SHKRIMI
e hënë, 21 shtator 2020

PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË - MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ҪËSHTJES KOMBËTARE (VIII)

Pashtriku, 2 Qershor 2020: Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, edhe me kontributin e disa politikanëve shqiptarë, pas gjashtë muaj lufte kundër „kundërrevolucionit“ në Kosovë, hartoi dokumentin famëkeq, me titull: ”Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë”, i cili u miratua në Mbledhjen XXII të KQ të LKJ-së në Beograd, më 17 nëntor 1981, që s'ishte tjetër veç një doracak praktik i zbatimit afatgjatë të politikës antishqiptare.

***

Më 1981, udhëheqja e Kosovës u vu në shërbim të Beogradit

Çfarë thoshin Ali Shukrija, Kolë Shiroka, Sinan Hasani etj,. ?


Pashtriku: Klasa e atëhershme politike, zyrtare e Kosovës, nuk i përkrahu demonstratat, nuk u rreshtua me popullin e vet dhe jo vetëm me rininë studentore. A ju ka befasuar ai qëndrim antikombëtar i udhëheqjes së Kosovës?

Hajrizi:
Ata, jo vetëm nuk denjuan ta thonë një fjalë të vetme mbrojtjeje për shqiptarët që persekutoheshin si në inkuizicion, por me zell u vunë tërësisht në shërbim të agjendës së Beogradit, si kolaboracionistë të përkushtuar. Ne nuk na befasonte ky qëndrim, sepse e kishim kuptuar dhe demaskuar me kohë fytyrën e vërtetë të tyre. Edhe ndonjë individë nga radhët e tyre, kur kishte dilema, shantazhohej e kërcënohej, duke e heshtur para murrlanit shovinist që e përfshiu mbarë Kosovën. Megjithatë nuk them se ishin të gjithë të një kallëpi, sepse dalloheshin veçanërisht ekstremistët karrieristë që e gjenin rastin për të dëshmuar shpirtin e shitur dhe për të fituar perspektivën e karrierës politike prej shërbëtori të bindur.



Shovinizmi i azdisur serb duhej frenuar, duke filluar nga Kosova dhe nga vetë zyrtarët e lartë politikë shqiptarë, nga Tirana me intensitet më të madh, nga Zagrebi, Lubjana, Sarajeva etj., por edhe nga bota demokratike, jo vetëm për të mbrojtur Kosovën, por edhe për të shmangur gjakderdhjen e dekadës vijuese.

Për fat të keq, hallka e parë e këtij zinxhiri u këput. Posa u përmend nga shovinistët “kundërrevolucioni”, si emërtim i kryengritjes së vitit 1981, disa zyrtarë të lartë shqiptarë në Kosovë i bënë me ngut jehonë atij cilësimi ogurzi. Ali Shukrija, menjëherë pas demonstratave, në Kryesinë e Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, bënte “analiza” dhe “teorizime gjeniale” si kjo: “Nga ajo se çfarë është karakteri i sistemit tonë shoqëror, kush e ka ndërtuar, të mos them nga lufta çlirimtare deri tani dhe në çfarë platforme është bërë aksioni kundër atij sistemi politik, kundër atyre marrëdhënieve shoqërore, mendoj se tërë kjo në vete përmban, në plot kuptimin e fjalës edhe karakter kundërrevolucionar.” Në një tjetër mbledhje të kësaj Kryesie do të vazhdojë: “Unë ndiej nevojën të them se këto ngjarje në Kosovë janë më të rëndat në ndërtimin tonë të pasluftës, më të rëndat sipas dimensionit të tyre dhe për nga ashpërsia e paraqitjes si dhe ajo për çka kemi dhënë vlerësim dhe që do ta bëjmë në të ardhmen.

Më është kujtuar edhe viti 1944, kur i kishim çliruar disa qytete dhe kur kemi përjetuar që kundërrevolucioni ka bërë sulme në ato qytete, kemi qenë të detyruar të luftojmë përsëri, por, atëherë ishte ende revolucioni dhe lufta e armatosur dhe e dinim se kjo duhej spastruar dhe kështu edhe bënim. E kemi pasur edhe vitin 1968, këtu në Prishtinë, por atëherë ajo ishte vetëm në Prishtinë, por është një gjendje mjaft kërcënuese se forcat kundërrevolucionare nuk pushojnë kurrë, sidomos këto të karakterit nacionalist dhe irredentist. Tani këto ngjarje janë mjaft të mëdha, me dimensione të gjera ashtu siç i shohim, duhet të them se duhet të jemi të gatshëm për një kohë të gjatë për luftë që bëhet jo vetëm në planin ideor, por edhe në futjen e të gjithë asaj që dëshirojmë tash të bëjmë dhe që e bëjmë, në një mënyrë mjaft intensive dhe, në bazë të mundësive të tashme, mjaft efikase”. Ndërkaq Veli Deva, po në të njëjtin organ udhëheqës të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 13 prill 1981, thoshte: “Unë jam i bindur thellësisht se, ...pa i qëruar hesapet me organizatorët në plan të gjerë, nuk mund të përmirësohen gjërat. Bëhet fjalë për reaksionarë të egër, nuk ka shaka me ta, nuk janë këta fëmijë të vegjël etj., këta janë elementë të pjekur armiqësorë. Shokë këta janë profesorë!” Pas tyre nuk mbeteshin as Sinan Hasani, Kolë Shiroka etj.



Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, edhe me kontributin e disa politikanëve shqiptarë, pas gjashtë muaj lufte kundër „kundërrevolucionit“ në Kosovë, hartoi dokumentin famëkeq, me titull: ”Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë”, i cili u miratua në Mbledhjen XXII të KQ të LKJ-së në Beograd, më 17 nëntor 1981, që s'ishte tjetër veç një doracak praktik i zbatimit afatgjatë të politikës antishqiptare. Në Platformë, pasi analizohet përmbajtja „reaksionare dhe kundërrevolucionare“ e parullës “Kosova-Republikë” dhe veprimtaria, siç e quanin „irredentiste“ në Kosovë, dokumenti identifikon „shkaktarët“: armikun e brendshëm, i cili paskësh vepruar i organizuar mirë kohë të gjatë dhe në bashkëveprim me reaksionin ndërkombëtar, elitën udhëheqëse të Kosovës, e cila nuk i kishte qëruar hesapet me konsekuencë dhe më fuqishëm me nacionalizmin, armikun e jashtëm që po bënte luftë speciale kundër Jugosllavisë, sidomos Shqipërinë, sepse: “Përzierja nga RPS e Shqipërisë me kohë kaloi në përkrahje të hapët të forcave irredentiste dhe kundërrevolucionare, veçmas në Kosovë, etj.”

Qëndrimi proserb i sllovenit, Stane Dollanc

Duke interpretuar Kushtetutën, Platforma vlerëson përfundimisht se “nga shumë shkaqe parimore dhe konkrete historike dhe sipas parimeve të sistemit kushtetues të RSFJ, kombësitë nuk formojnë shtetin e vet të veçantë”..., prandaj thuhet më tej “kundër armikut do të luftojmë deri në fund vendosmërisht me të gjitha mjetet me të cilat mbrohet siguria dhe integriteti i një vendi të pavarur e të lirë”. Stane Dolanc, ishte më i drejtpërdrejtë, kur thoshte se Kosova nuk bëhet Republikë se nuk e do Serbia; po të bëhet shkatërrohet Jugosllavia!

Korrespondenti i njohur gjerman, Mejer për demonstratat e vitit 1981, në librin “Fundi i Jugosllavisë goditja në Kosovë”, ka shkruar: “Ato patën pasoja të rënda si për shqiptarët, ashtu edhe për të gjitha zhvillimet jugosllave. Pasojat më negative i solli reagimi i udhëheqjes së atëhershme politike në fuqi e shqiptarëve të Kosovës... Më vonë doli mjaft qartë se Jugosllavia socialiste nuk kishte aspak ndërmend të mbronte as statusin kushtetues të Kosovës, as të drejtat e popullatës së saj shqiptare përkundrejt nacionalizmit serb.”



Pashtriku: Në vitet ‘70-të dhe para e pas demonstratave të vitit 1981, në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës vepronin edhe organizata të tjera, siç ishte, “Lëvizja për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës”,” Fronti i Kuq popullor”,” Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” etj. A kishte bashkëpunim midis këtyre organizatave, për hartimin e një platforme të përbashkët politike, atdhetare? Në fakt, kishte ose jo, marrëveshje të përbashkët për fillimin dhe organizimin e demonstratave të 11 marsit 1981, 26 marsit 1981, 1 dhe 2 prillit 1981?

Hajrizi:
Pas GRK në vitet vijuese janë formuar edhe shumë organizata të tjera çlirimtare, para gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, si Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ), Lëvizja për Çlirim Nacional dhe Social e Kosovës (LÇNSK), Fronti i Kuq Popullor (FKP), ALBANIKOS, bashkimi i organizatave OMLK, LNÇKVSHJ, PKMLSHJ, FKP më 1982 në subjektin e quajtur Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), e cila ndër vite u riemërtua, si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) dhe së fundi, Lëvizja Popullore e Kosovës, (LPK). Organizata të kësaj periudhe ishin edhe Partia e Luftës e Kosovës (PLK), Fronti Nacional-Çlirimtar (FNÇ), Marksistë-Leninistët e Kosovës, (MLK), OMLK e riformuar, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) e shumë të tjera të formuara brenda dhe jashtë vendit.

Të gjitha këto organizata vepronin në fshehtësi, prandaj nuk ishte e lehtë të vendoseshin kontakte dhe marrëdhënie midis tyre. Gjatë vitit 1981 kishin filluar kontaktet e para, por vala e arrestimeve në masë e kishte dëmtuar rëndë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe pothuajse secilën organizatë veç e veç. Vetëm më 1982 u arrit bashkimi i madh që u quajt LRSHJ. Në pamundësi të bashkimit më parë, nuk kishte asnjë marrëveshje midis organizatave për fillimin e demonstratave të vitit 1981.

- VIJON -

__________________

PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË - MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ҪËSHTJES KOMBËTARE (VII)

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10096


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks