SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA - METEORË LIRIE (10)

Pashtriku, 16 prill 2021:

GJURMËVE TË VARREVE TË LILIT DHE TË TINËS

Kishte kaluar më tepër se një vit që Lili ishte ndarë nga të gjallët, kurse më tepër se tre vjet Tina. Dhe na kishte marrë malli për ta, sepse na lidhnin kujtimet e përhershme me ta, e së paku dëshironim t’ia gjenim varret, t’i vizitonim dhe të shmallemi me ta, ndoshta edhe duke u shkrirë në vaj. Prandaj, një ditë vendosëm me bashkëshorten time - zonjën Fatime që të shkonim në Tiranë dhe t’i vizitonim varret e Lilit dhe Tinës. Udhëtuam me autobus. Udhëtimi ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Dëshira për të arritur sa më parë në Tiranë, nga njëra anë dhe dashuria, malli e respekti ndaj dy bashkëshortëve që t’i nderonim e të shmalleshim me varrezat e tyre, nga ana tjetër, m’u duk sikur ajo rrugë edhe ashtu e gjatë m’u zgjatë e stërzgjatë edhe më tepër. Ndërsa rruga nuk ishte aq e mundimshme sa neve na u duk, por mundimin tonë e shtonte dhembja e mërzia për Lilin e Tinën. Të lodhur e të rraskapitur arritëm në Tiranë. Dhe pasi arritëm në Tiranë morëm një taksi, siç i thoshin këtu benz dhe u nisëm drejt varrezave të Tiranës që mua m’u duken se ishin larg qytetit rreth 20 kilometra. Rrugës, duke udhëtuar me taksistin po zhvillonim një bisedë të çiltërt e vëllazërore. Dhe pasi ia shpalosëm qëllimin e ardhjes sonë në Tiranë, taksisti sikur u familjarizua me ne dhe po e ndante dhembjen bashkë me ne. Ai interesohej baraz me ne për t’i gjetur dy varret e të dashurve tanë. Dhe për çudi, për fat tonin, për të na e shkurtuar kohën e gjurmimit të varreve të dy bashkëshortëve, ai mbante mend mirë kohën e varrimit, kortezhin e përcjelljes së Lilit, sepse si taksist, ai kishte bartur njerëz, dashamirë të Lilit që kishin marrë pjesë në varrimin e tij madhështor, ndaj filloi të na flas me admirim e respekt të madh:


- Unë mbaj mend kur është varrosur Halil Alidema. Në përcjellje të tij ka pasur shumë vetura nga më të ndryshmet. Munt të them të të gjitha llojeve të veturave që ekzistojnë. Në varrimin e tij ka pasur aq shumë njerëz që nuk mund të mbahet mend një varrim i tillë aq madhështor.

Ndoshta vetëm për Enver Hoxhën mund të ketë pasur më tepër. Mirëpo, meqë unë si taksist vetëm kam bartur njerëz, ndaj nuk e dij as nuk mbaj mend se në cilën anë të varrezave të Tiranës është varrosur – na shpjegonte ai pa përtesë.



Ndërsa ne që të dy ishim bërë sy e vesh dhe po e shikonim dhe po e dëgjonim me interesim të madh sa që çdo fjalë të tij po e pranonim si një zbulim tonin drejt gjetjes së varrit të Lilit. Aq sa ishim të mërzitur dhe po përjetonim një dhembje sikur të kishte vdekur sot Lili nga njëra anë, aq e ndjenim veten krenar se vëllain tonë e paskan njohur, admiruar e respektuar si atdhetar e liridashës aq shumë miq e dashamirë, nga ana tjetër.

Meqenëse varrezat ishin të organizuara mirë dhe me rrugë, ne me veturë hymë në varreza. Mirëpo, na kaploi frika e dilema si t’i gjenim varret e të dashurve tanë, të Lilit dhe të Tinës, kë ta pyesnim. Diku në lart pamë disa varrtarë, që po hapnin varre të reja, ndaj unë zbrita nga vetura dhe iu afrova atyre njerëzve dhe meqë sipas bestytnisë e traditës shqiptare varrtarëve, që hapin varre nuk duhet thënë punë e mbarë, unë iu drejtova me këto fjalë:

- Punë e lehtë ju qoftë o vëllezër!

- Faleminderit o vëlla i nderuar qofsh me t’madhin Zot! – ma kthyen urimin varrtarët.

- Me se mund të nderojmë dhe si mund të ndihmojmë o vëlla i nderuar – më pyetën ata mua.

- Unë kërkoj një varr, në të vërtetë dy varre, një çift bashkëshortorësh që janë varrosur në këto varreza. Burrin e quanin Halil Alidema, ndërsa gruan Teuta Kryeziu – Alidema.

- A mos janë të dy nga Kosova?

- Pikërisht nga Kosova, nga Prishtina ishin që të dy. Sepse ata ishin një çift ideal, kishin edhe një ideal një synim e një qëllim në jetë. Dashurinë e respektin njëri ndaj tjetrit e kishin dëshmuar edhe me sakrifica jetësore njëri për tjetrin. Pikërisht për kët arsye familjarët e panë të arsyeshme t’i varrosnin këtu në varrezat e Tiranës, në pjesën e lirë të atdheut shqiptar. Në këtë gjysmë Shqipërie të lirë. E kur të çlirohet edhe gjysma tjetër, nuk është çudi që do t’i zhvarrosim dhe t’i rivarrosim në Kosovën e lirë për të cilën ata jetuan, punuan e vepruan dhe tërë jetën ia kushtuan çlirimit të saj:

Ecnim bashkë me ta, duke i kërkuar varret. Me ndihmën e vëllezërve nga Tirana i gjetëm të dy varret, por ata ishin ndaras, sepse kjo varej nga koha e vdekjes e formimit të vendeve të reja me varre të reja. Ata ndonëse ishin në dy vende të ndryshme varret e tyre nuk ishin larg njëri nga tjetri.

Zonja Fatime i bëri nderimet më parë varrit të zonjës së ndjerë Teutës. Ajo filloi ta përqafonte gurin e varrit të saj dhe nga përmallimi e pikëllimi filloi të dënesë, e pastaj edhe të qaj në zë. Ajo qajti dhe u shkreh në vaj dhe kur u shkri në vaj iu drejtua varrit të Tinës me këto fjalë:

- Eh mori kunatë me Lilin u deshët fort, ndaj u martuat dhe kaluat një jetë stoike, duke i bërë ballë vuajtjeve e peripetive, sepse ti në jetë kishe një ideal të përbashkët me Lilin.

Nga ky vaj i zonjës Fatime u pikëllua edhe taksisti, ndaj edhe ai qajti. Ishte vapë e madhe vere dhe dielli po të përcëllonte, mbi varrin e Tinës dikush kishte mbjell lule, por lulja ishte lodhur e molisur nga etja e madhe për ujë. Ndaj unë mora një shishe plastike e mbusha me ujë dhe i ujita lulet mbi varret e çiftit bashkëshortorë, Lilit e Tinës. Mbi varret e tyre qëndronin edhe mbishkrimet. Ujitjen e përsërita disa herë. Disi isha thelluar në mendime dhe duke i ujitur varret e Lilit dhe Tinës, më dukej sikur po komunikoja e po bisedoja me ta. Me dukej sikur bëja një punë të mirë, sikur ia shuaja etjen e flaktë atyre. Dhe sikur i humbur e i tretur në mendime, më dukej sikur po dëgjoja zërin e ëmbël e përkëdhelës të Lilit që po më thoshte:

- O Bit, më kënaqe duke më freskuar me ujë. Sa i etshëm paskam qenë për ujë e për ty. Ti qofsh i bekuar!

Edhe zonja Fatime po shmallej me varrin e Tinës. Varrtari po na shikonte dhe e miratonte veprimin tonë njerëzor e vëllazëror.

- Ju lumtë! Keni bërë një vepër njerëzore e vëllazërore. Sepse keni nderuar jo vetëm vëllain e kunatën tuaj, por keni nderuar njëkohësisht dy luftëtarë, dy patritotë e veprimtarë liridashës, që luftuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës – Shtoi varrtari.

Ne ishim të vetëdijshëm se me këtë rast po kryenim një obligim vëllazëror në radhë të parë, por edhe një obligim patriotik ndaj dy veprimtarëve liridashës, ushtarë të përjetshëm të Shqipërisë Etnike, në radhë të dytë.

Këta dy e meritonin nderimin tonë dhe respektimin e mbarë popullit shqiptar.

Pasi i bëmë homazhe varreve të dy patriotëve të flaktë, unë e zonja Fatë sikur po njdenim një lehtësim, sepse ndërgjegja jonë tani ishte më e qetë. Ne kishim përmbushur një premtim, se cili të ndahet i pari nga kjo botë do ta vizitojë e përkujdeset për varrin e tjetrit. Premtimi është një obligim, që s’e tretë dheu as s’e plakë koha. Ndaj kurrë nuk bëhet vonë që ta plotësosh premtimin e dhënë. Dhe kur ta plotësosh këtë premtim të dhënë, sikur ndjen një lehtësim. Duke ndjerë këtë lehtësim ne po largoheshim fizikisht nga varret e Lilit e Tinës, por shpirtërisht ishim më afër, sepse tani u pasuruam me përshtypje e kujtime të reja sado të hidhura qofshin ato.

POPULLI MBËSHTET SHPRESËN TE INTELEKTUALËT E VET

Me Lilin shpesh bisedonim dhe analizonim gjendjen shpirtërore të popullit tonë. Trajtonim e shqyrtonim çështjet dhe problemet e papunësisë, e gjendjes së vështirë ekonomike, thellimin gjithnjë e më tepër të skamjes e të varfërisë, shkaqet e kësaj gjendjeje të vështirë. Populli ynë po i nënshtrohej gjithnjë e më tepër dhunës e terrorit shtetëror serb. Kjo gjendje bëhet gjithnjë e më e padurueshme. Të rinjt nuk shihnin kurrfarë perspektive, sepse ata ndiqeshin, arrestoheshin e persekutoheshin. Të rinjt tanë vinin të vrarë në arkivole nga ushtria Jugosllave dhe shpalleshin se kanë bërë vetëvrasje. Kufomat e tyre në arkivole silleshin në shtëpi me përcjellje të posaçme ushtarake. Ata nuk lejonin që të hapeshin arkivolet e ushtarëve shqiptarë, ndaj prindërit e tyre urdhëroheshin që t’i varrosnin bijt e tyre në heshtje e pa zhurmë. Nuk lejohej të hapej as e pamja dhe as miqtë e as dashamirët nuk lejoheshin të shkonin për ngushëllim në këto familje. Numri i të “vetëvrarëve” shtohej gjithnjë e më tepër. Këtij pezmi e mllefi i kishte ardhur fundi; sepse tanimë ishte sosur durimi. Kjo ishte bërë një enigmë. Si enigma e shpellës së arushës, ku shiheshin gjurmët e njerëzve që kishin shkuar deri te shpella, por asnjë nuk ishte kthyer prapa. Ushtria Jugosllave ishte shndërruar në një bajloz, që hante ushtarët e vet. I pari ndër intelektualët shqiptarë, që ia hoqi maskën ushtrisë jugosllave, duke i hapur arkivolet e ushtarëve të “vetëvrarë” shqiptarë, ishte prof. Dr. Zekeria Cana. Që nga ajo kohë filluan varrimet publike, ku merrnin pjesë me dhjetra mijë e qindra mijë pjesëmarrës, që simbolizonin protestat dhe revoltën e popullit. Dhe që nga kjo kohë u mor vendimi gjithëpopullor që të rinjt shqiptarë të mos i shërbejnë më ushtrisë jugosllave. Meqë të rinjt tanë refuzonin të shkonin ushtar në UJ, ata ndiqeshin e arrestoheshin. Për të rinjt shqiptarë që kishin thirrje për ushtri, gjendja e qëndrimi në shtëpitë e veta u vështirësua shumë, ndaj të rinjt tanë morën botën në sy. Ata shkonin në përëndim, ku kërkonin azil.

- Kjo gjendje o Bit, është e paduruseshme dhe vështirë përbllohet pa ndonjë shpërthim. Mjaft më, ndjekje, arrestime, persekutime, vrasje e masakrime!



- Po o Lil, por duhet pasur parasyshë se kemi të bëjmë me një armik jo vetëm të egër e barbar, por edhe të armatosur me armët më moderne. Ndoshta, ai pikërisht për këtë është duke na provokuar aq tepër sa nuk mund ta durojmë më, e pastaj të na sulmojë me egërsinë më të pamëshirshme. Të ndërmarrim diç me armë e luftë në këto çaste, do të ishte një vetëvrasje kombëtare. Prandaj, çdo hap yni duhet të jetë i matur, të veprohet me mençuri e mjeshtri diplomatike. Të përdoren metodat demokratike në fushën e diplomacisë ndërkombëtare. Tash për tash duhet ta ndërkombëtarizojmë çështjen tonë kombëtare. Duhet të jemi aq të mençur sa ta ruajm rininë dhe popullin tonë, sepse populli ynë i ka sytë në ne, ai e ka mbështetë shpresën dhe besimin te intelektualët e vet, ndaj nuk duhet luajtur me besimin e popullit o Lil – ia ktheva unë.

- O Bit... me këtë armik të egër, nuk di njeriu si të sillet, sepse këta e keqpërdorin qëndrimin tonë dhe sjelljet tona njerëzore e paqësore. Ne deri sa të na vijë thika në asht do t’i shmangemi luftës, sepse lufta ha njerëz, madje bijt e bijat tona më të mira. Mua nuk më kanë lënë mendët ta fus atdheun e popullin tim në luftë. Sepse lufta kërkon sakrifica të mëdha, ndaj aq sa është e mundur duhet t’i ikim konflikteve ushtarake. Tani jemi në një gjendje as luftë as paqe do të thotë qëndrojmë ndërmjet luftës dhe jo luftës. Një ditë do të marrin fund edhe format e rezistencës paqësore, si protestat, demonstratat, rrahjet, arrestimet, torturat nëpër çeli të burgut, shkuarja e të rinjve jashtë, zbrazja e Kosovës, largimi nga institucionet arsimore e shkencore. Rrethi i veprimit gjithnjë po ngushtohet. Të rinjt po ndiqen, arsimtarët e nxënësit po keqtrajtohen. Gjendemi në kohën kur po vlon gjithçka, ndaj jemi në prag të shpërthimit të luftës. Lufta është e pashmangshme. Mirëpo, për luftë duhet më parë të përgatitemi moralisht, shpirtërisht e pastaj edhe ushtarakisht. Partitë politike duhet t’i ikin konfrontimit ndërmjet tyre, sepse qëllim i tyre i përbashkët duhet të jetë liria dhe pavarësia e Kosovës, në fazën e parë, e pastaj në fazën e dytë edhe krijimi i Shqipërisë Etnike.

Sigurimi serb, UDB-ja, spiunazhi me metodat më perfide po vepron. Është në kulminacion spiunazhi kinse kundër “terrorizmit” shqiptar. Megjithatë shqiptarët ende nuk janë të gatshëm për luftë. Serbët edhe sigurimi serb një ditë do të dështojnë në Kosovë, sepse ndërgjegja dhe vetëdija e popullit tonë gjithnjë po rritet. Ai po vetëdijësohet, duke përdorë të gjitha format e metodat e resiztencës kundër armikut, duke organizuar grupe ilegale, organizata, protesta e demonstrata kundër armikut tonë shekullor sllav. Populli një ditë do ta marrë fatin e vet në duart e veta, sepse ai vetë është farkatari i fatit të vet. Ai e pa se Evropa e popujt e Evropës deri më tani nuk ka bërë asgjë në favor të interesave të popullit tonë. Prandaj, intelegjencia, nxënës e studentë, mësues e arsimtarë, profesorë e punonjës shkencorë e deri te akademikët do të vihen në lëvizje dhe do të punojnë për çështjen e lirisë së Kosovës dhe e ardhmja e fitorja patjetër do të jetë jona.

ANTON ÇETTA SIMBOL I BASHKIMIT DHE PAJTIMIT KOMBËTAR

Meqenëse populli ynë i kishte drejtuar sytë dhe shpresën e vet kah intelegjenca shqiptare, rinia studentore, arsimtarët e profesorët, shkrimtarët e shkencëtarët, se ishte koha që të ndërmerrej diçka në këtë drejtim.

Falë nismës së mbarë të rinisë sonë të shëndoshë, e cila ishte frymëzuar nga të burgosurit tanë dhe minatorët tanë të mbyllur në zgafellën e Trepçës, duke u vënë në ballë të tyre, plaku ynë urtak, njohësi më i mirë i traditave tona popullore e kanunore, simbol i unitetit dhe pajtimit kombëtar prof. Anton Çetta, me një grup të elitës së intelegjencës shqiptare të Kosovës, më 2 shkurt 1990, filloi aksioni më fisnik e më njerëzor – Pajtimi i gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, i cili pastaj u rrit dhe u zhvillua në një Lëvizje Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave.

- O Bit, për ta luftuar armikun, për t’u çliruar nga robëria shekullore serbosllave, më parë duhet të arrihet uniteti kombëtar. Mirëpo, në mesin tonë, ka shumë ndarje e përçarje, ka shumë gjaqe, plagë e ngatërresa, të cilat nëse vepron kanuni i hakmarrjes, kanë mundësi të shndërrohen në gjaqe të reja. Më parë duhet të mbyllet dhe të shërohet plaga shekullore e hakmarrjes. Në krye të kësaj – Lëvizjeje Gjithëpopullore është vënë prof. A. Çetta – njeri i urtë, njohës i mirë i traditave dhe pajtimtar i madh. Ky me aftësinë e vet shënoi suksese të dalluara dhe korri rezultate të mëdha. Në Kosovë u mbyllën shumë varre të hapura, sepse u pajtuan shumë gjaqe. Anton Çetta u bë i dashur dhe i afërt për popullin e vet. Ai u bë simol i unitetit dhe i pajtimit kombëtar. Motivi për pajtim ishte i madh, sepse popullit shqiptar si qenie kolektive i kanosej rreziku i zhdukjes kombëtare, ndaj në raste të këtilla rreziku, instinktivisht bashkohen edhe shtazët, e lëre më njerëzit. Populli para rrezikut permanent, hapën zemrat e veta, mbizotëruan inatet individuale dhe për hirë të rinisë, të Flamurit e lirisë dhe të një ardhmërie më të lumtur, duke treguar një burrëri e zemërgjerësi të pashoqe, shtriu dorën e pajtimit dhe fali gjaqet, plagët e ngatërresat e veta ndërvëllazërore, dhe kështu kurorëzoi bashkimin e pajtimin kombëtar. Prof. Anton Çetta, u bë intelektuali më i dashur. Ai u afirmua si njeri i shenjtë e profetik, ndaj rapsodi popullor i thuri edhe këngë si jehonë e një dëshmie historike.

Kështu fliste me respekt e admirim të madh Lili për prof. Anton Çettën, sepse edhe ai vetë ishte krah i tij dhe duke ndjekur shumë pajtime. Ai në Lëvizjen e Pajtimeve Gjithëpopullore shihte bashkimin kombëtar dhe parapërgatitjen për një luftë eventuale me armikun. Ai shpesh potenconte se pa bashkim kombëtar nuk mund t’i bëhet kurrfarë rezistence armikut. Prandaj, ai e përkrahu jo vetëm moralisht e shpirtërisht këtë lëvizje, por u angazhua edhe konkretisht me gjithë qenien e vet, me të gjitha aftësitë e veta mendore e fizike, në pajtimin e shumë gjaqeve në Kosovë. Prandaj, ai e lartësonte A. Çettën:

- Qoftë i bekuar A. Çetta dhe emri i tij te populli i vet dhe te madhëria e të lumturit Zot! Pajtimi i gjaqeve ndikoi edhe në forcimin e unitetit ndërpartiak, sepse fryma e pajtimit bënte pjesë në programin e çdo partie shqiptare të Kosovës.

KOSOVA PO ZBRAZET

Popullin e Kosovës, e ka katandisur skamja dhe mjerimi. Papunësia ka arritur kulminacionin. Është krijuar një situatë e rëndë ekonomike dhe politike.

Mjerimi është kafshatë që s’kapërdihet o vëlla! – thoshte dikur Migjeni. Tek ne historia po përsëritet o Bit. Prandaj, po të ishte gjallë Migjeni edhe sot do të ballafaqohej me skamjen e mjerimin, papunësinë e padrejtësinë, dhunën e terrorin në formën më të ashpër, që po ushtron sot Serbia mbi shqiptarët e Kosovës, apo Jugosllavia mbi të gjithë shqiptarët, që sot jetojnë në Jugosllavi.

Shqiptarët kanë marrë botën në sy. Populli dhe fëmijët tanë janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës si farat e hithave.

Kosova po zbrazet o Bit! Kjo plagë që është hapur në trupin e popullit tonë, është hapur edhe në trupin tim. Kjo plagë po më dhemb shumë. Kjo plagë kërkon shërim. Njeriu nuk mund të jetë i lumtur në mesin e populit të vuajtur e fatkeq. S’ka lumturi personale pa lumturi kolektive. Unë do të jem i lumtur kur do të jetë i lumtur populli shqiptar i Kosovës, “Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria” – thoshte Isa Boletini. Duke u zbrazur dita-ditës Kosova nga pjesa më vitale e popullsisë së saj, në Kosovë po mbetet popullata e moshuar, pleqtë e plakat, popullata e paaftë për të punuar e për të luftuar. Sepse pikërisht ky është qëllimi i armikut tonë shekullor- i Serbisë hegjemoniste. Pos këtyre në Kosovë ka filluar plaçkitja nëpër firmat shtetërore dhe ato private, plaçkitja e bankave. E këta plaçkitës e rrëmbyes ishin vetë policia financiare. Sepse ata punonin e vepronin duke shkelur ligjin, zbatimin me faktura e pa faktura, duke mos pasur aspak mëshirë ndaj punës e djersës së një populli jo vetëm të varfër, por edhe të robëruar nën prangat e robërisë serbe. E këto ishin jo vetëm sulme materiale dhe ekonomike, por edhe sulme politike e terroriste nga vetë shteti okupues i Serbisë.

Ndërkaq, ne të shtrënguar nga forca dhe terrori për të mos pasur telashe, u japim para derisa dhe shpenzohemi shumë pa hesap, duke u dhënë deviza të majme po ia zgjasim jetën pushtetit jugosllav. Dhe kështu duke menduar se po zgjidhim probleme, ne në mënyrë të tërthortë po fusim telashe në shtëpitë tona.

Këto ishin probleme të pashërueshme pë popullin tonë. Prandaj, ne, intelegjenca shqiptare, nuk duhet të rrimë duarkryq, por duhet të ndërmarrim diç sa nuk është bërë vonë dhe duhet të ndalet zbrazja e Kosoës, si njëra ndër plagët më të mëdha në trup të saj.

Nëse duam çdo gjë mundemi. Vetëm nevojitet guximi e vendosmëria, dashuria ndaj punës, popullit e atdheut. Sepse çdo popull e ka fatin e vet në duar të veta. Në këtë drejtim duhet punuar shumë, duhet punuar natë e ditë e pandërprerë pa u lodhur e pa u ndalur fare. Shtëpinë e mbajnë të gjithë anëtarët e një familjeje, kurse atdheun i tërë populli, njerëz të të gjitha shtresave e profileve të nduarnduarta, sepse atdheun e ndërtojnë: fshatari, zejtari e intelektual, secili prej tyre në formën e vet, ashtu siç janë të varura ndërmjetveti pjesët e mullirit. Pa harmonizimin e koordinimin e tyre, mulliri nuk mund të bluaj drithin ta bëjë bukën, sepse buka është shpirti i shpirtit, kurse intelektualët janë shpirti e mendja e popullit.

- VIJON -

_____________________

SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA - METEORË LIRIE (9)

http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11134


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks