SHKRIMI
e diel, 23 shkurt 2020

MEHMET HAJRIZI: AKTIVITETI, BURGOSJA DHE VRASJA E VEPRIMTARËVE TË OMLK-së (25)

Pashtriku, 18 dhjetor 2019: Përkrah ngjarjeve të stuhishme në Kosovë, mërgata shqiptare kudo në botë, e organizuar dhe e udhëhequr nga veprimtarët më të përparuar të saj hidhej në demonstrata të fuqishme në mbështetje të kërkesave të bashkatdhetarëve të tyre.


Kadriu e Jusufi me shokë, organizuan demonstrata, mitingje e protesta të shumta nëpër Evropë e botë, fuqizuan shtypin ilegal, bënë propagandimin e ideve të lirisë kudo që arritën, organizuan kontakte të drejtpërdrejta me mërgatën dhe përfaqësitë diplomatike të huaja, vunë lidhjet me organizata përparimtare e çlirimtare, kontribuuan në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe sensibilizuan opinionin demokratik perëndimor për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Trajtesat e tyre në fushën e teorisë vepruese të Lëvizjes, mbetën për brezat e mëpastajmë , jo si një thesar muzeal, por bazë e shkëlqyer dhe udhërrëfyese për të vazhduar rrugën e ndjekur prej tyre.

Pas demonstratave të pranverës, Lëvizja në Kosovë po goditej nga të gjitha anët, prandaj Kadri Zeka u drejtohet bashkatdhetarëve në mërgim me një varg letrash programatike, me thirrjen për t’u solidarizuar me popullin kryengritës dhe për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar për çështjen e Kosovës (shih Kadri Zeka “Vëllezër dhe motra” në shtojcë).

Shumë nga këto shkrime e kanë ruajtur në mënyrë shembullore aktualitetin deri në ditët tona.

Duke qenë një figurë e spikatur poliedrike, Jusuf Gërvalla la pas, trashëgim për shumë breza, veprën e tij të shquar në shumë fusha, si në letërsi, në prozë e poezi, në muzikë, pikturë, publicistikë e gazetari.

Pas goditjeve drakonike, të denja për Mesjetën, që i bënë serbomëdhenjtë popullit shqiptar të Kosovës, Lëvizjes Kombëtare, kulturës, historisë, arsimit, inteligjencies dhe gjithë vlerave të tij, historike e aktuale, mërgata e organizuar nga Kadriu, Jusufi dhe Bardhoshi, po kthehej në një forcë madhore patriotike. Në mbështetje të kërkesave të demonstratave në Kosovë, u ngrit në këmbë mërgata shqiptare dhe demonstroi vullnetin e saj e protestoi për mbytjen në gjak të demonstratave të vitit 1981.

Kadri Zeka, në marrëveshje me Komitetin Drejtues në Prishtinë dhe me Jusuf Gërvallën e Ibrahim Kelmendin në mërgatë vendosën të fillonin demonstratat e mërgimtarëve. Në mërgatë ekzistonte një vullnet i papërmbajtur për t’i kontribuuar çështjes së Kosovës. Për pasqyrimin e kësaj gatishmërie dhe ndjenjave atdhedashëse të mërgimtarëve, “Liria” shkruante: “Të kujtojmë nëna jonë e dashur në ëndërr e në zhgjëndërr dhe sa herë që mendojmë për ty na rrjedhin lotët rrëke faqeve tona të zbehura. Në të vërtetë jemi larg atdheut por nuk harrojmë amanetin e vëllezërve dhe motrave tona, djemve dhe vajzave nënave dhe baballarëve tanë, që na porositën të të qëndrojmë besnikë ty nënë Kosovë…

Sot mbi ty Kosova jonë e shtrenjtë, mbretëron acar, lulet kanë zënë të vyshken, pullazet e shtëpive janë të mbuluara me mjegull, e mbi kalldrëmet e rrugëve të tua manovrojnë kërcënueshëm tanket jugosllave. Djemtë dhe vajzat tua më të mirë janë mbyllur burgjeve që të shpëtojnë ty nëna jonë Kosovë nga kuçedra serbomadhe. Nga gjiri yt janë grabitur pasuri të shumta, tani nga raftet e tua po nxirren qindra libra e tekste shkollore, u është vënë dryni shumë institucioneve arsimore, vogëlushëve të tu të njomë në vend të çantës me libra krahëve u rrjedhin lotët pa pra për të afërmit e vrarë e të burgosur, janë larguar nga puna e shkolla mijëra shqiptarë të ndershëm, po sulmohet çdo gjë e vlefshme që ke…

Ne mërgimtarët tu me kohë të jemi betuar se kurdoherë na ke me vete. Për ty nuk do të kursejmë as pikën e fundit të gjakut. Luftën tonë të drejtë do ta çojmë deri në fund, peshën e rëndë që ke ti o nënë Kosovë, motoja e përgjithshme në marshimin tonë ngadhënjimtar është: Ja vdekje ja liri! “

Demonstrata u zhvilluan më 11 prill 1981, në Bernë të Zvicrës, më 18 prill në Cyrih, më 25 prill në Shtutgart të Gjermanisë, më 8 maj në Dyseldorf të Gjermanisë, më 22 maj në Mynih të Gjermanisë, më 30 maj në Gjenevë etj. Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.

Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:

Kosovës t’i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;

Popullit tonë t’i njihet e drejta për vetëvendosje;

Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;

Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t’i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;

T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;

Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë;

Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;

Lirinë e fjalës dhe të shtypit;

Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;

Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjella nga jashtë;

Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar”.

Demonstratat shoqëroheshin me një varg traktesh që shpërndaheshin midis punëtorëve. Në njërin prej tyre thuhej: “Në këto kushte neve nuk na mbetet rrugë tjetër shpëtimi pos të bashkohemi edhe më fort të gjithë shqiptarët si një trup i vetëm të lidhemi me besa-besë e, me guximin e njohur shqiptar, t’i mbrojmë me ëmbëngulje të drejtat tona të ligjshme, ta shpëtojmë një herë e përgjithmonë vendin nga kasaphana e përgjakshme, që po e përgatit për ne armiku mizor, të shpëtojmë nderin e nënave e të motrave tona, të shpëtojmë nderin e vatrave ku kemi lindur”.



Prishtinë, 10 korrik 1982: Pamje nga gjykimi i grupit të Mehmet Hajrizit (foto; Ilaz Bylykbashi)


Këto demonstrata, që si rregull organizoheshin çdo të shtunë, i udhëhiqnin Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Kelmendi, Hasan Malaj etj. Fjalimet në shqip i mbante Kadriu, në gjermanisht, Ibrahimi, kurse në frëngjisht Hasan Presheva. Gjatë manifestimeve brohoriteshin këto parulla: “Kosova –Republikë”, “Punë në vendlindje”, “Lironi të burgosurit”, “Punëtorë e fshatarë, jemi një e të pandarë” etj. “Liria” shkruante: “Ngjarjet tragjike që po përjeton Kosova i kanë bërë të ndërgjegjshëm punëtorët kosovarë në mërgim si edhe ata, si pjesë e pandashme e popullit shqiptar në këto momente të vështira që po kalon Atdheu, duhet të ngrenë lart flamurin e luftës...

...Punëtorët kosovarë sot janë më të bashkuar e më të vendosur se kurdoherë më parë në luftën e tyre të drejtë. Këtë e dëshmojnë demonstratat dhe mitingjet protestuese të njëpasnjëshme që janë zhvilluar deri më tash...

...Kërkesat e punëtorëve tanë në botën e jashtme ishin plotësisht identike me ato që paraqitën edhe demonstruesit në Kosovë. Me luftën e popullit tonë është solidarizuar edhe opinioni përparimtar ndërkombëtar i cili dënon në mënyrën më të rreptë masakrat e krimet çnjerëzore të regjimit titist në Kosovë. Me demonstratat që u zhvilluan jashtë, u bashkuan edhe shumë antifashistë, demokratë e miq të popullit tonë dhe po shprehin indinjatën e tyre të thellë për ngjarjet tragjike që po përjeton populli ynë”. Gjashtë muaj më vonë ajo vazhdonte: “Kërkesat e drejta të popullit tonë, u përkrahën dhe u mbështetën fuqimisht edhe nga punëtorët kosovarë në mërgim, të cilët gjatë gjithë vitit zhvilluan një aktivitet të dendur patriotik e luftarak. Ata qëndruan të patundur në përkrahje të studentëve, punëtorëve e fshatarëve, në mbështetje të mbarë popullit të Kosovës. Kjo e tërboi si UDB ashtu edhe përfaqësitë diplomatike në perëndim, të cilët nuk lanë mjet pa përdorur e gurë pa lëvizur për t’i shmangur punëtorët nga rruga e tyre e drejtë. Por përpjekjet e tyre shkuan huq. Punëtorët as nuk u përçanë as nuk u trembën, nga presionet.

Tani kur punëtorët kanë filluar të vijnë për pushime në vendlindje, pranë familjeve të tyre, udb-ashët e Herleviqit nuk po organizojnë “takime” me punëtorët (pasi e dinë se nuk shkon kush në to, e edhe po të shkojnë punëtorët kërkojnë llogari, si viteve të tjera), por kanë ndërmarrë një fushatë të paparë burgosjesh e arrestimesh. Shumë punëtorë janë arrestuar ende pa arritur në shtëpi kurse qindra të tjerëve u është rrethuar shtëpia, pa u çmallur mirë me njerëzit e familjes dhe janë flakur qelive. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i punëtorëve, çdo ditë po merren në pyetje me kërcënime e presione të shumta. Aq larg kanë shkuar shovinistët serbë dhe veglat e tyre në Kosovë sa t’i akuzojnë punëtorët për vepër penale, pse janë anëtarësuar në klubet e punëtorëve shqiptarë në mërgim.

Vënia në veprim e një mase aq të madhe të mërgatës ishte dhe faktor shtytës për lëvizjen e makinës së rëndë diplomatike të demokracive Perëndimore në mbështetje të Kosovës. Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla ishin ambasadorë dhe avokatë të vërtetë të çështjes së drejtë të Kosovës te qarqet politike e diplomatike në Evropë. Edhe sikur vetëm kaq të bënin këta tre dëshmorë, kontributi i tyre dhënë Lëvizjes Kombëtare do të ishte historik, por edhe shkaku i drejtpërdrejtë i vrasjes tinëzare të tyre nga dora e Beogradit gjakatar.

Mërgata pati një rol tjetër të veçantë në vënien e lidhjeve të bashkëpunimit me organizata përparimtare, demokratike e çlirimtare të huaja, të cilat solidarizoheshin me çështjen e Kosovës dhe ndihmonin veprimtarët e saj.

“Prej vitit 1981, ndërkaq, çështja shqiptare njëkohësisht është ndërkombëtarizuar. Për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare rol të veçantë kanë luajtur mërgimtarët shqiptarë të cilët duke protestuar aq shpesh nëpër qytetet e Evropës, të Amerikës e të Australisë kundër dhunës e terrorit të pushtetit serbo-maqedono-malazias mbi shqiptarët kanë arritur ta bëjnë kërkesën mbi Kosovën Republikë kërkesë për vënien e çështjes shqiptare në rendin e ditës të forumeve dhe institucioneve ndërkombëtare”

Veprimtaria e organizuar e mërgatës, si pjesë e Lëvizjes Kombëtare, e shqetësonte regjimin, prandaj përgatitej për sulm frontal edhe kundër saj. Në Mbledhjen e 87-të e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 13 prill 1981, Mahmut Bakalli thoshte: “Unë propozoj që të konkludojmë se angazhimi ynë edhe politik e edhe me anë të punëtorëve të punësuar në botën e jashtme, me anë të përfaqësive diplomatike-konsullore, me anë të kuadrove tona, por edhe me anë të SPB-së, duhet të kalojë në një ofensivë në raport me ato organizata emigrantësh që veprojnë”.

Te mërgimtarët shkuan shumë emisarë në ndihmë të diplomatëve jugosllavë për të zhvilluar edhe atje procesin e diferencimit dhe për t’i bindur ata t’i dënojnë demonstratat. Pavarësisht presioneve dhe shantazheve, mërgimtarët jo vetëm nuk ua bënë qejfin të dërguarve nga regjimi, por ata i prishën klubet nën ndikimin e ambasadave dhe konsullatave jugosllave, pamundësuan mbajtjen e manifestimeve të organizuara prej tyre dhe u hodhën në demonstrata masive.

Xhafer Shatri ka shkruar: “I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve informative civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t’i jepej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej një herë e mirë.

Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës…

Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth 30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm mund të pohojnë se "kjo është një vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se dyshohet se një apo më shumë shërbime të fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë pjesë në tërheqjen e këmbëzave të revoleve të kalibrit 7.65 mm’ (Heilbronner stimme, datë 1 tetor 1982)…

Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazias. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të iki nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollancit bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe. Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafies së Frankfurtit, Ljubo Zemunac.

Këta të dy, një vit më vonë, e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sëpatë”.

Pas vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, revista prestigjioze gjermane “Der spiegel”, në një artikull orientonte pistat e zbulimit të atentatorëve drejt UDB-së jugosllave. Mërgata e indinjuar organizoi dy marshe protestuese, një në Shtutgart më 23 janar 1982 dhe një tjetër më 5 shkurt 1982. Në një protestë para konvikteve të tyre, studentët në Prishtinë atë pranverë, kishin brohoritur emrat e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, duke i quajtur heronj të popullit dhe duke u betuar se do t’ua merrnin hakun.

5.4 Burgosja dhe vrasja e veprimtarëve të OMLK-së

Organizata kishte bërë një përvojë veprimi të pashkëputur mbi 12 vjeçare. Përndjekjet sistematike policore dhe arrestimi i shpeshtë e dënimi i shumë veprimtarëve e kanë dëmtuar rëndë, por ajo ringjallej si feniksi. Politika shtypëse dhe robëruese serbomadhe në Kosovë pas demonstratave, po intensifikohej veçanërisht në dy binarë: zhdukjen e çdo vatre të rezistencës e të çdo vlere shqiptare nga njëra anë dhe rrënimin gradual të autonomisë së brishtë të Kosovës, në anën tjetër.

Që nga fillimi i demonstratave, regjimi pushtues organizoi një fushatë të tërë ndjekjesh kundër të gjithë shqiptarëve, për të cilët supozonte se mund të paraqisnin rrezik për të. Arrestime sistematike në masë ishin bërë gjatë gjithë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, por më të theksuara ishin ato ndaj Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare që vepronte në vitet 1945-1947, gjatë proceseve kundër të të ashtuquajturve informbyroistë (1948-1953), në kërkim të organizimeve të reja nacionalçlirimtare nga fundi i viteve pesëdhjetë, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, pas demonstratave më 1968, gjatë gjurmimit e ndjekjes së GRK, përkatësisht OMLK, në vitet shtatëdhjetë etj. Vetëm disa muaj pas kryengritjes në Kosovë, “Liria” lidhur me bilancin e fushatës së policisë jugosllave kundër veprimtarëve dhe patriotëve shqiptarë, shkruante: “Sipas vetë shtypit jugosllav, gjatë më shumë se 30 proceseve gjyqësore që u zhvilluan, u dënuan me burgime të rënda në 15 vjet jo më pak se 245 veta.

Edhe gjatë proceseve gjyqësore, në shënjestër të shovinistëve u vu në mënyrë të veçantë inteligjencia jonë revolucionare dhe sidomos arsimtarët e gjuhës shqipe, të historisë, të marksizmit e të lëndëve të tjera shoqërore. Ata u akuzuan dhe po akuzohen, se gjoja paskan nxitur romantizmin nacional, se i paskan indoktrinuar nxënësit me nacionalizëm e dogmatizëm, se i kanë edukuar ata, me ideologji të huaj për “vetëqeverisjen” etj.,etj. Shovinistët serbomëdhenj nuk u ngopën me masat që ndërmorën kundër inteligjencës sonë. Sipas tyre nuk mund të qetësohet gjendja, derisa nëpër shkolla e fakultete të japin mësim ata arsimtarë, nxënësit e të cilëve kanë dalë në demonstrata, pra po kërkohet hapur që të largohen e dënohen të gjithë arsimtarët e ndershëm e patriotë…

Me dënimet e shumta dhe me masat e tjera represive shovinistët serbomëdhenj dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë, menduan se do ta frikësojnë e do ta mposhtin popullin tonë heroik dhe bijat e bijtë e tij trima. Mirëpo ata u bindën dhe çdo ditë po binden se në këtë mënyrë ata po i bëjnë varrin vetes. Me qëndresën e tyre burrërore, shokët tanë të burgosur, u kallën tmerrin armiqve edhe duke qenë të lidhur me pranga e zinxhirë, kurse populli po e vazhdon luftën e filluar me vendosmëri edhe më të madhe”.

Me fushatën e egër të intensifikuar më 1981 dhe që vazhdoi shumë vite, bilanci i goditjeve kundër Organizatës qe tragjik. Gjatë dhe pas demonstratave regjimi policor jugosllav arriti të burgoste pothuajse gjithë udhëheqjen dhe një pjesë të konsiderueshme të anëtarësisë së OMLK-së. Nga radhët e saj në demonstratat e vitit 1981 ranë dëshmorë Naser Hajrizi e Asllan Pireva, kurse në vitet vijuese në altarin e lirisë ranë edhe Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Zia Shemsiu dhe Afrim Zhitia.

Duke vrarë këta veprimtarë të shquar të OMLK-së e të kauzës së Kosovës dhe duke ndjekur Lëvizjen Kombëtare, armiqtë pandehnin se i jepnin goditjen e fundit asaj dhe çështjes së Kosovës, por siç thoshte Sean O’Casey “Kurrë nuk jeni më pranë fitores sesa kur thyhesh për një çështje të lartë”. Ata ranë dëshmorë si burra të mëdhenj të kombit, kurse idetë e tyre atdhetare jo vetëm nuk mund të vriteshin, po u mishëruan në jetën e rinisë shqiptare dhe lëshuan rrënjë thellë në shpirtin e popullit të paepur.

Nën shembullin e jetës dhe veprës së këtyre dhe shumë dëshmorëve të tjerë të lirisë, populli shqiptar vazhdoi rezistencën gjithnjë në rritje, duke i sintetizuar vlerat e tij në Luftën për liri a vdekje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën do të bien dëshmorë edhe anëtarë të tjerë të OMLK-së, si Xhevë Lladrovci, Abdullah Tahiri, Avdilgafurr Luma, Qani Luma, e Hafir Shala (i zhdukur). Ata ranë, por vepra e tyre mbeti në kujtim të shekujve, sepse siç thoshte Lao Ce “Ai që vdes dhe vepra i mbetet është i përjetshëm”.

Arrestimi pas demonstratave i anëtarëve të shumtë dhe i udhëheqjes së OMLK-së, përbënte rezultatin më spektakular të sigurimit jugosllav, prandaj në procesin hetimor kundër tyre u angazhuan kontingjente të tëra specialistësh të operativës nga të gjitha republikat. Lukunitë e tërbuara e të shfrenuara u lëshuan mbi OMLK dhe Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, siç thoshte Sinan Hasani, për t’ia “këputur kokën e thyer kurrizin”. Disa veprimtarë të OMLK-së u dënuan individualisht, por shumë të tjerë u ndanë në dy grupe. Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 10 korrik 1982 u dënuan: Jakup Krasniqi (i cili ishte dënuar edhe më parë për organizim të demonstratave) me 15 vjet burgim, Mehmet Hajrizi me 12, Gani Sylaj (i dënuar më parë në Shkup) me 15, Nezir Myrtaj me 12, Berat Luzha me 12, Sherafedin Berisha me 5, Ismail Syla me 12, Jahir Hajrizi me 11, Sheqir Zeneli me 4, Fehmi Plaku me 5, Azem Syla me 5, Xhevdet Syla me 4, Fatmir Krasniqi me 4, Ferid Çollaku me 8, Hysni Hoti me 6, Kadri Luzha me 5, Mustafa Ademi me 6 dhe Jashar Alia me 6 vjet burgim.

Hydajet Hyseni, që për shkaqe shëndetësore iu shty procesi gjyqësor, u dënua një muaj më vonë me 15 vjet burgim.

Grupi i dytë i anëtarëve të OMLK u dënua më 13 korrik 1982 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan: Nazmi Hoxha me 15 vjet burgim, Bejtullah Tahiri me 13, Basri Musmurati me 11, Naim Salihu me 7, Shemsedin Hoxha me 4, Shaip Ismajli me 8, Ilmi Ramadani me 9, Sadri Sherifi me 6, Xhevat Ajvazi me 6, Sabit Rexhepi me 6, Nijazi Idrizi me 7, Xhymshit Osmani me 4, Selim Ahmeti me 5, Farush Mjaku me 2, Hysen Demelezi me 1 dhe Tahir Lubishtani me 1 vit burgim.

Fill pas mbarimit të procesit gjyqësor, gazeta më e madhe e Kosovës “ Rilindja” botoi një koment me titull “Kush flet në emër të popullit?” , të shkruar nga njëfarë Rr. Rugova, që nxinte gjysmën e faqes, plot shpifje, denigrime e akuza kundër Organizatës. Por asgjë të re s’kishte në këta yryshë, sepse ajo gjatë gjithë jetës së saj ishte sulmuar jo vetëm në plan represiv, por edhe propagandistik, denigrues e shpifës.

Pasi kishte ndjekur gjykimin në sallën e Gjyqit të Qarkut në Prishtinë, i cili zgjati tri ditë (8-10 korrik 1982), autori që në fillim të shkrimit konstaton se procesi, “ ...pa mëdyshje dëshmoi se rrënjët e nacionalizmit dhe irredentës në Kosovë nuk ishin të mbjella vetëm në një pjesë të rinisë së indoktrinuar, por edhe në një pjesë të inteligjencës kosovare”, për të vazhduar duke qortuar, me porosi kushedi të kujt, madje Lidhjen e Komunistëve me këtë arrogancë: “Kjo ndoshta më së miri flet edhe për rrjedhën e kësaj vale në kontinuitet, së cilës forcat tona subjektive dhe LK e Kosovës nuk ishin sa duhet syçelë”. Këtyre forcave subjektive (mund të supozohet lehtë që fjala është për organet e ndjekjes) dhe LK, që nuk paskëshin ditur gjë për strukturën organizative as për qëllimet e fshehta të armiqve, ua thotë autori tashti se Organizata “ ...në emër të njëfarë të drejte e barazie sociale e ekonomike të shqiptarëve në Jugosllavi me kombet e kombësitë e tjera, të njëfarë të drejte për barazi të plotë kulturore, sociale dhe përgjithësisht kombëtare, në mënyrë të kamufluar fshehu qëllimet e para dhe armiqësore: bashkimin e shqiptarëve që jetojnë në RSFJ, me qëllim të krijimit të një fronti më të gjerë për vetëvendosje dhe shkëputje nga Jugosllavia dhe të bashkimit me RPS të Shqipërisë. Kjo kërkesë... nuk mund të kualifikohet ndryshe pos një ide fikse, pa kurrfarë baze reale, si një ëndërr që s’ka arsye objektive të realizohet. Aq më parë ngase popujt e Jugosllavisë, të Ballkanit dhe të gjithë popujt e botës gjithmonë, mbi çdo gjë çmuan lirinë, barazinë, paqen dhe jetesën në vëllazëri, pa konflikte dhe pa luftë” Më poshtë ai nxjerr faktet e kryeneçësisë dhe devijimit të pandreqshëm të ‘kokave të ndezura’ siç do t’i quajë në një fejton këta të akuzuar, për të kërkuar tërthorazi dënime drakoniane për ta: “Kur njëri nga të akuzuarit, Mehmet Hajrizi, para gjykatores, me kokëfortësi, me njëfarë qetësie e urtësie mbronte pikëpamjet e grupit për gjithë atë që ai bëri dhe konkretisht realizoi, e jo vetëm ky, por edhe Jakup Krasniqi, Gani Sylaj, Ismail Sylaj, Berat Luzha etj., ishte e qartë se bindja dhe ndërgjegjja e këtij grupi nacionalist dhe irredentist kaherë ishte e ndrydhur rëndë nga ideologjia e huaj për LKJ-në, për socializmin vetëqeverisës dhe për vetë pikëpamjet e popullit (sic!) shqiptar në Kosovë” . Autori përfundon: “...por popullin e mësuan dhe do ta mësojnë e edukojnë bijtë më besnikë dhe më të sinqertë të tij-komunistët, anëtarët e LKJ- partisë së Titos, sepse ata edhe flasin në emër të popullit” etj., etj. Nga i njëjti autor u botuan edhe një varg shkrimesh në vazhdime kundër Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, nën titujt “Koka të ndezura”, “Gjurmëve të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë” etj.

Më 1982 nga udhëheqja e saj, Organizata e kishte të lirë vetëm Kadri Zekën, të cilit i binte barra e riorganizimit të radhëve dhe e realizimit të projektit të Frontit të bashkuar. Në krye të kësaj detyre, Kadri Zeka u vra bashkë me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën, më 17 janar 1982, pasi (sipas dëshmisë së bashkëveprimtarit të tyre, Ibrahim Kelmendit) kishin arritur marrëveshjen e bashkimit. Ata u vranë me qëllim që të dështonte bashkimi i radhëve të Lëvizjes.

VIJON…

(Fusnotat janë hequr)

____________________

MEHMET HAJRIZI: FRONTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS (24)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9378


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks