SHKRIMI
e hënë, 06 prill 2020

MEHMET HAJRIZI: JEHONA E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË BOTË (22)

Pashtriku, 25 nëntor 2019:

4.9 Jehona e demonstratave në botë


Demonstratat patën një jehonë dhe pasqyrim të gjerë gjithandej në botën demokratike, madje më shumë seç ishte pritur. Shtypi botëror përgjithësisht demonstratat i cilësoi si një kryengritje paqësore të masave të shtypura e të robëruara. Për herë të parë Kosova zinte vend në shtyllat kryesore të gazetave më prestigjioze në botë, duke përhapur në opinionin publik ndërkombëtar të vërtetën e çështjes së saj.

Duke iu referuar revistës “Liria” nr. 3, maj 1981, publikimeve të tjera të saj dhe përmbledhjes me titull “Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë”, të botuar më 1981 nga Shtëpia Botuese “8 Nëntori” në Tiranë, le të kujtojmë me një pasqyrë fare të shkurtër shkrimet në shtypin botëror për Kosovën fill pas demonstratave.

Gazeta gjermano-perëndimore “Frankfurter Algemaine” e datës 9 prill 1981, ndër të tjera shkruante: “Kur u vjen uji deri në fyt diktaturat fashiste të Amerikës Latine dhe vetadministrimi jugosllav reagojnë siç duket në mënyrë bukur të ngjashme. Gjëja e parë është fajësimi i armikut të jashtëm”. E njëjta gazetë, më 13 prill nga pena e Viktor Majer shkruan: “Me një lumë fjalimesh të funksionarëve, gjatë dy javëve të fundit udhëheqja jugosllave po tenton që ngjarjet e dhembshme që ndodhën në Kosovë, të banuar kryesisht nga shqiptarët, t’i paraqesë sipas kokës së vet”. Kurse në numrin e datës 30 prill kjo gazetë shkruante: “...Në kritikën e gazetave thuhet se shtypi jugosllav u pengua nga qarqet zyrtare të politikës informative që të shkruajë për përmasat e vërteta të revoltës së shqiptarëve. Politika informative në përgjithësi ndjek një rrugë të dyshimtë”. Kjo gazetë më 27 prill vazhdonte: “ Turbullirat në Kosovë ishin më të ashpra dhe me përmasa më të mëdha sesa jepen zyrtarisht. Ndërmjet datës 1 dhe 4 prill nuk mbeti asnjë zonë e krahinës pa bërë në forma të ndryshme, demonstrata e greva... Të gjithë vrojtuesit vërtetojnë se demonstratat e shqiptarëve, pavarësisht karakterit nacional, nuk janë të drejtuara kundër pakicës serbe”. “Zëri i Popullit” më 21 maj 1981 sjell këtë vlerësim të shkurtër e të saktë të Viktor Majerit: “Kurrkush nuk mund të mos mendojë se pas ngjarjeve në Kosovë, Jugosllavia nuk është më ajo që ishte. Është shtruar çështja e reputacionit dhe e stabilitetit të shtetit dhe të regjimit të saj”.

Gazeta suedeze, “Zundsvalstinding” në një artikull me titull “Ngjarjet në Kosovë shqetësojnë shumë udhëheqësit e Beogradit” mes tjerash thekson: “Demonstratat u përhapën në gjithë Krahinën, ku pjesën më të madhe të popullsisë e përbëjnë shqiptarët. Demonstruesit kritikonin shtypjen që u bëhet shqiptarëve në Jugosllavi. Ata kërkonin liri fjale e shtypi si dhe Krahina e Kosovës të shpallet Republikë. Kosova që është zona më e varfër e vendit, është krahinë autonome, por që bën pjesë në republikën më të madhe jugosllave, në atë të Serbisë. Autoritetet jugosllave i quajtën demonstruesit nacionalistë, separatistë dhe kundërrevolucionarë. Papunësia në Kosovë është shumë e madhe. Produktiviteti dhe rrogat janë më të ulëtat në gjithë Jugosllavinë. Qarqet zyrtare vazhdojnë t’i shpjegojnë turbullirat dhe demonstratat e Kosovës si veprime të kryera prej grupesh të ndryshme nacionaliste dhe theksojnë se çdo shenjë e nacionalizmit do të dënohet rëndë. Megjithatë, kërkesa e shqiptarëve të Kosovës për Republikë duhet të shikohet nga autoritetet e larta jugosllave në atë mënyrë që të zgjidhet drejt”. Një tjetër organ shtypi i këtij vendi, me titull “Aftenbladet” konstaton: “Problemi shqiptar në këtë krahinë dhe në zona të tjera të Jugosllavisë mbetet i pazgjidhur, problem i cili ishte mjaft shqetësues edhe në vitin 1968”. Gazeta amerikane “Nju-Jork Tajms” e 27 prillit 1981 pyet: “Shteti federativ i Jugosllavisë tashmë ka gjashtë republika; çfarë ndryshimi do të sillte edhe një republikë më shumë? Pse Kosova të mos jetë republikë, kur 85% të banorëve të saj (1.5 milion) janë shqiptarë etnikë”? Ngjashëm shkruan edhe gazeta tjetër amerikane “Herald Tribjun” e datës 28 prill. Gazeta greke “Tovina”, në mënyrë profetike parashikonte: “ Nuk duhet ta pakësojmë rëndësinë e ngjarjeve që po ndodhin prej shumë javësh në rajonin autonom të Kosovës në kufi me Shqipërinë, edhe në qoftë se kriza mbytet. Fakt është se autoritetet jugosllave nuk i kursejnë mjetet e tyre mbytëse. Këto telashe përbëjnë paralajmërim serioz”. Ndërkaq gazeta zvicerane “ Noye Cyher” e 25 prillit shkruan: “Pakënaqësia e shqiptarëve në Kosovë nuk shprehet vetëm nga grupet më militante shqiptare, të cilat kërkojnë një republikë shqiptare në Kosovë, por ajo shtrihet edhe në 300 mijë vetë që banojnë në Maqedoni e 50 mijë të tjerë në Mal të Zi”. Në një varg gazetash gjermane ishte botuar artikulli i korrespondentit gjerman në Vjenë, Volfgang Liman, me titull: “Qetësi varri në Kosovë”, në të cilin thuhej: “Kosova e ndien veten të shtypur nga Shteti Jugosllav. Kjo është e qartë. Rritja e prodhimit shoqëror në fund të viteve 1970 ishte sa gjysma e mesatares së federatës. Më 1978 për çdo 1000 banorë në Kosovë ishin të punësuar vetëm 107, ndërsa mesatarja e Jugosllavisë ishte 254. Nga ana tjetër, Kosova është e pasur me lëndë të para dhe ka një industri të mirë nxjerrëse, por i mungon industria përpunuese. Në Serbinë mbretërore dhe në Jugosllavinë e paraluftës, shqiptarët shtypeshin, por shtypja vazhdon edhe në Jugosllavinë e sotme, pavarësisht nga parullat e vëllazërim-bashkimit”. Gazeta gjermanoperëndimore “Zyd Kurir”, në një shkrim të saj përfundonte: “Edhe sikur turbullirat e fundit të jenë vënë nën kontroll, Beogradi duhet të gjejë një zgjidhje politike, e cila për Kosovën ka qenë e domosdoshme”. Ndërkaq, gazeta “Avoi” e Barcelonës theksonte: “Kosova është rajoni më i prapambetur në Jugosllavi dhe gati në gjithë Evropën. Shqiptarët që banojnë aty konsiderohen qytetarë të dorës së dytë...”. Kurse “Korriere della sera” italiane, duke folur për shkaqet e ngjarjeve, Kosovën e cilëson rajonin më të prapambetur në Jugosllavi. Gazeta amerikane “Herald Tribjun” shkruante: “ Kosova, në Jugosllavinë e botës së tretë, është pjesa më e varfër, me një hendek që rritet mes varfërisë dhe luksit relativ, të republikës më të pasur, Sllovenisë”. “Kurir” e Austrisë më 22 prill shkruante për lajmet kontradiktore nga Kosova dhe vë në pah gënjeshtrat zyrtare për ngjarjet e prillit.

Gazeta daneze “Socialistik daglad”, më 29 prill 1981 në artikullin me titull: “Lufta në Kosovë synon shpalljen e Republikës”, thotë: “Demonstratat janë rezultat i përpjekjeve shoviniste të organeve zyrtare Jugosllave dhe të serbëve për të ushtruar kontrollin dhe forcën e tyre në këtë krahinë”. Ehris Suitch, analist i “Ekonomist” it anglez, në një bisedë në radion angleze më 7 maj 1981 thoshte: “Unë mendoj se pakënaqësia më e madhe është pakënaqësia kombëtare. Shqiptarët e Jugosllavisë, të cilët jetojnë kryesisht në Kosovë, në një krahinë autonome në Republikën e Serbisë, tani duan të kenë një republikë më vete me statusin e republikave të tjera. Në Jugosllavi jetojnë më shumë shqiptarë sesa malazezë, megjithatë malazezët kanë një republikë më vete ndërsa shqiptarët e Kosovës jo”. “Noje Zyriher Cajtung” e Zvicrës, më 12 maj 1981 pos tjerash shkruante edhe këto: “Politika e Tiranës qysh nga viti 1946 ka qenë konstante. Shqiptarët nuk duan të ndërhyjnë në punët e brendshme të Jugosllavisë, por u përmbahen qëndrimeve parimore. Në vend të parë qëndron kërkesa që shqiptarët në Jugosllavi duhet të kenë të gjitha të drejtat që kanë qytetarët e tjerë. Më tutje, problemi i Kosovës është një problem i popullit të Kosovës. Në të drejtat kombëtare, në vend të parë qëndron natyrisht e drejta për të fituar statusin e një republike, sepse vetëm kështu njihen shqiptarët si komb brenda Federatës Jugosllave. Sipas kushtetutës së tanishme ata shikohen si kombësi në atë shkallë që shikohen hungarezët në Vojvodinë dhe në zona kufitare të Kroacisë e Sllovenisë. Në argumentimin e tyre shqiptarëve u vjen në ndihmë fakti që afërsisht 2 milionë shqiptarë janë më shumë se malazeztë, maqedonasit, dhe pas regjistrimit të fundit, ndoshta edhe më shumë se sllovenët. Hungarezët në Vojvodinë kundrejt serbëve janë një minoritet, ndërsa në Kosovë pjesa e popullsisë shqiptare zë 75 për qind të banorëve... është për t’u dyshuar nëse problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm me masa policore dhe dënime” Më 19 maj po kjo gazetë shkruante: “Problemet që i dalin udhëheqjes Jugosllave nga turbullirat që po vazhdojnë në Kosovë qysh prej dy muajsh, nga dita në ditë po bëhen më të mëdha... Zëra të kundërta këtu thonë se ministri i Punëve të Brendshme Herljeviq përfaqëson grupin që është për një politikë të ‘dorës së fortë’ ndaj kosovarëve”.

Në një koment të “ Frankfurter Algemajne” shkruan se në Kosovë “ është krijuar një rreth vicioz. Se si udhëheqja e Beogradit do ta çajë atë, është e zorshme të thuhet. Ajo nuk do t’u premtojë shqiptarëve një republikë më vete në Federatën Jugosllave, nga frika e separatizmit. Por mohimi i statusit të Republikës për këtë vend mund të krijojë separatizmin. Shumë do të fitohej në rast se udhëheqja e partisë tani nuk do të përdorte policinë dhe dënimet si faktorin e rëndësishëm të zgjidhjes për Kosovën. Një paqe e vazhdueshme atje do të jetë e vështirë të vendoset pa zbatimin e një politike largpamëse e pajtuese”.

Gazeta amerikane “ Krisçën sajëns monitër” e datës 21 maj 1981 shkruante: “Dhe zyrtarët e Beogradit, të ndodhur nën presionin e lobit të fortë serb, pretendojnë se bërja e Kosovës Republikë mund të çojë në shkatërrimin e gjithë federatës dhe konceptit të vetadministrimit. Të tjerët argumentojnë se kjo do të forconte sistemin, duke shërbyer si një përfundim logjik i procesit. Ata shtojnë se shpejt ose vonë do të provohet se statusi i republikës është e vetmja zgjidhje jo vetëm për ruajtjen e paqes në Kosovë, por gjithashtu për të ruajtur sigurimin në një zonë të ndjeshme të Ballkanit”. Gazeta meksikane “Uno mas uno” e 21 majit shkruante: “Manifestimet e protestës në Prishtinë, kryeqytet i Krahinës Autonome të Kosovës, janë pa dyshim shprehje e pakënaqësisë që ekziston atje për qëndrimet që mban qeveria qendrore e Jugosllavisë përballë aspiratave kombëtare të popullatës me origjinë shqiptare, që përbën shumicën në këtë territor...As politika shtypëse, as veprimet drakoniane, si mbyllja e Universitetit të Prishtinës, i cilësuar si qendër e manifestimeve të djeshme, nuk janë rrugët më të përshtatshme për të zgjidhur problemet...”. Ndërkaq gazeta prestigjioze angleze “The Times” e datës 20 maj, duke shkruar për terrorin në Kosovë, theksonte: “Trupat dhe policia u dyndën në Kosovë nga të gjitha anët e vendit për të treguar shqetësimin e gjithë Jugosllavisë për çka po ndodhte atje. Por autoritetet po gjejnë akoma një rezistencë të madhe. Të dhënat zyrtare flasin për disa qindra të arrestuar dhe për më shumë se 100 veta që presin të dalin përpara gjyqit për akuza të rënda, por numri i tyre rritet çdo ditë, ashtu si dhe numri i të përjashtuarve nga shkollat dhe universiteti...”. “Di Prese” e Austrisë, më 20 maj shkruante: “Po shikohet me preokupim të madh fakti që gjendja në Kosovë nuk është qetësuar, me gjithë ndërhyrjen e forcave të sigurimit nga tërë Jugosllavia. Kompleksiteti i problemeve me të cilat është e lidhur kjo ngjarje e vë udhëheqjen jugosllave para detyrave jashtëzakonisht të vështira”. Gazeta turke “Hyrjet”, më 21 maj shkroi: “Me kërkesën për Republikë, mijëra studentë demonstruan përsëri në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Si rezultat i saj dhe i demonstratave të mëparshme u vendos mbyllja e këtij universiteti. Në një artikull të botuar nga gazeta ‘Zëri i Popullit’ e Shqipërisë, më 17 maj, thuhet se kërkesa për të shpallur Kosovën republikë është një kërkesë e drejtë. Në këtë artikull hidhen poshtë pretendimet e qeverisë jugosllave për ndërhyrje të Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë. “Zëri i Popullit” bën thirrje që për stabilizimin e gjendjes në Kosovë duhet të tërhiqet menjëherë ushtria serbe nga Kosova”. Gazeta greke “To Vima” e datës 17 maj, shkruan: “ Dy muaj pas shpërthimit të trazirave në Kosovë, çështja e kësaj krahine autonome të Jugosllavisë të banuar në pjesën dërrmuese nga shqiptarët, në vend që të zbutet, po zhvillohet në përmasa të reja në thellësi dhe hapësirë. Në thellësi, pasi nga pala jugosllave tashmë po ndihet se ngjarjet, para së gjithash, i kanë rrënjët e tyre në problemet kombëtare dhe ekonomike të popullsisë shqiptare vendase. Në hapësirë, pasi përsëri nga pala jugosllave nuk lokalizohen ngjarjet si problem i brendshëm vetëm i krahinës autonome, por po shtrihen edhe si problem i marrëdhënieve ndërshtetërore të Jugosllavisë me Shqipërinë...

Gazeta “Vanguardia Obrera” e Spanjës në prill 1981 shkruante: “Kosova, krahinë autonome e Jugosllavisë, ka qenë këto ditë skenë e demonstratave të mëdha popullore. E gjithë krahina ndodhet në gjendje shtetrrethimi, kurse qytetet janë rrethuar nga forca ushtarake.

Kosova, krahinë shumë e pasur në minerale, është sot krahina më e prapambetur e Jugosllavisë. Në të njëjtën kohë, populli i kësaj krahine i nënshtrohet shtypjes së borgjezisë së re jugosllave, e cila shkel të drejtat e tij kombëtare. Në shumë raste historia e popullit të Kosovës dëshmon se kjo shtypje ka marrë format dhe përmasat e një gjenocidi të vërtetë, siç ka ndodhur në periudhën kur krimineli Rankoviq ishte ministër i Brendshëm.

Kundër këtij shfrytëzimi, kundër kësaj shtypjeje është ngritur këto ditë populli shqiptar i Kosovës, të drejtat e të cilit merren nëpër këmbë në një shtet që e quan veten ‘socialist’. Lufta e popullit të Kosovës për të drejtat e tij kundër atyre që e shfrytëzojnë dhe e shtypin është një luftë e drejtë që meriton përkrahjen e popujve të Evropës dhe të mbarë botës, si dhe të proletariatit botëror”.





Ndërkaq gazeta turke “Baresh” e datës 6 qershor, pasi shkruan për politikën serbe të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta, vazhdon: “...Por dihet se shqiptarët janë kombi më i vjetër në Ballkan dhe në Evropë. Ata janë në tokat e tyre autoktone dhe nuk mund të largohen prej andej...Shqiptarët nuk u larguan nga tokat, po humbën të drejtën e gjuhës, të drejtat kombëtare etj., se serbët nuk ua dhanë duke u përpjekur t’i kthenin ata në robër. Bile edhe ajo që quhet autonomi e sotme e tyre është në fakt një gënjeshtër dhe jo reale...Udhëheqja jugosllave për zgjidhjen e problemit të Kosovës po përdor forcën dhe jo rrugën e koncesioneve”. Gazeta italiane “Il Manifesto”, e datës 5 qershor theksonte: “Një luftë sa e përgjakshme aq edhe e egër vazhdon tashmë prej muajsh në Kosovë, në Jugosllavinë e Jugut. Është një luftë që i ka rrënjët thellë në një gjendje varfërie e prapambetjeje dridhëse, më shumë se në inspirime nacionale të shtypura e të mbytura, një luftë, që, përveç të vrarëve e të plagosurve, mbart me vete shpërnguljet, burgimet në masë, torturat...Nga burime të besueshme flitet për tortura e trajtime çnjerëzore... flitet edhe për ekzekutime pa gjyq...”.

Gazeta amerikane “Boston Globe” e 18 qershorit 1981, pasi konstaton se më 1913 Fuqitë e Mëdha e bënë Shqipërinë të pavarur por ia dorëzuan Kosovën monarkisë serbe, se Kosova është një metaforë për forcat centrifugale të historisë, gjuhës, fesë, kulturës dhe zhvillimit ekonomik, me të cilat do të ndeshet vazhdimisht Jugosllavia si një federatë e krahinave të fuqishme e të ndryshme nën një qeveri qendrore të dobët, përfundon në mënyrë profetike: “Kosova është bota e tretë e vogël e Jugosllavisë: e varfër, krenare, e fyer dhe e padurueshme. Mënyra se si do t’ia dalin mbanë pasuesit e Titos kësaj çështjeje do t‘i tregojë shumë botës mbi të ardhmen e Jugosllavisë”.

Gazeta franceze “Figaro” e 30 qershorit, në një artikull për Kosovën prekte qëllimin themelor programatik të demonstratave: “Popullsia e saj shpresonte dhe parashikonte një Republikë të Kosovës, të pavarur dhe të barabartë me republikat e tjera jugosllave. Që nga kjo kohë është shënuar në këtë krahinë lindja dhe rritja e një korrenti të favorshëm për pavarësi”.

Radio Tirana, në emisione të saj të gjata që përsëriteshin disa herë gjatë ditës, sillte pasqyrë të gjerë të trajtimit të temës së Kosovës në mediat ndërkombëtare.

“Korriere della sera”, gazetë e njohur italiane, duke folur mbi shkaqet e ndërhyrjes në Kosovë, atë e cilëson si krahina më e prapambetur në Jugosllavi, kurse dhjetëra organe të tjera të shtypit botëror e cilësojnë Kosovën si “Shtëpia më e varfër në Evropë”...

“Nëse keni lexuar përrallat mbi Kosovën, për gjendjen e shkëlqyer e të mrekullueshme”, shkruante gazeta e njohur turke “Xhumhuriet”, “sot nuk do të besoni. Realiteti nuk është i tillë. Në vitin 1953 buxheti i Jugosllavisë ishte 5,6 miliardë dollarë, dhe nga ato Kosova kishte 2,1 për qind, Sllovenia 16,3 për qind, Kroacia 26 për qind etj. Në vitin 1978, kur ky buxhet u shtua tri herë, sasia që iu dha Kosovës ishte 1. 9 për qind, Sllovenisë 16,9 për qind, Kroacisë 26,8 për qind”.

Ndërsa gazeta franceze “Lë zhurnal” shkruante: “Kosova është shumë e prapambetur, sidomos në krahasim me rajonet e tjera të Jugosllavisë”. “Jugosllavia u solli fare pak ndryshime shqiptarëve në Jugosllavi. Natyrisht se ajo bën pjesë si provincë autonome brenda Republikës Serbe, por gjendja e shqiptarëve mbetet e pasigurt, sepse politika e vjetër e dominimit serb vazhdon”, thekson nga ana e saj gazeta tjetër franceze “Lë kurie dë Pari”.

Shumë gazeta theksojnë në mënyrë të posaçme se Kosova, megjithëqë ka burime, pasuri minerare, këto pasuri nuk përdoren për zhvillimin e saj.

“Kosova e pasur me krom, hekur-nikel, magnezium, energji elektrike etj.”, shkruan një gazetë tjetër turke, “ka investime shumë më të ulëta”.

Nga ana e saj, gazeta greke “Kapoiolo matini” shkruante: Kosova do të mund të ishte një krahinë e pasur me industri të zhvilluar. Më se gjysma e shtresave të qymyrgurit gjenden këtu, si dhe shumë lëndë të para të magneziumit, nikelit dhe zinkut. Vetëm nga eksporti i metaleve çdo vit merren 218 milionë dollarë, por fitimet i mbledh Beogradi. Kosova që nuk ka industri furnizon me lëndë të para republikat më të privilegjuara”.

Po në këtë mënyrë shprehej edhe gazeta austriake “Nojes Folksblat” kur shkruan se Krahina disponon vendburime të shumta, por është edhe krahina më e prapambetur e Jugosllavisë”.

Gazeta gjermano-perëndimore “Di Velt” vë në dukje: “Kosova është e rëndësishme për Jugosllavinë si bazë e lëndëve të para, para së gjithash me metale të çmuara”.

Duke komentuar gjendjen në Kosovë, shtypi botëror vinte në pah plagët e shumta nga të cilat vuante populli shqiptar, si papunësia, kushtet e rënda të jetesës, niveli i ulët i të ardhurave, emigracioni i detyruar ekonomik, diskriminimi etj.

“Shqiptarët,” shkruan gazeta amerikane “Njuz Herald”, “janë keqtrajtuar vazhdimisht në Jugosllavi, ku dominues të vërtetë janë serbët”. “Berliner Morgenpost” e 8 prillit thekson faktin: “Pa marrë parasysh që popullsia serbe në Kosovë është në pakicë, me përkrahjen e Qeverisë jugosllave ajo ka jetuar atje si forcë koloniale, e cila pretendimet e veta i fsheh me mundim nëpërmjet ‘argumenteve historike’. Pas vitit 1945 u dëbuan një gjysmë milioni shqiptarë nga atdheu i tyre, të detyruar të shpërngulen në Turqi. Afër 72 000 shqiptarë vdiqën”.

Më 2 prill, radio e Berlinit Perëndimor transmeton: “Këto demonstrata e përleshje kanë arsyet e veta sociale. Ato i filluan studentet e Universitetit të Prishtinës për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe të ushqimit. Mendojnë t’i quajnë ‘lëvizje shoviniste shqiptare’, por duhet pasur parasysh se këto bëhen për shkak të kushteve jo të mira sociale që ekzistojnë në këtë krahinë autonome kundrejt republikave të tjera. Këto turbullira jepen si pasojë e problemeve që ekzistojnë në mes të popullatës së kësaj krahine, që banohet kryesisht nga shqiptarët, por këta nuk kanë plotësisht të drejtat e trajtimit si të tjerët. Këto lëvizje nuk i pëlqyen administratës qendrore, prandaj intervenuan. Shqiptarët në Kosovë duan zhvillimin si të gjithë kombësitë e tjera të këtij vendi, prandaj këtu, në këtë Krahinë, ka rritje të ndjenjave shqiptare”.

Gazeta austriake “AC Tagesblat fyr Oesterrajh” e datës 16 prill vë në dukje: “Papunësia në masë e shqiptarëve bën që shumë prej tyre të emigrojnë në qytete serbe, ku ata bëjnë punët më të përbuzura”. Shtypi botëror në anën tjetër vinte në dukje se Kosova ishte gjithashtu vendi i shtypjes kombëtare dhe i mungesës së lirive demokratike.

Gazeta gjermano-perëndimore “Di Velt” shkruante: Udhëheqja jugosllave në Kosovë ndodhet tani në dilemë pothuajse të pazgjidhshme: t’u japë apo jo shqiptarëve të gjitha të drejtat, duke përfshirë edhe të drejtën e vetëvendosjes, gjë e cila nga Jugosllavia përkrahet për çdo popull të Afrikës. Ndërsa gazeta italiane “Republika” nga ana e saj shkruante: ”Në të vërtetë midis parullave që u hodhën në demonstratë kishte edhe thjesht politike: liri shtypi, pjesëmarrje më të madhe të studentëve në drejtimin e universitetit, rishikim të sistemit elektoral dhe mbi të gjitha kthimin e Krahinës së Kosovës në Republikë. Krijimi i Republikës së Kosovës është kërkuar për herë të parë më 1974, kur u fol për Kushtetutën e re jugosllave. Në atë kohë shumë intelektualë dhe mjaft funksionarë të Krahinës u shprehën në favor të Republikës dhe, pasi u hodh poshtë kërkesa e tyre, ata hoqën dorë ose u detyruan të heqin dorë. Krahina është ndër më të prapambeturat e Jugosllavisë”.

Revista e Gjermanisë Perëndimore, ”Der Shpigel” ndër të tjera i bënte këto paraqitje gjendjes në Kosovë: “Më 1966 Beogradi zbuloi se çfarë krimesh ishin bërë ndaj shqiptarëve. Policia e fshehtë, nën udhëheqjen e serbomadhit Rankoviq kishte vrarë mijëra shqiptarë. Shtypi i partisë atëherë tha: ‘Edhe vetë sulltanëve turq dhe mbretërve serbë e malazezë nuk mund t’u shkonin në mend krime më të tmerrshme’. Megjithatë, edhe më vonë pak ndryshoi. Megjithëse Tito u premtoi se krahina e tyre do të zhvillohej 60 për qind më shpejt se krahinat e tjera, Krahina e Kosovës u bë shtëpia e varfër e Evropës. Ndërmjet viteve 1967 dhe 1976 prodhimi shoqëror për person në Kosovë ra nën nivelin mesatar të Jugosllavisë, në 24 për qind. Shqiptarët megjithëse për nga numri po bëhen kombi i tretë në Jugosllavi, një Republikë të vetën ata nuk e kanë. Pra, janë vetëm një krahinë autonome e Serbisë”.

Gazeta amerikane “Kristian sajens Monitor” e datës 8 prill, në një artikull të korrespodentit të saj, shkruante: “E gjithë Jugosllavia është në rënie, por Kosova, me një popullsi prej 1. 6 milionë banorë, nga të cilët 3/4 janë shqiptarë etnikë, është goditur më rëndë. Kosova, një nga krahinat më të varfra në Ballkan, ka pësuar një rënie të ndjeshme në nivelin e jetesës. Shumë të rinj shqiptarë kosovarë nuk e ndiejnë veten zot në shtëpinë e tyre. Edhe pse tradicionalisht e ruajnë krenarinë kombëtare, shqiptarët kosovarë akoma vuajnë nga një kompleks i inferioritetit. Serbët dhe kombet e tjerë të mëdhenj të vendit, shpesh i shohin me nënvleftësim ata”.

Gazeta “Noje Krojen Cajtung”e datës 21 prill shkruante: “Në Jugosllavi zyrtarisht akoma pretendohet se janë vrarë vetëm 9 veta gjatë demonstratave që vazhduan disa ditë dhe se forcat e sigurimit ishin treguar në mënyrë shembullore të përmbajtura. Megjithatë, dëshmitarët njoftojnë qysh prej disa javësh se demonstratat e shqiptarëve kanë kushtuar deri 1000 të vrarë. Flitet për aksione hakmarrjeje të ushtrisë serbe me policët e shërbimit të fshehtë, të cilët kanë hyrë nëpër shtëpi, duke bërë bastisje, duke tërhequr zvarrë familje të tëra të ‘elementeve të dyshimtë’. Thuhet bile se forcat e sigurimit kanë gjuajtur nga helikopterët dhe kanë shkaktuar gjakderdhje”.

Gazeta austriake “Di Prese”, duke folur për ngjarjet e ditëve të para të prillit në Kosovë, shkruante: Prishtina është e rrethuar nga një kordon i dendur tankesh. Forcat territoriale të mbrojtjes civile, të mbrojtjes së qytetarëve, ushtrojnë kontrolle të rrepta. Shkollat u mbyllën. Në fabrika nuk punohet. Akoma nuk ka përgjigje për pyetjen: Çfarë e çoi kazanin për t’u derdhur? Çfarë ka ndodhur në fakt këto ditë në Kosovë?”

“Korriere della sera” e Milanos më 15 prill 1981 njoftonte: “Kosova mbetet gjithmonë zonë e ndaluar për diplomatët e gazetarët e huaj. Në Krahinë është ende në fuqi gjendja e jashtëzakonshme dhe informacionet vijnë vetëm nëpërmjet filtrit të deklaratave zyrtare”.

“Respektimi i gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë është siguruar nga prezenca masive e ushtrisë dhe policisë”, shkruante gazeta franceze “Lë Kotidie dë Pari”. Gazeta vazhdon: “Dhe me gjithë heshtjen zyrtare të mbajtur mbi zhvillimin e ngjarjeve që ndodhën në Prishtinë e në shumë qendra të banuara të Krahinës, tani është e sigurt që nga demonstratat e thjeshta të studentëve, është kaluar në një lëvizje të gjerë, ku punëtorët kanë zënë një vend të rëndësishëm... shkaqet që shkaktuan krizën ishin gjendja e rëndë ekonomike, bashkë me ekzistencën e një problemi historik asnjëherë të zgjidhur në Kosovë...Demonstratat u përhapën në të gjithë krahinën, ku pjesa më e madhe e popullsisë është shqiptare. Demonstruesit kritikonin shtypjen që u bëhet shqiptarëve në Jugosllavi. Ata kërkonin kryesisht liri shtypi e fjale, si dhe Krahina e Kosovës të shpallet Republikë. Autoritet jugosllave i quajtën demonstruesit nacionalistë, separatistë dhe kundërrevolucionarë.

Gazeta greke “Tovina” nga ana e saj bënte këtë koment mbi ngjarjet: “Nuk duhet ta pakësojnë rëndësinë e ngjarjeve që po ndodhin që prej shumë javësh në rajonin autonom të Kosovës në kufi me Shqipërinë, edhe në qoftë se kriza mbytet. Fakti është se autoritetet jugosllave nuk i kursejnë mjetet e tyre mbytëse. Këto telashe përbëjnë një paralajmërim serioz”.

Në disa gazeta të Gjermanisë Perëndimore ishte botuar artikulli i korrespodentit gjerman në Vjenë, Volfgang Liman, me titull “Qetësi varri në Kosovë”. Në artikull thuhej: Kosova e ndien veten të shtypur nga Shteti jugosllav. Kjo është e qartë. Rritja e prodhimit shoqëror në fund të vitit 1970 në Kosovë, ishte sa gjysma e mesatares së Federatës. Më 1978, në çdo 1000 banorë në Kosovë kishte 107 të punësuar, ndërsa mesatarja e Jugosllavisë ishte 254. Nga ana tjetër, Kosova është e pasur me lëndë të para dhe ka një industri të mirë nxjerrëse, por i mungon industria përpunuese. Në Serbinë mbretërore edhe në Jugosllavinë e paraluftës shqiptarët shtypeshin, por shtypja vazhdon edhe në Jugosllavinë e sotme, pavarësisht nga parullat “vëllazërim-bashkim”.

Gazeta “Avoi” e Barcelonës, njoftonte lexuesit e saj: “Kosova është rajoni më i prapambetur në Jugosllavi dhe gati në gjithë Evropën. Shqiptarët që banojnë aty konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë, pavarësisht nga përparimi që kanë pasur gjatë këtyre 35 vjetëve te fundit”. Në një koment të gjatë me titull: “Kosova e varfër dhe e diskriminuar” gazetari spanjoll Torro Riesko shkruante: Shqiptarët e Kosovës konsiderohen si njerëz të përbuzur në Jugosllavi. Kosova është krahina më e prapambetur në Jugosllavi dhe në gjithë Evropën. Ekziston një pabarazi e dukshme midis Kosovës e krahinave të tjera. Kosova është një vend i pasur me minerale. Atje nxirret më shumë se gjysma e qymyrgurit të Jugosllavisë. Është e pasur me drithëra e tjera. Që nga mbarimi i luftës, reprezaljet atje kanë qenë të egra”.

Gazeta “Frankfurter Algemajne” e datës 27 prill botonte një artikull me titull “Kush e ka humbur kokën në Kosovë”, shkruar nga korrespondenti në Beograd, Viktor Majer. Në të thuhej: “Ndërmjet datës 1 e 4 prill nuk mbeti asnjë zonë e krahinës pa bërë në forma të ndryshme demonstrata dhe greva. Vrojtuesit të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çmojnë mbi 30-40 vetë dhe të të plagosurve deri në 1000. Shumë të plagosur në mënyrë të fshehtë mjekohen nëpër shtëpitë shqiptare. Në qytetet e vogla si Podujeva ose Ferizaj, përleshjet ishin më të rënda se në kryeqytetin Prishtinë. Vërtetohet gati nga të gjithë vrojtuesit se demonstratat e shqiptarëve, me gjithë karakterin e tyre nacional, nuk ishin drejtuar kundër popujve të tjerë...

Dyshimet rreth të ashtuquajturve nxitës nga jashtë, bënë një efekt të kundërt. Këto dyshime tani duhet të merren mbrapsht. Si udhëheqësit e Prishtinës ashtu edhe ata të Federatës, duket se nuk duan të marrin parasysh disa realitete.

Krahina edhe më tutje ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Ajo është një zonë e ndaluar jo vetëm për të huajt por edhe për jugosllavët”.

VIJON ...

(Fusnotat janë hequr)

_________________

MEHMET HAJRIZI: QËNDRIMI I INTELIGJENCIES PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (21)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9184


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks