgjeze të së kaluarës.

Por ngjarjet e vitit 1981 kishin arsyet e shkaqet e brendshme, historike dhe aktuale shumë më serioze, që i kishin paraprirë. “Liria” më vonë do të shkruajë: “Populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të robëruara nga Jugosllavia nuk u rebeluan ‘brenda natës’. Rebelimi i tij u përgatit për afro dyzet vjet të vështira jete në kuadër të Jugosllavisë revizioniste titiste, e cila për popullsinë shqiptare, përballë propagandës lidhur me mirëqenien, barazinë ekonomike, politike e shoqërore me kombet dhe kombësitë e tjera, lidhur me gjoja vëllazërim-bashkimin, s’pati gjë tjetër pos shtypjes kombëtare e shoqërore, pos diskriminimit social e kulturor, pos shfrytëzimit të egër të pasurive të tyre natyrore dhe zbatimit të mjeteve të gjenocidit”.4

Popullit shqiptar në Jugosllavi jo vetëm po i mbyllej perspektiva e realizimit të të drejtave të veta historike, kombëtare, politike e demokratike, por qarqet shoviniste përgatiteshin ethshëm për t’i rrëmbyer edhe ato të drejta të fituara me gjak. Katër muaj para shpërthimit të demonstratave “Liria” shkruante: “Pushtuesit revizionistë jugosllavë dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë, kohëve të fundit kanë ndërmarrë kundër popullit tonë një varg masash të dhunës e të demagogjisë. Këto masa të revizionistëve nuk janë të panjohura për popullin tonë dhe nuk e çudisin atë. Gjatë gjithë sundimit të tyre të egër, revizionistët jugosllavë nuk kanë lënë metodë e mjet pa përdorur me qëllim që ta shtypin e shfrytëzojnë sa më egërsisht popullin tonë dhe të shuajnë çdo aspiratë e përpjekje të tij për çlirim kombëtar e shoqëror”.5

Faktorët subjektivë dhe objektivë të kryengritjes në Kosovë konsistonin në statusin prej robi që kishte populli shqiptar, në pozitën diskriminuese të tij në bashkësinë e popujve të Jugosllavisë dhe në veprimtarinë e Lëvizjes që kishte ndikuar në formimin e ndërgjegjes dhe bindjes qytetare që ta shkundte zgjedhën e tij. Një nga faktorët ndihmës objektivë ishte gjendja e rëndë dhe e paperspektivë e ekonomisë së Kosovës. “Liria” në muajt e fundit të vitit 1980, shkruante: “Ekonomia e Kosovës jo vetëm që nuk po bën hapa përpara, por gjendja e saj po keqësohet edhe më shumë. Mosrealizimi i planeve të prodhimit e në shumë degë rënia e dukshme e tij, humbjet gjithnjë e më të mëdha, borxhet e shumta e deficiti tregtar rekord, aftësia e dobët riprodhuese e akumuluese, ngritja astronomike e çmimeve dhe e kostos së jetesës, shtimi i madh i numrit të papunëve, emigrimi në masë i fuqisë punëtore e plagë të tjera si këto që po vazhdojnë të thellohen, e sollën ekonominë e Kosovës në një gjendje tepër të rëndë. Këto plagë bënë që gjatë viteve të fundit Kosova jo vetëm nuk u zhvillua 50 për qind më shpejt se mesatarja jugosllave, siç planifikohej, por përkundrazi ritmi i zhvillimit të saj ishte për jo më pak se 50 për qind nën këtë mesatare”.6 Dy muaj më vonë ajo shkruante: “Gjatë vitit 1979 ekonomia jugosllave kishte rreth 19 miliardë dinarë humbje, që ishin 23% më të mëdha se ato të një viti më parë”.7 Ndërkaq për vitin 1981 gjejmë: “Veçanërisht të rëndë e bëjnë gjendjen në ekonominë kosovare humbjet e mëdha financiare, të cilat, siç shkruante ‘Rilindja‘, vetëm për 3 muajt e parë të këtij viti, u shtuan për jo më pak se 1.4 miliardë dinarë, e që janë më të mëdha se të gjitha humbjet që u regjistruan gjatë vitit të mëparshëm, shumica dërrmuese e të cilave janë akoma të pambuluara”.8 “Punonjësit kosovarë kanë nivelin më të ulët të jetesës në të gjithë Evropën, marrin paga shumë të ulëta, pothuajse nuk kanë kurrfarë mbrojtjeje e sigurie në punë”.9

Kurse korrespondenti i njohur gjerman, Viktor Mejer ka shkruar: “Përafërsisht viteve kur vdiq Tito, Jugosllavia ishte përfshirë në një krizë të rëndë ekonomike. Ndër shkaqet e saj kryesore renditen deficiti tregtar dhe përkeqësimi i borxhit të jashtëm. Deficiti i bilancit të prodhimit në vitin 1979, duke i hequr të ardhurat nga turizmi dhe transfertat nga emigracioni arrinte në 3.6 miliardë dollarë amerikanë; në vitin 1980 borxhi i jashtëm kishte kapur 15 miliardë dollarë. Për shlyerjen e tij nevojitej angazhimi i 15% i të ardhurave në devizë. Niveli i inflacionit arrinte masën 20%”.10

OMLK plot dhjetë vjet kishte vepruar në mënyrë sistematike për përgatitjen e faktorit subjektiv të kryengritjes dhe për kombinimin e strategjisë afatshkurtër me atë afatgjatë. Thelbi i çështjes shqiptare në hapësirën e ish Jugosllavisë ka qenë e drejta e popullit shqiptar, për të qenë i barabartë me popujt e tjerë. Kjo barazi, sipas fazave historike u quajt, Republikë, pavarësi dhe bashkim. Për të fituar këtë të drejtë, që do të thoshte vetëvendosje deri në shkëputje, Organizata po përgatitej për demonstrata por edhe për luftë të armatosur, duke qenë e gatshme të kombinonte dhe të zëvendësonte format e veprimit e të luftës, varësisht nga imponimi i situatave. Ajo kishte përgatitur veten e saj dhe popullin e Kosovës për ngjarje të mëdha historike. “Revolucion mund të ketë vetëm atje ku është edhe vetëdija për të”, shkruante Zhores. Kjo vetëdije ekzistonte dhe se do të shpërthente revolta një ditë të afërme, dihej, por kishte rrezik të shpërthente para kohe, qoftë nga nxitja e qëllimshme nga jashtë, qoftë nga spontaniteti. OMLK kishte në plan demonstratat dhe ishte nën trysninë e anëtarësisë për veprime të hapura të masave, por duke qenë në përpjekje intensive për bashkimin e organizatave simotra, mendonte të organizoheshin bashkë me to dhe me kujdesin e duhur, me qëllim që të mos ndodhte asnjëra nga mundësitë e padëshiruara. Bashkimi në veprim do të bëhej më i fortë, kurse veprimi i bashkuar do të ishte më i suksesshëm.

Megjithatë, situata ishte tepër shpërthyese dhe mjaftonte vetëm një shkëndijë që të merrte flakë e tërë Kosova. Këtë shkëndijë e hodhën (pak para kohe) studentët e ngritur më 11 mars 1981, fillimisht duke kërkuar kushte më të mira studimi, për të marrë shpejt karakter politik gjithë zhvillimet.

( VIJON ...)


__________

Fusnotat.

1 Maskaradë e pasigurisë evropiane, Liria nr.2, dhjetor 1980

2 Te “Liria” nr. 2, dhjetor 1980, në artikullin “Kush janë luftëtarët e lirisë në Kosovë dhe ç’ duan ata?” shkruante: “Kërkesa e popullit tonë të robëruar që të bashkohen trojet e tij në një njësi të vetme administrative është e drejtë dhe e ligjshme”.

3 Jakup Krasniqi: Kërkesa për Republikë ishte realiste për kohën, Epoka e Re, 11 maj 2006 f.11

4 Kosovë, sa hije të ka Xhamadani i trimërisë!, Liria nr.3, maj 1981

5 Asnjë masë e revizionistëve nuk mund ta mposhtë popullin tonë heroik, Liria nr.1, tetor 1980

6 Gjendje e rëndë në ekonominë e Kosovës, Liria nr.1, tetor 1980

7 Krizë e degjenerim në Jugosllavinë titiste, Liria nr.2, dhjetor 1980

8 Thellohet kriza ekonomike në Kosovë, “Liria” nr 4-5, gusht 1981

9 1 maji i këtij viti e gjeti Kosovën në llogore lufte, Liria nr. 3, maj 1981

10 Viktor Mejer: “Fundi i Jugosllavisë goditja në Kosovë”, Liria, Lubjanë 2007

_______________


MEHMET HAJRIZI: KËNGËT E LIRISË (16)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9035


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

G毛zuar 28 N毛ntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks