SHKRIMI
e premte, 17 janar 2020

MEHMET HAJRIZI: QËNDRIMI I SHQIPËRISË PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (20)

Pashtriku, 23 tetor 2019: 4.6 Qëndrimi i Shqipërisë / Më 8 prill 1981 Shqipëria zyrtare, nëpërmjet organit “Zëri i Popullit”, gazetës kryesore të saj, u prononcua për ngjarjet në Kosovë. Tri javë më herët, më 17 mars ishin dhënë informata në shtyp, radio dhe televizion për demonstratën e 11 marsit, por pa i dhënë shumë rëndësi dhe duke u mbështetur kryesisht në burime të huaja. Java e parë e prillit 1981, për Lëvizjen Kombëtare dhe popullin shqiptar në Jugosllavi ishte plot ankth në pritje të zërit të nënës Shqipëri. Artikulli i “Zërit të Popullit” i 8 marsit, me titull “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?”, nëpërmjet valëve të Radio Tiranës dhe TVSH, jehoi si një fllad lirie në qiellin pranveror të Kosovës së vetmuar! Shqipëria nëpërmjet vetë udhëheqësit të saj doli në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar, u solidarizua me demonstratat e kërkesën e tyre për Republikën e Kosovës dhe dënoi fuqishëm masat e dhunës e të terrorit që forcat serbe e jugosllave ushtruan mbi Kosovën. 


Përmendet shpesh me pikëpyetje vonesa njëjavëshe e reagimit zyrtar të Shqipërisë për shtypjen e demonstratave dhe ende nuk dihen gjithë arsyet e brendshme e të jashtme të saj, por dihet që edhe atje janë befasuar, sepse nuk kishin informacion se do të ndodhnin pikërisht në atë kohë dhe në ato përmasa. Nga ana tjetër kontaktet e OMLK me përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë u vështirësuan së tepërmi, gjatë dhe fill pas demonstratave. Periudha pesë-gjashtë ditëshe mund të ketë kaluar megjithatë në definimin e qëndrimit zyrtar për statusin e Republikës që kërkonin demonstruesit, në plotësim të informatave për bartësit e demonstratave, apo për kujdesin që Shqipëria kishte të mos akuzohej nga bashkësia ndërkombëtare si nxitëse e kryengritjes në Kosovë. Jugosllavët me mjeshtëri sulmuan jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë, duke e cilësuar atë si organizatore të kryengritjes dhe shkelëse të Kartës së OKB, sepse paskësh ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi tjetër. Në njëfarë mase, ata ia kishin arritur që Shqipëria të merrte pozicion mbrojtës, më shumë se sulmues, për të rrëzuar pretendimet jugosllave. Për këtë arsye Enver Hoxha më 8 maj 1981 i jepte porosi Ramiz Alisë, të ngarkuar atëherë me çështje të propagandës, që t’i silleshin vetëm materialet jugosllave për Kosovën, ku atakohej udhëheqja shqiptare.



Qëndrimi i drejtë i Shqipërisë ndaj kryengritjes së Kosovës, përcaktimi i qartë kombëtar e argumentimi i kërkesave të demonstruesve, tërbuan krerët regjimit pushtues në Beograd, të cilët i ngrinë menjëherë marrëdhëniet relativisht të mira jugosllavo-shqiptare dhe u vërsulën mbi popullin e Kosovës e mbi çdo vlerë të tij. Por Kosova ishte e gatshme të paguante çdo çmim të kryengritjes për të drejtat e saj dhe të mbështetjes që i vinte nga Shqipëria. Qëndrimi i Shqipërisë përbënte pengesë serioze për Beogradin në përpjekjet për ta zmbrapsur Kosovën, sepse e inkurajonte, i jepte shpresë, guxim dhe vetëbesim rinisë së kryengritur për të qëndruar në rrugën e saj të drejtë.

Në kryeartikullin e 8 prillit të “Zërit të Popullit”, veç tjerash shkruante: “Shtypi e Radiotelevizioni jugosllav kanë ngritur një fushatë të jashtëzakonshme dezinformimi rreth shkaqeve që shtynë studentët e punonjësit kosovarë të dalin në demonstratë... Por, pavarësisht nga ç’thuhet e ç’shkruhet në Jugosllavi, shkaqet e vërteta të demonstratave të Kosovës, përmbajtja e tyre, kërkesat që u paraqitën në to nuk mund të mbulohen me frazeologji të rreme dhe të zhurmshme, siç veprojnë shtabet e Beogradit. Çdo njeri objektiv, çdo vëzhgues i paanshëm e shikon dhe e kupton menjëherë se në bazë të ngjarjeve të fundit në Kosovë qëndrojnë prapambetja e madhe e kësaj krahine, varfëria e mjerimi i njerëzve të saj, mungesa e lirive demokratike dhe e të drejtave politike. Demonstratat janë shpërthimi i një gjendjeje të padurueshme që vazhdon prej dhjetëra vjetësh, është errësimi i mëtejshëm i perspektivës për të dalë nga kjo gjendje.

Sipas të dhënave që jep shtypi jugosllav, të ardhurat kombëtare për frymë në Kosovë janë 6 herë më të ulëta se ne Slloveni, rreth 5 herë më të ulëta se në Kroaci dhe 3,5 herë më të ulëta se në Serbi. Vitet e fundit ritmi i rritjes së prodhimit industrial në Kosovë ka qenë 4-5 herë më i vogël se ai i Serbisë. Shkalla e papunësisë është 20 herë më e madhe se në Slloveni dhe 2,5 herë më e madhe se në Serbi. Numri i punëtorëve që kanë emigruar për punë jashtë Kosovës e Jugosllavisë i kalon të 110 000 vetat... a ka të drejtë populli dhe rinia e Kosovës, a kanë lirinë të shtrojnë pyetjen pse krahinat e tjera të Jugosllavisë zhvillohen, ndërsa në Kosovë nuk ndodh një gjë e tillë? Duket se dikush e pengon zhvillimin e Kosovës, dhe se kush është ai këtë duhet ta dijë udhëheqja e Federatës, përderisa ajo ka pohuar se Kosova është, në të njëjtën kohë e pasur në mundësi dhe e varfër në fakt... Tani, popullsia shqiptare që jeton në Kosovë dhe që përbën pjesën dërrmuese të saj, kërkon brenda normave kushtetuese, por edhe në rrugë, që Krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Serbisë, ajo kërkon t’i njihet statusi i Republikës brenda Jugosllavisë.

Ç’krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, që u cilësua si i tillë nga udhëheqja e Federatës së Jugosllavisë dhe nga disa udhëheqës kryesorë të Krahinës së Kosovës? Ai s’bëri asnjë krim. Përkundrazi, këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore, prandaj dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan... se udhëheqja e Federatës nuk i studion në rrugë të drejtë kërkesat për Republikë brenda kuadrit të Federatës. Pse ajo nuk i interpreton ato si kërkesa që rrjedhin nga vetë Kushtetuta e RSFJ-së, por nxitohet t’i quajë ‘armiqësore, kundërrevolucionare, që prishin stabilitetin, që shkatërrojnë Jugosllavinë’? A nuk i kanë shqiptarët e Kosovës të gjitha tiparet e karakteristikat që përbëjnë një komb, a nuk rrojnë ata në një territor kompakt, a u mungon atyre gjuha, kultura dhe konstitucioni shpirtëror i përbashkët, a nuk janë të aftë për t’u vetëqeverisur, por u nevojitet tutela e dikujt, a janë të paktë në numër sa nuk do t’ia vlente të ngriheshin në rangun e një republike, a s’ka republika të tjera të federuara në Jugosllavi dhe Republika që kërkojnë shqiptarët e Kosovës do të bënte një përjashtim?

Çështjet duhen gjykuar me objektivitet dhe me drejtësi dhe jo të arrihet deri atje sa të gjitha udhëheqjet e çdo rangu të vihen në lëvizje për të ngjallur në popujt e Jugosllavisë ndjenjat e mërisë e të armiqësisë ndaj shqiptarëve, sa të mobilizohen gjithë forcat që të sulmojnë, shajnë, rrahin, vrasin, gjymtojnë dhe burgosin lulen më të bukur, rininë trime shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare.

Nuk është as në nderin dhe as në interesin e Jugosllavisë që të derdhen mbi Kosovë gjysma e policisë serbe dhe e milicisë së Beogradit, të armatosur deri në dhëmbë, të rrethojnë qytetet e Kosovës me tanke, të mbulojnë qiejt me avionë dhe të mbushen aerodromet me parashutistë.

Jo, kjo s’duhej të ndodhte. Ne e dënojmë rëndë këtë dhunë të pashembullt në Kosovë... Ata duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe të kenë barazi të plotë me popujt e tjerë brenda Federatës të Jugosllavisë. ..Mos vallë në Beograd kërkojnë që shqiptari të mos jetë patriot? Jo, kjo s’do të ngjasë kurrë! Shqiptari kurdoherë është mbrojtur me heroizëm dhe ka fituar mbi armiqtë, sepse gjithnjë ka qenë në të drejtën e vet. Kudo që jeton, punon dhe lufton, ai tregon kurdoherë pjekuri dhe durim. Por, siç ka thënë shoku Enver Hoxha: ‘Popullin shqiptar mos e zemëroni, ai është i durueshëm, por, kur zemërohet shqiptari, merr zjarr e flakë edhe stralli’. Edhe duke shfaqur pikëpamjet tona për ngjarjet e fundit në Kosovë, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Po ne ngremë zërin, dhe kemi të drejtë ta ngremë, kur bëhen padrejtësi ndaj vëllezërve tanë, kur ndaj tyre përdoren dhuna e represioni, kur slogane të ndryshme si shovinizmi shqiptar, irredentizëm etj. përdoren për të diskredituar rininë e popullin shqiptar të Kosovës...Traktati i Londrës, Traktati i Versajës dhe çdo traktat tjetër imperialist nuk kalon më mbi kurrizin e popullit shqiptar”.

Gazetari i atëhershëm i gazetës “Zëri i Popullit”, Bedri Islami kujton: “Gazeta kishte dalë asaj dite me dyfishin e tirazhit të saj, pra në dyqind mijë kopje, dhe që në mëngjesin e hershëm, nuk e gjeje dot askund. Ishte shitur brenda pak çasteve dhe nëpër të gjitha qoshqet e rrugëve kishin ndaluar njerëzit që kishin filluar ta lexonin, pa pritur për të shkuar në shtëpi...Jam krejt i bindur se qëndrimin e shtetit shqiptar e përkrahën të gjithë shqiptarët, edhe ata që ishin pro regjimit, edhe ata që nuk e donin atë...Mund të shkoj edhe më tej: ...ishin të gatshëm, nëse organizohej diçka, edhe të luftonin për Kosovën, pavarësisht se nën urdhrat e kujt do të ishin”.

Më 17 prill 1981 “Zëri i Popullit” afishonte akoma më qartë politikën shqiptare në mbrojtje të kërkesës së demonstratave për Republikën e Kosovës: “Kosova do të qetësohet po të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria dhe policia ndëshkuese serbe, të normalizohet gjendja, të lirohen të burgosurit e pafajshëm që kanë mbushur burgjet, t’u kthehen familjeve të vrarët e tyre në demonstrata, se kjo është një çështje e shenjtë dhe humanitare. Studioni me vëmendje dhe drejtësi kërkesën e popullit të Kosovës për Republikë, zgjidhni drejt problemet ekonomike të saj. Vetëm kështu do të qetësohet Kosova...

...Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave. Ky status përfaqëson aspiratën e një populli të madh që kërkon me të drejtë ‘statusin e sovranitetit’ dhe jo atë të ‘pakicës kombëtare’, që padrejtësisht i ka pasë qenë caktuar që në Jajcë...

...Kërkesa e Kosovës për të fituar statusin e Republikës federale është e drejtë. Ajo këtë e ka merituar me luftën që ka bërë bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër fashizmit. Shovinizmi serbomadh e ka gjakosur rëndë Kosovën dhe ka krijuar një situatë të tillë, që me espedientë zor se shërohet...

...Për sa u përket atyre ‘udhëheqësve shqiptarë’ që morën fjalën në këtë forum të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ose jashtë këtij forumi, fjalimet e tyre u karakterizuan nga një histeri sa e madhe, aq edhe servile e shërbyese ndaj zotërinjve të tyre Vidiq, Miniq, Stamboliq etj. Kuptohet se këta ‘udhëheqës’ fantoshë i urren populli i Kosovës...

...Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje ‘Shqipëri të vogël’, ose ‘Shqipëri të madhe’. Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie ‘të vogël’ ose ‘të madhe’, që përbëjnë një popull kompakt dhe që kanë të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e ndokujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t’i mbrojnë. Këtë ju e gjeni të jashtënatyrshme, e quani ‘shqiptaromadhe’, ‘nacionaliste’, deri dhe ‘fashiste’. Kur Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës, për të cilën kanë luftuar 50 mijë partizanë, ju guxoni ta quani këtë një kërkesë kundërrevolucionare, nacionalizëm shqiptar e t’i ngjitni plot epitete të tilla”.

Në një artikull tjetër të po kësaj gazete, të datës 23 prill 1981, nën titullin “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë?”, thuheshin edhe këto: “Shqipëria socialiste dhe gazeta ‘Zëri i popullit’ më parë se kushdo tjetër, kanë të drejtën të thonë fjalën e tyre për gjendjen në Kosovë, për vrasjet dhe torturat e egra që u bënë nga UDB dhe ushtria serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe nuk është hera e parë që në Kosovë bëhet një gjë e tillë. Historia nuk harrohet, ajo është e shkruar.

Nëpër fjalime të panumërta të udhëheqësve jugosllavë dhe të shtypit të tyre po bëhen kërcënime të hapura kundër shqiptarëve të Jugosllavisë për të ardhmen. Kjo është rrugë e rrezikshme. Prandaj ne nuk mund ta lëmë pa u thënë atyre, të mos sillen keq e me brutalitet ndaj popullsisë shqiptare, të tregohen gjakftohtë dhe të drejtë ndaj tyre, t’u vënë fre akteve barbare, të dënojnë rreptë ata që dhanë urdhër dhe qëlluan mbi masat e shqiptarëve, të stabilizojnë gjendjen shpirtërore, politike, ekonomike dhe të ndalojnë kasnecët serbo-kroato-sllovenë dhe lakenjtë e tyre shqiptarë në Kosovë që të shpifin dhe të sulmojnë Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe popullin shqiptar.

Harruat ju , zotëri udhëheqës jugosllav, si luftuat në Konferencën e Parisit për Triesten, Pulën, Rjekën etj.? Të drejtë kishit. Ne nuk ju quajtëm as ‘shovinistë’ as ‘irredentistë’. Por kur nuk ishit të tillë, përse nuk ju shkoi ndër mend që ekzistonte një popullatë shqiptare, e treta në Jugosllavi nga madhësia, e cila duhej të bashkohej me Shqipërinë, aleaten tuaj socialiste në Luftën Nacionalçlirimtare? Ju as statusin e krahinës autonome nuk ia dhatë Kosovës deri në vitin 1968. Pse presidenti Tito nuk e realizoi atë që i tha shokut Enver Hoxha, në bisedimet zyrtare që patën në vitin 1946, se ‘Kosova me viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe do t’ia kthejmë, por jo tash se aktualisht reaksioni serbomadh nuk do ta pranonte një gjë të tillë’?

Njëri pas tjetrit udhëheqësit jugosllavë deklarojnë se ‘Kosova nuk do të bëhet kurrë Republikë… se këtë nuk e lejon Serbia’. ‘Po të bëhet Kosova Republikë në kuadrin e Federatës, thonë ata, atëherë u shkatërrua Federata’. Ata e paraqesin çështjen sikur viset shqiptare janë ‘kyçi i murit’ që mban federatën. Këto ‘argumente’ nuk qëndrojnë as nga pikëpamja historike, as nga ajo ekonomike e juridike, as nga vetë përmbajtja e kushtetutës së Jugosllavisë, praktika e zbatuar me kombet e tjerë që përfshiheshin në Shtetin jugosllav. Por ata tregojnë se këto vise janë bërë plaçkë tregu dhe ata që sundojnë në Beograd vazhdojnë t’i konsiderojnë e trajtojnë si të tilla. ‘Republikën e Kosovës’ brenda Federatës jugosllave nuk e shpikëm ne, atë e kërkoi populli i Kosovës.

Ndryshime statusi nga krahinë në Republikë etj., janë çështje të brendshme të popujve të Jugosllavisë janë çështje të vetë popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi, i cili, në bazë të vetë Kushtetutës së Jugosllavisë, ka të drejtë t’i kërkojë. Jo vetëm që askush në Federatë s’ka të drejtë t’ua ndalojë shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi këto kërkesa, por ca më pak t’i sulmojë, t’i plagosë, t’i vrasë dhe t’i burgosë ata...

Edhe pse, më pas, u bë krahinë autonome, Kosova mbeti ekonomikisht më e varfra dhe politikisht më e lëna pas dore në sistemin ‘vetadministrues’. Në këto kushte, populli i Kosovës kërkoi statusin e Republikës në kuadrin e Federatës jugosllave...

Arsyet e vërteta të ngjarjeve në Kosovë udhëheqja jugosllave kërkon t’i fshehë. Ky qëndrim i saj është i mbarsur me rreziqe jo vetëm për popujt e Jugosllavisë, por edhe për Shqipërinë e popujt e tjerë të Ballkanit. Prandaj, ne nuk i fshehim mendimet tona dhe flasim hapur nga vijnë këto rreziqe”.

Gazeta “Bashkimi” e Tiranës, duke shkruar për regjistrimin e popullsisë që po bëhej siç e cilësonte “Liria”, “Nën hijen e tankeve”, mes tjerash në numrin e 10 prillit thekson: “Ky regjistrim bëhet në kushtet e një shtetrrethimi të egër, kur njerëzit nuk i lënë të takohen dy bashkë dhe kur asnjë i huaj nuk lejohet të shkojë në Kosovë. Në një gjendje të tillë shpirtërore rezultatet e këtij regjistrimi do të jenë të dyshimta...

Por presionet direkte ose indirekte, për t’i detyruar shqiptarët që banojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, Serbi e në qytete të ndryshme të Jugosllavisë, si dhe masën e madhe qindra mijëshe që ndodhet në emigracion për t’u regjistruar si turq, myslimanë, romë, jugosllavë janë veprime të dënueshme e të kota.

Çfarëdo manipulimesh e shtrembërimesh, çfarëdo rezultati që të dalë nga regjistrimet, shqiptarët nuk e ndryshojnë kombësinë e tyre, ata lindin dhe vdesin shqiptarë” .

Sintezën e qëndrimit zyrtar të Shqipërisë për çështjen e Kosovës më 1981, e paraqiti vetë Enver Hoxha në Kongresin e 8 të PPSH-së, i cili i zhvilloi punimet në javën e parë të muajt nëntor 1981 në Tiranë. Duke i trajtuar gjerësisht zhvillimet historike të atij viti në Kosovë, ai midis të tjerash tha: “Politika e Shqipërisë Socialiste ndaj Jugosllavisë ka qenë kurdoherë konstante, e pandryshuar në bazat dhe parimet e saj. Në qoftë se në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ka pasur ulje e ngritje, përmirësime e acarim, kjo ka ndodhur jo për fajin tonë, por për fajin e qarqeve drejtuese jugosllave.

Edhe keqësimi i tanishëm në marrëdhëniet midis RPS të Shqipërisë dhe RSF të Jugosllavisë është pasojë e veprimeve shoviniste të autoriteteve të Beogradit ndaj popullsisë së Kosovës dhe nxitjes nga ana e tyre të një fushate të re armiqësore kundër vendit tonë...

Problemi i shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre në Jugosllavi, nuk është problem i një ‘minoriteti’, i ardhur apo i vendosur diku në një zonë ‘vakuum’ si emigracion ekonomik, as i shkaktuar nga dyndja e Perandorisë Osmane dhe as nga rritja e natyrshme demografike e shqiptarëve që i shqetëson Maltusët e rinj serbomëdhenj. Shqiptarët në Jugosllavi përbëjnë një etni, një popull të formuar në shekuj, që ka historinë, gjuhën, kulturën e vet, një popull autokton, të cilin, siç dihet, e copëtuan dhe e shkëputën nga mëmëdheu i vet Fuqitë e Mëdha imperialiste dhe ia aneksuan Jugosllavisë. Këtë askush nuk mund ta fshehë. Çdo interpretim tjetër është arbitrar, është një falsifikim i rëndë e i dëmshëm i historisë...

Zgjidhja e gabuar e kësaj çështjeje të madhe e parimore filloi që në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist e Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë, mbajtur në Jajce në nëntor të vitit 1943, ku viset shqiptare në Jugosllavi u përdorën si një mjet për të rregulluar përmasat tokësore të popullsisë së republikave të Federatës, veçanërisht të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. E ardhmja e shqiptarëve të Jugosllavisë u vendos a priori nga lart, pa aprovimin dhe vetëvendosjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe pa as më të voglin konsultim me aleaten e popujve të Jugosllavisë, e interesuar drejtpërsëdrejti në këtë çështje, Shqipërinë popullore. Udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në kundërshtim me ‘politikën e barazisë nacionale’ të shpallur në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it, shkeli pa të drejtë vullnetin e shqiptarëve në Jugosllavi, të shprehur në mbledhjen themelvënëse të Konferencës së Parë të Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Metohinë, mbajtur në Bujan më 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944, që ishte në përputhje të plotë me të drejtën e ‘vetëvendosjes deri në shkëputje’ të popujve që përbënin Jugosllavinë dhe që ishte përcaktuar në dokumentet themelore të Partisë Komuniste e të Lëvizjes Nacionalçlirimtare jugosllave...

Pas luftës, në vitin 1946, një delegacion i vendit tonë, që kryesoja unë, bëri vizitën e parë zyrtare në Jugosllavi. Në bisedimet që u zhvilluan me këtë rast me Titon, ky kërkoi të dinte se ç’mendoja unë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Unë i shpreha mendimin e palës shqiptare se Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’i kthehen kësaj. Shqiptarët luftuan që të kenë një Shqipëri të lirë e sovrane, të cilës tani duhet t’i bashkohen edhe viset shqiptare të Jugosllavisë. Presidenti Tito u përgjigj: ‘Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë’. Ky premtim zyrtar i Titos për këtë problem të madh e parimor nuk u shoqërua me asnjë veprim të mëtejshëm nga ana e jugosllavëve. Çdo gjë ishte mashtrim nga ana e tyre...

Rënia në fatkeqësi e grupit serbomadh të Rankoviçit, në vitin 1966, e më vonë e grupit tjetër serbomadh të Nikeziqit, shënojnë periudhën e demagogjisë politike të titistëve ndaj Kosovës dhe kosovarëve. Nevoja për balancimin e forcave të ndryshme brenda Federatës, çoi në njëfarë rishikimi formal të statusit të Kosovës, e cila nga krahinë e thjeshtë e Serbisë, u emërtua krahinë ‘autonome’ e saj...

Ngjarjet që kanë ndodhur pas vdekjes së Titos, kanë treguar se sa gabim e në ç’rrugë antimarksiste ishte zgjidhur çështja nacionale në Jugosllavi dhe veçanërisht çështja e shqiptarëve. Kërkesave të tyre të ligjshme brenda Kushtetutës iu dha një grusht i rëndë dhe i përgjakshëm nga ana e udhëheqjes shoviniste serbe dhe të gjithë udhëheqjes jugosllave pas demonstratave që u bënë në Kosovë, në mars e prill të këtij viti. Tani, më shumë se kurdoherë tjetër, mbi kosovarët dhe mbi gjithë shqiptarët në Jugosllavi përveç gjendjes ekonomike të mjeruar, rëndon edhe shtypja e egër nacionale. Mbi ta është vendosur ligji i terrorit, është derdhur policia dhe ushtria serbe, burgjet janë mbushur plot me të rinj e të reja. Masat që janë marrë e po merren, shkojnë jo vetëm drejt zhdukjes së çdo të drejte të ligjshme të atyre pak përfitimeve që u dukën në zhvillimin e arsimit e të kulturës, por edhe drejt shkombëtarizimit të shqiptarëve në Jugosllavi. Dhe kjo bëhet nga ata që pretendojnë se respektojnë dokumentet e Konferencës së Helsinkit mbi liritë e të drejtat e njeriut. Opinioni botëror duhet të mos qëndrojë indiferent, por të alarmohet për këtë gjendje dramatike të popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Ç’kërkuan, në fund të fundit, shqiptarët në demonstrata masive që u zhvilluan në qytete e fshatra të ndryshme në Kosovë?

Shqiptarët në Jugosllavi më se një herë, me demonstrata paqësore dhe pa demonstrata, kanë kërkuar që gjendja e tyre kushtetuese, ekonomike dhe social-kulturore të ndreqej, të vihej në rrugë të drejtë brenda ligjeve të Federatës, ata kërkuan të kenë statusin e republikës brenda RSFJ-së. Ata nuk kërkuan as shkëputjen nga Federata, as bashkimin me Shqipërinë. Por kërkesave të drejta e të ligjshme të studentëve, punëtorëve, fshatarëve e intelektualëve kosovarë as ua vuri veshin kush. Jo vetëm kaq, por ata, si edhe herë të tjera kur kanë paraqitur kërkesa të tilla të ligjshme e të drejta, u cilësuan si nacionalistë, u persekutuan dhe u mbytën në gjak.

Por a mund të zgjidhen kështu problemet në kohën tonë? Kurrsesi. Është e pamundur të mbahet në varfëri e mjerim një popull, toka e të cilit është e begatë dhe grabitet nga të tjerët. Është e pamundur të mbash nën frikën e tankeve e të bajonetave një popull trim si shqiptarët. Është e pamundur të shtrembërosh ose ta zhdukësh historinë dhe kulturën e tij të lashtë. Është e pamundur t’ia zhdukësh ndjenjën patriotike dhe dashurinë për mëmëdheun.

Po të ecet në rrugën që ka zgjedhur dhe po ndjek udhëheqja e sotme jugosllave, kundërshtimet e shqiptarëve do të vazhdojnë, do të rriten dhe do të acarohen akoma më shumë. Vetëm një zgjidhje e menduar mirë e çështjes nacionale, pa pasione nga të dy palët, një zgjidhje që të pranohet e të aprovohet nga populli i Kosovës, e likuidon këtë situatë shumë të ndërlikuar, të cilën e kanë krijuar jo kosovarët, por shovinizmi serbomadh. Kosovarët dhanë zgjidhjen më të drejtë e më të përshtatshme në këto situata të vështira për Jugosllavinë dhe për veten e tyre. Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e Republikës brenda Federatës është një kërkesë e drejtë, ajo nuk cenon ekzistencën e Federatës. Krerët serbë e jugosllavë, në vend që të arsyetonin, dërguan tanket, gjakosën popullin dhe tash po zhvillojnë në shkallë të gjerë të famshmin diferencim, domethënë hetimin policor: kush ishte pro e kush kundër demonstratave. Kjo mënyrë veprimi, më parë me terror, pastaj gjoja me ‘diferencim’, do të thotë të përpiqesh të frikësosh masat, që nuk frikësohen, të zhdukësh patriotizmin, që nuk zhduket, të kesh iluzionin se ke qetësuar gjendjen, por ke ngjallur mërinë dhe zemërimin, të mendosh se ke sjellë ‘njerëz të besuar’ në pushtet, të cilin e ke spastruar nga ‘nacionalistët’ etj., por ke hedhur gjithë popullin në rezistencë të heshtur, që nesër më me forcë do ta ngrejë zërin kundër mizorive që po i bëhen. Këtë situatë s’duan ta kuptojnë udhëheqësit jugosllavë.

Pse ne i themi hapur këto të vërteta dhe kërkojmë që problemi i Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve në Jugosllavi, i zgjidhur gabim, të ristudiohet me gjakftohtësi dhe të mos shkohet në dhunë e terror, pse kërkojmë t’u jepet fund persekutimeve dhe të lirohen nga burgjet djemtë e vajzat kosovare, RPSSH e akuzojnë se ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë, bile atë e akuzojnë se nxit turbullirat në Kosovë e gjetkë!...”.

“Liria” nga ana e saj, për Kongresin shkruante: “Në kongres u tha edhe një herë qartë se Shqipëria dëshiron të ketë lidhje e marrëdhënie të mira, me të gjitha ato vende që ia duan të mirën asaj dhe kanë një qëndrim korrekt në këto marrëdhënie. Nga këto parime Shqipëria është udhëhequr edhe në marrëdhëniet me Jugosllavinë. Por udhëheqja jugosllave siç po duket e shtrënguar nga klani serbomadh, që shumë nga frenat e qerres udhëheqëse jugosllave, i ka futur në dorë, në përpjekje për të gjetur një fajtor të paqenë, jashtë Jugosllavisë, për gjendjen serioze të krijuar në Kosovë, akuzoi Shqipërinë për gjoja ndërhyrje në punë të brendshme të Jugosllavisë, për nxitjen e demonstratave masive në Kosovë etj., etj.”.

Udhëheqja e Kosovës, e thoshte me shqetësim që përpjekjet e një jave që ajo po bënte kundër armikut, “Zëri i Popullit” i rrënonte përtokë me një artikull. Në Mbledhjen e 87 të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 13 prill 1981 Xhavit Nimani thoshte: “Tani ka dukuri që shikohet shumë TV-ja, bile edhe incizohet në kaseta ai artikulli i ‘Zërit të Popullit’ që të dëgjohet nëpër oda...”.

Në shërbim të çështjes së Kosovës në Shqipëri u vu edhe inteligjencia e madje edhe artistët, si rapsodia e njohur, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa etj. Gazetari i “Zërit të Popullit” atëherë, Bedri Islami, më vonë kujton: “Shteti Shqiptar...hodhi në veprim, nëse mund të thuhet kështu, ata që kishin një reputacion të gjerë në Kosovë, si mjeshtër të mendimit shkencor, si njerëz të shquar të pendës, figura mitike si Çabej apo Buda, Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostollari, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo, Luan Omari, Kadare, Agolli, Arapi, Pollo, Jorgaqi, Jakov Xoxe. Ndërsa nuk heshti polemika zyrtare nga ana e shtetit shqiptar, njëkohësisht angazhohet tërë fuqia intelektuale e vendit, në formë institucionale dhe individuale, që nga zyrat më të larta të shtetit dhe deri te gazetat më periferike. Radiotelevizioni i Shqipërisë dhe gazeta ‘Zëri i Popullit’ mbajtën barrën më të madhe. Përballë kryqëzatës serbe, e cila përgjithësisht dhe kryesisht ishte përqendruar te figurat politike në të gjashtë republikat dhe në dy krahinat e atëhershme, dolën autoritetet më të larta të mendimit dhe këto ishin shumë më të besueshme sesa të gjithë politikanët në Prishtinë apo në Beograd. Ata ishin më të besuar jo vetëm në Shqipërinë londineze, por edhe në Kosovë”.

Diplomatë të shumtë shqiptarë nëpër botë, përpiqeshin t’i informonin dhe të ndikonin te kolegët e vet ndërkombëtarë, për avancimin e çështjes së Kosovës. Duke kujtuar demonstratat e vitit 1981, kur ishte në shërbim në Beograd, njëri nga diplomatët shqiptarë, mes tjerash shkruan: “Në atë kohë si ju edhe ne nuk mund të shpreheshim haptas për problemin; ju për shkak të UDB-së dhe unë për shkak të statusit të diplomatit. Porosia kryesore që na vinte nga Tirana atëherë ishte kujdesi për të mos u cilësuar ne, Ambasada e Shqipërisë, si nxitëse e ngjarjeve të Kosovës ‘81. Prandaj, edhe qëndrimi ynë në atë kohë ka qenë tepër i matur. Pas kaq kohe mund ta them se unë vetë në disa raste nuk i jam përmbajtur porosive të qendrës”.

Qëndrimi parimor dhe zyrtar i Shqipërisë kishte efekte të shumanshme afirmative e pozitive dhe shtoi respektin e dashurinë e kosovarëve ndaj saj.

Sytë e zemrat e rinisë së Kosovës ishin kthyer nga Shqipëria dhe jo nga udhëheqja e vendit që me vehemencë e luftonte dhe e fyente. “Roli i Shqipërisë në ato ngjarje ka qenë i madh dhe shumëdimensional. Shqipëria e ka mbajtur gjallë frymën liridashëse në Kosovë”

Shqipëria e vitit 1981 nuk i kishte organizuar demonstratat në Kosovë, siç e akuzonin autoritetet e Beogradit dhe të Prishtinës, por ndikimi i saj për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët nën Jugosllavi ishte shumë i madh. Tirana i mbrojti kërkesat e demonstruesve me kaçikun që kishte dhe shpërndau të vërtetën për Kosovën në tërë botën.

Më vonë u pa që Shqipëria kishte hartuar edhe plane ushtarake të ndërhyrjes në Kosovë, në rast të shkallëzimit të dhunës e terrorit jugosllav mbi shqiptarët, pavarësisht raporteve dhe koniunkturave të pafavorshme ndërkombëtare të kohës dhe fuqisë së saj ushtarake.

Mesazhet që merrte OMLK nga Tirana më 1979 se nuk ka “ne” dhe “ju”, por të gjithë bashkë do të luftojmë për çështjen e Kosovës, duket të jenë thënë seriozisht dhe me përgjegjësi. Duke qenë mirë i informuar për gjendjen në Kosovë, për situatat shpërthyese që e prisnin atë dhe për planet që po thureshin nga qarqet shoviniste serbe kundër Kosovës, por edhe kundër Shqipërisë, pas vdekjes së Titos, Enver Hoxha mendonte se kishte ardhur çasti historik i mbrojtjes së kombit me sulm. Bedri Islami, njohës i mirë i rrethanave të atëhershme në Shqipëri ka shkruar: “Fjala është për planin sekret ‘Shpërthimi’, i cili përfshinte në vete një seri operacionesh, në rast të një lufte për Kosovën dhe në Kosovë. Ky plan, që ka qenë tejet sekret dhe për të cilin kanë ditur fare pak vetë, është pëshpëritur për herë të parë, nga agjencitë e huaja, menjëherë pas ngjarjeve të marsit 1981 në Kosovë, pastaj është heshtur për shumë vite dhe është zgjuar, i detajuar, në kohët e fundit...’Zgjimin’ e tij e bëri njëri ndër hartuesit kryesorë, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj. Në një intervistë të gjatë të tij, për gazetën ‘Shekulli’ të Tiranës, dt. 21 janar 2006, për herë të parë, ai bëri të njohur origjinën e këtij plani sekret, hartuesit e tij, urdhrin e dhënë drejtpërsëdrejti nga Enver Hoxha, dhe seriozitetin me të cilin ishte marrë ai plan”.

(VIJON ...)

(Fusnotat janë hequr)


________________

MEHMET HAJRIZI: ROLI I LËVIZJES DHE QËNDRIMI I ZYRTARËVE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (19)

http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9106


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks